Seminare dhe Institute
Mësimi 97: Doktrina e Besëlidhje 93:1–20


Mësimi 97

Doktrina e Besëlidhje 93:1–20

Hyrje

Më 6 maj 1833, Profeti Jozef Smith mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 93. Kjo zbulesë do të jepet mësim në dy pjesë. Ky mësim përqendrohet te vargjet 1–20, në të cilat Jezu Krishti shpjegoi qëllimin e zbulesës: “Unë jua jap këto thënie që ju të mund ta kuptoni e dini se si të adhuroni dhe të dini çfarë të adhuroni, që ju të mund të vini tek Ati në emrin tim dhe në kohën e përshtatshme të merrni plotësinë e tij” (DeB 93:19).

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 93:1–5

Jezu Krishti na mëson se si individët mund ta shohin fytyrën e Tij dhe ta dinë se Ai ekziston

Paraqitni një figurë të një njeriu të mirënjohur, që studentët tuaj do ta njohin dhe pyetini nëse e dinë emrin e personit. (Nëse nuk jeni në gjendje ta paraqitni një figurë, shkruajeni emrin e personit në tabelë dhe kërkojuni studentëve të shpjegojnë se kush është personi dhe për çfarë njihet ai ose ajo.)

  • Përse kaq shumë njerëz e dinë se kush është ky person?

  • A mendoni se është e rëndësishme të dini se kush është ky person? Përse?

Paraqitni një figurë të Jezu Krishtit (ju mund të përdorni Jezu Krishti [Libri i Figurave Artistike të Ungjillit (2009), nr. 1]; shih edhe LDS.org) dhe shpjegoni se shumë njerëz sot nuk e dinë se kush është Ai.

Jezu Krishti
  • Si mendoni, përse është e rëndësishme të dimë se kush është Jezu Krishti?

Dëshmoni që ne nuk jemi në gjendje ta arrijmë potencialin tonë të plotë si fëmijë të Perëndisë, në qoftë se nuk dimë rreth Jezu Krishtit. Shpjegoni se te Doktrina e Besëlidhje 93, Zoti na mësoi se si ne mund ta shtojmë diturinë tonë për Të dhe për fuqinë e Tij për të na bekuar tani dhe gjatë gjithë përjetësisë. Shkruajini në tabelë dy pyetjet vijuese, duke lënë hapësirë për studentët që t’i shkruajnë përgjigjet e tyre nën pyetjet.

Çfarë duhet të bëjmë që të fitojmë një dëshmi për Jezu Krishtin?

Çfarë mund të dimë rreth Tij nëse i bëjmë këto gjëra?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 93:1–5. Përpara se studenti të fillojë leximin, vëreni gjysmën e klasës të kërkojë përgjigje për pyetjen e parë dhe gjysmën tjetër të klasës të kërkojë përgjigje për pyetjen e dytë. Pasi të jenë lexuar vargjet, ftojini disa studentë të vijnë te tabela dhe t’i shkruajnë përgjigjet e tyre për pyetjet. Më pas bëjini klasës pyetjen vijuese:

  • Si do ta thoshit premtimin te vargu 1 si një parim [në formën] “nëse–atëherë”? (Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë parimin vijues: Nëse i braktisim mëkatet tona, vijmë te Krishti, lutemi në emrin e Tij, i bindemi zërit të Tij dhe i mbajmë urdhërimet e Tij, atëherë ne do ta shohim fytyrën e Tij dhe do ta dimë se Ai është.)

Ju mund të doni të theksoni se ky bekim do të vijë në vetë kohën e Zotit, në vetë mënyrën e Tij dhe sipas vetë vullnetit të Tij (shih DeB 88:68; shih edhe Enosi 1:27).

  • Si mund të na ndihmojë secili prej veprimeve te Doktrina e Besëlidhje 93:1 që ta njohim Jezu Krishtin?

  • Nga ajo që mësoni te vargu 3, cila është një doktrinë e rëndësishme për ta kuptuar rreth Atit dhe Birit? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Ati dhe Biri janë një.)

