Seminare dhe Institute
Mësimi 21: Doktrina e Besëlidhje 17


Mësimi 21

Doktrina e Besëlidhje 17

Hyrje

Ndërsa Jozef Smithi po përkthente Librin e Mormonit, ai mësoi se tre dëshmitarë do të lejoheshin të shihnin fletët (shih 2 Nefi 27:12–14; Ethëri 5:2–4; DeB 5:11–15, 18). Kur Oliver Kaudëri dhe Dejvid Uitmeri mësuan për këtë gjë, të dy ata ndien një dëshirë të frymëzuar që të shërbenin si dëshmitarë. Përpara kësaj, Zoti kishte thënë se, nëse Martin Harrisi do të ishte mjaft i përulur e i bindur, edhe ai do të lejohej t’i shihte fletët (shih DeB 5:23–28). Oliver Kaudëri, Dejvid Uitmeri dhe Martin Harrisi i kërkuan Profetit që ta pyeste Zotin nëse ata do të lejoheshin ta kishin këtë mundësi. Zoti konfirmoi se këta tre burra do të lejoheshin t’i shihnin fletët dhe sendet e tjera nëse do të ushtronin besim të mjaftueshëm.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 17:1–2

Zoti i tregon Oliver Kaudërit, Dejvid Uitmerit dhe Martin Harrisit se, nëse kanë besim të mjaftueshëm, ata do të lejohen t’i shohin fletët dhe sende të tjera të shenjta

Në tabelë, bëni një listë vertikale të numrave nga 1 deri në 5. Shkruani fletë të arta pranë numrit 1. Ftojini studentët që ta kopjojnë listën me numra në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Kërkojuni studentëve ta plotësojnë listën duke shkruar çdo send tjetër që panë Tre Dëshmitarët kur Moroni u tregoi atyre fletët. Pas një kohe të mjaftueshme, u kërkoni studentëve ta krahasojnë listën e tyre me sendet e përmendura te Doktrina e Besëlidhje 17:1.

  • Cilat sende të përmendura te Doktrina e Besëlidhje 17:1, do të donit më shumë të shihni? Përse?

  • Si mund ta ketë forcuar dëshminë e Tre Dëshmitarëve të parit e këtyre sendeve? Përse?

  • Në ç’mënyrë të parit e shpatës së Labanit dhe të Liahonës dha më tepër dëshmi për Librin e Mormonit?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë rrethanat historike të zbulesës që do të studiojnë sot, përmblidheni hyrjen e këtij mësimi. Zoti i tha Jozef Smithit se Martin Harrisi, Oliver Kaudëri dhe Dejvid Uitmeri do të lejoheshin të shihnin fletët. Megjithatë, Zoti kërkoi diçka prej tyre më parë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 17:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar atë që Tre Dëshmitarët duhej të bënin me qëllim që të shihnin fletët. Pasi studentët të raportojnë atë që gjejnë, bëjuni pyetjet vijuese:

  • Si mendoni, çfarë do të thotë të mbështetesh te fjala e Perëndisë “me qëllim të plotë në zemër”? (Një kuptim mund të jetë që ne i bindemi Perëndisë ose i ndjekim fjalët e Tij me gjithë zemrën tonë.)

  • Si mendoni, përse këta burra kishin nevojë të tregonin besim si profetët e lashtë përpara se Zoti t’i lejonte të shihnin fletët?

Megjithëse ne mund të mos kemi mundësinë të shohim të njëjtat objekte fizike që panë Tre Dëshmitarët, ne mund të marrim një dëshmi të të vërtetave të ungjillit. Shkruani thënien e paplotë vijuese në tabelë: Nëse bindemi dhe , ne mund të marrim një dëshmi të të vërtetave të ungjillit.

Ftojini studentët të sugjerojnë fjalë që e plotësojnë këtë thënie. (Studentët mund të përgjigjen me diçka si kjo: Nëse bindemi dhe ushtrojmë besim te Perëndia, ne mund të marrim një dëshmi të të vërtetave të ungjillit. Shkruajeni parimin e plotësuar në tabelë duke përdorur fjalët e studentëve.)

