Mësimi 89
Doktrina e Besëlidhje 85–86
Hyrje
Në fund të nëntorit të vitit 1832, disa shenjtorë ishin transferuar në Sion, por nuk i kishin përkushtuar pronësitë e tyre siç kishte urdhëruar Zoti. Ngaqë nuk i kishin përkushtuar pronësitë e tyre, ata nuk i kishin marrë trashëgimitë e tyre në përputhje me urdhrin e themeluar të Kishës. Profeti Jozef Smith e trajtoi këtë çështje në një letër të frymëzuar drejtuar Uilliam W. Felpsit, të datës 27 nëntor 1832. Një pjesë e kësaj letre është shënuar te Doktrina e Besëlidhje 85. Më vonë, më 6 dhjetor 1832, Jozef Smithi mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 86, ndërkohë që po punonte me rishikimin e frymëzuar të Biblës. Kjo zbulesë siguroi shpjegim të mëtejshëm të shëmbëlltyrës së grurit e të egjrave dhe të rolit të priftërisë në të ndihmuarit e Zotit për t’i mbledhur të drejtët në ditët e fundit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 85
Nëpunësi i Zotit duhet të mbajë një anal të popullit të Perëndisë
Ftojini studentët që të përfytyrojnë sikur sapo u është dhënë një pozitë fillestare në një skuadër sportive. (Ju mund të përmendni një sport të mirënjohur në kulturën tuaj, që luhet me skuadra, dhe një skuadër të mirënjohur që e luan atë sport.) Pas disa ditësh duke luajtur me këtë skuadër, ata vënë re që një anëtar i skuadrës është lojtar egoist, disa anëtarë të skuadrës nuk do t’i luajnë pozicionet e tyre siç duhet dhe lojtarë të tjerë do ta shpërfillin trajnerin.
-
Përse mund të jetë e vështirë për këtë skuadër që të fitojë? Çfarë është e nevojshme të ndryshohet me qëllim që kjo skuadër të mund të luajë më mirë?
Shpjegoni se një situatë e ngjashme filloi të shfaqet në vitin 1832, kur një numër në rritje i shenjtorëve mbërriti në Misuri. Zbulesat më të hershme kishin parashikuar se qyteti i Sionit do të ndërtohej në kontenë Xhekson në Misuri, sipas ligjeve të Zotit dhe nën drejtimin e priftërisë. Sipas këtyre ligjeve, anëtarët e Kishës nuk duhej të udhëtonin drejt Sionit, në qoftë se nuk e merrnin një certifikatë nga udhëheqësit e Kishës. Pasi mbërritën, ata duhej t’ia përkushtonin të gjitha paratë dhe pronën e tyre Kishës dhe të merrnin një trashëgimi nga peshkopi. Përveç kësaj, ata duhej t’i zbatonin të gjitha urdhërimet e Perëndisë. (Shih DeB 64:34–35; 72:15–19, 24–26.)
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë kontekstin e zbulesës së shënuar te Doktrina e Besëlidhje 85, shpjegoni se shumë shenjtorë në Misuri jetonin në harmoni me ligjet që Zoti i kishte caktuar për ndërtimin e Sionit. Megjithatë, disa anëtarë të Kishës nuk iu bindën urdhrit të Zotit për t’i përkushtuar pronësitë e tyre dhe udhëtuan drejt Sionit pa e marrë një certifikatë nga udhëheqësit e tyre. Për shkak të kësaj, ata nuk i morën trashëgimitë e tyre.
-
Përse mund të ketë qenë e vështirë për ta ngritur qytetin e Sionit nën këto rrethana?
Shpjegoni se në përgjigje të këtyre vështirësive në Misuri, Jozef Smithi i dërgoi një letër Uilliam W. Felpsit, një udhëheqësi të Kishës që po jetonte në Indipendëns në atë kohë (shih hyrjen e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 85).
Shpjegoni se letra e Profetit siguroi udhëzime për nëpunësin e Zotit, Xhon Uitmerin, i cili jetonte në Misuri. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 85:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që Zoti e udhëzoi të bënte nëpunësin e Kishës në Misuri.
-
Çfarë u udhëzua të mbante shënim nëpunësi?
Kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 85:3–5. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë se cilët tha Zoti nuk duhej t’i kishin emrat e tyre të shkruar në dokumentet e Kishës.
-
Cilët njerëz nuk duhej t’i kishin emrat e tyre të shkruar në dokumentet e Kishës?
Shpjegoni se, ashtu siç u mbajtën dokumentet në kohën e Jozef Smithit, dokumentet e Kishës gjithashtu mbahen në kohën tonë. Një qëllim për këtë është të ruajmë një dokument të emrave të njerëzve besnikë, si edhe një anal të veprave të tyre.
-
Cilat janë disa gjëra që duhet të bëjmë për t’i pasur emrat tanë të shënuar si anëtarë besnikë të Kishës?
Pasi studentët të jenë përgjigjur, shkruajeni në tabelë të vërtetën vijuese: Nëse i jetojmë ligjet e Perëndisë, emrat tanë do të shkruhen në analet e Kishës si anëtarë besnikë. Shpjegoni se veprat e besnikëve, të cilat shënohen në tokë, shënohen edhe në qiell në atë që quhet libri i jetës (shih DeB 128:6–7). Ftojini studentët t’i hedhin një sy të shpejtë Doktrinës e Besëlidhjeve 85:5, 9, 11 dhe të përcaktojnë tituj të tjerë, të përdorur për ta përshkruar analin që mbahet në tokë rreth atyre që janë besnikë. Kërkojuni të raportojnë atë që gjejnë.
Për t’i ndihmuar studentët ta ndiejnë rëndësinë e së vërtetës që e keni shkruar në tabelë, ftojini të përfytyrojnë sikur kanë plane për të marrë pjesë në një ngjarje të shquar. Pyetini studentët se si do të ndiheshin nëse arrinin në atë ngjarje, por nuk lejoheshin brenda ngaqë emri i tyre nuk ishte në listën e të ftuarve.
Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 85:9–11 dhe të përfytyrojnë se si do të ndiheshin po të mësonin se emrat e tyre mungonin nga libri i kujtimit të Zotit.
-
Si mendoni, çfarë do të thotë që ata, emrat e të cilëve nuk shënohen, “nuk do të gjejnë asnjë trashëgimi” me shenjtorët? (Ata nuk do t’i marrin bekimet që do t’iu jepen besnikëve.)
-
Sipas vargut 11, çfarë mund të shkaktojë që anëtarëve të Kishës t’u hiqen emrat nga libri i ligjit të Perëndisë?
-
Si do ta përmblidhnit atë që keni mësuar rreth rëndësisë së të pasurit të emrit tuaj të regjistruar si një anëtar besnik i Kishës?
Dëshmoni se analet mbahen si këtu në tokë, ashtu edhe në qiell. Ne të gjithë do të duhet të mbahemi përgjegjës për veprat tona dhe për besnikërinë tonë në të jetuarin e ligjeve të Perëndisë. Ftojini studentët të përsiatin qëndrimet e tyre kundrejt ligjeve të Perëndisë dhe bindjen ndaj tyre.
Doktrina e Besëlidhje 86
Zoti shpjegon shëmbëlltyrën e grurit dhe egjrave
Përpara orës mësimore, ftojeni një student ta lexojë Mateun 13:24–30 dhe të jetë gati ta përmbledhë shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrave për klasën. Shkruajini fjalët vijuese në tabelë: gruri, egjrat, fusha, mbjellësit e farës, armiku.
Pasi studenti i përzgjedhur ta përmbledhë shëmbëlltyrën, bëjini klasës pyetjet vijuese:
-
Çfarë simbolizojnë gruri dhe egjrat? (Gruri simbolizon të drejtët dhe egjrat simbolizojnë të ligjtë [shih Mateu 13:38].)
-
Përse burri në shëmbëlltyrë dëshironte të priste përpara se t’i duhej të shkulte egjrat?
Paraqitni figurën shoqëruese të grurit dhe të egjrave ose vizatojeni atë në tabelë. Shpjegoni se egjrat janë një lloj bari helmues. Gruri dhe egjrat janë pothuajse të njëllojtë kur janë të njomë, por ato mund të dallohen pasi të jenë pjekur. Nëse një korrës do përpiqej t’i shkulte egjrat përpara se gruri dhe egjrat të piqeshin, ai ose ajo me gjasë do ta shkatërronte edhe shumicën e grurit.
Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 86:1–6. Vëreni klasën t’i ndjekë dhe të kërkojë domethëniet e simboleve të fushës, të mbjellësve të farës dhe të armikut. Ftojini studentët të raportojnë atë që mësuan.
-
Nisur nga shpjegimi i Zotit për simbolet, si do ta përmblidhnit kuptimin e shëmbëlltyrës?
Shpjegoni se Jozef Smithi po rishikonte dhe redaktonte variantin e frymëzuar të Biblës (Përkthimin prej Joseph Smith-it) kur e mori këtë zbulesë. Zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 86 e zgjeron kuptimin e shëmbëlltyrës siç është e shënuar te Mateu 13:24–30. Për shembull, te Doktrina e Besëlidhje 86 ne mësojmë që mbjellësit në shëmbëlltyrë përfaqësojnë Apostujt e Shpëtimtarit (shih vargun 2) dhe që egjrat “ia marrin frymën grurit dhe e çojnë kishën në shkretëtirë” (vargu 3). Ne gjithashtu mësojmë se “në ditët e fundit”, gjethet e reja të grurit do të fillojnë të “çel[in]” (vargu 4). Mbjellja e egjrave mund të përfaqësojë Braktisjen dhe çelja e grurit të ri mund të përfaqësojë Rivendosjen.
Vini në dukje se në shëmbëlltyrë, padroni i udhëzon shërbëtorët e tij që fillimisht të mbledhin egjrat që të digjen dhe më pas ta mbledhin grurin në hambar (shih Mateu 13:27–30). Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 86:7 që të zbulojnë një ide që jep kjo zbulesë, e cila e sqaron radhën e mbledhjes.
-
Çfarë mësojmë nga vargu 7 rreth radhës së mbledhjes?
-
Çfarë na mëson kjo rreth asaj që do t’u ndodhë të drejtëve dhe të ligjve në ditët e fundit? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Zoti do t’i mbledhë të drejtët gjatë ditëve të fundit dhe më pas do t’i shkatërrojë të ligjtë në Ardhjen e Tij të Dytë.)
Paraqitni figurat Misionarë: Elldëra (Pleq) dhe Misionare: Motra (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 109, 110; shih edhe LDS.org).
-
Si lidhen këto figura me shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrave? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se ne mund të ndihmojmë në mbledhjen e të drejtëve duke folur për ungjillin me të tjerët.)
Shpjegoni se të kujtuarit e mënyrave të shumta si bekohemi si anëtarë të Kishës së Zotit, mund ta rrisë dëshirën tonë për t’i ndarë ato bekime me të tjerët. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 86:8–10. Vëreni klasën ta ndjekë atë dhe të kërkojë mënyra se si ne jemi bekuar si anëtarë të Kishës së Zotit.
-
Sipas vargjeve 8–10, cilat janë disa mënyra si ne jemi bekuar si anëtarë të Kishës së Zotit?
Vini në dukje frazën “ju jeni trashëgimtarë të ligjshëm” te vargu 9. Shpjegoni se kjo do të thotë që anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë pjesë e besëlidhjes që Perëndia bëri me Abrahamin, nëpërmjet së cilës Abrahamit iu premtua se pasardhësit e tij do të gëzonin bekimet e priftërisë dhe do t’i ndanin ato bekime me të tjerët (shih Abrahami 2:9–11).
-
Si jeni bekuar ju nëpërmjet priftërisë?
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 86:11 dhe kërkojini klasës të përcaktojë mënyra se si duhet t’i ndihmojmë të tjerët. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjetën. Shkruajeni në tabelë parimin vijues: Ne mund t’u sjellim shpëtim të tjerëve duke i ndihmuar ata që të marrin bekimet e priftërisë.
Ftojini studentët të tregojnë përvoja që ata i kanë pasur, kur ishin në gjendje të jepnin një shembull të drejtë për dikë tjetër ose kur ata e ndihmuan dikë tjetër të merrte bekimet e priftërisë.