Seminare dhe Institute
Mësimi 114: Doktrina e Besëlidhje 108


Mësimi 114

Doktrina e Besëlidhje 108

Hyrje

Më 26 dhjetor 1835, Liman Sherman, një anëtar besnik i Kampit të Sionit dhe një nga shtatë Presidentët e Kuorumit të Të Shtatëdhjetëve, veproi mbi një nxitje shpirtërore për t’i kërkuar Profetit Jozef Smith udhëzim lidhur me përgjegjësinë e tij. Doktrina e Besëlidhje 108 përmban zbulesën e Zotit dhënë Limanit nëpërmjet Profetit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 108:1–3

Zoti e fal Liman Shermanin për mëkatet e tij

Fillojeni orën mësimore duke bërë pyetjet vijuese:

  • A jeni nxitur ndonjëherë nga Shpirti për të bërë diçka? Çfarë bekimesh morët kur iu bindët nxitjeve të Shpirtit?

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje hyrjen e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 108, për të parë se kush erdhi te Profeti duke kërkuar një zbulesë.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë informacionin vijues rreth Liman Shermanit:

Liman Shermani qe një anëtar besnik i Kishës, i cili kishte shërbyer në Kampin e Sionit dhe ishte thirrur si një nga shtatë Presidentët e Kuorumit të Të Shtatëdhjetëve. Profeti Jozef Smith shënoi në ditarin e tij se më 26 dhjetor 1835, “Vëllai Liman Sherman hyri dhe kërkoi që të merrte fjalën e Zotit nëpërmjet meje; ‘Sepse’, tha ai, ‘unë jam ndikuar për t’ju bërë të ditur ndjenjat e dëshirat e mia, dhe m’u premtua se unë do të kisha një zbulesë që do të bënte të njohur detyrën time’” (në History of the Church, 2:345; shih edhe Journals, Vëllimi 1: 1832–1839, vëll. 1 i serive Journals të The Joseph Smith Papers [2008], f. 137).

  • Çfarë mendoni se donte të thoshte Limani kur tha se ishte “ndikuar” për të folur me Jozef Smithin?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 108:1. Vëreni klasën që ta ndjekë dhe të kërkojë bekimin që Zoti i dha Liman Shermanit për shkak se iu bind nxitjes për të folur me Profetin. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.

  • Bazuar në atë që Zoti i zbuloi Liman Shermanit, çfarë bekimi ftojmë ne në jetën tonë kur i bindemi me gatishmëri zërit të Zotit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Kur ne i bindemi zërit të Zotit, ne ftojmë faljen e Tij. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në tabelë.)

  • Përse mendoni se bindja ndaj nxitjeve të Zotit e fton faljen?

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë parim, shpjegoni se zëri i Zotit mund të dëgjohet përmes shkrimeve të shenjta, fjalëve të profetëve të Tij të ditëve të mëvonshme dhe nxitjeve të Frymës së Shenjtë. Bindja ndaj Perëndisë përfshin mbushjen e jetës sonë me veprimtari të drejta që sjellin fuqi shpirtërore. Ftojeni një student ta lexojë më zë të lartë shpjegimin vijues nga Të Vërtetë ndaj Besimit: “Bindja e plotë e sjell të plotë fuqinë e ungjillit në jetën tuaj, duke përfshirë rritjen e fuqisë për të mposhtur dobësitë tuaja. Kjo bindje përfshin veprime të cilat në fillim mund të mos i keni quajtur si pjesë të pendimit, siç janë frekuentimi i mbledhjeve, pagimi i së dhjetës, shërbimi dhe falja e të tjerëve. Zoti premtoi: ‘Ai që pendohet dhe i bën urdhërimet e Zotit, do të falet’ (DeB 1:32)” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 118–119).

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 108:2 dhe të kërkojnë këshillën e Zotit për Liman Shermanin, pasi atij iu tha se mëkatet e tij qenë falur. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

  • Çfarë mendoni se do të thotë “shpirti yt duhet të jetë në paqe lidhur me gjendjen tënde shpirtërore”?

  • Si mendoni ju se këshilla për të “mos i[u] kundërv[ënë] më zërit [të Zotit]” mund ta ndihmojë dikë ta ketë shpirtin e tij në paqe?

Ftojini studentët të përcaktojnë një parim nga Doktrina e Besëlidhje 108:1–2, rreth asaj që sjell falja e Zotit. (Studentët mund të përcaktojnë një larmi parimesh, por sigurohuni që të theksojnë të vërtetën vijuese: Falja e Zotit i sjell paqe shpirtit tonë.)

