Seminare dhe Institute
Mësimi 31: Doktrina e Besëlidhje 24 dhe 26


Mësimi 31

Doktrina e Besëlidhje 24 dhe 26

Hyrje

Në qershor dhe korrik të vitit 1830 Jozef Smithi dhe anëtarë të tjerë të Kishës po përballeshin me përndjekje të madhe. Gjatë kësaj kohe të vështirë, Zoti i forcoi Jozef Smithin e Oliver Kaudërin dhe i udhëzoi në lidhje me përgjegjësitë e tyre nëpërmjet zbulesës që përfshihet te Doktrina e Besëlidhje 24. Zoti dha udhëzim edhe për praktikën e miratimit të përbashkët në Kishë, që gjendet te Doktrina e Besëlidhje 26.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 24:1–12

Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri marrin këshillë lidhur me thirrjet e tyre

Përpara se të fillojë ora mësimore, shkruani pyetjen vijuese në tabelë: Çfarë bëni ju kur jeta është e vështirë?

Kërkojuni studentëve të mendojnë për një kohë të vështirë apo zhgënjyese që kanë pasur dhe për mënyrën se si u përballën me vështirësitë. Ftojini disa studentë të tregojnë përvojat e tyre. (Kujtojuni studentëve se disa përvoja janë tepër të shenjta apo vetjake për t’u treguar.)

Shpjegoni se Jozef Smithi përjetoi shumë periudha të vështira në jetën e tij. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë kreun e seksionit 24. Ftojeni klasën ta ndjekë dhe të përcaktojë rrethanat në të cilat u morën kjo dhe dy zbulesat vijuese.

Për të ilustruar përndjekjen që Jozef Smithi dhe të tjerë po hasnin në këtë kohë, merrni parasysh t’i kërkoni një studenti të përmbledhë më zë të lartë rrethanat historike vijuese (mund t’ju nevojitet ta jepni këtë informacion përpara orës mësimore, për t’i dhënë kohë studentit që të përgatitet):

Në qershor të vitit 1830 Jozef Smithi dhe disa shokë shkuan në Kollsvill të Nju‑Jorkut, për të vizituar njerëzit që ishin të interesuar për t’u pagëzuar. Në një përrua u ndërtua një pritë, që të përgatiteshin për pagëzime ditën pasuese (të dielën), por një turmë armiqësore e shkatërroi pritën gjatë natës. Të hënën herët në mëngjes, prita u rindërtua dhe 13 njerëz u pagëzuan, duke përfshirë Ema Smithin. Megjithatë, në kohën që pagëzimet kishin përfunduar, ishte mbledhur një turmë me gati 50 burrash, duke fyer dhe kërcënuar se do t’u bënin keq shenjtorëve. Atë mbrëmje, shenjtorët u takuan për të konfirmuar ata që ishin pagëzuar më herët atë ditë, por përpara se të mund të kryheshin konfirmimet, Jozefi u arrestua me akuzën e “të qenit një person shqetësues, duke krijuar trazira në vend me anë të predikimit të Librit të Mormonit”. (Shih History of the Church, 1:86–88.)

Rrugës për në gjyq, Jozefi shpëtoi nga turma me ndihmën e një oficeri dashamirës që e shoqëronte atë. Pas gjykimit dhe lirimit nga akuzat, Jozefi u arrestua sërish menjëherë nga një oficer i një konteje tjetër. Atë natë Jozefi u vu në lojë dhe u fye nga një “numër burrash”, dhe mëngjesin vijues ai u nxor në gjyq. Jozefi u lirua sërish nga akuzat dhe shpëtoi prej një turme tjetër ndërsa kthehej në shtëpi. (Shih History of the Church, 1:88–96.)

Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri bënë një përpjekje tjetër për t’u bashkuar me anëtarët e sapopagëzuar në Kollsvill, por një turmë u mblodh pak pasi ata mbërritën. Jozefi dhe Oliveri u detyruan të largoheshin dhe mezi shpëtuan ndërkohë që turma i ndoqi gjatë gjithë natës (shih History of the Church, 1:97). Jozefi foli për këtë kohë sfiduese: “Pavarësisht nga gjithë tërbimi i armiqve tanë, ne kishim shumë ngushëllim dhe ndodhën shumë gjëra që e forcuan besimin tonë dhe i gëzuan zemrat tona” (in History of the Church, 1:101).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë fjalinë e fundit të kreut të seksionit për Doktrina e Besëlidhje 24. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shënojnë këtë fjali. Ftojini ata që gjatë mësimit të marrin parasysh mënyrën se si këshilla e Zotit për Jozef Smithin dhe Oliver Kaudërin mund t’i ndihmojë edhe ata kur përjetojnë një kohë të vështirë.

