Seminare dhe Institute
Mësimi 140: Doktrina e Besëlidhje 132:1–2, 34–66


Mësimi 140

Doktrina e Besëlidhje 132:1–2, 34–66

Hyrje

Ndërkohë që Profeti Jozef Smith po punonte për rishikimet e frymëzuara të Biblës në vitin 1831, ai i kërkoi Zotit kuptueshmëri rreth patriarkëve të lashtë që kishin pasur më shumë se një grua. Në atë kohë, Profeti filloi të merrte zbulesë në përgjigje të kërkesave të tij. Në vitet pasuese, Zoti e urdhëroi Profetin dhe shenjtorë të tjerë të ditëve të mëvonshme që të jetonin parimin e martesës me shumë gra. Në korrik të vitit 1843, ndërkohë që Kisha i kishte zyrat qendrore në Navu të Ilinoisit, Profeti shënoi zbulesën që kishte marrëDoktrina e Besëlidhje 132 trajton mësimet e dhëna nga Zoti lidhur me martesën me shumë gra, duke përfshirë këshilla për Jozef dhe Ema Smithin.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 132:1–2, 34–48

Zoti zbulon parimin e martesës me shumë gra

Filloni duke shpjeguar se, ndërkohë që Jozef Smithi po punonte me përkthimin e frymëzuar të Dhiatës së Vjetër në vitin 1831, ai lexoi rreth disa prej profetëve të lashtë që ushtronin martesën me shumë gra (e quajtur edhe poligami). Sipas kësaj praktike, një burrë martohet me më shumë se një bashkëshorte të gjallë. Profeti i studioi shkrimet e shenjta, e përsiati atë që mësoi dhe më së fundi ia drejtoi Atit Qiellor në lutje pyetjet e tij rreth martesës me shumë gra.

Shkruani në tabelë Zanafilla 16:1–3. Shpjegoni se këto vargje përshkruajnë veprimet e Sarait dhe të Abramit, më vonë të njohur si Sara dhe Abrahami. Ftojeni një student t’i lexojë me zë të lartë këto vargje. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të mendojë rreth ndonjë pyetjeje që mund të kenë rreth kësaj ngjarjeje në jetën e Abramit dhe Sarait.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 132:1, duke kërkuar se çfarë pyetje bëri Profeti Jozef Smith ndërsa studionte fragmente në Dhiatën e Vjetër lidhur me praktikën e martesës me shumë gra. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë. (Ju mund të doni të shpjegoni se fjala konkubinë është një fjalë e përdorur për të përshkruar gra në Dhiatën e Vjetër të cilat, në kohën dhe kulturën ku jetuan, ishin ligjërisht të martuara me një burrë, por kishin një gjendje shoqërore më të ulët sesa një bashkëshorte. Konkubinat nuk ishin pjesë e praktikës së martesës me shumë gra në periudhën tonë ungjillore.)

Shkruani në tabelë pyetjen vijuese: Përse do t’i urdhëronte Zoti burrat dhe gratë e drejta që t’i bindeshin parimit të martesës me shumë gra në kohë të caktuara?

Shpjegoni se, në studimin e tyre të Doktrinës e Besëlidhjeve 132, studentët mund të gjejnë përgjigje për pyetjen në tabelë dhe pyetje të tjera që mund të kenë lidhur me martesën me shumë gra. Ftojini ata t’i shkruajnë doktrinat dhe parimet që zbulojnë gjatë studimit të tyre sot.

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 132:34–36. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar arsyen përse Abrahami dhe Sara filluan ta ushtronin praktikën e martesës me shumë gra.

  • Sipas vargut 34, përse i dha Sara një grua tjetër Abrahamit? Çfarë na mëson kjo rreth parimit të martesës me shumë gra? (Ndërsa studentët përgjigjen, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Martesa me shumë gra miratohet nga Zoti vetëm kur Ai e urdhëron atë.)

