Seminare dhe Institute
Mësimi 158: Përshpejtimi i Punës për Shpëtim


Mësimi 158

Përshpejtimi i Punës për Shpëtim

Hyrje

Që nga fillimi i Rivendosjes, puna e Zotit është përhapur anembanë botës. Ne jetojmë në një kohë kur Zoti po e përshpejton punën e Tij. Rinia e Kishës ka shumë burime dhe mundësi për të dhënë ndihmesë në përshpejtimin e punës së Zotit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zoti po e përshpejton punën e Tij

Ftojeni një student/e të ecë nga një anë e dhomës deri në anën tjetër me një hap të zakonshëm. Më pas kërkojini studentit/es të kalojë përmes dhomës përsëri dhe ta shpejtojë ose shtojë hapin e tij apo të saj. Ndërsa studenti/ja kalon përmes dhomës herën e dytë, i bëni klasës pyetjen vijuese:

  • Çfarë do të thotë ta përshpejtosh diçka? (Ta shpejtosh atë.) Cilat janë disa arsye përse dikush mund ta përshpejtojë apo shpejtojë një detyrë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 88:73. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti tha se Ai do të përshpejtonte. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë.

  • Çfarë mendoni se do të thotë për Zotin që ta përshpejtojë punën e Tij?

Duke iu referuar Doktrinës e Besëlidhjeve 88:73, Plaku Rasëll M. Nelson tha: “Ajo kohë e përshpejtimit është tani” (“Thus Shall My Church Be Called”, Ensign, maj 1990, f. 17). Shkruani në tabelë doktrinën vijuese: Ne jetojmë në një kohë kur Zoti po e përshpejton punën e Tij.

  • Cilat janë disa nga mënyrat si e keni dëshmuar se Zoti po e përshpejton punën e Tij?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 133:10. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që sugjeron ky varg rreth arsyes përse Zoti do ta përshpejtonte punën e Tij.

  • Çfarë sugjeron ky varg rreth arsyes përse Zoti do ta përshpejtonte punën e Tij? (Për t’i ndihmuar njerëzit të përgatiten për Ardhjen e Tij të Dytë.)

Paraqitni një fotografi të Presidentit Spenser W. Kimball (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 133; shih edhe LDS.org). Shpjegoni se, gjatë shërbimit të Presidentit Spenser W. Kimball si President i Kishës, Zoti e përshpejtoi punën e Tij. Për shembull, puna misionare u zgjerua dhe Kisha nxori botime të reja të shkrimeve të shenjta. Ndërsa i nxiti anëtarët e Kishës të ecnin përpara, Presidenti Kimball tha se Kisha kishte “ndaluar në disa nivele të pandryshueshme për mjaft kohë” (“Let Us Move Forward and Upward”, Ensign, maj 1979, f. 82). Ai gjithashtu dha mësim: “Ne duhet ta shtrijmë hapin tonë dhe duhet ta bëjmë atë tani” (“Always a Convert Church: Some Lessons to Learn and Apply This Year”, Ensign, shtator 1975, f. 3).

Presidenti Spenser W. Kimball
  • Si mendoni ju, çfarë donte të thoshte Presidenti Kimball kur tha se ne duhet “ta shtrijmë hapin tonë”?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë disa mënyra se si Zoti po e përshpejton punën e Tij sot dhe disa mënyra se si ne mund të marrim pjesë në punën e Tij, kryeni veprimtarinë vijuese:

ikona e fletushkësNdajeni klasën në tri grupe dhe jepini secilit student në çdo grup një kopje të një prej detyrave vijuese të mësimdhënies. Jepuni studentëve pak minuta kohë që të studiojnë dhe të përgatiten për t’ua dhënë mësim detyrat e caktuara anëtarëve të tyre të klasës. Pas një kohe të mjaftueshme, organizojini studentët në grupe me nga tre veta, të përbëra prej një studenti nga secili prej grupeve fillestare. Ftojini studentët ta bëjnë me radhë duke u dhënë mësim grupeve të tyre rreth mënyrës se si Zoti po e përshpejton punën e Tij dhe se si ata mund të marrin pjesë në atë punë.