  • Në ç’mënyrë keni ushtruar besim te Perëndia me qëllim që të merrni një dëshmi të Librit të Mormonit?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si Jozef Smithi e ndihmoi Martin Harrisin ta zbatonte këtë parim, ftojeni një student të lexojë historinë e mëposhtme nga nëna e Jozef Smithit, Lusi Mek Smith:

Lusi Mek Smith

“Mëngjesin vijues, pas pjesëmarrjes në shërbimet e zakonshme, domethënë, leximin, këndimin dhe lutjen, Jozefi u ngrit nga gjunjët e tij dhe duke iu afruar Martin Harrisit me një seriozitet që i drithëron venat e mia edhe sot e kësaj dite, me aq sa më kujtohet, tha: ‘Martin Harris, ti duhet ta përulësh veten tënde përpara Perëndisë këtë ditë, që të mund të marrësh falje për mëkatet e tua. Nëse e bën, është vullneti i Perëndisë që ti të shohësh fletët, në shoqërinë e Oliver Kaudërit dhe Dejvid Uitmerit’” (History of Joseph Smith by His Mother, bot. Preston Nibley [1958], f. 151–152).

  • Në ç’mënyrë duhej të ndryshonte Martin Harrisi me qëllim që të ishte dëshmitar i fletëve të arta?

Doktrina e Besëlidhje 17:3–9

Zoti zbulon përgjegjësinë e Tre Dëshmitarëve për të dëshmuar për fletët

Ftojini studentët ta lexojnë vetë Doktrinën e Besëlidhjet 17:3–5 duke kërkuar përgjegjësinë që do të kishin Tre Dëshmitarët pasi t’i shihnin fletët. (Ata do të kishin përgjegjësinë që të dëshmonin për atë që kishin parë.)

  • Çfarë përgjegjësie kemi ne kur Zoti na jep dëshmi për të vërteta hyjnore? (Studentët duhet të dallojnë parimin vijues: Pasi marrim një dëshmi të së vërtetës, ne kemi përgjegjësinë që të dëshmojmë për të. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë frazat në shkrimet e tyre të shenjta që japin mësim këtë parim.)

  • Në ç’mënyrë gatishmëria jonë për të dëshmuar për një të vërtetë është shprehje e besimit tonë?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë historinë e Tre Dëshmitarëve, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë rrëfimin vijues nga Jozef Smithi:

Profeti Jozef Smith

“Martin Harrisi, Dejvid Uitmeri, Oliver Kaudëri dhe [unë] … u tërhoqëm [në pyllin pranë shtëpisë Uitmer], dhe pasi u gjunjëzuam, filluam t’i luteshim Perëndisë së Plotfuqishëm me shumë besim. …

Sipas një plani që kishim bërë më parë, unë fillova t’i lutesha me zë Atit Qiellor dhe u pasova nga të tjerët me radhë. Megjithatë, në përpjekjen e parë ne nuk morëm ndonjë përgjigje apo shfaqje të miratimit hyjnor në emrin tonë. Ne ndoqëm sërish të njëjtën radhë lutjeje … por me të njëjtin rezultat si më parë.

Pas përpjekjes sonë të dytë që gjithashtu dështoi, Martin Harrisi propozoi që ai duhej të tërhiqej nga ne, duke besuar, siç e shprehu dhe ai vetë, se prania e tij ishte shkaku që nuk po merrnin atë që dëshironim. Prandaj ai u tërhoq prej nesh dhe ne u gjunjëzuam sërish, dhe nuk kishim shumë minuta që ishim përfshirë në lutje, kur pas pak vumë re një dritë mbi ne në ajër, me një shkëlqim të jashtëzakonshëm; dhe vini re, një engjëll qëndronte para nesh. Në duart e tij ai mbante fletët për të cilat ne ishim lutur që këta [burra] t’i shihnin. Ai i ktheu fletët një e nga një, që të mund t’i shihnim dhe të zbulonim gdhendjet mbi to që ishin të dallueshme. … Ne dëgjuam një zë nga drita e shndritshme mbi ne, duke thënë: ‘Këto fletë janë zbuluar nëpërmjet fuqisë së Perëndisë dhe ato janë përkthyer nëpërmjet fuqisë së Perëndisë. Përkthimi i tyre, të cilin e keni parë, është i saktë dhe unë ju urdhëroj të jepni dëshmi për atë që ju tani shihni e dëgjoni’.

Tani, unë i lashë Dejvidin dhe Oliverin dhe shkova në ndjekje të Martin Harrisit, të cilin e gjeta në një largësi të konsiderueshme duke u lutur me zjarr. Megjithatë, ai shpejt më tha se nuk e kishte bindur ende Zotin dhe më kërkoi me këmbëngulje që të bashkohesha me të në lutje, që edhe ai të merrte të njëjtat bekime që ne sapo i kishim marrë. Prandaj, ne u bashkuam në lutje dhe përfundimisht e arritëm dëshirën tonë, sepse para se të kishim mbaruar, i njëjti vegim u hap për sytë tanë, të paktën m’u hap sërish mua, dhe unë pashë e dëgjova edhe një herë të njëjtat gjëra; ndërsa po në të njëjtin çast, Martin Harrisi thirri, me sa duket me ngazëllim prej gëzimit: ‘Mjafton, mjafton; sytë e mi kanë parë, sytë e mi kanë parë’” (në History of the Church, 1:54–55).