  • Çfarë do të thotë që Ati dhe Biri janë një?

Ndihmojini studentët të kuptojnë se Ati dhe Biri janë dy qenie të veçanta dhe të dallueshme, secili me një trup fizik të përlëvduar (shih DeB 130:22). Megjithatë, Ati dhe Biri janë një në qëllim dhe në doktrinë. Ata janë përsosmërisht të bashkuar që të bëjnë të ndodhë plani i Atit Qiellor për shpëtimin.

Vini në dukje frazën vijuese te Doktrina e Besëlidhje 93:4: “Ati, sepse më dha prej plotësisë së tij”. Më pas ftojini studentët ta lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 93:17, 26. Bëni pyetjet vijuese:

  • Çfarë kuptimi ka që Jezu Krishti mori një plotësi të Atit? (Shih DeB 93:16–17, 26.)

  • Si na ndihmojnë të vërtetat te vargjet 4–5 për ta kuptuar më tej se çfarë kuptimi ka që Ati dhe Biri janë një?

Shpjegoni se ngaqë Ati dhe Biri janë një, ne do të arrijmë t’i njohim si Atin Qiellor ashtu edhe Jezu Krishtin, kur bëjmë atë që Zoti tha te Doktrina e Besëlidhje 93:1.

Doktrina e Besëlidhje 93:6–20

Anali i Gjonit përdoret për të na ndihmuar që të kuptojmë se si Jezu Krishti e mori një plotësi të lavdisë së Atit Qiellor

Shpjegoni se ne mund të mësojmë më shumë rreth Jezu Krishtit nëpërmjet studimit të informacionit që Zoti e dha nga anali i Gjonit te Doktrina e Besëlidhje 93. Mund të jetë e dobishme gjithashtu të shpjegoni se Apostulli Gjon ishte një dishepull i Gjon Pagëzorit kur Jezu Krishti e filloi shërbesën e Tij në vdekshmëri. Në shkrimet e tij, Apostulli Gjon dha një rrëfim të pjesshëm të dëshmisë që Gjon Pagëzori e dha për Shpëtimtarin.

Ndajini studentët në grupe me nga katër veta. Bëjeni secilin grup të lexojë bashkërisht Doktrinën e Besëlidhjet 93:6–11 dhe të përcaktojë titujt e përdorur për ta përshkruar Shpëtimtarin. Titujt që gjejnë studentët duhet të përfshijnë “Fjala, madje lajmëtari i shpëtimit” (vargu 8), “drita dhe Shëlbuesi i botës” (vargu 9), “Shpirti i së vërtetës” (vargu 9) dhe “[i] Vetëmlinduri [i] Atit” (vargu 11).

ikona e fletushkësKur ta kenë mbaruar leximin e vargjeve, jepini secilit student një kopje të informacionit vijues rreth titujve të përmendur më lart. Vëreni secilin anëtar të grupit të zgjedhë një nga titujt dhe të studiojë në heshtje informacionin shoqërues. Udhëzojini studentët të përgatiten që t’i shpjegojnë pjesës tjetër të grupit të tyre se çfarë nënkupton ai titull dhe të tregojnë përgjigjet e tyre për pyetjen vijuese. Ju mund të doni ta paraqitni pyetjen në tabelë ose ta përfshini atë te fletushka, me qëllim që studentët të mund t’i referohen asaj kur iu nevojitet.

  • Si ju ndihmon ky informacion që ta njihni, vlerësoni dhe ndiqni më mirë Jezu Krishtin?

“Fjala, madje lajmëtari i shpëtimit”

Jezu Krishti përmendet si “Fjala” te Gjoni 1:1. Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

Plaku Rasëll M. Nelson

“Në gjuhën greke të Dhiatës së Re, ajo Fjala ishte Logos, ose ‘shprehja’. … Ajo terminologji mund të duket e çuditshme, por është e përshtatshme. Ne përdorim fjalë për t’ua përçuar shprehjen tonë të tjerëve. Kështu Jezusi ishte Fjala, ose shprehja, e Atit të Tij drejtuar botës” (“Jesus the Christ: Our Master and More”, Ensign, prill 2000, f. 4). Jezu Krishti quhet lajmëtari i shpëtimit, sepse Ai shpall fjalët e Atit për ne dhe ata që e dëgjojnë dhe i binden mesazhit të Tij, do të marrin shpëtim (shih Gjoni 12:49–50).