  • Çfarë ndihmoi që të përmbushte bindja e Sarës dhe Abrahamit? (Premtimet e Zotit ndaj Abrahamit, duke përfshirë premtimin se Abrahami do të kishte pasardhës të shumtë sa yjet [shih Zanafilla 15:5].)

Që t’i ndihmoni studentët të kuptojnë më tej parimin që keni shkruar në tabelë, sugjeroni që ata të shkruajnë Jakobi [LiM] 2:27, 30 në shkrimet e tyre të shenjta pranë Doktrinës e Besëlidhjeve 132:34. Ftojeni një student t’i lexojë me zë të lartë këto vargje. Vini në dukje se monogamia (martesa midis një burri dhe një gruaje) është standardi i Perëndisë për martesën nëse Ai nuk urdhëron ndryshe.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 132:37–38. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar fraza që përshkruajnë raste kur Zoti e urdhëroi praktikën e martesës me shumë gra. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 132:39, 41–43 duke shpjeguar që Zoti pohoi se, kur njerëzit e praktikojnë parimin e martesës me shumë gra sipas urdhërimit të Tij, ata nuk janë fajtorë për mëkatin e shkeljes së kurorës. Megjithatë, nëse dikush e praktikon martesën me shumë gra në ndonjë rrethanë që Zoti nuk e urdhëron, ata janë fajtorë për shkelje kurore. (Vini në dukje se fjala shkatërrohetvargun 41 tregon se ata që i thyejnë besëlidhjet e tyre të shenjta, do të ndahen nga Perëndia dhe populli i Tij i besëlidhjes [krahaso Veprat e Apostujve 3:22–23; 1 Nefi 22:20].)

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 132:40 dhe të kërkojnë atë që Zoti tha se Ai do të bënte.

  • Sipas vargut 40, çfarë do të bënte Zoti? ([Do të] rivendosë të gjitha gjërat. Shpjegoni se shprehja “të gjitha gjërat” u referohet ligjeve dhe ordinancave të ungjillit që ishin zbuluar në periudhat e mëparshme ungjillore. Shkruani në tabelë parimin vijues: Urdhërimi për ta jetuar ligjin e martesës me shumë gra në ditët e mëvonshme ishte pjesë e rivendosjes së të gjitha gjërave. [Shih edhe Veprat e Apostujve 3:20–21.])

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 132:45, 48. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti i dha Jozef Smithit, që të sillte rivendosjen e të gjitha gjërave.

  • Çfarë i dha Zoti Jozef Smithit që të bënte të ndodhte rivendosja e të gjitha gjërave? (Çelësat dhe fuqinë e priftërisë.)

  • Çfarë mësojmë nga vargjet 45 dhe 48 rreth martesës me shumë gra? (Ndërsa studentët përgjigjen, shkruani në tabelë parimin vijues: Martesa me shumë gra mund të autorizohet vetëm nëpërmjet çelësave të priftërisë që i jepen Presidentit të Kishës.)

Shpjegoni se në fillim të kësaj periudhe ungjillore, si pjesë e rivendosjes së të gjitha gjërave, Zoti i urdhëroi disa prej shenjtorëve të hershëm që ta praktikonin martesën me shumë gra nëpërmjet çelësave të priftërisë të mbajtura nga Profeti Jozef Smith dhe Presidentët pasues të Kishës – Brigam Jangu, Xhon Tejlori dhe Uillford Udrafi. Në vitin 1890, Presidenti Udraf, duke vepruar me po të njëjtat çelësa të priftërisë, mori zbulesë se praktika e martesës me shumë gra duhej të merrte fund (shih Deklarata Zyrtare 1).