Detyra 1 e Mësimdhënies: Përshpejtimi i punës misionare

Presidenti Spenser W. Kimball u tha shenjtorëve se Zoti ishte i përgatitur të hapte dyer për ta që të shpërndanin ungjillin, duke përfshirë kombe që nuk e lejonin punën misionare. Megjithatë, ai gjithashtu tha se shenjtorët kishin nevojë ta përgatitnin veten e tyre për t’i pranuar ato mundësi. Presidenti Kimball gjithashtu dëshmoi se, në qoftë se çdo i ri përgatitej për të shërbyer një mision kohëplotë, Zoti do të hapte dyer dhe do të siguronte një mënyrë që puna misionare të shkonte përpara në mbarë botën. Ai shpalli:

Presidenti Spenser W. Kimball

“E di që kanë perde, si perde të hekurta dhe perde bambuje. E di se sa e vështirë është ngaqë i kemi bërë disa përpjekje. … Por nuk shoh ndonjë arsye të shëndoshë përse Zoti do të hapte dyer në të cilat nuk jemi të përgatitur të hyjmë. Përse do ta copëtonte ai Perden e Hekurt ose Perden e Bambusë apo çfarëdo perdeje tjetër në qoftë se ne ende jemi të papërgatitur për të hyrë?” (“When the World Will Be Converted”, Ensign, tetor 1974, f. 5, 7).

Anëtarët e Kishës e ndoqën këshillën e Presidentit Kimball dhe u përgatitën që ta shpërndanin ungjillin. Gjatë administrimit të Presidentit Kimball numri i misionarëve kohëplotë u rrit me më shumë se 50 përqind. Në fund të viteve 1980 dhe fillim të viteve 1990, qeveritë e Gjermanisë Lindore, të kombeve brenda Bashkimit të mëparshëm Sovjetik dhe të kombeve të tjera, ku puna misionare më parë kishte qenë e kufizuar, filluan t’i lejonin misionarët që ta shpërndanin ungjillin në këto vende. Profecia e Presidentit Kimball u përmbush.

Në tetor të vitit 2008, Presidenti Tomas S. Monson përsëriti këshillën që kishte dhënë Presidenti Kimball:

Presidenti Tomas S. Monson

“Mbeten zona të botës ku ndikimi ynë është i kufizuar dhe ku ne nuk lejohemi ta ndajmë ungjillin lirisht. Ashtu siç bëri Presidenti Spenser W. Kimball, mbi 32 vjet më parë, unë ju nxit të luteni për hapjen e atyre zonave, që ne të mund të ndajmë me ta gëzimin e ungjillit. Ndërsa u lutëm atëherë në përgjigje të lutjeve të Presidentit Kimball, ne pamë të shpalosen mrekulli ndërkohë që njëri pas tjetrit, vendet që më parë qenë të mbyllura për Kishën, u hapën. Kjo do të ndodhë përsëri ndërsa lutemi me besim” (“Mirësevini në Konferencë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 6).

Vini në dukje se, kur Presidenti Kimball i nxiti anëtarët e Kishës për ta shtrirë hapin e tyre, ai qartësoi një përgjegjësi për çdo të ri në Kishë. Ftojeni një anëtar të grupit tuaj që ta lexojë me zë të lartë thënien që vijon:

Presidenti Spenser W. Kimball

“Bëhet shpesh pyetja: A duhet që çdo i ri të përmbushë një mision? Dhe përgjigjja është dhënë nga Zoti. Ajo është ‘Po’. Çdo i ri duhet të përmbushë një mision” (“When the World Will Be Converted”, f. 8).

Kujtojini anëtarët e grupit tuaj se profetët kanë vazhduar ta nxitin çdo të ri të denjë e të aftë që të shërbejë një mision kohëplotë. Profetët i kanë mirëpritur edhe të rejat për të shërbyer misione kohëplota nëse dëshirojnë ta bëjnë këtë. Në tetor të vitit 2012, Presidenti Tomas S. Monson shpalli një ndryshim në kërkesat e moshës misionare, duke i lejuar të rinjtë ta fillonin shërbimin në moshën 18-vjeçare dhe të rejat në moshën 19-vjeçare.

Diskutojini si grup pyetjet në vijim:

  • Sipas profetëve të ditëve të mëvonshme, cila është gjëja që pret Zoti nga të rinjtë në lidhje me punën misionare kohëplotë? (Megjithëse anëtarët e grupit mund të përdorin fjalë të tjera, përgjigjet e tyre duhet të pasqyrojnë parimin vijues: Çdo i ri duhet të përgatitet që të shërbejë një mision kohëplotë dhe ta mbajë veten e tij të denjë për të shërbyer.)