Vini në dukje se njerëzit e penduar nganjëherë e pyesin veten nëse janë falur për mëkatet e tyre, kur ende ndihen të pikëlluar për shkak të tyre. Ftojeni një student t’i lexojë thëniet vijuese. Kërkojini klasës të dëgjojë këshillat për ata që mund të hasin vështirësi për ta pasur shpirtin e tyre në paqe.

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:

Presidenti Bojd K. Paker

“Mëngjesi i mrekullueshëm i faljes mund të mos vijë menjëherë. Mos u dorëzoni nëse dështoni me herë të parë. Shpesh pjesa më e vështirë e pendimit është të falësh veten tënde. Shkurajimi është pjesë e asaj prove. Mos u dorëzoni. Ai mëngjes i shkëlqyer do të vijë.

Pastaj ‘paqja e Perëndisë, që ia tejkalon … zgjuarësi[së]’, do të vijë sërish në jetën tuaj. [Filipianëve 4:7.] Atëherë ju, si dhe Ai, nuk do t’i kujtoni më mëkatet tuaja. Si do ta dini ju? Ju do ta dini! [Shih Mosia 4:1–3.]” (“The Brilliant Morning of Forgiveness”, Ensign, nëntor 1995, f. 20).

  • Në ç’mënyrë do ta përshkruanit ndjenjën kur e lini shpirtin të jetë në paqe?

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 108:3 dhe të kërkojnë këshillën e mëtejshme që Zoti i dha Liman Shermanit.

  • Çfarë këshille i dha Zoti Vëllait Sherman? (Të “ngrih[ej] dhe [të ishte] më i kujdesshëm që tani e tutje në mbajtjen e betimeve të [tij]”. Fjala mbajtje këtu do të thotë të pajtohesh [me bindjet] ose të bindesh. Një betim është një premtim ose një besëlidhje.)

  • Cilat janë disa betime që ne bëjmë?

Ftojini studentët të marrin parasysh mënyrën se si mund të jenë “më [të] kujdesshëm që tani e tutje” në mbajtjen e betimeve të tyre. Nëse e lejon koha, ftojini ata të shkruajnë mënyrën se si mund t’i mbajnë më me kujdes betimet e tyre.

Kërkojuni disa studentëve të shpjegojnë se si të vërtetat që kanë përcaktuar te Doktrina e Besëlidhje 108:1–3 mund t’i nxitin ata ose një shok apo një pjesëtar të familjes t’i binden zërit të Zotit dhe të marrin falje.

Ftojini studentët të përsiatin mënyrën se si mund t’i zbatojnë këto parime dhe të ndihen në paqe lidhur me gjendjen e tyre shpirtërore përpara Zotit.

Doktrina e Besëlidhje 108:4–8

Zoti i jep Liman Shermanit këshilla dhe premtime shtesë

Pyetini studentët nëse kanë dëgjuar për një kuvend solemn. Nëse ndonjëri ka dëgjuar për të, kërkojuni atyre që të shpjegojnë se çfarë mendojnë se është ai. Nëse ata kanë nevojë për ndihmë, shpjegoni se një kuvend solemn është një mbledhje e veçantë për “përkushtimin e tempujve, udhëzimin e veçantë të udhëheqësve të priftërisë dhe mbështetjen e Presidentit të ri të Kishës” (David B. Haight, “Solemn Assemblies”, Ensign, nëntor 1994, f. 14). Në dhjetor të vitit 1832, Zoti u premtoi shenjtorëve se nëse ata do të ndërtonin një tempull dhe do të mbanin një kuvend solemn, Ai do të derdhte bekime të mëdha mbi shenjtorët (shih DeB 88:70–75; 117–119). Në dhjetor 1835, kur zbulesa e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 108 iu dha Liman Shermanit, tempulli i Kirtlandit qe vetëm tre muaj larg nga përkushtimi. Ndërmjet janarit dhe majit 1836, në Kirtland u mbajtën një numër mbledhjesh, disa prej të cilave u klasifikuan si kuvende solemne. Gjatë javës së 27 marsit 1836, kuvendet solemne u mbajtën si pjesë e përkushtimit të tempullit të Kirtlandit, duke përfshirë një kuvend solemn që u mbajt më 30 mars 1836, për t’u dhënë udhëzime të veçanta udhëheqësve të priftërisë.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 108:4–6. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që Zoti i premtoi Limanit se ai do të merrte në kuvendin solemn.

  • Çfarë i tha Zoti Liman Shermanit se do të merrte?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 108:7–8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar udhëzimet që Zoti i dha Vëllait Sherman. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë. Mund t’ju nevojitet të shpjegoni se porositë janë fjalë këshille apo nxitjeje.

  • Në çfarë mënyre donte Zoti që Liman Shermani t’i forconte vëllezërit e tij?

