Mësimi 154
Doktrina e Besëlidhje 138:1–24, 38–50.
Hyrje
Më 3 tetor 1918, në Shtëpinë e Bletëve në Solt-Lejk-Siti (shtëpia ku kishte jetuar Presidenti Brigam Jang kur ishte President i Kishës), Presidenti Jozef F. Smith mori vegimin e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 138. Në këtë vegim, Presidenti Smith pa Shpëtimtarin, midis kohës së vdekjes së Tij dhe Ringjalljes së Tij, duke u shërbyer shpirtrave të drejtë në parajsë të cilët kishin pritur çlirimin nga lidhjet e vdekjes. Ky është mësimi i parë i dy mësimeve që shqyrtojnë Doktrinën e Besëlidhjet 138.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 138:1–11
Presidenti Jozef F. Smith përsiat mbi shkrimet e shenjta dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit
Kërkojuni studentëve të mendojnë mbi planin e shpëtimit dhe atë që i ndodh shpirtit dhe trupit kur vdes.
-
Çfarë u ndodh shpirtrave dhe trupave tanë kur ne vdesim? Ku shkon shpirti ynë?
-
Si e përfytyroni se është bota e shpirtrave?
Shpjegoni se Presidenti Jozef F. Smith, presidenti i gjashtë i Kishës, mori një zbulesë rreth botës së shpirtrave. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë hyrjen e Doktrinës e Besëlidhjeve 138. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që përjetoi Presidenti Smith në muajt përpara konferencës së përgjithshme të tetorit të vitit 1918. Kërkojuni atyre të raportojnë mbi atë çka gjejnë.
U thoni studentëve se në ato muaj, Presidenti Jozef F. Smith po vajtonte humbjen e birit të tij, Hajrëm Mek Smithit, i cili kishte shërbyer si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Plaku Smith kishte vdekur në fillim të atij viti nga plasja e apendicitit në moshën 45-vjeçare.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 138:1–4. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar doktrinën që Presidenti Jozef F. Smithi po përsiaste më 3 tetor 1918, ndërsa ishte vetëm në qetësinë e dhomës së tij.
-
Çfarë doktrine po përsiaste Presidenti Smith? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni doktrinën vijuese në tabelë: Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe me anë të bindjes ndaj parimeve të ungjillit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 138:5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që përjetoi Presidenti Smith ndërsa përsiaste mbi Shlyerjen.
-
Çfarë erdhi në mendjen e Presidentit Smith ndërsa përsiaste mbi Shlyerjen e Jezu Krishtit?
Pyetini studentët nëse u ka ardhur ndonjëherë në mendje një fragment i shkrimit të shenjtë ndërsa kanë përsiatur mbi një aspekt të ungjillit. Ftojini ata të tregojnë përvojat e tyre.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 138:6–10. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mësimet që i bënë përshtypje Presidentit Smith. Kërkojuni atyre të raportojnë mbi atë çka gjejnë. Pastaj shpjegoni se Presidenti Smith mori një vegim që na ndihmon t’i kuptojmë mësimet e Pjetrit rreth botës së shpirtrave.
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 138:11, duke kërkuar atë që pa Presidenti Smith ndërsa përsiaste mbi shkrimet e shenjta. Kërkojuni studentëve të raportojnë mbi atë që gjejnë.
Shpjegoni që përpara se studentët të mësojnë rreth vegimit të Presidentit Smith për botën e shpirtrave, ata duhet të vërejnë procesin e zbulesës që ai përshkroi: Ndërkohë që po përsiaste mbi shkrimet e shenjta, ai mendoi për doktrinën e Shlyerjes dhe dashurinë që kanë Ati Qiellor dhe Jezu Krishti për të gjithë njerëzimin. Këto mendime i sollën në mendje fjalët e Pjetrit. Më pas, ndërkohë që përsiaste mbi fjalët e Pjetrit, “sytë e të kuptuarit [të tij] u hapën”, Fryma e Shenjtë qëndroi mbi të dhe ai pa botën e shpirtrave.