  • Përse çdo i ri duhet të përgatitet për të shërbyer një mision kohëplotë?

  • Si mund t’ju ndihmojë të përgatiturit tani për mision që të jepni ndihmesë në punën e Zotit?

  • Në çfarë mënyre mendoni se ndryshimi i frymëzuar në kërkesën e moshës për misionarë kohëplotë ka dhënë ndihmesë në përshpejtimin e punës së Zotit?

Detyra 2 e Mësimdhënies: Botime të reja të shkrimeve të shenjta

Kërkojuni anëtarëve të grupit tuaj që të marrin në shqyrtim atë që do të bënin nëse një mik i afërt do t’i pyeste: “Dua t’i afrohem më shumë Perëndisë. Çfarë duhet të bëj?” Pastaj bëni pyetjen vijuese:

  • Çfarë do t’i thoshit mikut tuaj?

Lexoni thënien e mëposhtme nga Presidenti Spenser W. Kimball:

Presidenti Spenser W. Kimball

“Unë shoh se, kur bëhem rastësor në marrëdhëniet e mia me hyjninë dhe kur duket sikur asnjë vesh hyjnor nuk po dëgjon dhe asnjë zë hyjnor nuk po flet, unë jam shumë, shumë larg. Nëse zhytem në shkrimet e shenjta, largësia shkurtohet dhe shpirtësia kthehet” (The Teachings of Spencer W. Kimball, red. Edward L. Kimball [1982], f. 135).

Informojini anëtarët e grupit tuaj se thënia e Presidentit Kimball shpjegon nevojën tonë të madhe që të kemi qasje ndaj shkrimeve të shenjta. Ftojeni një anëtar të grupit tuaj të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 104:58–59. Kërkojini grupit ta ndjekë dhe të përcaktojë përse Zoti dëshironte që udhëheqësit e Kishës t’i botonin zbulesat.

  • Si mund të na ndihmojë studimi i shkrimeve të shenjta për ta shtrirë hapin tonë dhe për të dhënë ndihmesë në përshpejtimin e punës së Zotit?

Shpjegoni se në fillimin e viteve 1970, udhëheqësit e Kishës dalluan nevojën që anëtarët e Kishës t’i njihnin më mirë shkrimet e shenjta dhe të kishin një botim standard të Biblës për studim dhe mësimdhënie. Në vitin 1979, pas vitesh të përpjekjeve të frymëzuara e të zellshme, Kisha shtypi një botim zyrtar shdm në anglisht të Biblës së Mbretit Xhejms. Kjo Bibël përfshinte mjete ndihmëse gjithëpërfshirëse për studim, që më parë nuk ishin në dispozicion, duke përfshirë shënime të zgjeruara në fund të faqeve me referenca-kryq dhe mjete të tjera ndihmëse; tituj të përmirësuar të kapitujve; fragmente nga Përkthimi prej Jozef Smithit; Udhëzuesin Tematik dhe Fjalorin Biblik. Në vitin 1981, Kisha nxori një botim të ri të kombinimit tresh në anglisht që përfshinte shënime të përmirësuara në fund të faqeve, tituj kapitujsh, harta dhe një indeks. Në vitin 2009, Kisha nxori botimin shdm të Biblës Reina-Valera në spanjisht.

Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, të bërë një vit pas botimit të kombinimit tresh të vitit 1981 në anglisht. Kërkojuni studentëve të dëgjojnë për mënyrën se si ai i përfytyroi këto botime të reja të shkrimeve të shenjta ta bekonin jetën [e njerëzve] dhe ta çonin përpara punën e Perëndisë.

Presidenti Bojd K. Paker

“Me kalimin e viteve, këto shkrime të shenjta do të prodhojnë breza pasues të krishterësh besnikë, të cilët e njohin Zotin Jezu Krisht dhe kanë prirje për t’iu bindur vullnetit të Tij.

… Ata do të zhvillojnë një dituri të ungjillit përtej asaj që mund të arrinin paraardhësit e tyre. Ata do të kenë dëshminë se Jezusi është Krishti dhe do të jenë të aftë që ta shpallin Atë dhe ta mbrojnë Atë” (“Scriptures”, Ensign, nëntor 1982, f. 53).

Jepni dëshminë tuaj që shkrimet e shenjta dëshmojnë se Jezusi është Krishti. Studimi i shkrimeve të shenjta mund të na ndihmojë të marrim një dëshmi për Jezu Krishtin dhe ta mbushim jetën tonë me Shpirtin e Shenjtë.