Doktrina e Besëlidhje 132:49–66

Zoti i këshillon Jozef dhe Ema Smithin lidhur me martesën me shumë gra

Shpjegoni që Profeti Jozef Smith ishte ngurrues që ta fillonte praktikën e martesës me shumë gra. Ai tha se nuk e filloi praktikën derisa u paralajmërua se do të shkatërrohej nëse nuk bindej (shih “Plural Marriage”, Historical Record, maj 1887, f. 222). Për shkak të një mungese të dokumentacionit historik, ne nuk dimë gjë rreth përpjekjeve të hershme të Jozef Smithit që të pajtohej me urdhërimin. Megjithatë, në vitin 1841 Profeti kishte filluar t’i bindej urdhërimit dhe t’ua mësonte atë disa anëtarëve të Kishës dhe, në tre vitet që pasuan, ai u martua me gra të tjera në përputhje me urdhrat e Zotit. Bindja e Profetit Jozef Smith ndaj urdhërimit të Zotit që të ushtronte martesën me shumë gra, ishte një provë e besimit për të dhe gruan e tij, Emën, të cilën e donte shumë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 132:49–50. Vëreni klasën të kërkojë bekimet që Zoti i premtoi Jozef Smithit.

  • Çfarë bekimesh i premtoi Zoti Jozef Smithit?

  • Sipas vargut 50, përse ia premtoi Zoti këto bekime Jozef Smithit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 132:52. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar këshillën që Zoti i dha Ema Smithit.

  • Sipas vargut 52, çfarë u këshillua Ema të merrte? (“Të gjitha ato që i janë dhënë shërbëtorit tim Joseph” i referohet atyre [grave] të cilat ishin vulosur me Jozef Smithin.)

Shpjegoni që, përveçse e urdhëroi Emën t’i pranonte ato të cilat ishin vulosur me burrin e saj, Zoti e urdhëroi atë që t’i bindej ligjit të Tij dhe t’ia falte Jozefit shkeljet e tij. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 132:56, që të mësojnë atë që Zoti i premtoi Ema Smithit.

  • Çfarë i premtoi Zoti Emës nëse ajo do t’iu bindej urdhrave të Tij?

Shpjegoni se në vitin 1841, Jozef Smithi filloi t’u mësonte burrave dhe grave të tjera besimtare parimin e martesës me shumë gra. Edhe ata patën vështirësi fillimisht që ta kuptonin dhe pranonin këtë parim. Për shembull, kur Brigam Jangu fillimisht mësoi rreth urdhërimit për të hyrë në martesën me shumë gra, ai tha se ndjeu që do të ishte më e lehtë të vdiste sesa të merrte shumë gra (shih Susa Young Gates dhe Leah D. Widtsoe, The Life Story of Brigham Young [1930], f. 321). Edhe pse këta anëtarë besnikë të Kishës ishin ngurrues dhe të irrituar rreth urdhrit në fillim, ata morën pohime vetjake nëpërmjet Frymës së Shenjtë dhe e pranuan parimin e martesës me shumë gra. Vajlet Kimballi, gruaja e parë e Plakut Hibër C. Kimball, e pranoi dhe e përqafoi doktrinën e martesës me shumë gra dhe “nuk mund të dyshonte se rendi i martesës me shumë gra ishte nga Perëndia, sepse Zoti ia kishte zbuluar atë në përgjigje të lutjes së saj” (Helen Mar Kimball, në Orson F. Whitney, Life of Heber C. Kimball [1967], f. 325; shih edhe faqet 326–328).

Ushtrimi i martesës me shumë gra solli sfida të tjera. Ngaqë fillimisht praktika u mbajt shumë e fshehtë, thashetheme filluan të përhapeshin rreth udhëheqësve të Kishës se po martoheshin me gra të tjera. Këto thashetheme e shtrembëruan shumë të vërtetën, e përgojuan emrin e Profetit dhe të udhëheqësve të tjerë të Kishës dhe luajtën rol në shtimin e përndjekjes kundër shenjtorëve.

Lexoni me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 132:63, duke filluar me frazën “sepse ato i jepen atij”. Përpara se të lexoni, shpjegoni se ky varg na ndihmon të kuptojmë një arsye përse Zoti e urdhëroi Jozef Smithin dhe njerëz të tjerë ta praktikonin martesën me shumë gra. Vëreni klasën t’ju ndjekë, duke kërkuar atë qëllim të veçantë.