  • Si mendoni, përse ligji i dëshmitarëve apo të pasurit e shumë dëshmitarëve, ishte kaq i rëndësishëm në Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit?

Merreni parasysh t’i kërkoni një studenti të lexojë thënien vijuese, e cila jep hollësi për ndjenjat e Jozef Smithit për përvojën:

Lusi Mek Smith

“Kur ata u kthyen në shtëpi, ishte midis orës tre dhe katër të pasdites. Unë, znj. Uitmer e z. Smith, në atë kohë ishim ulur në një dhomë gjumi. Me të hyrë brenda, Jozefi u plandos pranë meje dhe thërriti: ‘Baba, nënë, ju nuk e dini sa i lumtur jam. Zoti bëri që tani fletët t’u tregoheshin edhe tre burrave të tjerë përveç meje. Ata kanë parë një engjëll, i cili u ka dëshmuar, dhe atyre do t’u duhet të japin dëshmi për të vërtetën e asaj që kam thënë, pasi tani e dinë vetë, se unë nuk shkoj sa andej‑këtej për t’i mashtruar njerëzit, dhe ndiej sikur u çlirova nga një barrë që ishte thuajse shumë e rëndë për mua për ta mbajtur, dhe kjo e gëzon shpirtin tim, që nuk jam më plotësisht i vetëm në botë.’ Pas kësaj, hyri Martin Harrisi. Ai dukej pothuaj i pushtuar nga gëzimi dhe dëshmoi haptazi për atë që kishte parë dhe dëgjuar. Dhe kështu bënë edhe Dejvidi edhe Oliveri, duke shtuar se fjalët nuk mund të shprehnin gëzimin e zemrës së tyre dhe madhështinë e gjërave që ata kishin parë dhe dëgjuar” (History of Joseph Smith by His Mother, f. 152).

  • Çfarë ndjenjash keni kur jeni me të tjerë që gjithashtu e dinë se ungjilli është i vërtetë? Si ju ndihmojnë dëshmitë e tyre?

Ndajini studentët në dyshe. Ftojeni secilën dyshe të lexojë me zë të lartë “Dëshmi[në] e Tre Dëshmitarëve” (që gjendet pas hyrjes së Librit të Mormonit). Ndërsa studentët lexojnë, ftojini të kërkojnë fjalë ose fraza që e forcojnë dëshminë e tyre.

Shpjegojuni studentëve se megjithëse secili prej Tre Dëshmitarëve u largua nga Kisha (Oliver Kaudëri dhe Martin Harrisi më vonë u ripagëzuan), asnjëri prej tyre nuk e mohoi ndonjëherë dëshminë e vet për Librin e Mormonit.

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur dëshmia e tyre vetjake për Librin e Mormonit të mund t’i shtohej çdo kopjeje të Librit të Mormonit. Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth asaj që ata do të donin të përfshinin në dëshminë e tyre. Merreni parasysh të ftoni disa studentë që të tregojnë për atë që kanë shkruar.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 17:6 duke kërkuar dëshminë e Jezu Krishtit për Librin e Mormonit. Jezu Krishti dëshmoi se Libri i Mormonit është i vërtetë.

  • Si e forcon dëshminë tuaj, dëshmia e Zotit për Librin e Mormonit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 17:7–9. Kërkojuni studentëve ta ndjekin duke kërkuar premtimet që iu dhanë Tre Dëshmitarëve. Përqendrojeni vëmendjen e studentëve në frazën “qëllime … të drejta” në vargun 9.

  • Cilat mund të jenë disa nga qëllimet e Zotit për të pasur Tre Dëshmitarë? (Ju gjithashtu mund të doni që studentët të rishikojnë Doktrinën e Besëlidhjet 17:4 për t’iu përgjigjur kësaj pyetje.)

  • Cili mund të jetë një “qëllim … [i] drejt[ë]” që ju siguron ju me një dëshmi të së vërtetës që ju dëshironi të dini?

Kujtojuni studentëve se ne mund ta fitojmë ose forcojmë një dëshmi kur e japim atë. Ftojeni klasën të përsiatë se kujt mund t’ia japin dëshminë e tyre, që mund të përfitojë po ta dëgjojë atë. Nxitini që këtë javë t’ia japin dëshminë e tyre atij personi.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 17:1. Fletët, Urimi e Thumimi dhe parzmorja

Jozef Smithi i dorëzoi engjëllit Moroni fletët, parzmoren dhe Urimin e Thumimin kur ai e mbaroi dhe e pati kryer punën që Perëndia kishte kërkuar prej tij (shih Jozef Smith – Historia 1:52, f. 59–60).