Shpjegoni se janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen përpjekje të mëdha për t’u siguruar anëtarëve të Kishës shkrime të shenjta dhe mjete ndihmëse studimi në gjuhët e tyre amtare.

Diskutojini si grup pyetjet vijuese:

  • Përse është i rëndësishëm studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta?

  • Si ju ka ndihmuar studimi juaj vetjak i shkrimeve të shenjta që të ndihmoni në punën e Zotit?

Detyra 3 e Mësimdhënies: Përshpejtimi i punës në tempull dhe i historisë familjare

Kërkojini grupin tuaj të hamendësojë se sa tempuj u ndërtuan në 143 vitet midis organizimit të Kishës në vitin 1830 dhe thirrjes së Presidentit Spenser W. Kimball në vitin 1973 (17 tempuj). Pastaj kërkojini grupit të hamendësojë se sa tempuj u shpallën ose u ndërtuan në 40 vitet midis 1973 dhe 2013 (153 tempuj).

Shpjegoni se ndërtimi i tempujve u rrit në mënyrë shumë domethënëse nën drejtimin e Presidentit Gordon B. Hinkli. Ftojeni dikë në grupin tuaj të lexojë deklaratën vijuese nga Presidenti Hinkli:

Presidenti Gordon B. Hinkli

“Unë kam një dëshirë të zjarrtë që një tempull të gjendet brenda një largësie të arsyeshme për shenjtorët e ditëve të mëvonshme në mbarë botën. … Puna po lëviz me aq shpejtësi sa mundemi të ecim. Është lutja ime e vazhdueshme që në njëfarë mënyre të mund të përshpejtohet, me qëllim që më shumë nga njerëzit tanë të mund të kenë mundësi më të lehtë për të hyrë në një shtëpi të shenjtë të Zotit” (“Of Missions, Temples, and Stewardship”, Ensign, nëntor 1995, f. 52, 53).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 128:15, 17. Vëreni grupin ta ndjekë, duke kërkuar përgjegjësinë që kemi kundrejt paraardhësve tanë. Më pas lexoni me zë të lartë thënien vijuese doktrinore të dhënë nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Ne kemi përgjegjësi besëlidhjeje për t’i gjetur paraardhësit tanë e t’u sigurojmë atyre ordinancat shpëtuese të ungjillit” (“Zemrat e Fëmijëve Do të Kthehen”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 25).

Vini në dukje se ndërtimi i tempujve dhe përparimet në punën për historinë familjare janë prova se Perëndia po e përshpejton punën e Tij në anën tjetër të velit. Ftojeni një student të lexojë deklaratën vijuese nga Plaku Bednar. Kërkojini grupit të dëgjojë për mënyrën se si ata mund të japin ndihmesë në punën e Zotit.

Plaku Dejvid A. Bednar

“Nuk është rastësi që FamilySearch-i dhe instrumente të tjera kanë dalë në një kohë kur të rinjtë janë kaq të familjarizuar me një gamë të gjerë teknologjish të informacionit dhe të komunikimit. Gishtërinjtë tuaj janë stërvitur në shkrim e dërgim teksti për të përshpejtuar e çuar më përpara punën e Zotit – jo thjesht për të komunikuar shpejt me miqtë tuaj. Aftësitë dhe prirjet e dukshme mes shumë të rinjve të sotëm janë një përgatitje për t’i kontribuar punës së shpëtimit” (“Zemrat e Fëmijëve Do të Kthehen”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 26).

Diskutoni me grupin tuaj pyetjen vijuese:

  • Çfarë përvojash pozitive keni pasur në bërjen e punës së historisë familjare ose nga vajtja në tempull për të marrë pjesë në ordinanca për të vdekurit?

Përgjegjësia jonë për ta çuar punën përpara

Pasi studentët ta kenë përfunduar mësimdhënien e tyre në grupe të vogla, ftojini disa studentë të tregojnë mendimet dhe ndjenjat e tyre rreth përshpejtimit të punës së Zotit.

Ftojeni një student të lexojë thënien në vijim nga Plaku Dejvid B. Heit, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë për atë që mund të ndodhë kur marrim pjesë në punën e Zotit.