Kërkojuni studentëve të përcaktojnë të vërtetat te Doktrina e Besëlidhje 108:7–8. Ata mund të përcaktojnë një larmi të vërtetash, duke përfshirë sa vijon: Ne duhet t’i forcojmë të tjerët në të gjitha bisedat dhe veprimet tona. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta.

  • Si mund t’i forconi njerëzit përreth jush në bisedat tuaja? Si mund t’i forconi njerëzit përreth jush me anë të veprimeve tuaja?

Kërkojuni studentëve të përshkruajnë një përvojë kur dikush i forcoi ata në një nga mënyrat që Zoti e këshilloi Liman Shermanin te vargu 7.

Ftojini studentët të mendojnë për një person që mund ta forcojnë sot, dhe një veprim të veçantë që do të ndërmarrin për ta bërë këtë.

Bëjini me dije studentët se Liman Shermani qëndroi besnik derisa vdiq. Profeti Jozef Smith, i cili qe në burgun Liberti, më 16 janar 1839 e thirri dhe e caktoi Limanin që të ishte anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, por Limani vdiq përpara se ta merrte letrën nga Profeti rreth thirrjes së tij të re.

Përfundoni duke treguar një përvojë kur dikush ju forcoi juve apo kur ju forcuat dikë tjetër.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 108:1–2. “Mëkatet e tua të janë falur … shpirti yt duhet të jetë në paqe”

Presidenti Harold B. Li dha mësim:

Presidenti Harold B. Li

“Nëse vjen koha kur keni bërë gjithçka që mundeni për t’u penduar për mëkatet tuaja, kushdo qofshi, kudo qofshi, dhe keni bërë korrigjimet dhe zhbërjen në maksimumin e aftësisë suaj; … , atëherë ju do ta dëshironi atë përgjigje vërtetuese lidhur me faktin nëse Zoti e ka pranuar këtë nga ju apo jo. Gjatë kërkimit tuaj shpirtëror, nëse e kërkoni dhe e gjeni atë paqe të ndërgjegjes, përmes kësaj shenje [të paqes së mendjes] ju mund ta dini që Zoti e ka pranuar pendimin tuaj” (Stand Ye in Holy Places [1974], f. 185).

Doktrina e Besëlidhje 108:3. “Ji më i kujdesshëm që tani e tutje në mbajtjen e betimeve të tua”

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi për bekimet që vijnë nga mbajtja e besëlidhjeve:

Plaku Riçard G. Skot

“Ndërsa ju i mirëbesoni [Zotit], e kërkoni dhe e ndiqni vullnetin e Tij, ju do të merrni bekime që mendja juaj e kufizuar nuk mund t’i kuptojë këtu në tokë. Ati juaj në Qiell dhe Biri i Tij i Shenjtë e dinë më mirë sesa ju se çfarë sjell lumturi. Ata ju kanë dhënë planin e lumturisë. Kur ju e kuptoni dhe e ndiqni atë, lumturia do të jetë bekimi juaj. Kur ju bindeni me gatishmëri, i merrni dhe i nderoni ordinancat e besëlidhjet e atij plani të shenjtë, ju mund të keni masën më të madhe të kënaqësisë në këtë jetë. Po, madje raste të një lumturie të madhe. Ju do ta përgatitni veten tuaj për një përjetësi me jetë të lavdishme, me njerëzit tuaj të dashur që kualifikohen për atë mbretëri” (“Trust in the Lord”, Ensign, nëntor 1995, f. 18).

Doktrina e Besëlidhje 108:6. “Ti do të kesh të drejtë të predikosh ungjillin tim kudo që do të të dërgoj”

Liman Shermani ishte një nga shtatë Presidentët e Kuorumit të Të Shtatëdhjetëve. Ndërkohë që i udhëzonte anëtarët e Të Shtatëdhjetëve më 30 mars 1836, lidhur me thirrjen e tyre për ta predikuar ungjillin, Profeti Jozef Smith tha:

Profeti Jozef Smith

“Të Shtatëdhjetët janë të lirë të shkojnë në Sion nëse e dëshirojnë këtë ose të shkojnë kudo që të duan dhe të predikojnë ungjillin. Qoftë shëlbimi i Sionit synimi ynë dhe u përpjekshim që ta përmbushim atë duke dërguar të gjithë forcën e shtëpisë së Zotit kudo që i gjejmë ata” (Journals, Vëllimi 1: 1832–1839, vëll. 1 i serive “Journals” të The Joseph Smith Papers [2008], f. 215; germëzimi, pikësimi dhe kapitalizimi janë të standardizuara; shih edhe History of the Church, 2:432).