Mësimi i Studimit në Shtëpi
Doktrina e Besëlidhje 8–9; 11–16; Joseph Smith – Historia 1:68–75 (Njësia 4)
Hyrje
Oliver Kaudëri, Hajrëm Smithi, Jozef Najt Plaku, Dejvid Uitmeri, Xhon Uitmeri dhe Piter Uitmeri që të gjithë e dalluan që Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë dhe ishin të etur që të ndihmonin në Rivendosjen. Zoti u dha mësim atyre rreth shpirtit të zbulesës dhe asaj që dikush duhet të bëjë përpara se të përpiqet ta shpallë ungjillin.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 8–9
Zoti i jep mësim Oliver Kaudërit dhe Hajrëm Smithit rreth shpirtit të zbulesës
Kërkojuni studentëve të ngrenë dorën nëse e kanë pyetur veten ndonjëherë se si ta dinë nëse e kanë marrë një zbulesë nga Zoti.
Ftojini studentët të shqyrtojnë Doktrinën e Besëlidhjet 8 dhe 9, si edhe atë që shkruan në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth këtyre kapitujve në mësimin e tyre të ditës 1 për këtë njësi. Vërini studentët të kërkojnë atë që mësuan rreth marrjes dhe dallimit të përgjigjeve ndaj lutjeve. Ftojini disa studentë të tregojnë diçka që e mësuan.
-
Çfarë sfidash hasni ndërsa përpiqeni të dalloni se kur po merrni nxitje ose udhërrëfim nga Fryma e Shenjtë?
Kujtojuni studentëve se Doktrina e Besëlidhje 8 dhe 9 përmbajnë udhëzimet e Zotit për Oliver Kaudërin ndërsa Oliveri përpiqej t’i përkthente fletët e arta. Nga këto zbulesa ne mund të mësojmë se si ta marrim dhe ta dallojmë zbulesën. Ftojini studentët të kthehen te Doktrina e Besëlidhje 8:2–3 (që është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë) dhe ta recitojnë njëzëri fragmentin. Shkruajeni në tabelë të vërtetën vijuese: Zoti i flet mendjes dhe zemrës sonë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.
-
Si mund t’ju ndihmojë të kuptuarit e kësaj të vërtete ndërsa përpiqeni fort ta dalloni zbulesën [që vjen] nga Zoti?
Shpjegoni se aftësia për të kërkuar e për të marrë zbulesë vetjake është një dhuratë nga Perëndia në dispozicion për të gjithë fëmijët e Tij.
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 8:4 dhe ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti i premtoi Oliverit nëse do ta “v[inte] në jetë” dhuratën e zbulesës. Më pas bëni pyetjet vijuese:
-
Çfarë mendoni se do të thotë ta “vë[sh] në jetë” shpirtin e zbulesës? (Të kërkosh përgjigje ndaj lutjeve dhe të jetosh me denjësi për t’i marrë ato.)
-
Çfarë parimesh mund të mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 8:4? (Edhe pse studentët mund ta shprehin ndryshe, sigurohuni që ata përcaktojnë që nëse e vëmë në jetë shpirtin e zbulesës, ne mund të çlirohemi nga ligësia dhe lëndimi. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)
Kërkojuni studentëve të tregojnë raste kur Zoti i mbrojti ata ose dikë që e njohin, sepse po kërkonin dhe po e dëgjonin Frymën e Shenjtë.
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 8:1 dhe të kërkojnë mënyra se si mund t’i përmirësojnë lutjet e tyre me qëllim që ta “vë[në] në jetë” shpirtin e zbulesës.
Nëse është e mundur, jepuni studentëve një kopje të thënies vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve (ose shkruajeni thënien në tabelë përpara se të fillojë ora mësimore):
“Për arsye se Shpirti neve na pëshpërit me të butë dhe brishtësi, është e lehtë të kuptohet përse duhet t’i shmangim informacionet e papërshtatshme, pornografinë dhe substancat e sjelljet vesformuese. Këto mjete të kundërshtarit mund ta dëmtojnë e në fund ta asgjësojnë aftësinë tonë për të dalluar e për t’iu përgjigjur mesazheve të imta të Perëndisë të dërguara prej Shpirtit të Tij. Secili prej nesh duhet ta marrë në shqyrtim seriozisht dhe plot lutje mënyrën si mund t’i flakë joshjet e djallit dhe me drejtësi ta ‘vërë në jetë atë’, madje shpirtin e zbulesës, në jetën tonë vetjake e në familjet tona” (“Shpirti i Zbulesës”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 88).
Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje thënien e Plakut Bednar dhe të përcaktojnë frazat që i ndihmojnë ata të kuptojnë se si ta “vë[në] në jetë” ose ta kërkojnë më mirë shpirtin e zbulesës. Ju mund të doni të sugjeroni që ata t’i shenjojnë këto fraza. Më pas bëni pyetjet vijuese:
-
Cilat fraza përcaktuat dhe përse ju bënë përshtypje?
-
Sipas Plakut Bednar, përse është e rëndësishme ta shmangim ligësinë nëse dëshirojmë ta marrim dhe ta dallojmë zbulesën?
