Mësimi 61
Vendi Qendror i Sionit
Hyrje
Në verën e vitit 1831 disa nga shenjtorët që ishin mbledhur në Ohajo, filluan udhëtimin e tyre për t’u vendosur në zonën e kontesë Xhekson në Misuri. Në një zbulesë dhënë Profetit Jozef Smith më 20 korrik 1831, Zoti e përcaktoi Indipendënsin në Misuri si “vendi[n] qendror” të Sionit (DeB 57:3). Shenjtorët duhej të fillonin të blinin tokë në zonë dhe ata gjithashtu duhej të zbatonin urdhërimet e Zotit si përgatitje për ndërtimin e Sionit. Megjithatë, me kalimin e kohës, midis shenjtorëve dhe shumë prej qytetarëve të kontesë Xhekson në Misuri pati grindje, të cilat çuan në dhunë të turmës kundër shenjtorëve. Shenjtorët u detyruan të largoheshin nga konteja Xhekson në nëntor dhe dhjetor të vitit 1833.
Sugjerime për Mësimdhënien
Zoti e përcakton Indipendënsin në Misuri si vendin qendror të Sionit
Përpara orës mësimore shkruani Kirtland, Ohajo si një shenjë rrugore dhe vendoseni në njërën anë të dhomës. Në anën tjetër të dhomës, paraqitni një shenjë që thotë Indipendëns, Misuri. Ose, nëse e parapëlqeni, ju mund të vizatoni në tabelë një hartë të thjeshtë të shteteve qendrore të Shteteve të Bashkuara, me Kirtlandin në Ohajo dhe Indipendësin në Misuri, të shenjuara qartësisht (shih Hartat e Historisë së Kishës, Harta 6, “Lëvizja e Kishës Drejt Perëndimit”). Referojuni hartës ndërsa jepni mësimin.
Filloni duke u kërkuar studentëve të përfytyrojnë sikur po bëjnë kampim dhe mësojnë se po afrohet një stuhi.
-
Cilat janë disa mënyra se si ju mund të gjeni strehim nga stuhia? Si mund të jetë një çadër e dobishme në këtë situatë?
Shpjegoni se profeti Isaia e portretizoi Sionin si një çadër shumë të madhe. Ai tha: “Zgjero vendin e çadrës sate dhe fletët e banesave të tua le të shtrihen pa kursim; zgjati litarët e tu dhe përforco kunjat e tu” (Isaia 54:2). Në përmbushje të kësaj profecie, Zoti vazhdon ta udhëheqë Presidencën e Parë dhe Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve në ngritjen e kunjeve të Sionit kudo në botë.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 64:41–43. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar bekimet që Zoti u premtoi të drejtëve që mblidhen në Sion.
-
Çfarë bekimesh u premtoi Zoti të drejtëve që mblidhen në Sion?
Shpjegoni që në korrik 1831 Zoti shpalli se toka e Misurit ishte toka e premtimit për Sionin dhe se Indipendënsi në Misuri ishte “vendi qendror” i qytetit të Sionit (shih DeB 57:1–3).
Ftojeni një student të qëndrojë ose të ulet pranë tabelës Indipendëns, Misuri. Ftojeni një student të vizatojë në tabelë figurën e një çadre. (Nëse klasa është mjaft e madhe, ju mund të merrni parasysh të sillni në klasë një çadër kampimi dhe të ftoni një ose dy studentë që ta hapin, duke përfaqësuar shenjtorët që filluan të ndërtonin një qytet strehimi.)
-
A keni ngritur ndonjëherë një çadër jo sipas mënyrës së duhur ose a jeni përpjekur të ngrini një çadër pa të gjitha pjesët? Çfarë ndodhi?
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 105:5 duke kërkuar për mënyrën se si duhet të ndërtohet “çadra” e Sionit që Zoti ta pranojë atë. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.
Shkruani në tabelë parimin vijues: Sioni duhet të ndërtohet mbi parimet e ligjit të mbretërisë çelestiale. Shpjegoni se pasi Zoti zbuloi vendndodhjen e tokës së Sionit në vitin 1831, Ai dha zbulesa të shumta gjatë dy viteve pasuese, duke përshkruar parimet mbi të cilat shenjtorët duhej ta ndërtonin Sionin.
Shkruani në tabelë referencat vijuese nga shkrimet e shenjta:
Ndajini studentët në katër grupe dhe caktojini secilit grup një nga referencat e renditura në tabelë. Ftojini grupet të lexojnë fragmentet e caktuara atyre, duke kërkuar parimet e drejtësisë ose urdhërimet që shenjtorët do të duhej të ndiqnin, për ta ndërtuar Sionin në mënyrë të suksesshme.
