Mësimi 7
Roli i Nxënësit
Hyrje
Qëllimi i këtij mësimi është t’i ndihmojë studentët të mësojnë se si të përmbushin rolin e tyre në të mësuarin e ungjillit. Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, tha: “Kthimi i vërtetë në besim varet nga vetë studenti nëse kërkon lirisht me besim, me përpjekje të madhe” (“We Must Raise Our Sights” [fjalim drejtuar mësuesve të fesë së SAK-ut, 14 gusht 2001], f. 4, LDS.org). Ndërsa i ndihmoni studentët të plotësojnë rolin e tyre në procesin e të mësuarit, ata do të mësojnë mënyrën se si ta ftojnë zbulesën vetjake dhe të thellojnë kthimin e tyre në besim te Zoti. Juve mund t’ju duhet t’i shqyrtoni në mënyrë të rregullt parimet e dhëna në këtë mësim për t’u kujtuar studentëve përgjegjësinë e tyre në të mësuarin e ungjillit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Rolet e mësuesit, nxënësit dhe Frymës së Shenjtë në të mësuarin e ungjillit
Sillni në klasë një artikull ushqimi ose pijeje (të tillë si një frutë apo një copë bukë, ose një gotë ujë). Ftojini dy studentë të dalin përpara klasës. Kërkojini njërit prej studentëve që të hajë një kafshatë nga ushqimi ose të pijë një gllënjkë nga pija. Kërkojini studentit të parë t’i shpjegojë studentit të dytë shijen e ushqimit (ose të pijes). Nxiteni atë që ta përshkruajë atë aq mirë sa përshkrimi të kënaqë urinë ose të shuajë etjen e studentit të dytë. Pastaj bëjini studentit të dytë pyetjet vijuese:
-
Çfarë të mirash përfitove nga ushqimi (ose pija) që përshkroi studenti tjetër?
-
Në ç’masë e kënaqi urinë (ose etjen) tënde përshkrimi i studentit?
-
Çfarë duhet të bësh që të përfitosh ndonjë forcë ose dobi nga ky ushqim (ose kjo pije)?
Pyeteni klasën se si ky shembull i përmbushjes së nevojave fizike të trupit tonë mund të lidhet me përgjegjësinë tonë për të mësuar e për t’u rritur shpirtërisht.
Vini në dukje se disa njerëz mendojnë se përgjegjësia për të mësuarin e ungjillit i përket kryesisht mësuesit. Sidoqoftë, në mënyrë shumë të ngjashme me shembullin e ushqimit ose të pijes, një individ nuk mund të përvetësojë të vërteta shpirtërore në emër të dikujt tjetër. Secili prej nesh duhet t’i mësojë dhe t’i zbatojë vetë të vërtetat e ungjillit për të marrë forcë dhe fuqi shpirtërore.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 88:118. Nxiteni klasën ta ndjekë duke kërkuar fjalët ose frazat që përshkruajnë përgjegjësinë tonë për të mësuarit e ungjillit.
-
Çfarë fjalësh ose frazash përshkruajnë përgjegjësinë tonë për të mësuarit e ungjillit? (“Kërkoni me zell”, “mësoni njëri-tjetri[n]”, “kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit”. Ju mund të dëshironi ta ftoni një student për t’i renditur këto fraza në tabelë ndërsa studentët i përmendin.)
-
Ne e dimë se çfarë do të thotë të kërkosh të mësosh “me anë të studimit”. Ç’mendoni se do të thotë të kërkosh të mësosh “gjithashtu me anë të besimit”?
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë domethënien e kësaj fraze, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Nëse është e mundur, siguroni një kopje për secilin student ose shkruajeni në tabelë thënien përpara se të fillojë ora mësimore. Kërkojuni studentëve që të gjejnë fjalë ose fraza që i ndihmojnë të kuptojnë urdhërimin e Zotit për të kërkuar që të mësojnë me anë të besimit.
“Të mësuarit me anë të besimit kërkon përpjekje shpirtërore, mendore e fizike dhe jo thjesht pranim pësor. …
… Një student duhet ta ushtrojë besimin dhe të veprojë me qëllim që të sigurojë njohuri për veten e tij ose të saj” (“Seek Learning by Faith” [fjalim drejtuar mësuesve të fesë së SAK-ut, 3 shkurt 2006], f. 3, LDS.org).
Shkruajeni në tabelë thënien vijuese: Të mësuarit shpirtëror kërkon …
Kërkojuni studentëve që, për ta plotësuar këtë thënie, të përdorin shpjegimin nga Plaku Bednar dhe atë që kanë mësuar rreth përgjegjësisë sonë si nxënës. Përgjigjet e mundshme mund të përfshijnë sa vijon: Të mësuarit shpirtëror kërkon përpjekje nga ana jonë. Të mësuarit shpirtëror kërkon prej nesh që të ushtrojmë besim dhe të veprojmë.