Shkruani në tabelë sa vijon:

Forcon dhe Nxit

Udhëzon

Caktojini studentët të studiojnë Doktrinën e Besëlidhjet 24:1–12 në dyshe. Ftojeni një student t’i lexojë këto vargje në heshtje, duke kërkuar fraza që mund t’i kenë forcuar dhe nxitur Profetin dhe Oliver Kaudërin. Ftojeni një student të dytë të lexojë vargjet, duke kërkuar udhëzimet që dha Zoti. Pas një kohe të mjaftueshme, udhëzojini studentët t’u tregojnë partnerëve të tyre atë që zbuluan. Ftojini të dy partnerët të zgjedhin një frazë që ishte kuptimplote për ta dhe të përfshijnë në diskutimin e tyre mënyrën se si mendojnë që ajo nxitje apo ai udhëzim i veçantë nga Zoti mund ta ketë ndihmuar Jozef Smithin dhe Oliver Kaudërin.

Pasi çdo dyshe të ketë diskutuar Doktrinën e Besëlidhjet 24:1–12, ftojini disa studentë të raportojnë atë që mësuan. Ndërsa studentët japin idetë e tyre, renditini fjalët nxitëse dhe udhëzuese që ata zbuluan nën kreun e duhur në tabelë.

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 24:8 lidhur me atë që mund të na ndihmojë në mundimet tona? (Mund t’ju nevojitet të shpjegoni se mundimi është një shkak apo gjendje dhimbjeje, ankthi ose vuajtjeje. Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që të përcaktojnë parimin vijues: Nëse jemi këmbëngulës dhe i durojmë vuajtjet tona, Zoti do të jetë me ne. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë parim, kërkojuni atyre të shkruajnë në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta një shpjegim të shkurtër të asaj që ata ndiejnë se do të thotë të jesh këmbëngulës dhe të durosh. Ftojini disa studentë t’i lexojnë me zë të lartë përshkrimet e tyre. Shtojuni ideve të tyre duke shpjeguar se në kontekstin e ungjillit, të durosh mundimet mund të nënkuptojë të mbetesh besnik ndaj Zotit dhe t’u bësh ballë sprovave me kurajë.

  • Përse mund të jetë e vështirë të jesh i duruar gjatë mundimeve?

  • Kur keni parë njerëz të ushtrojnë durim dhe të mbeten besnikë gjatë mundimeve?

  • Si ua tregoi Zoti atyre njerëzve se Ai ishte me ta?

Për t’i ndihmuar studentët të gjejnë një të vërtetë që ka lidhje me parimin e shkruar në tabelë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 24:10–12. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë bekimin që Zoti i premtoi Oliver Kaudërit nëse ai do të vazhdonte besnikërisht në thirrjen e tij për të shpallur ungjillin.

  • Çfarë bekimesh i premtoi Zoti Oliverit nëse ai do të vazhdonte besnikërisht në bërjen e asaj që kërkoi Zoti? (Ndihmojini studentët të shohin premtimet vijuese: “Unë jam me të deri në fund” [vargu 10]. “Nga unë ai do të ketë lavdi” [vargu 11]. “Unë do t’i jap atij forcë të tillë që nuk është njohur mes njerëzve” [vargu 12].)

Shkruani sa vijon në tabelë: Nëse …, atëherë …

Ftojini studentët të gjejnë një deklaratë “nëse–atëherë” që shpreh një parim të dhënë mësim te Doktrina e Besëlidhje 24:10–12. (Studentët mund të zbulojnë një larmi parimesh, por sigurohuni që të theksoni parimin vijues: Nëse e bëjmë besnikërisht atë që Zoti ka kërkuar prej nesh, atëherë Ai do të na forcojë. Plotësoni vendet bosh në tabelë për të plotësuar parimin.)

  • Si ju ka fuqizuar Zoti kur keni qenë besnikë ndaj Tij?

Ftojini studentët të shkruajnë diçka që mund të bëjnë për të qenë të duruar dhe për të mbetur besnikë ndaj Zotit kur hasin vështirësi në jetën e tyre. Merrni parasysh mënyrën se si jeni forcuar dhe e keni pasur Zotin me vete për shkak të besnikërisë suaj të duruar në kohë të vështira.