Plaku Dejvid B. Heit

“Vëllezër e motra, Zoti po e hap udhën dhe po bën të mundur që të zgjerohet puna e Tij në mbarë botën dhe çfarë bekimi është për të gjithë ne – secili sipas mënyrës së vet – të marrë pjesë në të. …

Kush përveç profetëve të Perëndisë mund ta kishte parashikuar mrekullinë e zgjerimit të shpejtë të punës së Zotit? Me të vërtetë, sikurse parashikoi Zoti në seksionin 88 të Doktrinës e Besëlidhjeve, Ai po e përshpejton punën e Tij në kohën e duhur (shih DeB 88:73)” (“Missionary Work – Our Responsibility”, Ensign, nëntor 1993, f. 61, 62).

  • Sipas Plakut Heit, çfarë mund të ndodhë kur marrim pjesë në punën e Zotit? (Ndërsa studentët përgjigjen, shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Ne mund të bekohemi duke marrë pjesë në përshpejtimin e punës së Zotit.)

  • Çfarë bekimesh keni përjetuar kur keni marrë pjesë në përshpejtimin e punës së Zotit?

Ftojini studentët të marrin parasysh mundësitë që kanë për të dhënë ndihmesë për përshpejtimin e punës së Zotit. Kërkojuni atyre që t’i përgjigjen pyetjes në vijim në fletoren e klasës ose në ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:

  • Cilat janë disa mënyra se si mund të jepni ndihmesë në përshpejtimin e punës së Zotit?

Pasi të kenë pasur kohë të mjaftueshme, ftojini studentët që të caktojnë një synim për të ndjekur ecurinë lidhur me atë që kanë shkruar. Përfundoni duke dëshmuar për përshpejtimin e punës së Zotit dhe përgjegjësitë e mundësitë tona për të marrë pjesë në punën e Tij.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

“Ne duhet ta shtrijmë hapin tonë”

Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim:

Presidenti Spenser W. Kimball

“A kemi, edhe ne, diçka që nevojitet ta shpërndajmë? Po! Ne kemi ungjillin e Jezu Krishtit, ungjillin e paqes, ungjillin e gëzimit. Ne kemi të vërteta që mund ta bëjnë çdo njeri më të mirë e më të përmbushur, çdo martesë më të lumtur e më të ëmbël, çdo shtëpi më qiellore. Ne kemi fuqinë e priftërisë së Perëndisë për t’i bekuar shtëpitë tona e jetën tonë dhe jetën e të tjerëve. Po, është për veten tonë, shtëpitë tona, kuorumet tona, klasat tona, detyrat tona në Kishë, që ne duhet t’i mbartim në mënyrë më energjike ato gjëra që kemi marrë. Dhe është ndaj fqinjëve dhe bashkëpunëtorëve tanë joanëtarë që tanimë na kërkohet edhe neve që ‘të japim po aq sa kemi’. Zoti na ka urdhëruar ta bëjmë këtë. Ne duhet ta shtrijmë hapin tonë dhe duhet ta bëjmë atë tani” (“Always a Convert Church: Some Lessons to Learn and Apply This Year”, Ensign, shtator 1975, f. 3).

Kuorumi i Të Shtatëdhjetëve

Zgjerimi i Kuorumit të Të Shtatëdhjetëve është provë që Zoti po e përshpejton punën e Tij.

Në vitin 1976, Presidenti Spenser W. Kimball organizoi Kuorumin e Parë të Të Shtatëdhjetëve, dhe Kuorumet shtesë të Të Shtatëdhjetëve janë shtuar ndërkohë që Kisha është rritur. Numri i kuorumeve mund të vazhdojë të zgjerohet sipas nevojës.

“[Që nga viti 2014] ka … tetë Kuorume të Të Shtatëdhjetëve. Secili kuorum mund të ketë deri në 70 anëtarë. Anëtarët e Kuorumeve të Të Shtatëdhjetëve shpesh përmenden thjesht si ‘Të Shtatëdhjetët’. Të Shtatëdhjetët thirren për të shpallur ungjillin dhe për të ngritur Kishën. Ata veprojnë nën drejtimin e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe të Presidencës së Të Shtatëdhjetëve. …

… Anëtarët e Kuorumit të Parë dhe të Dytë të Të Shtatëdhjetëve konsiderohen Autoritete të Përgjithshme, që do të thotë se ata kanë autoritet për të shërbyer kudo nëpër botë. Anëtarët e kuorumeve që mbeten, quhen Të Shtatëdhjetë Zonalë dhe autoriteti i tyre kufizohet në zonën ku ata shërbejnë” (“Quorums of the Seventy”, LDS.org).