“Drita dhe Shëlbuesi i botës”

Nëpërmjet Dritës së Krishtit, Jezu Krishti u jep jetë dhe dritë të gjitha gjërave. Ai gjithashtu quhet Drita e Botës, sepse Ai siguron shembullin e përsosur të mënyrës se si gjithë njerëzit duhet të jetojnë. Jezu Krishti është Shëlbuesi i botës, sepse nëpërmjet Shlyerjes së Tij Ai e pagoi çmimin për mëkatet e gjithë njerëzimit dhe e bëri të mundur ringjalljen e gjithë njerëzve.

“Shpirti i së vërtetës”

Titulli “Shpirti i së vërtetës” na ndihmon të kuptojmë se Jezu Krishti nuk gënjen dhe se Ai zotëron një plotësi të së vërtetës (shih Enosi 1:6; DeB 93:26). Ai i zbulon të vërtetën njerëzimit (shih DeB 76:7–8). Ky titull gjithashtu përdoret për t’iu referuar Frymës së Shenjtë, që dëshmon për Jezu Krishtin (shih Gjoni 15:26).

“[I] Vetëmlinduri [i] Atit”

Jezu Krishti është njeriu më i madhërishëm që u lind në këtë tokë. Perëndia është Ati i shpirtrave të të gjithë njerëzimit, por Jezu Krishti është i vetmi person që u lind në botë si Biri i drejtpërdrejtë i Perëndisë në mish. Ngaqë Jezu Krishti u lind prej një ati të pavdekshëm, Ai kishte fuqi mbi vdekjen (shih Gjoni 5:26). Kjo fuqi e lejoi Atë t’i përmbushte Shlyerjen dhe Ringjalljen për gjithë njerëzimin.

Pasi grupet të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’i përfunduar diskutimet e tyre, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 93:12–17. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë se si Jezu Krishti u bë i ngjashëm me Atin e Tij.

  • Si u bë Jezu Krishti i ngjashëm me Atin e Tij? (Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë parimin vijues: Jezu Krishti u rrit hir pas hiri derisa Ai e mori një plotësi të lavdisë së Atit.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë që Jezu Krishti vazhdoi hir pas hiri derisa Ai e mori një plotësi?

Ndihmojini studentët të kuptojnë se hiri është forcë dhe fuqi nga Perëndia, që na lejon të fitojmë jetë të përjetshme dhe ekzaltim. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 93:19–20. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të përcaktojë arsyen që dha Shpëtimtari për zbulimin e mënyrës se si Ai e mori plotësinë e Atit.

  • Sipas vargut 19, përse Shpëtimtari e zbuloi mënyrën se si Ai e mori plotësinë e Atit?

Ndihmojini studentët të kuptojnë se Shpëtimtari zbuloi mënyrën se si Ai e mori një plotësi me qëllim që ne të mund ta “kuptoni[m] e [njihnim]” Atë dhe Atin Qiellor dhe të dinim se si ta adhuronim Atin dhe të merrnim prej plotësisë së Tij. Shkruajeni në tabelë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. (Kjo thënie gjendet te The Promised Messiah: The First Coming of Christ [1978], f. 568.)

“Adhurimi i përsosur është përngjasimi. Ne i nderojmë ata njerëz të cilëve [përpiqemi] t’u përngjasojmë” (Plaku Brus R. Mek-Konki).

  • Si mendoni, çfarë do të thotë të adhurosh?

  • Si duhet ta adhurojmë Atin Qiellor? (Studentët duhet të shprehin parimin vijues: Ne duhet ta adhurojmë Atin Qiellor duke e ndjekur shembullin e Jezu Krishtit.)