-
Çfarë mund të mësojmë nga Presidenti Jozef F. Smith rreth përgatitjes për të marrë zbulesë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Kur ne i lexojmë dhe i përsiatim shkrimet e shenjta, ne e përgatitim veten tonë për të marrë zbulesë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë parim në shkrimet e tyre të shenjta, pranë vargut 11.)
-
Në ç’mënyrë leximi dhe përsiatja e shkrimeve të shenjta ndihmojnë për ta ftuar zbulesën?
Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. (Nëse është e mundur, jepuni studentëve kopje të kësaj thënie dhe u kërkoni ta ndjekin atë.) Ftojini studentët të dëgjojnë përshkrimin e Plakut Kristoferson për mënyrën se si duhet t’i lexojmë shkrimet e shenjta:
“Kur unë them ‘studioni’, dua të them diçka më shumë se leximi. … Ju shoh ndonjëherë të lexoni disa vargje, të ndaloni për t’i përsiatur ato, duke i lexuar me kujdes vargjet sërish dhe ndërsa mendoni rreth kuptimit të tyre, duke u lutur për kuptueshmëri, duke bërë pyetje në mendjen tuaj, duke pritur për mbresa shpirtërore dhe duke i hedhur në letër mbresat dhe pikëpamjet që ju vijnë, në mënyrë që ju të mund t’i kujtoni dhe të mësoni më shumë” (“When Thou Art Converted”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 11)
-
Kur e keni ndjekur këtë model në studimin tuaj të shkrimeve të shenjta? Si e ndryshoi përvojën tuaj?
Ftojini studentët që të vendosin një synim për t’i lexuar dhe përsiatur shkrimet e shenjta në mënyrën që e përshkroi Plaku Kristoferson.
Doktrina e Besëlidhje 138:12–24, 38–50.
Jozef F. Smithi i shikon të vdekurit e drejtë duke pritur ringjalljen e tyre
Ndajini studentët në dyshe. Kërkojuni atyre që ta diskutojnë pyetjen vijuese me partnerët e tyre:
-
Cilën ngjarje të ardhshme po e prisni me padurim? Pse jeni të emocionuar për të?
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës. Shpjegoni se kur Presidenti Jozef F. Smith e pa botën e shpirtrave në vegim, ai pa një grumbullim të madh shpirtrash.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 138:12–13. Vëreni klasën të kërkojë një përshkrim të shpirtrave që ishin mbledhur.
-
Si i përshkroi Presidenti Smith shpirtrat që ai pa?
Vërini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 138:38–49, duke kërkuar emrat e disa shpirtrave që ishin atje. (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këta emra në shkrimet e tyre të shenjta.) Kërkojuni studentëve të raportojnë disa nga emrat që gjejnë.
-
Sipas vargut 49, çfarë po prisnin këta shpirtra? (Çlirimin.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 138:14–16, 50. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë se përse këta shpirtra të drejtë u mbushën me gëzim dhe hare.
-
Pse këta shpirtra të drejtë u mbushën me gëzim dhe hare? (“Sepse dita e çlirimit të tyre ishte pranë” [vargu 15]. Me fjalë të tjera, ata e dinin se do të ringjalleshin së shpejti për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit.)
-
Si mendoni ju, përse ribashkimi i shpirtit dhe i trupit të tyre do të ishte një çlirim për këta shpirtra të drejtë?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 138:17 dhe vëreni klasën të kërkojë bekimet që marrin shpirtrat e drejtë pasi shpirti dhe trupi i tyre ribashkohen. Ju mund të dëshironi t’i ftoni studentët të shenjojnë atë që gjejnë.
-
Çfarë mund të marrim ne kur të ringjallemi? (Një plotësi gëzimi.)
-
Çfarë mund të mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 138:14–17, 50 rreth çlirimit nga vdekja fizike? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi doktrinash e parimesh, por sigurohuni që ata i kuptojnë dy doktrinat vijuese: Nëpërmjet hirit të Perëndisë, Atit dhe Jezu Krishtit, ne do të çlirohemi nga lidhjet e vdekjes dhe ne mund të marrim një plotësi gëzimi nëpërmjet ringjalljes. Ju mund të doni t’i shkruani këto doktrina në tabelë.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien në vijim nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i cili komentoi për nevojën dhe bekimin e të pasurit të një trupi fizik. Kërkojini klasës të dëgjojë arsyet përse të pasurit e një trupi fizik është thelbësor për planin e Atit Qiellor që ne të marrim një plotësi gëzimi.