Doktrina e Besëlidhje 24:13–19

Zoti i udhëzon Jozef Smithin dhe Oliver Kaudërin rreth punës së tyre dhe rreth atyre njerëzve që i kundërshtojnë ata

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 24:13–19 duke shpjeguar se Zoti i udhëzoi Jozef Smithin dhe Oliver Kaudërin lidhur me mrekullitë që mund të kryenin në emër të Tij. Ai u tregoi edhe për mbrojtjen që mund të merrnin kur njerëzit i kundërshtonin ata. Ju mund të doni të shpjegoni se Zoti u dha udhëzime që ishin të ndryshme nga udhëzimet që marrin misionarët sot. Për shembull, Ai u dha atyre lejen për të “shkundur pluhurin nga këmbët [e tyre]” si një dëshmi kundër atyre që nuk do t’i pranonin ata (DeB 24:15). Kjo praktikë ruhet për rrethana të jashtëzakonshme. Misionarët kohëplotë nuk janë të autorizuar për ta bërë këtë sot. Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri u urdhëruan gjithashtu për të “[mos marrë] as çantë, as trastë” (DeB 24:18), duke nënkuptuar që të udhëtonin pa para, duke u mbështetur në mirësinë e anëtarëve të Kishës dhe të të tjerëve për të siguruar ushqim dhe strehim. Sot, misionarët kohëplotë nuk urdhërohen të shkojnë pa çantë ose trastë.

Doktrina e Besëlidhje 26

Zoti udhëzon Jozef Smithin, Oliver Kaudërin dhe Xhon Uitmerin

Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 26:1 përmban udhëzim të mëtejshëm për Jozef Smithin, Oliver Kaudërin dhe Xhon Uitmerin lidhur me punët shpirtërore dhe fizike që duhej të kryenin. Më pas Zoti ritheksoi një parim të rëndësishëm lidhur me qeverisjen e Kishës. Për ta paraqitur këtë parim, nxitini studentët të përfytyrojnë sikur një mik i një besimi tjetër vjen me ta në një mbledhje në të cilën mbështeten drejtuesit e Kishës. Pyetini se si do t’ia shpjegonin mikut të tyre praktikën e mbështetjes. (Merreni parasysh të ftoni dy studentë ta interpretojnë me role këtë skenar.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 26:2. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar një frazë që lidhet me praktikën e mbështetjes. Pasi të lexohet vargu, pyetini studentët se çfarë gjetën. Ju mund të doni të sugjeroni që ata t’i shenjojnë fjalët që shprehin parimin vijues: Të gjitha gjërat në Kishë do të bëhen me miratim të përbashkët.

  • Si mendoni, çfarë do të thotë fraza “miratim [i] përbashkët”? (Mund t’ju duhet të shpjegoni se fraza “miratim [i] përbashkët” u drejtohet anëtarëve të Kishës që e përdorin lirinë e tyre të zgjedhjes për të shprehur gatishmërinë apo mosgatishmërinë e tyre për të mbështetur një propozim nga një udhëheqës i Kishës. Në mbledhjet e sakramentit, në konferencat e kunjit dhe në konferencat e përgjithshme na kërkohet ta tregojmë miratimin me anë të ngritjes së dorës së djathtë.)

  • Cili është ndryshimi midis mbështetjes me anë të miratimit të përbashkët dhe votimit?

Mund t’ju duhet të shpjegoni se në mbretërinë e Zotit, Zoti shpesh u zbulon vendime udhëheqësve të Tij të caktuar. Megjithatë, në disa raste, Ai i lejon udhëheqësit të marrin vendime nëpërmjet autoritetit që u është besuar atyre. Fryma e Shenjtë i konfirmon ato vendime dhe anëtarët e Kishës pastaj e përdorin zgjedhjen e tyre të lirë për të treguar gatishmërinë e tyre për t’i mbështetur vendimet. Ligji i miratimit të përbashkët zbatohet për thirrjet në Kishë, shugurimet e priftërisë dhe zbulesat. Ne marrim pjesë në ligjin e miratimit të përbashkët çdo herë që ne ngremë dorën tonë për të mbështetur një person apo një vendim në një mbledhje Kishe.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më tej se çfarë do të thotë që i mbështetim të tjerët, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli. Ftojeni klasën të mbajë vesh për tri gjëra që ne zotohemi të bëjmë kur i mbështetim të tjerët me anë të miratimit të përbashkët.

Presidenti Gordon B. Hinkli

“Procedura e mbështetjes është shumë më tepër se një ngritje e dorës në mënyrë rituale. Është një zotim për t’i mbrojtur, për t’i përkrahur, për t’i ndihmuar ata të cilët janë përzgjedhur” (“This Work Is Concerned with People”, Ensign, maj 1995, f. 51).

  • Çfarë zotohemi të bëjmë kur e ngremë dorën tonë për t’i mbështetur të tjerët?

Pyetini studentët nëse janë mbështetur në një shugurim, përparim në detyrë ose thirrje.

  • Si u ndiet kur u mbështetët?

  • Si mund t’i mbështetim të tjerët në tri mënyrat që përshkroi Presidenti Hinkli? (Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë.)