  • Si ishte përparimi i Shpëtimtarit hir pas hiri i ngjashëm me procesin e të mësuarit dhe të përparimit që ne mund ta përjetojmë?

  • Çfarë premtimi u jepet te Doktrina e Besëlidhje 93:20 atyre që e ndjekin shembullin e Jezu Krishtit dhe i zbatojnë urdhërimet e Tij? (Studentët duhet të shprehin parimin vijues: Nëse i zbatojmë urdhërimet, ne mund të marrim një plotësi të Atit, ashtu si e ka marrë Jezu Krishti.)

Ngrijeni lart figurën e Shpëtimtarit të cilën e paraqitët në fillim të orës mësimore.

  • Përse është e rëndësishme të kemi dëshmi për shembullin, mësimet dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit?

  • Çfarë mund të bëni për të vazhduar “hir pas hiri” (DeB 93:13) dhe për të qenë më shumë si Ai?

Ftojeni një student që ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Lorenco Snou dhe kërkojini klasës të mendojë rreth asaj që duan të bëjnë për të qenë më shumë si Shpëtimtari:

Presidenti Lorenco Snou

“Mos prisni të bëheni të përsosur menjëherë. Nëse prisni këtë, do të zhgënjeheni. Jini më i mirë sot nga sa ishit dje dhe jini më i mirë nesër nga sa jeni sot. Tundimet që ndoshta na mposhtin pjesërisht sot, le të mos na mposhtin po kaq nesër. Kështu vazhdoni të jeni pak më të mirë nga dita në ditë; dhe mos e lini jetën tuaj të konsumohet pa u bërë mirë të tjerëve si edhe vetes” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Lorenco Snou [2012], f. 107).

Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e tyre të klasës apo ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth një mënyre të posaçme se si ata do të përpiqen të përparojnë dhe të përmirësohen nëpërmjet ndjekjes së shembullit të Shpëtimtarit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 93:5. Jezu Krishti manifestoi veprat e Atit

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se një qëllim i rëndësishëm i shërbesës së Jezu Krishtit në vdekshmëri ishte për të na ndihmuar të arrijmë ta njohim Atin tonë në Qiell:

Plaku Xhefri R. Holland

“Në gjithçka që Jezusi erdhi të thoshte dhe të bënte, duke përfshirë dhe veçanërisht në vuajtjen dhe flijimin e Tij shlyes, Ai po na tregonte se cili është Perëndia, Ati ynë i Përjetshëm, dhe se si është Ai, se sa tërësisht i përkushtuar është Ai ndaj fëmijëve të Tij në çdo epokë e komb. Me fjalë dhe vepra Jezusi po përpiqej ta zbulonte dhe ta bënte vetjake për ne natyrën e vërtetë të Atit të Tij, Atit tonë në Qiell.

Ai e bëri këtë të paktën pjesërisht, sepse atëherë dhe tani ne të gjithë kemi nevojë ta njohim Perëndinë më tërësisht, me qëllim që ta duam Atë më thellësisht dhe t’i bindemi Atij më plotësisht. …

Prandaj duke ushqyer të uriturit, duke shëruar të sëmurët, duke qortuar hipokrizinë, duke bërë thirrje për besim – ky ishte Krishti duke na treguar udhën e Atit, Atij që është ‘i dhembshur dhe i hirshëm, i ngadalshëm në zemërim, i duruar dhe plot mirësi’ [Lectures on Faith (1985), f. 42.]” (“The Grandeur of God”, Ensign, nëntor 2003, f. 70, 72).

Doktrina e Besëlidhje 93:12–16. Ati dëshiron që ne ta marrim plotësinë e Tij

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si ne mund të bëhemi çfarë Ati ynë Qiellor do që ne të bëhemi dhe ta marrim plotësinë e Tij:

Plaku Dallin H. Ouks

“Ungjilli i Jezu Krishtit është një plan që na tregon si të bëhemi çfarë Ati ynë Qiellor do që ne të bëhemi.