  • Cilit urdhërim i referohet Zoti në vargun 63? (Urdhërimit për t’u shumëzuar e për ta mbushur tokën.) Çfarë do të thotë të shumëzoheni dhe të mbushni tokën? (Të keni fëmijë.)

Vini në dukje frazën vijuese në vargun 63: “Sepse në këtë vazhdohet vepra e Atit tim”.

  • Në ç’mënyrë të pasurit fëmijë i lejon prindërit të jenë pjesë e veprës së vazhdueshme të Atit Qiellor?

Si pjesë e këtij diskutimi, ju mund të doni të lexoni thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Nil L. Andersen

“Kur një bashkëshorti dhe një bashkëshorteje u lind një fëmijë, ata po plotësojnë një pjesë të planit të Atit tonë Qiellor për të sjellë fëmijë në tokë. Zoti tha: ‘Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut’ [Moisiu 1:39]. Përpara pavdekësisë duhet të ketë vdekshmëri” (“Fëmijët”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 28).

  • Bazuar në ato që keni mësuar nga vargu 63, cila është një arsye përse Zoti herë pas here e ka vendosur praktikën e martesës me shumë gra? (Pasi studentët përgjigjen, shkruani në tabelë parimin vijues: Zoti me raste e ka vendosur martesën me shumë gra për t’i dhënë mundësi të mëtejshme popullit të Tij që të rrisë për Të fëmijë të drejtë. Ju mund të doni t’i drejtoheni përsëri Jakobit [LiM] 2:30.)

Referojuni pyetjes që shkruat në tabelë nga fillimi i mësimit: Përse do t’i urdhëronte Zoti burrat dhe gratë e drejta që t’i bindeshin parimit të martesës me shumë gra në kohë të caktuara? Ju mund të doni t’i ftoni studentët të përmbledhin për klasën atë që kanë mësuar nga studimi i tyre i Doktrinës e Besëlidhjeve 132 dhe Jakobit [LiM] 2:27, 30, që i ndihmon ata t’i përgjigjen kësaj pyetjeje.

Përfundoni duke dhënë dëshminë tuaj për Profetin Jozef Smith dhe se ai mori zbulesë nga Perëndia dhe iu bind asaj.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 132 Si t’i qaseni një studimi të martesës me shumë gra

Në internet dhe në shumë burime të shtypit ekzistojnë shumë informacione të pambështetura lidhur me martesën me shumë gra. Jini të vëmendshëm dhe të mençur lidhur me informacione të tilla. Disa autorë, të cilët shkruajnë rreth Kishës dhe historisë së saj, e paraqesin informacionin jashtë përmbajtjes apo përfshijnë të vërteta të pjesshme që mund të jenë çorientuese. Qëllimi i disa prej këtyre shkrimeve është që ta shkatërrojnë besimin.

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, paralajmëroi:

Plaku Nil L. Andersen

“Përherë ka pasur disa që duan ta turpërojnë Kishën dhe ta shkatërrojnë besimin. Sot ata përdorin internetin.

Disa informacione lidhur me Kishën, sado bindëse qofshin, thjesht nuk janë të vërteta” (“Prova e Besimit Tuaj”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 41).

Gjatë studimit rreth martesës me shumë gra, është e rëndësishme të kujtojmë modelin që Profeti Jozef Smith ndoqi kur mësoi për ungjillin. Ai studioi, përsiati dhe u lut që të fitonte dituri.

Kërkime historike të besueshme lidhur me praktikën e martesës me shumë gra mund të gjenden në josephsmithpapers.org dhe byustudies.byu.edu.

Doktrina e Besëlidhje 132:1. “Parimi dhe doktrina” e martesës me shumë gra

Rrëfimet vijuese ndihmojnë për të qartësuar ndjenjat e Profetit Jozef Smith dhe të anëtarëve të tjerë të Kishës kur martesa me shumë gra u paraqit fillimisht.