Ftojini studentët të shkruajnë emrin e një individi që e kanë mbështetur duke ngritur dorën e tyre (për shembull, profetin, apostujt, peshkopin apo udhëheqësit e të rinjve). Kërkojuni studentëve të shkruajnë një veprim që do të ndërmarrin për ta mbështetur më mirë këtë individ. Shprehni dëshminë tuaj për bekimet që vijnë nga mbështetja e udhëheqësve të Kishës.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 24:13. Mrekullitë

Mrekullitë e përmendura te Doktrina e Besëlidhje 24:13 janë shenja që Shpëtimtari tha se do t’i ndjekin ata që besojnë (shih Marku 16:17–18). Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim se “atje ku ishte priftëria e [Zotit] dhe ku gjendej besimi, atje do të ishin shenjat e fuqisë, jo për t’u dukur, por për një bekim për njerëzit” (“President Kimball Speaks Out on Administration to the Sick”, New Era, tetor 1981, f. 45). Në kohën tonë, besimtarët marrin shërim dhe mrekulli ashtu siç i kanë marrë gjithmonë. Megjithatë, ne nuk dëgjojmë për të gjitha shërimet dhe mrekullitë që ndodhin. Përvoja të tilla janë të shenjta. Shumë herë, njerëzit që marrin mrekulli të tilla ndihen të nxitur t’i mbajnë ato në heshtje dhe të fshehta.

Doktrina e Besëlidhje 24:15. Çfarë do të thotë të “shkund[ni] pluhurin nga këmbët tuaja”?

Plaku Xhejms E. Talmixh, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Plaku Xhejms E. Talmixh

“Të shkundësh në mënyrë ceremoniale pluhurin nga këmbët e tua si dëshmi kundër një tjetri, kuptohej nga judenjtë se simbolizonte një ndërprerje të shoqërimit dhe një heqje dorë nga e gjithë përgjegjësia për pasojat që mund të vijonin. Ajo u bë një ordinancë e akuzës dhe e dëshmisë nga udhëzimet e Zotit për apostujt e Tij. … Në periudhën ungjillore të tanishme, Zoti i ka udhëzuar në mënyrë të ngjashme shërbëtorët e Tij të autorizuar që të dëshmojnë në mënyrë të atillë kundër atyre që me dashje dhe ligësi e kundërshtojnë të vërtetën kur u paraqitet me autoritet (shih Doktrina dhe Besëlidhje 24:15; 60:15; 75:20; 84:92; 99:4). Përgjegjësia e të dëshmuarit përpara Zotit me anë të këtij simboli akuzues është kaq e madhe saqë mënyra mund të përdoret vetëm nën kushte të pazakonta dhe ekstreme, ashtu siç mund të drejtojë Shpirti i Zotit” (Jesus the Christ, bot. i 3-të, [1916], f. 345; shih edhe Doctrine and Covenants Student Manual, bot. i 2-të [Church Educational System manual, 2001], f. 50)

Doktrina e Besëlidhje 26:1. “Do t’ju bëhet e ditur se çfarë duhet të bëni”

Në një zbulesë për Jozef Smithin, Oliver Kaudërin dhe Xhon Uitmerin, Zoti tha se në “konferencën tjetër … do [t’u] bëhe[j] e ditur se çfarë [ata] duhe[j] të bëni[n]” (DeB 26:1). Kjo zbulesë u dha në korrik 1830. Në një konferencë të mbajtur në shtator 1830, Jozef Smithi “u caktua nga zëri i Konferencës për të marrë dhe shkruar Zbulesat dhe Urdhërimet për këtë Kishë” (në Far West Record: Minutes of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, 1830–1844, bot. Donald Q. Cannon dhe Lyndon W. Cook [1983], f. 3).

Doktrina e Besëlidhje 26:2. Përse dikush do të jepte një votë jomiratuese?

Presidenti Jozef Filding Smith dha mësim për rrethanat në të cilat do të jepej një votë jomiratuese:

Presidenti Jozef Filding Smith

“Unë nuk kam të drejtë ta ngre dorën time në kundërshtim për një njeri që është caktuar në çfarëdo pozite në këtë Kishë, thjesht sepse mund të mos më pëlqejë ose për shkak të disa mosmarrëveshjeve apo ndjenjave vetjake që mund të kem, por vetëm mbi motivin që ai është fajtor për keqbërje, për shkelje të ligjeve të Kishës, të cilat do ta përjashtonin nga pozita që ai është thirrur të mbajë” (Doctrines of Salvation, përp. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–56], 3:124; shih edhe Doctrine and Covenants Student Manual, bot. i 2-të [Church Educational System manual, 2001], f. 52).