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë ndikimin që ka përpjekja vetjake në të mësuarin e tyre shpirtëror, vizatoni skica shoqëruese në tabelë. Shpjegoni se te Doktrina e Besëlidhje 50, Zoti na ndihmon ta kuptojmë më mirë rolin tonë në mësimin e ungjillit. Për ta bërë këtë, Ai së pari shpjegon rolet e mësuesit dhe të Frymës së Shenjtë në mësimin e ungjillit.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 50:13–14. Përpara se studenti të lexojë, shpjegoni se këto vargje iu dhanë shenjtorëve të parë të cilët ishin shuguruar t’ua mësonin ungjillin të tjerëve. Ftojeni gjysmën e klasës të kërkojë fjalë që përshkruajnë përgjegjësinë e mësuesit. Kërkojini pjesës tjetër të klasës të kërkojë fjalë që përshkruajnë përgjegjësinë e Shpirtit.
-
Sipas këtyre vargjeve, cila është përgjegjësia e mësuesit? (Të predikojë ungjillin me anë të Shpirtit. Ftojeni një student që të shkruajë predikon me anë të Shpirtit nën fjalën Mësues te skica.)
-
Cila është përgjegjësia e Shpirtit ose Ngushëlluesit? (Të japë mësim të vërtetën. Kërkojini një studenti të shtojë fjalët jep mësim të vërtetën nën Fryma e Shenjtë te skica.)
Shkruani në tabelë të vërtetën vijuese: Mësuesi i vërtetë është Fryma e Shenjtë. Shpjegoni se, ndërsa një mësues, misionar ose udhëheqës në Kishë ka përgjegjësinë ta predikojë ungjillin me anë të Shpirtit, është Fryma e Shenjtë që zbulon, ndriçon dhe e çon të vërtetën e ungjillit në zemrat tona.
-
Kur e keni ndier Shpirtin t’ju mësojë?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 50:19–21. Kërkojuni studentëve ta ndjekin duke kërkuar fjalët që përshkruajnë përgjegjësinë e nxënësit.
-
Sipas këtyre vargjeve, çfarë përgjegjësie ka nxënësi? (Ta marrë fjalën e të vërtetës me anë të Shpirtit. Ftojeni një student që të shkruajë të marrë me anë të Shpirtit nën fjalën Nxënës te skica.)
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë se çfarë do të thotë të marrësh me anë të Shpirtit, kërkojuni që të përsiatin se çfarë kërkohet prej dikujt për të marrë një top nga dikush që po ua gjuan me këmbë ose po ua hedh me dorë.
-
Çfarë ka nevojë të bëjë një person me qëllim që ta marrë topin? (Të ngrejë duart e tij apo të saj dhe ta kapë.) Si ngjan kjo me përpjekjen që një nxënës duhet të bëjë për ta marrë fjalën e së vërtetës me anë të Shpirtit? (Për të marrë një top, një person duhet të përgatitet për ta kapur. Në mënyrë të ngjashme, ne duhet t’i përgatitim zemrat dhe mendjet tona për ta marrë të vërtetën me anë të Shpirtit.
Ftojini studentët ta shqyrtojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 50:22 duke kërkuar atë çfarë ndodh kur e bëjmë këtë përpjekje për ta pranuar ungjillin dhe për të mësuar me anë të besimit. Përpara se studentët të lexojnë, shpjegoni se fjala lartësohen i referohet të qenit i ngritur moralisht ose i forcuar shpirtërisht.
-
Sipas këtij vargu, çfarë bekimesh marrin mësuesit dhe nxënësit nga Shpirti nëse i përmbushin përgjegjësitë e tyre në mësimdhënien dhe të mësuarit e ungjillit. (Kuptim, lartësim dhe gëzim.)
Tregojuni studentëve se Plaku Riçard G. Skot dëshmoi për lidhjen midis nxënësve që përmbushin rolin e tyre, dhe mundësisë së Shpirtit për të dhënë mësim e për të dëshmuar. Nëse është e mundur, sigurojini çdo studenti një kopje të thënies vijuese. Ftojeni një student ta lexojë thënien me zë të lartë. Kërkojini klasës ta ndjekë duke kërkuar fraza që shpjegojnë ndikimin që ka përpjekja e nxënësit në mundësinë e Frymës së Shenjtë për të dhënë mësim.
“Vendimi [i një nxënësi] për të marrë pjesë është një ushtrim i lirisë së zgjedhjes që e lejon Frymën e Shenjtë të përçojë një mesazh të personalizuar që u përshtatet nevojave të [tij apo të saj] individuale. Krijimi i një mjedisi pjesëmarrjeje rrit mundësinë që Shpirti do t’u mësojë më shumë mësime të rëndësishme sesa [mësuesi] mund të komunikojë” (“To Learn and to Teach More Effectively” [(Takim shpirtëror nga Java e Edukimit në Kompleksin e UBJ‑së, 21 gusht 2007], f. 4–5, speeches.byu.edu).
-
Sipas thënies së Plakut Skot, si mund ta ftojmë Frymën e Shenjtë që të na japë mësim?