Pasi studentët t’i kenë studiuar fragmentet e caktuara atyre, ftojini të raportojnë atë që gjetën. Ftojeni një student t’i renditë përgjigjet e tyre në tabelë. (Përgjigjet e studentëve duhet të përfshijnë sa vijon: të jetosh ligjin e përkushtimit dhe të kërkosh mirëqenien e të tjerëve [DeB 82:17–19]; të ndërtosh një tempull dhe të marrësh udhëzime atje [DeB 97:10–14]; të jesh i kulluar në zemër [DeB 97:16, 21]; të mbash urdhërimet [DeB 97:25–26]; dhe të shenjtërohesh dhe të “ik[ësh] nga Babilonia”, që do të thotë të largohesh nga gjërat e botës [DeB 133:4–5].)
-
Në ç’mënyrë të jetuarit e këtyre parimeve të drejta mund t’i ketë ndihmuar shenjtorët të ndërtonin Sionin dhe të mbroheshin nga stuhitë shpirtërore? Si mund të na ndihmojë të jetuarit e këtyre parimeve që të mbrohemi sot?
Ju mund të merrni parasysh që t’i ftoni disa studentë të sjellin shkrimet e tyre të shenjta me vete dhe të qëndrojnë ose të ulen te shenja Kirtland, Ohajo dhe t’i kërkoni një apo dy prej këtyre studentëve të shkojnë te shenja Independëns, Misuri dhe të qëndrojnë ose të ulen atje. Shpjegoni se pasi Zoti zbuloi vendndodhjen e Sionit në korrik të vitit 1831, shumë prej shenjtorëve udhëtuan pothuaj 1 400 kilometra drejt Indipendënsit në Misuri, për të ngritur dhe ndërtuar Sionin. Të tjerët mbetën në Kirtland dhe në zona të tjera në lindje. Një kunj do të organizohej në Kirtland më 17 shkurt 1834.
Tregoni me gisht te figura e çadrës (ose te çadra që keni sjellë në klasë). Shpjegoni se ndërsa shenjtorët punuan së bashku për të ndërtuar Sionin, bekimet mbrojtëse të Sionit u shtrinë te të gjithë ata, madje edhe tek ata që nuk jetonin në Indipendëns të Misurit. Shenjtorët punuan së bashku që të ndihmonin me fonde dhe pasuri për të hedhur themelin e qytetit të Sionit. Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë një shtrirje të çadrës së Sionit duke mbuluar shenjtorët në Kirtland.
Lindin grindje midis shenjtorëve dhe qytetarëve të tjerë të Misurit
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë ngjarjet që ndodhën në Ohajo dhe Misuri midis viteve 1831 dhe 1833, kërkojini një studenti pranë shenjës së Kirtlandit që të lexojë me zë të lartë shpjegimin vijues për mënyrën se si shenjtorët në kunjin e Kirtlandit në Sion e mbështetën ndërtimin e vendit qendror të Sionit në Misuri. Ftojeni klasën të dëgjojë për atë që bënë disa shenjtorë në Kirtland për të ndihmuar në ngritjen e Sionit.
Kirland, Ohajo: Gjatë një serie konferencash të mbajtura në nëntor të vitit 1831, Jozef Smithi dhe udhëheqës të tjerë të Kishës, përpiluan zbulesat që ishin marrë deri në atë çast dhe planifikuan t’i shtypnin kopjet në formën e një libri. Oliver Kaudëri dhe Xhon Uitmeri morën përsipër përgjegjësinë për t’i çuar zbulesat në Misuri, në mënyrë që Uilliam W. Felpsi të mund t’i botonte ato si Libri i Urdhërimeve. Gjatë viteve 1831 deri në 1832, Jozefi vazhdoi të merrte zbulesa dhe të përkthente Biblën. Në pranverën e vitit 1832, Jozefi ndërmori një udhëtim për në Misuri për të vizituar shenjtorët në Sion, për t’i paralajmëruar ata se Satani po kërkonte t’i “largo[nte] zemrat e tyre nga e vërteta” (DeB 78:10) dhe të bashkërendonte përpjekjet e shtëpive të ruajtjes së peshkopit në Kirtland dhe Indipendëns. Disa anëtarë të Kishës në Ohajo dhanë para që të ndihmonin në blerjen e tokës dhe të pajisjeve në Misuri. Shumë prej shenjtorëve vazhduan të shpërnguleshin për në Sion dhe nga fundi i vitit 1832 rreth një e treta e anëtarëve të Kishës jetonin në kontenë Xhekson.