Një shëmbëlltyrë e ilustron këtë të kuptuar. Një atë i pasur e dinte se, nëse do t’ia jepte tërë pasurinë e tij një fëmije, i cili nuk e kishte ende të zhvilluar urtësinë dhe zhvillimin e nevojshëm, trashëgimia ndoshta do të shkatërrohej. Babai i tha fëmijës së tij:

‘Gjithçka që e kam, dëshiroj të ta jap ty – jo vetëm pasurinë time, por edhe pozitën dhe vendin tim në mes njerëzve. Atë që unë e kam, mund të ta jap ty me lehtësi, por atë që unë jam, ti duhet ta fitosh për veten tënde. Ti do të kualifikohesh për trashëgiminë tënde duke mësuar atë që kam mësuar unë dhe duke jetuar në mënyrën si kam jetuar unë. Unë do të të jap ligjet dhe parimet me anë të të cilave e kam fituar urtësinë dhe zhvillimin tim. Ndiqe shembullin tim, mjeshtërohu sikurse jam mjeshtëruar unë dhe do të bëhesh si unë dhe gjithçka që unë e kam, do të jetë e jotja.’

Kjo shëmbëlltyrë ngjan me modelin e qiellit. Ungjilli i Jezu Krishtit premton trashëgiminë e pakrahasueshme të jetës së përjetshme, plotësinë e Atit dhe zbulon ligjet dhe parimet me anë të të cilave ajo mund të fitohet” (“The Challenge to Become”, Ensign, nëntor 2000, f. 32).

Doktrina e Besëlidhje 93:13–14. Jezu Krishti “nuk e mori plotësinë që në fillim”

Denjimi i Jezu Krishtit përfshiu faktin që edhe Ai, një anëtar i Kreut Perëndi, kaloi përmes velit për në vdekshmëri, u bë si secili prej nesh dhe fillimisht nuk ishte i ndërgjegjshëm për identitetin e Tij hyjnor si Biri i Vetëmlindur i Perëndisë, Atit. Presidenti Lorenco Snou shpjegoi: “Kur Jezusi ishte shtrirë në grazhd, një fëmijë i pazoti, Ai nuk e dinte se ishte Biri i Perëndisë, dhe se më parë kishte krijuar tokën. Kur urdhri i Herodit u shpall, Ai nuk dinte gjë për të; Ai nuk kishte ndonjë fuqi për ta shpëtuar Veten; dhe [Jozefi e Maria] duhej ta merrnin Atë dhe [të arratiseshin] në Egjipt për ta mbrojtur nga pasojat e atij urdhri. … Ai u rrit në burrëri dhe gjatë përparimit të Tij, iu zbulua se kush ishte dhe për çfarë qëllimi ishte në botë. Atij iu bënë të njohura lavdia dhe fuqia që zotëronte përpara se të vinte në botë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Lorenco Snou [2012], f. 287).

Doktrina e Besëlidhje 93:12, 19–20. Duke vazhduar hir pas hiri dhe duke marrë një plotësi të lavdisë së Atit

Thënia vijuese nga Profeti Jozef Smith qartëson një aspekt të rritjes hir pas hir derisa ne të marrim një plotësi:

Profeti Jozef Smith

“Nuk është e urtë që ne duhet të na paraqitet menjëherë e gjithë dituria para nesh; por ne duhet ta marrim pak e nga pak; atëherë ne mund ta kuptojmë atë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 284).

Më tej ai tha:

Profeti Jozef Smith

“Kur ngjitni një shkallë, duhet të filloni nga fundi dhe të ngjiteni hap pas hapi derisa të arrini në majë; kështu është edhe me parimet e ungjillit – ju duhet të filloni në fillim dhe të vazhdoni deri sa t’i mësoni të gjitha parimet e ekzaltimit. Por do të kalojë shumë kohë pasi të keni kaluar përtej velit [të keni vdekur] para se t’i mësoni ato. Jo çdo gjë kuptohet në këtë botë; do të duhet një punë e madhe për të mësuar mbi shpëtimin dhe ekzaltimin tonë madje edhe përtej varrit” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 284).