Mësimi 147
Largimi nga Navuja
Hyrje
Pasi Profeti Jozef Smith u martirizua, Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, nën drejtimin e presidentit të kuorumit të tyre, Brigam Jangut, e udhëhoqi Kishën dhe vazhdoi punën e Zotit. Ata i nxitën shenjtorët ta përfundonin Tempullin e Navusë. Për shkak të përndjekjes së vazhdueshme, ata gjithashtu i këshilluan shenjtorët të përgatiteshin për t’u zhvendosur në perëndim.
Sugjerime për Mësimdhënien
Shenjtorët punojnë me zell për të marrë bekimet e tempullit
Kërkojuni studentëve të mendojnë për një rast kur ata bënë diçka të vështirë sepse e dinin që rezultati do t’ia vlente përpjekjen. Merreni parasysh të ndani një përvojë vetjake me klasën. Më pas ftojini disa studentë të tregojnë përvojat e tyre.
Shpjegoni se pas vdekjes së Profetit Jozef Smith, shenjtorët kishin detyrën e vështirë për të përfunduar Tempullin e Navusë.
-
Si mendoni ju, përse do të ishte e vështirë për shenjtorët që ta përmbushnin këtë urdhërim të dhënë nëpërmjet Jozef Smithit?
Paraqitni një fotografi të tanishme të Tempullit të Navusë në Ilinois (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 118; shih edhe LDS.org). Shpjegoni se shenjtorët bënë sakrifica të mëdha për ta ndërtuar Tempullin e Navusë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin vijues. Ftojeni klasën të dëgjojnë për sakrificat që bënë shenjtorët për ta ndërtuar tempullin e parë në Navu.
Në konferencën e përgjithshme të tetorit të vitit 1844, Presidenti Brigam Jang u kërkoi shenjtorëve që të jepnin të dhjetat dhe ofertat e tyre për të ndërtuar tempullin. Në përgjigje, çdo motër e Shoqatës së Ndihmës dha një qindarkë në javë për pajisje ndërtimi. Shumë burra dhanë si të dhjetë kohën e tyre duke punuar në tempull një herë në dhjetë ditë. Të tjerë dhanë më shumë se një e dhjeta nga burimet e tyre financiare. Jozef Toronto i dha Brigam Jangut 2.500 dollarë në ar dhe tha se donte të jepte gjithçka që kishte për ta ndërtuar mbretërinë e Perëndisë. (Shih Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 302; Trashëgimia Jonë [1996], f. 59–60.)
-
Si mendoni ju, përse shenjtorët qenë të gatshëm të sakrifikonin kaq shumë për ta ndërtuar tempullin?
Pasi studentët ta diskutojnë këtë pyetje, shpjegoni se përndjekja e bëri të vështirë përfundimin e Tempullit të Navusë. Shumë armiq të Kishës menduan që, sapo të vritej Jozef Smithi, Kisha do të shkatërrohej. Megjithatë, kur Kisha vazhdoi të rritej dhe të lulëzonte, armiqtë e Kishës i dendësuan përpjekjet e tyre për t’i dëbuar shenjtorët nga Ilinoisi.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin vijues. Kërkojini klasës të dëgjojë se çfarë u përpoqën të bënin armiqtë e Kishës për ta shkatërruar Kishën.
Në shtator 1844, koloneli Levi Uilliams, një prej atyre që më vonë u akuzua për vrasjen e Jozef dhe të Hajrëm Smithit, organizoi një fushatë të madhe ushtarake për t’i nxjerrë me forcë shenjtorët e ditëve të mëvonshme nga Ilinoisi. Ajo u lajmërua si “një gjueti e madhe ujqërish në kontenë Hankok” (David E. Miller and Della S. Miller, Nauvoo: The City of Joseph [1974], f. 186). Kur e dëgjoi këtë, guvernatori Tomas Ford i Ilinoisit dërgoi në konte gjeneralin Xhon Hardin të milicisë së shtetit për të ruajtur paqen. Një vit më vonë, në shtator 1845, koloneli Uilliams udhëhoqi një turmë prej 300 burrash, të cilët i sulmuan kolonitë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në zonat përreth, duke djegur shumë shtëpi të pambrojtura, stalla, mullinj dhe mullarë me drithë. Në mes të shtatorit, Presidenti Brigam Jang kërkoi vullnetarë që t’i shpëtonin ata shenjtorë. Shenjtorët në Navu përgatitën 134 qerre për t’i sjellë familjet nga kolonitë përreth të sigurta në Navu. (Shih History of the Church, 7:45–46; Church History in the Fulness of Times Student Manual, f. 301; David E. Miller dhe Della S. Miller, Nauvoo: The City of Joseph, f. 185–186.)