Eliza R. Snou, e cila u vulos me Profetin Jozef Smith, shënoi hollësitë e mësimit që Profeti Jozef i dha vëllait të saj, Lorenco Snout, lidhur me parimin e martesës me shumë gra. Ajo shënoi ankthin e dhembjen që parimi i shkaktoi Jozef Smithit dhe se ai e çoi përpara themelimin e parimit vetëm për shkak të zbulesës hyjnore:

Eliza R. Snou

“Profeti Jozef ia hapi lirisht zemrën e tij [Lorenco Snout] dhe përshkroi provën e rëndë sfiduese, mendore që përjetoi duke i mposhtur ndjenjat e tij të neveritura, pasojë e natyrshme e fuqisë së arsimimit dhe zakonit shoqëror, lidhur me njohjen e martesës me shumë gra. Ai e njihte zërin e Perëndisë – ai e dinte se urdhërimi që i dha i Plotfuqishmi ishte që ta shkonte përpara – të jepte shembullin dhe ta themelonte martesën çelestiale me shumë gra. E dinte se nuk i duhej të luftonte e kapërcente vetëm paragjykimet dhe mendimet e gabuara të veta, por ato të mbarë botës së krishterë, që po e shihnin drejt e në sy; por Perëndia, që është mbi të gjithë, e kishte dhënë urdhërimin dhe Ai duhej të bindej. Prapëseprapë, Profeti ngurroi dhe e shtyu herë pas here, derisa një engjëll i Perëndisë qëndroi pranë tij me një shpatë të zhveshur dhe i tha se, në qoftë se nuk shkonte përpara dhe e themelonte martesën me shumë gra, Priftëria e tij do t’i merrej dhe ai duhej të shkatërrohej! Këtë dëshmi ai jo vetëm që ia tregoi vëllait tim, por edhe të tjerëve – një dëshmi që nuk mund të përgënjeshtrohet [kundërshtohet]” (Biography and Family Record of Lorenzo Snow [1884], f. 69–70).

Presidenti Brigam Jang shpjegoi:

Presidenti Brigam Jang

“Nëse ndokush do të më kishte pyetur se cila ishte zgjedhja ime kur Jozefi e zbuloi atë doktrinë, me kusht se nuk do ta pakësonte lavdinë time, unë do të kisha thënë: ‘Më lejo të kem vetëm një bashkëshorte’. …

… Nuk dëshiroja të ndrydhesha prej asnjë detyre, as të dështoja në shkallën më të vogël për të bërë atë që u urdhërova, por ishte hera e parë në jetën time që dëshiroja të vdisja, dhe nuk munda ta kapërceja këtë për një kohë të gjatë. Dhe kur pashë një ceremoni varrimi, ndjeva se e kisha zili të vdekurin për gjendjen e tij dhe më erdhi keq që nuk isha unë në atë qivur. …

… Por shenjtorët që e jetojnë fenë e tyre, do të ekzaltohen, sepse ata nuk do ta mohojnë kurrë çfarëdo zbulese që Zoti u ka dhënë ose mund t’iu japë, ndonëse, kur ndonjë doktrinë u vjen atyre, të cilën nuk mund ta kuptojnë tërësisht, ata mund të gjenden duke thënë: ‘Zoti ma dërgon këtë dhe unë lutem që ai do të më shpëtojë dhe do të më ruajë nga të mohuarit e ndonjë gjëje që vjen prej tij dhe të më japë durim që të pres derisa ta kuptoj atë për veten time’” (në “Provo Conference”, Deseret News, 14 nëntor 1855, f. 282).

Vajlet Kimballi, gruaja e parë e Presidentit Hibër C. Kimball, mori dëshmi për martesën me shumë gra. Bija e saj, Helena, tregoi:

“Nëna ime shpesh më thoshte se ajo nuk mund ta vinte në dyshim që rendi i martesës me shumë gra ishte nga Perëndia, sepse Zoti ia kishte zbuluar atë në përgjigje të lutjes.

