Mësimi 143
Doktrina e Besëlidhje 134
Hyrje
Më 17 gusht 1835, kuvendi i përgjithshëm i Kishës u takua në Kirtland të Ohajos, për të marrë në shqyrtim përmbajtjen e propozuar të botimit të parë të Doktrinës e Besëlidhjeve. Për shkak se Profeti Jozef Smith po vizitonte shenjtorët në Miçigan, Oliver Kaudëri kryesoi në kuvend. Në mbledhje, shenjtorët votuan njëzëri për të përfshirë një shpallje të paraqitur nga Oliver Kaudëri, për sa i përket bindjeve të Kishës lidhur me qeverinë dhe ligjet.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 134:1–4
Paraqiten përgjegjësitë e qeverive
Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur po formojnë një vend të ri. Caktojeni një student/e të jetë udhëheqësi/ja e kësaj qeverie të re. Ftojeni atë student/e të sjellë shkrimet e tij apo të saj përpara klasës. Bëjini studentit/es pyetjen vijuese:
-
Çfarë ligjesh do të donit të miratonit që njerëzit në këtë vend të ri të ndjekin? (Ju mund të doni t’i shkruani përgjigjet e studentit/es në tabelë.)
Pyeteni klasën:
-
Çfarë mendoni për ligjet që ka vendosur udhëheqësi/ja juaj? Sa mirë planifikoni t’i ndiqni ato?
-
Cili mendoni ju se është qëllimi i një qeverie?
Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 134 përmban një dokument që shpall bindjet e Kishës lidhur me qeveritë dhe ligjet. Më 17 gusht 1835, ndërsa po bëheshin përgatitjet përfundimtare për të shtypur botimin e parë të Doktrinës e Besëlidhjeve, Oliver Kaudëri kryesoi një kuvend të përgjithshëm të anëtarëve të Kishës. Ai e paraqiti dokumentin dhe anëtarët që morën pjesë votuan njëzëri për ta përfshirë atë në libër. Jozef Smithi dhe Frederik G. Uilliamsi, Këshilltari i Dytë në Presidencën e Parë, nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje. Ata po predikonin ungjillin në shtetin e Miçiganit. Kur u kthyen, Jozef Smithi lejoi që dokumenti të përfshihej në Doktrinën e Besëlidhjet.
Ftojeni studentin/en udhëheqës/e të lexojë me zë të lartë hyrjen e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 134. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë arsyen përse shenjtorët menduan që deklarata duhej të botohej. U kërkoni studentëve të raportojnë mbi atë çka gjejnë.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 134:1. Kërkojini klasës që ta ndjekë. Vëreni gjysmën e klasës të kërkojë se kush e krijoi idenë e qeverive dhe të qëllimit kryesor të qeverive. Ftojeni gjysmën tjetër që të kërkojë atë për të cilën Perëndia i mban përgjegjës zyrtarët e qeverisë. I kërkoni secilit grup të raportojë mbi atë që gjen. Ndërsa studentët përcaktojnë të vërtetat vijuese, shkruajini ato në tabelë:
Qeveritë u krijuan nga Perëndia për dobinë e njerëzimit.
Zyrtarët e qeverisë janë përgjegjës ndaj Perëndisë që të veprojnë për të mirën dhe sigurinë e shoqërisë.
-
Në çfarë mënyrash udhëheqësit e qeverisë mund të veprojnë për të mirën dhe sigurinë e shoqërisë?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 134:2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar tri të drejta që qeveritë duhet të mbrojnë për çdo individ. Përpara se studenti të lexojë, ju mund të doni të shpjegoni se fjala të pashkelura do të thotë të sigurta ose të padhunuara.
-
Sipas vargut 2, çfarë të drejtash duhet të sigurojnë qeveritë për qytetarët e tyre? (“Ushtrimin e lirë të ndërgjegjes, të drejtën dhe kontrollin e pasurisë dhe mbrojtjen e jetës.” Ju mund të doni t’u tregoni studentëve që Presidenti Ezra Taft Benson tha se “jeta, liria [dhe] prona [janë] tri të drejtat e madhërishme të njerëzimit” [“Our Divine Constitution”, Ensign, nëntor 1987, f. 4].)
-
Si mendoni ju, çfarë do të thotë ta ushtroni ndërgjegjen tuaj? Përse është e rëndësishme që të jeni të lirë ta ushtroni ndërgjegjen tuaj?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 134:4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një të drejtë tjetër që qeveritë duhet të mbrojnë. (Përpara se studenti të lexojë, ju mund të doni të shpjegoni se fjala përgjegjës do të thotë i përgjegjshëm dhe se gjykatësi civil është një detyrë publike që administron ligjin.) Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë.