-
Si do ta kenë bërë të vështirë këto sulme vazhdimin e punës në tempull?
Shpjegoni se shumë banorë të Ilinoisit kishin frikë se prania e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme mund të çonte në një luftë civile. Ata u kërkuan shenjtorëve të largoheshin nga shteti. Më 24 shtator 1845, Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve botoi një letër duke premtuar se Kisha do të largohej pranverën e ardhshme.
-
Përse ky duhet të ketë qenë një vendim i vështirë për t’u marrë?
-
Si mendoni ju se mund të ketë ndikuar në përpjekjet e shenjtorëve për ta përfunduar tempullin vendimi për t’u larguar nga Navuja?
Pasi studentët ta kenë diskutuar këtë pyetje, shpjegoni që edhe pse shenjtorët e dinin se do t’ju duhej të largoheshin nga Ilinoisi, ata vazhduan të punonin në tempull.
-
Si mendoni ju, përse këta shenjtorë vazhduan të punonin në tempull edhe pse e dinin që do të largoheshin?
Kujtojuni studentëve se në atë kohë, ordinancat e tempullit të nevojshme për ekzaltim nuk ishin ende në dispozicion për anëtarësinë e përgjithshme të Kishës. Në një zbulesë të vitit 1841, Zoti u premtoi shenjtorëve se, nëse ata do ta ndërtonin tempullin e Navusë, ata do të ishin në gjendje t’i merrnin ato ordinanca (shih DeB 124:27–44).
-
Çfarë na mësojnë rrëfimet e sakrificave dhe vështirësive të shenjtorëve për të ndërtuar tempullin? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi parimesh, të tilla si ai që vijon: Marrja e ordinancave të tempullit ia vlen gjithë përpjekjen dhe sakrificën tonë të drejtë. Shkruajeni në tabelë këtë parim dhe ndonjë tjetër që studentët gjejnë.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson. Kërkojini klasës të dëgjojë për sakrificat që bënë disa shenjtorë të tanishëm të ditëve të mëvonshme, me qëllim që të merrnin ordinancat e tempullit.
“Shumë vite më parë, lexova për një grup prej më shumë se njëqind anëtarësh që u nisën nga Manausi, i cili ndodhet në zemër të pyllit tropikal të Amazonës, për të udhëtuar drejt asaj që ishte atëherë tempulli më i afërt, i ndodhur në San-Paulo të Brazilit – afërsisht 4.000 kilometra larg Manausit. Ata shenjtorë besnikë udhëtuan me barkë për katër ditë në lumin Amazona dhe degët e tij. Pasi e përfunduan udhëtimin e tyre nëpër ujë, ata hipën në autobusë për tre ditë të tjera udhëtimi – në rrugë me gunga, me shumë pak gjëra për të ngrënë dhe pa pasur ndonjë vend të rehatshëm për të fjetur. Pas shtatë ditësh e netësh, ata arritën në tempullin e San-Paulos, ku u kryen ordinanca me natyrë të përjetshme. Sigurisht, udhëtimi i tyre i kthimit qe po aq i vështirë. Megjithatë, ata i kishin marrë ordinancat e bekimet e tempullit dhe, edhe pse kuletat i kishin bosh, ata vetë u mbushën me shpirtin e tempullit dhe me mirënjohje për bekimet që kishin marrë” (“Tempulli i Shenjtë – Një Fener për Botën”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 91).
-
Çfarë sakrificash bënë shenjtorët nga Manausi për t’i marrë ordinancat e tempullit?
Ftojini tre studentë që të vijnë përpara klasës dhe të lexojnë me zë të lartë rrëfimet vijuese. Kërkojini klasës të dëgjojë për përpjekjet e drejta të shenjtorëve nga Navuja për t’i marrë ordinancat e tempullit.
-
Çfarë ju bën përshtypje nga përpjekjet e shenjtorëve për t’i marrë ordinancat e tempullit?