Në Navu, pak kohë pas kthimit të tij nga Anglia, babait tim, mes vëllezërve të tij të tjerë, iu mësua doktrina e martesës me shumë gra. …

Babai im e kuptoi plotësisht gjendjen dhe, dashuria e nderimi që kishte për Profetin ishin kaq të mëdha, sa ai më shpejt do të kishte dhënë jetën e tij për të sesa ta tradhtonte. Kjo ishte një nga provat më të mëdha të besimit të tij, që ai kishte përjetuar ndonjëherë. …

Nëna ime [Vajlet Kimballi] kishte vënë re një ndryshim në sjelljen dhe paraqitjen e tij dhe, kur i kërkoi shkakun, ai u përpoq t’i shmangte pyetjet e saj. Më në fund ai premtoi se do t’i tregonte asaj pas ca kohe, nëse ajo thjesht do të priste. Ky shqetësim pati ndikim kaq të madh në mendjen e tij sa shikimet e tij të shqetësuara e të drobitura e tradhtonin atë çdo ditë e çdo orë, dhe më në fund mjerimi i tij u bë kaq i padurueshëm sa ishte e pamundur t’i kontrollonte ndjenjat e veta. Ai u sëmur në trup, por mjerimi i tij mendor ishte tepër i madh që ta lejonte të binte në shtrat, dhe ai do të ecte nëpër dhomë deri në mëngjes herët, dhe nganjëherë agonia e mendjes së tij ishte kaq e tmerrshme sa ai i shtrëngonte duart e qante si fëmijë dhe i përgjërohej Zotit të ishte i mëshirshëm dhe t’ia zbulonte asaj këtë parim. …

Ankthi i zemrave të tyre ishte i papërshkrueshëm dhe, kur ajo pa se ishte e padobishme t’i lutej atij më gjatë, u tërhoq në dhomën e saj dhe u përkul përpara Zotit e ia derdhi shpirtin e saj në lutje Atij që kishte thënë: ‘Në qoftë se ndonjërit i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar’. …

Përpara saj u tregua rendi i martesës çelestiale, në të gjithë bukurinë dhe lavdinë e tij, së bashku me ekzaltimin dhe nderin e madh që do t’i jepej asaj në atë sferë të pavdekshme dhe çelestiale, në qoftë se ajo do ta pranonte atë dhe do të qëndronte në vendin e saj përkrah bashkëshortit të saj. Ajo gjithashtu pa gruan që ai kishte marrë për bashkëshorte dhe mendoi plot gëzim për dashurinë dhe bashkimin e gjerë dhe të pakufishëm që do të sillte ky rend, si edhe rritjen e mbretërive të bashkëshortit të saj dhe fuqinë e lavdinë që shtrihej përmes përjetësive, botëve pa fund.

Me një pamje në fytyrë që rrezatonte me gëzim, sepse ajo u mbush me Shpirtin e Perëndisë, ajo u kthye tek babai im, duke i thënë: ‘Hibër, atë që ma mbajte të fshehur, Zoti ma ka treguar’. Ajo më tha se kurrë nuk pa një njeri aq të lumtur saç ishte babai kur ia përshkroi vegimin dhe i tha atij se ishte e kënaqur dhe e dinte se ishte nga Perëndia.

Ajo besëlidhi që të qëndronte pranë tij dhe ta nderonte parimin, besëlidhje të cilën ajo e mbajti me besnikëri, dhe, edhe pse sprovat e saj shpesh ishin të rënda e brengosëse për t’u duruar, ajo e dinte se babai gjithashtu po vihej në provë dhe integriteti i saj ishte i palëkundur deri në fund. Ajo i dha babait tim shumë gra dhe ato gjithmonë gjetën te nëna ime një mikeshë besnike” (në Orson F. Whitney, Life of Heber C. Kimball [1967], f. 325–328).