Ftojini studentët të përmbledhin mënyrën se si përpjekjet e tyre si nxënës ndikojnë në mundësinë e Frymës së Shenjtë për të dhënë mësim. Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të shprehin parimin vijues: Ndërsa e ushtrojmë lirinë tonë të zgjedhjes për të marrë pjesë në procesin e të mësuarit, ne e ftojmë Shpirtin të japë mësim dhe të dëshmojë të vërtetën. Shkruajeni këtë parim në tabelë nën ato të përcaktuara më parë.
Për t’u dhënë studentëve një shembull të dikujt që e ushtronte lirinë e tij të zgjedhjes për të mësuar me anë të studimit dhe të besimit, ftojini ata të reflektojnë mbi rrëfimin e Jozef Smithit të Vegimit të Parë. Organizojini studentët në dyshe dhe caktojini secilës dyshe një ose më shumë prej vargjeve vijuese: Joseph Smith – Historia 1:8, 10, 11, 12, 13, 14, 15, 16, 18. (Ju mund të dëshironi t’i shkruani këto vargje në tabelë.) Ftojini studentët të lexojnë vargjet e caktuara atyre dhe të diskutojnë mbi pyetjen vijuese:
-
Si bëri përpjekje Jozefi për të mësuar të vërteta shpirtërore?
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni secilën dyshe të vërë në dukje fraza nga vargjet e caktuara atyre që ilustrojnë përpjekjen e Jozefit.
Dëshmoni se gatishmëria e Jozefit për ta studiuar fjalën e Perëndisë dhe për të vepruar në përputhje me atë që mësoi, çoi drejt njohurisë më të madhe, një bekim që është i mundësuar për të gjithë ne. Ftojini studentët të shqyrtojnë në heshtje Joseph Smith – Historinë 1:20 duke kërkuar atë që Jozefi i tha nënës së vet kur u kthye në shtëpi pas marrjes së Vegimit të Parë.
-
Cila frazë në pohimin e Jozefit për nënën e tij pasqyron se ai e kishte mësuar vetë të vërtetën? (“Kam mësuar vetë.”)
Ftojini studentët të përcaktojnë një parim që ne mund ta mësojmë nga përvoja e Jozefit. Nxitini që t’i shprehin sugjerimet e tyre si pohime “nëse–atëherë”. Sa vijon është një mënyrë se si studentët mund ta shprehin këtë parim: Nëse e studiojmë me zell fjalën e Perëndisë dhe veprojmë sipas saj me besim, atëherë ne mund të arrijmë t’i dimë të vërtetat e ungjillit për veten tonë. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë parim me fjalët e tyre pranë Joseph Smith – Historisë 1:20.)
Drejtojuni veprimtarisë së ushqimit ose pijes që e përdorët në fillim të orës mësimore. Kujtojuni studentëve se marrja e ushqimit fizik kërkon përpjekje nga ana jonë dhe se ne mund të përfitojmë nga ushqimi ose pija vetëm e duke ngrënë ose e pirë atë vetë. Dëshmoni se po e njëjta gjë është e vërtetë shpirtërisht: ungjilli mund të hyjë në zemrat tona dhe të bëhet pjesë e jona vetëm kur bëjmë përpjekje për t’i mësuar të vërtetat e ungjillit dhe për t’i zbatuar ato në jetën tonë.
-
Çfarë veprimesh do të ndërmerrni këtë vit për ta ftuar Shpirtin që t’ju japë mësim dhe t’i sjellë të vërtetat e ungjillit në zemrën tuaj? (Përgjigjet mund të përfshijnë frekuentimin e mbledhjeve dhe orëve mësimore të Kishës, përfshirë seminarin; marrjen pjesë në mbledhjet dhe orët mësimore duke kënduar himne, duke shenjuar vargje të shkrimeve të shenjta, duke mbajtur shënim mendime, duke iu përgjigjur pyetjeve, duke treguar përvoja e dëshmi dhe duke mësuar njëri-tjetrin; marrjen pjesë në mbrëmjen familjare dhe studimin familjar të shkrimeve të shenjta; përfshirjen në lutjen dhe studimin e përditshëm vetjak të shkrimeve të shenjta; dhe zbatimin e parimeve të ungjillit në jetën e tyre. Ftojini studentët të shkruajnë një ose më shumë qëllime.)
Përfundojeni mësimin duke u kërkuar studentëve të reflektojnë mbi dëshmitë e tyre për ungjillin dhe atë që e dinë vetë se është e vërtetë. Ftojini disa studentë të tregojnë se si përpjekjet e tyre vetjake për të mësuar ungjillin kanë ndikuar në dëshminë dhe në marrëdhënien e tyre me Zotin. Shtoni dëshminë tuaj për fuqinë dhe udhërrëfimin që mund të marrim nga Zoti në përgjigje të përpjekjeve tona për t’i mësuar dhe vënë në jetë parimet e ungjillit.