Për t’i ndihmuar studentët ta ndjejnë të vërtetën dhe rëndësinë e parimeve që ju keni shkruar në tabelë dhe për t’i ndihmuar ata që t’i zbatojnë këto parime në jetën e tyre, ftojini ata që t’i përgjigjen pyetjeve në vijim në fletoren e tyre të klasës ose në ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. (Shkruajini pyetjet në tabelë.)
Pas një kohe të mjaftueshme, u kërkoni disa vullnetarëve që të tregojnë përgjigjet e tyre për pyetjen e dytë.
Shenjtorët largohen nga Navuja
Shpjegoni se pas marrjes së ordinancave të tempullit, shenjtorët filluan të largoheshin nga Navuja në shkurt 1846. Gjatë disa muajve pasues, ata vazhduan të largoheshin nga Navuja dhe grupe të ndryshme u vendosën përkohësisht në shtetin e Ajouas. Nga fundi i prillit, shumica e shenjtorëve kishin ikur nga Navuja. Megjithatë, jo të gjithë anëtarët e Kishës ishin në gjendje të largoheshin. Një numër i vogël qëndroi në Navu gjatë verës së vitit 1846, për shkak se ata ishin shumë të sëmurë, shumë të varfër ose shumë të dobët për të udhëtuar. Disa të tjerë zgjodhën të qëndronin.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin vijues, i cili tregon për ato që u ndodhën shumë prej atyre që qëndruan prapa.
Në shtator 1846, afërsisht 800 njerëz, të armatosur me gjashtë topa, u përgatitën që të sulmonin Navunë. Pjesa e mbetur e shenjtorëve dhe disa qytetarë të rinj, që numëroheshin vetëm në 150 burra luftëtarë, u përgatitën për ta mbrojtur qytetin. Pas disa ditë lufte, shenjtorët u detyruan të dorëzoheshin dhe atyre iu tha të largoheshin menjëherë nga qyteti. Turma më pas hyri në qytet, grabiti shtëpitë dhe shkatërroi tempullin. Disa shenjtorë që nuk ishin në gjendje të iknin mjaft shpejt, u rrahën ose u hodhën në lumin Misisipi. Pasi këta shenjtorë që mbetën u nxorën me forcë nga Navuja, ata ngritën kampe refugjatësh përgjatë bregut të lumit nga ana e Ajouas. Ata nuk kishin ushqim të mjaftueshëm, pajisje apo forcë fizike për ta mbështetur veten e tyre. (Shih Church History in the Fulness of Times Student Manual, f. 318.)
Shpjegoni se udhëheqësit e Kishës dërguan prapa grupe shpëtuesish, përmes Ajouas, për t’i ndihmuar shenjtorët e përvuajtur.
-
Si mendoni se do të ishit ndier nëse do të ishit thirrur për t’u kthyer në Navu?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë mesazhin që Brigam Jangu u dërgoi burrave që ishin ngarkuar për të rekrutuar grupe shpëtimi:
“Lëreni zjarrin e besëlidhjes që ju bëtë në Shtëpinë e Zotit të digjet në zemrat tuaja, si një zjarr i pashueshëm, derisa juve … të keni kërkuar çdo njeri … që [është në gjendje të niset] dhe t’i japë zemër vetes, derisa të ngrihet … dhe të shkojë drejt e të sjellë një tufë të varfërish nga Navuja. …
… Kjo është një ditë veprimi” (Journal History of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, 28 shtator 1846, f. 5–6, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti).
-
Çfarë na mëson thënia e Brigam Jangut rreth besëlidhjeve që ne bëjmë? (Sigurohuni që studentët të kuptojnë se nuk është e mjaftueshme që ne të bëjmë besëlidhje – ne kemi nevojë t’i mbajmë ato. Shkruani në tabelë të vërtetën vijuese: Zoti kërkon që ne të jetojmë sipas besëlidhjeve që bëjmë,)
Shkruani në tabelë pyetjet vijuese:
Ndajini studentët në dyshe dhe ftojini ata të zgjedhin njërën prej pyetjeve dhe t’i diskutojnë përgjigjet e tyre me partnerët e tyre. Ju gjithashtu mund të doni t’i ftoni disa studentë që t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.
Përfundoni duke iu kërkuar studentëve të marrin në shqyrtim atë që duhet të bëjnë për të jetuar sipas besëlidhjeve që ata kanë bërë. Dëshmoni për bekimet e mbajtjes së besëlidhjeve.