Presidenti Xhon Tejlor tha për kohën kur u paraqit parimi i martesës me shumë gra:

Presidenti Xhon Tejlor

“Gjithmonë kisha ushqyer ide të prera mbi virtytin, dhe si një burrë i martuar ndjeva se për mua, jashtë këtij parimi, kjo ishte një gjë e tmerrshme për t’u bërë. … Ishte një gjë që mendohej të nxiste ndjenja nga pjesët më të thella të shpirtit njerëzor. Gjithmonë pata ushqyer respektin më të madh për dëlirësinë. … Prandaj, me ndjenjat që pata ushqyer, asnjë përveç një diturie nga Perëndia dhe zbulesat e Perëndisë, dhe e vërteta e tyre, nuk mund të më kishin nxitur ta përqafoja një parim të tillë si ky” (në B. H. Roberts, The Life of John Taylor, Third President of the Church of Jesus Christ of Latter-day Saints [1963], f. 100).

Doktrina e Besëlidhje 132:18–20. Natyra e përjetshme e martesës

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i cili u martua përsëri pasi vdiq gruaja e tij e parë, në një intervistë për çështjen e natyrës së përjetshme të martesës, shpjegoi se ne dimë disa gjëra dhe nuk dimë disa gjëra të tjera:

Plaku Dallin H. Ouks

“Ka shumë njerëz që jetojnë në këtë tokë, që janë martuar me më shumë se një njeri. Nganjëherë ato martesa kanë mbaruar me vdekjen; nganjëherë ato kanë mbaruar me shkurorëzimin. Çfarë do të thotë jeta e mëpasshme për ta lidhur me një besëlidhje që e bënë dikur e kështu me radhë? Nuk mendoj se ata njerëz kanë ndonjëfarë përgjigje për atë pyetje. Ajo mund të mos i shqetësojë ngaqë ata nuk besojnë se njerëzit do të jetojnë si çifte të martuar në jetën që vjen. Dhe nëse ata nuk bëjnë besëlidhje për ta bërë atë dhe nuk jetojnë për ato besëlidhje, [sa për veten e tyre] ata kanë të drejtë! Por për njerëzit që jetojnë me besimin, sikurse jetoj unë, që marrëdhëniet martesore mund të jenë për përjetësinë, atëherë ju duhet të thoni: ‘Si do të jetë jeta në jetën që vjen, kur jeni i martuar me më shumë se një bashkëshorte për përjetësinë?’ Duhet të them se nuk e di. Por unë e di se i kam bërë ato besëlidhje dhe besoj, në qoftë se jam i vërtetë ndaj besëlidhjeve, se bekimi që pritet këtu do të plotësohet në jetën që vjen” (në “Elder Oaks Interview Transcript from PBS Documentary”, 20 korrik 2007, mormonnewsroom.org).

Doktrina e Besëlidhje 132:38–39. Davidi dhe Uriahu

Zoti shpalli se Davidi mëkatoi kur mori Bath-Shebën, gruan e Uriahut. Davidi më vonë planifikoi vdekjen e Uriahut për ta fshehur mëkatin e vet. Si rrjedhim, Davidi ra prej ekzaltimit të tij. Përfshirja e shembullit të Davidit te Doktrina e Besëlidhje 132:38–39 nënvizon ligjet e forta që qeverisin praktikën e martesës me shumë gra. Edhe në kohët kur Zoti e themeloi këtë praktikë dhe i urdhëroi njerëzit e Tij ta jetonin atë, atyre u kërkohej ta bënin këtë sipas urdhërimeve të Tij dhe drejtimit që Ai u jepte shërbëtorëve të Tij, të cilët mbanin çelësat e nevojshëm të priftërisë.

Doktrina e Besëlidhje 132:51–56. Çfarë u urdhërua Ema Smith të mos pranonte?

“Asnjë tregues nuk jepet këtu apo diku tjetër për atë që Zoti e kishte urdhëruar Profetin Jozef t’i ofronte gruas së tij, por përmbajtja duket se sugjeron që ishte një provë e veçantë e besimit, e ngjashme me provën e besimit të Abrahamit kur Zoti e urdhëroi të sakrifikonte Isakun. Përtej kësaj, është e padobishme që të spekulojmë” (Doctrine and Covenants Student Manual, bot. i 2-të. [Manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2001], f. 334).