Ftojini studentët që të marrin në shqyrtim disa mënyra se si mund ta “vë[në] në jetë” më mirë dhuratën e zbulesës, me qëllim që të merret mbrojtje nga ligësia. Ju mund të doni t’i nxitni ata të shkruajnë një synim për mënyrën se si do të donin ta “v[inin] në jetë” këtë dhuratë më plotësisht në jetën e tyre.
Për t’i ndihmuar studentët të mendojnë një mënyrë tjetër se si të kërkojnë zbulesë, kujtojuni atyre se Oliver Kaudërit iu dha leje që të përkthente, por pasi filloi, ai “nuk vazhdo[i] siç [e kishte] fill[uar]” (DeB 9:5). Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 9:7–8 dhe ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti i tha Oliverit se duhej të bënte për të marrë zbulesë.
-
Bazuar në këshillën e Zotit dhënë Oliver Kaudërit, çfarë mësojmë se kërkohet shpesh nga ana jonë me qëllim që të marrim zbulesë? (Një parim i mundshëm që studentët mund ta përcaktojnë është që marrja dhe dallimi i zbulesës kërkojnë përpjekje nga ana jonë. Ju mund të doni ta shkruani në tabelë këtë të vërtetë të shprehur nga studentët apo një të ngjashme me të).
-
Duke përdorur Doktrinën e Besëlidhjet 9:8, çfarë këshille do t’i jepnit një shoku që po përpiqej të merrte një vendim të rëndësishëm?
Ju gjithashtu mund t’u kërkoni studentëve të tregojnë përvoja kur ata duhej të bënin përpjekje për të marrë një vendim të vështirë dhe më pas t’i kërkonin Atit Qiellor nëse kishin bërë zgjedhjen e drejtë.
Doktrina e Besëlidhje 11–12; 14–16
Zoti i udhëzon Hajrëm Smithin, Jozef Najt Plakun dhe vëllezërit Uitmer rreth roleve të tyre në veprën e Perëndisë
Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur atyre iu kërkua të merrnin pjesë në një nga kauzat më të madhërishme që po ndodhin në tokë. Tregojuni atyre se në maj dhe qershor 1829, pesë burra u udhëzuan në mënyrë individuale lidhur me vullnetin e Zotit për ta në Rivendosjen e ungjillit.
Shkruani në tabelë titujt dhe referencat vijuese. Vërini studentët të kërkojnë referencat për të gjetur atë që Zoti e këshilloi secilin prej këtyre burrave të bënin, me qëllim që të ndihmonin në ngritjen e mbretërisë së Perëndisë në tokë. Ftojini studentët t’i kërkojnë që të katërta referencat. (Nëse keni pak kohë, ndajini referencat midis klasës dhe kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjetën.)
Hajrëm Smithi |
Jozef Najt Plaku |
Dejvid Uitmeri |
Xhon dhe Piter Uitmeri |
---|---|---|---|
Pasi studentët t’i kenë studiuar referencat, bëni pyetjet vijuese:
-
Çfarë ngjashmërish vini re në urdhrat që iu dhanë këtyre pesë burrave? Çfarë ndryshimesh shihni?
-
Nga ajo që mësuat prej vargjeve te Doktrina e Besëlidhje 11, përse donte Zoti që Hajrëm Smithi të “pri[ste] pak më gjatë” (DeB 11:16) për ta predikuar ungjillin?
-
Çfarë këshille i dha Zoti Hajrëmit te Doktrina e Besëlidhje 11:21, e cila do të ishte e dobishme për një të ri ose të re që po përgatitet për të shërbyer në një mision? (Nga përgjigjet e tyre, ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin vijues: Ata që e studiojnë fjalën e Zotit, do të marrin Shpirtin e Tij dhe fuqinë për t’i bindur të tjerët për të vërtetën e ungjillit.) Ju mund të doni ta shkruani atë në tabelë.
Ftojini studentët të përsiatin mbi atë që mund të bëjnë për të qenë më të qëllimshëm në përpjekjet e tyre për ta studiuar dhe fituar fjalën e Zotit dhe për të caktuar një synim që të veprojnë sipas nxitjeve që i marrin teksa përsiatin.
Për t’i ndihmuar studentët që ta zotërojnë më mirë vargun e zotërimit të shkrimit të shenjtë te Doktrina e Besëlidhje 13:1, ftojini që ta thonë përmendsh së bashku. Lejojini t’i përdorin shkrimet e tyre të shenjta nëse nevojitet. Më pas ndajini studentët në dyshe dhe kërkojuni atyre ta përdorin fragmentin që t’i shpjegojnë partnerit të tyre se si ndihmojnë çelësat e Priftërisë Aarone për të sjellë njerëz te Jezu Krishti.
Njësia Tjetër (Doktrina e Besëlidhje 17–19)
Thuajuni studentëve se teksa studiojnë njësinë tjetër, ata do të mësojnë rreth burrave që u zgjodhën si dëshmitarë për të parë fletët e arta, Liahonën dhe sende të tjera të shenjta. Ata do të lexojnë tregimin e Shpëtimtarit për vuajtjen e Tij në kopshtin e Gjetsemanit dhe në kryq. Ata gjithashtu do të lexojnë mësimet e Shpëtimtarit rreth mënyrës se si mund ta shmangin një vuajtje të tillë.