-
Si i ndihmuan Jozef Smithi dhe shenjtorët e tjerë në Kirtland shenjtorët në Misuri që të fillonin të ngrinin Sionin?
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë informacionin rreth përpjekjeve të shenjtorëve për të ndërtuar qytetin e Sionit. Ftojeni klasën që të kërkojë atë që shenjtorët e bënë në mënyrën e duhur ose të gabuar, kur filluan të ndërtonin Sionin.
Indipendëns, Misuri: Parli P. Prati përshkroi vendosjen e shenjtorëve në Sion duke shpallur se “paqja dhe bollëku i kishin kurorëzuar punët e tyre dhe se shkretëtira u bë një fushë pjellore” (Autobiography of Parley P. Pratt, bot. Parley P. Pratt Jr. [1938], f. 93). Udhëheqësit e Kishës në Misuri punuan për të përballuar nevojat e shenjtorëve që po vinin. Kjo përfshiu blerjen e tokës dhe ngritjen e një dyqani dhe të një shtypshkronje. Deri në korrik të vitit 1833 popullsia e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme ishte rritur pothuajse në 1 200 anëtarë. Por udhëheqësit dhe shenjtorët nuk ishin pa probleme. Disa anëtarë e lejuan egoizmin dhe lakminë e tyre që t’i pengonin për ta jetuar ligjin e përkushtimit.
Përveç problemeve që shenjtorët shkaktuan me anë të mosbindjes së tyre, ata hasën konflikte me banorët e mëparshëm të zonës. Banorët e Misurit filluan të shqetësoheshin edhe më shumë për rritjen e shpejtë të “mormonëve” dhe ndikimin e tyre në ekonominë dhe politikën vendore. Udhëheqësit vendorë fetarë nuk ranë dakord me bindjet e shenjtorëve. Një udhëheqës fetar përhapi gënjeshtra rreth anëtarëve të Kishës dhe i nxiti qytetarët të kryenin vepra dhune kundër tyre. Dhe në korrik të vitit 1833 W. W. Felpsi botoi një artikull të titulluar “Free People of Color” [“Njerëzit e Lirë me Ngjyrë”], i cili i paralajmëroi misionarët për predikimin mes skllevërve. Qytetarët e Misurit, të cilët ishin përkrahës të skllavërisë, arritën në përfundimin e gabuar se shenjtorët po i ftonin skllevërit e liruar në Misuri. Kjo iu shtua një situate tashmë të tensionuar në vend. Më 20 korrik 1833 një turmë e hodhi makinën e shtypit në rrugë, e rrafshoi shtypshkronjën, shkatërroi pjesën më të madhe të bocave të palidhura të Librit të Urdhërimeve, i hodhi zift dhe pupla Peshkopit Partrixh dhe të kthyerit në besim, Çarls Alenit, dhe terrorizoi qytetin. Armiqësitë vazhduan dhe shenjtorët u detyruan të largoheshin nga konteja Xhekson në nëntor dhe dhjetor të atij viti.
-
Si mendoni se do të ishit ndier sikur të ishit një nga shenjtorët e drejtë, që shpresonit mbrojtje nga Zoti, por që ishit i detyruar të largoheshit nga konteja Xhekson?
-
Nëse dikush do t’ju pyeste përse shenjtorët e hershëm nuk qenë në gjendje ta ndërtonin qytetin e Sionit, çfarë do t’i thoshit? (Për t’i ndihmuar studentët që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, ju mund të doni t’i ftoni ata të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 101:6–7; 103:2–4; 105:3–4, 9.)
Nëse nuk u keni kërkuar studentëve të kthehen në karriget e tyre, ftojini ata ta bëjnë këtë tani.
Cila është e ardhmja e Sionit?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 97:21. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar për mënyrën se si Zoti e përshkroi Sionin. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët që japin mësim të vërtetën vijuese: Sioni është të kulluarit në zemër. Referojuni listës së parimeve dhe sjelljeve në tabelë dhe bëni pyetjet vijuese:
-
Në çfarë mënyrash e ndihmojnë këto parime të drejta një popull të bëhet i kulluar në zemër?
-
Cili është roli ynë në ndërtimin e Sionit sot? (Ne mund të jetojmë drejtësisht dhe t’i nxitim të tjerët të jetojnë drejtësisht. Teksa e jetojmë dhe e përhapim ungjillin, kufijtë e Sionit zmadhohen, kunjet e tij forcohen dhe Perëndia i bekon shenjtorët me mbrojtje.)
Ftojini studentët të marrin në shqyrtim parimet e drejtësisë të renditura në tabelë. Nxitini të shkruajnë një qëllim në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta, që ta jetojnë më besnikërisht njërin prej parimeve.