“Trupat tanë fizikë bëjnë të mundur një llojshmëri, thellësi dhe fuqi përvoje që thjesht nuk mund të fitohet në ekzistencën tonë para lindjes. Kështu, marrëdhëniet tona me njerëz të tjerë, zotësia jonë për të njohur dhe vepruar në përputhje me të vërtetën dhe aftësia jonë për t’iu bindur parimeve e ordinancave të ungjillit të Jezu Krishtit, përforcohen nëpërmjet trupave tanë fizikë. …
Plani i Atit është hartuar që të sigurojë drejtim për fëmijët e Tij, t’i ndihmojë ata të bëhen të lumtur dhe t’i kthejë të sigurt në shtëpi tek Ai, me trupa të ringjallur e të ekzaltuar” (“Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 41, 43).
-
Përse na duhet një trup fizik që të marrim plotësi të gëzimit?
Për t’iu shtuar përgjigjeve të studentëve, ju mund të doni të shpjegoni se një plotësi gëzimi është lloji i gëzimit që përjeton Ati Qiellor. Ati Qiellor ka një trup fizik prej mishi dhe kockash (shih DeB 130:22). Kur shpirti dhe trupi ynë ndahen, ne nuk jemi si Ai dhe nuk mund të marrin plotësi të gëzimit (shih DeB 93:33–34). Kur shpirti dhe trupi ynë lidhen në mënyrë të pandashme – kur të ringjallemi – ne përfundimisht mund të bëhemi si Ati ynë Qiellor dhe të kemi një plotësi gëzimi.
Shpjegoni se të drejtët në botën e shpirtrave po prisnin për “ngjarjen” ose mbërritjen e Birit të Perëndisë që t’i çlironte ata dhe t’i rivendoste në “një formë të përsosur” (DeB 138:16–17). Ftojini studentët të përfytyrojnë atë që po ndodhte në tokë kur këta shpirtra të drejtë u mblodhën. Jezu Krishti po shlyente për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor nëpërmjet vuajtjes së Tij në Gjetseman dhe në kryq. Disa nga shpirtrat e drejtë në botën e shpirtrave kishin pritur mijëra vjet për çlirimin e tyre. Sakrifica që po bënte Jezu Krishti do të përfshinte shëlbimin nga mëkatet e tyre si edhe shpëtimin nga vdekja fizike.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 138:18–19. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke përfytyruar se si mund të ketë qenë ngjarja e përshkruar në këto vargje.
-
Si mendoni ju, si mund të ketë qenë shfaqja e Jezu Krishtit në botën e shpirtrave për ata që Ai vizitoi?
-
Çfarë u mësoi Shpëtimtari këtyre shpirtrave?
-
Si mund t’i ishit përgjigjur Shpëtimtarit, i cili sapo kishte kryer Shlyerjen për ju, nëse do të kishit qenë atje duke e dëgjuar Atë të predikonte në botën e shpirtrave? (Ju mund të doni t’u kërkoni studentëve që ta përsiatin qetësisht këtë pyetje në vend që t’i përgjigjen me zë të lartë.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 138:23–24. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyrën se si reaguan shpirtrat e drejtë ndaj vizitës së Shpëtimtarit. Kërkojuni studentëve të raportojnë mbi atë që gjejnë.
Drejtojuni doktrinës së parë që ju shkruat në tabelë: Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe me anë të bindjes ndaj parimeve të ungjillit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet. Shpjegoni se ndërsa studentët vazhdojnë të studiojnë Doktrinën e Besëlidhjet 138, ata do të mësojnë se si Ati Qiellor ka siguruar një mënyrë që të gjithë fëmijët e Tij të përfitojnë nga Shlyerja e Shpëtimtarit.