-
Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që njerëzit të jenë të përgjegjshëm ndaj Perëndisë, jo ndaj qeverive, për mënyrën se si e ushtrojnë fenë e tyre?
-
Çfarë mendoni ju se do të thotë ta frenosh krimin dhe ta ndëshkosh fajin pa u përpjekur të kontrollosh ndërgjegjen ose të shtypësh lirinë e shpirtit?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 134:3. Vëreni klasën të kërkojë diçka që qytetarët e disa vendeve mund të bëjnë, për të ndihmuar që të sigurojnë se qeveritë e tyre do ta përkrahin ligjin. (Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë vargun, mund t’ju duhet të shpjegoni se një republikë është një qeveri ku njerëzit i zgjedhin udhëheqësit për t’i përfaqësuar ata dhe se sovrani është sunduesi më i lartë, i tillë si një mbret apo mbretëreshë.)
-
Si mund t’i kërkojë dhe t’i mbështetë “zëri i popullit” udhëheqësit e mirë? (Nëse është e nevojshme, vini në dukje se fraza “zëri i popullit” i referohet praktikës së votimit për udhëheqësit.)
Drejtojuni studentit/es që caktuat për të qenë udhëheqësi/ja i/e një vendi të ri në fillim të orës mësimore. Ftojeni klasën të propozojë më shumë studentë që ta ndihmojnë këtë udhëheqës. Pastaj drejtoni një proces zgjedhjesh në mënyrë që klasa të mund të përzgjedhë dy nga studentët që janë propozuar. Ftojini këta udhëheqës të rinj t’i sjellin shkrimet e tyre të shenjta dhe t’i bashkohen udhëheqësit/es të/së parë (atë që caktuat më parë) përpara klasës. U kërkoni këtyre tre udhëheqësve të shpjegojnë atë që kanë mësuar deri tani rreth përgjegjësisë së tyre si zyrtarë të qeverisë.
Doktrina e Besëlidhje 134:5–6, 8
Paraqiten përgjegjësitë e qytetarëve
U kërkoni tre studentëve udhëheqës të renditin disa përgjegjësi që qytetarët duhet të kenë në vendin e tyre të ri. Ftojeni një student t’i renditë përgjigjet e tyre në tabelë. Më pas pyeteni klasën:
-
Çfarë mendoni për këtë listë të përgjegjësive? Si do ta ndryshonit këtë listë?
Ftojeni një student/e të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 134:5–6. Vëreni klasën të kërkojë përgjegjësitë e qytetarëve. (Ndërsa studenti/ja lexon, ju mund të doni t’i kërkoni atij apo asaj të ndalojë herë pas here, në mënyrë që të përkufizoni fjalët vijuese: i patjetërsueshëm i referohet diçkaje që nuk mund të hiqet; kryengritje i referohet rebelimit kundër udhëheqësve të qeverisë; nderim do të thotë pajtim ose nënshtrim; zëvendësoj do të thotë i zë vendin; anarki do të thotë paligjshmëri – mungesë e rregullave dhe e qeverisë ose rebelim kundër rregullave dhe qeverisë.)
-
Sipas vargjeve 5–6, çfarë përgjegjësie kemi ndaj qeverisë sonë? (Studentët duhet të shprehin diçka të ngjashme me të vërtetën vijuese: Ne duhet ta mbështetim dhe përkrahim qeverinë atje ku jetojmë. Merreni parasysh ta shkruani këtë parim në tabelë. Vini në dukje se ky parim përfshin një hamendësim se qeveria jonë mbron ligje që i mbrojnë “të drejtat [tona] të natyrshme dhe të patjetërsueshme”.)
-
Cilin nen të besimit ju kujton ky parim? (Ju mund të doni t’i ftoni studentët të lexojnë ose të thonë përmendsh nenin e dymbëdhjetë të besimit.)
-
Si mund ta mbështetim dhe përkrahim qeverinë ne si qytetarë? (Përgjigjet mund të përfshijnë që ne mund t’u bindemi ligjeve, t’i nxitim të tjerët të binden, të shërbejmë në komunitet, të tregojmë respekt për zyrtarët e qeverisë dhe të votojmë.)
Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë një të vërtetë tjetër rreth përkrahjes së qeverive dhe të ligjeve, bëni pyetjen vijuese:
-
Sipas vargut 6, si ndihet Perëndia rreth bindjes sonë ndaj ligjeve hyjnore dhe ligjeve njerëzore? (Pasi studentët të jenë përgjigjur, shkruani sa vijon në tabelë: Perëndia do që ne t’i respektojmë dhe t’u bindemi ligjeve hyjnore dhe ligjeve njerëzore.)
Për t’i ndihmuar studentët që t’i përgjigjen pyetjes së mëparshme, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhejms E. Talmixh, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë për mënyrën se si duhet ta trajtojmë ligjin e vendit kur ai është në kundërshtim me bindjet tona:
“Në rastin e një konflikti midis kërkesave të bëra nga fjala e zbuluar e Perëndisë dhe të atyre që detyrohen nga ligji laik, kujt autoriteti janë të detyruar t’i binden anëtarët e Kishës? …
Në pritje të miratimit nga [Perëndia] në përkrahje të lirisë fetare, është detyra e shenjtorëve që t’ia nënshtrojnë veten e tyre ligjeve të vendit të tyre. Megjithatë, ata duhet të përdorin çdo metodë të përshtatshme, si qytetarë ose subjekte të disa qeverive të tyre, që të sigurojnë për vete dhe për të gjithë njerëzit përkrahjen e lirisë në shërbesat fetare. Atyre nuk u kërkohet të vuajnë pa protestuar për dhunën nga ana e përndjekësve të paligj ose për funksionimin e ligjeve të padrejta; por protestat e tyre duhet të bëhen sipas rregullit ligjor dhe të duhur. Shenjtorët praktikisht kanë treguar pranimin nga ana e tyre të doktrinës se është më mirë të vuash të ligën sesa të veprosh gabim nga kundërshtimi i pastër njerëzor ndaj autoritetit të padrejtë” (The Articles of Faith, bot. 12-të [1924], f. 422, 423]).
Ftojini studentët të mendojnë rreth njerëzve që ata njohin, të cilët u binden këtyre parimeve të mbështetjes dhe përkrahjes së qeverisë dhe të ligjit. Ju mund t’u kërkoni disa studentëve të tregojnë se si e përkrahin qeverinë këta qytetarë. Më pas u kërkoni studentëve të shkruajnë në fletoren e klasës ose ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth diçkaje që do të bëjnë personalisht për të mbështetur dhe përkrahur qeverinë dhe ligjin.
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 134:8, duke shpjeguar se qeveritë kanë përgjegjësinë t’i ndëshkojnë ata që kryejnë krime dhe se qytetarët kanë përgjegjësinë për të ndihmuar “[që] t’i sjell[in] fyesit përpara ligjeve të mira për t’u ndëshkuar”.
Doktrina e Besëlidhje 134:7, 9–10, 12
Përshkruhet marrëdhënia midis fesë dhe qeverisë
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 134:7, 9–10, 12, duke shpjeguar që Oliver Kaudëri shkroi se qeveritë duhet të vendosin ligje që i mbrojnë rregullat fetare, por nuk duhet të përkrahin një fe më shumë sesa një tjetër. Përveç kësaj, ai shkroi se shoqëritë fetare kanë të drejtën t’i ndëshkojnë anëtarët e tyre të padisiplinuar duke i shkishëruar ata ose duke hequr shoqërimin prej tyre, por shoqëri të tilla nuk kanë autoritetin të bëjnë gjykime ose të japin ndëshkime që do të merrnin pronën e anëtarëve të tyre ose do t’i lëndonin ata fizikisht.
Doktrina e Besëlidhje 134:11
Shpjegohet e drejta për të apeluar për ndihmë nga qeveria
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 134:11, duke shpjeguar se sipas këtij vargu, qytetarët duhet të lejohen t’i kërkojnë qeverisë së tyre që të bëjë “rregull[ime]” nëse u është bërë padrejtësi. Fjala rregullim do të thotë ta ndreqësh diçka. Vargu gjithashtu përfshin një deklaratë se qytetarët shfajësohen në mbrojtjen e vetes së tyre dhe të të tjerëve kur ka një nevojë të ngutshme dhe qeveria nuk është në gjendje të ndihmojë.
Kërkojuni studentëve të thonë atë që vlerësojnë rreth vendit apo bashkësisë së tyre. Dëshmoni për rëndësinë e mbështetjes dhe përkrahjes së qeverive dhe ligjeve.