Doktrina e Besëlidhje 17:3, 5. Dëshmitë e Oliver Kaudërit, Dejvid Uitmerit dhe Martin Harrisit

Megjithëse nuk i dimë saktësisht arsyet përse secili prej të Tre Dëshmitarëve u largua nga Kisha për njëfarë kohe, Doktrina e Besëlidhje 3:4 mund të ndihmojë për të shpjeguar se si dikush mund të largohet pasi të ketë marrë një dëshmi kaq domethënëse si të parit e një engjëlli dhe të fletëve:

“Edhe pse një njeri mund të ketë shumë zbulesa dhe të ketë fuqi për të bërë shumë vepra të fuqishme, përsëri, nëse mburret me forcën e tij, i përçmon këshillat e Perëndisë dhe ndjek gjërat që ia dikton vullneti dhe dëshira e tij trupore, ai duhet të bjerë e të marrë mbi vete hakmarrjen e një Perëndie të drejtë.”

Pavarësisht se u larguan nga Kisha, asnjë prej Tre Dëshmitarëve nuk e mohoi ndonjëherë dëshminë e tij për Librin e Mormonit, siç tregohet në rrëfimet e mëposhtme:

Oliver Kaudëri dha dëshminë vijuese në një konferencë të mbajtur në Kejnsvill të Ajouas më 21 tetor 1848:

Oliver Kaudëri

“Unë shkrova, me vetë penën time, të gjithë Librin e Mormonit (përveç disa faqeve) ashtu siç doli nga buzët e Profetit Jozef Smith, ndërsa e përktheu nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë. … Ai libër është i vërtetë. Sidni Rigdoni nuk e shkroi atë; z. Spollding nuk e shkroi atë; unë e shkrova vetë siç doli nga buzët e Profetit” (“The Three Witnesses”, The Historical Record, bot. Andrew Jenson, vëll. 6, nr. 3–5 [maj 1887], f. 201; shih edhe George Reynolds, “History of the Book of Mormon”, The Contributor, vëll. 5, nr. 12 [shtator 1884], f. 446).

Një gazetë e quajtur Richmond Democrat [Riçmond Demokrat] botoi rrëfimin e Dejvid Uitmerit duke dhënë dëshmi për Librin e Mormonit:

Dejvid Uitmer

“Të dielën në mbrëmje, në orën 17:30 (22 janar 1888), zoti Uitmer thirri familjen e tij dhe disa miq pranë shtratit të tij. … Pastaj iu drejtua të gjithë atyre pranë shtratit të tij me këto fjalë: ‘Tani, ju të gjithë duhet të jeni besnikë ndaj Krishtit. Dua t’ju them të gjithëve ju, se Bibla dhe anali i nefitëve (Libri i Mormonit) janë të vërteta, kështu që ju të mund të thoni se më keni dëgjuar të dëshmoj në shtratin tim të vdekjes. Jini të gjithë besnikë ndaj Krishtit dhe shpërblimi juaj do të jetë sipas veprave tuaja. Perëndia ju bekoftë të gjithëve. Mirëbesimi im është përgjithmonë në Krishtin, botë pa fund. Amen’. [Richmond Democrat, 2 shkurt 1888, cituar në Andrew Jenson, Latter-day Saint Biographical Encyclopedia, vëll. 4 (1901), 1:270]” (në Doctrine and Covenants Student Manual [Church Educational System manual, 2001], f. 33).

Pak përpara se të vdiste, Martin Harrisi dëshmoi:

Martin Harris

“Po, unë i pashë fletët në të cilat qe shkruar Libri i Mormonit; unë e pashë engjëllin; unë e dëgjova zërin e Perëndisë; dhe unë e di se Jozef Smithi është një Profet i Perëndisë, që mban çelësat e Priftërisë së Shenjtë. [“The Last Testimony of Martin Harris,” shënuar nga William H. Homer në një deklaratë të betuar përpara J. W. Robinson, 9 prill 1927, cituar në Francis W. Kirkham, A New Witness for Christ in America, vëll 2. (1960), 1:254.]” (Në Doctrine and Covenants Student Manual, f. 33.)

Doktrina e Besëlidhje 17. Dëshmia e Tetë Dëshmitarëve

Pak ditë pasi të Tre Dëshmitarët i panë fletët e arta, “tetë dëshmitarë të tjerë – burra besnikë të cilët ishin pranë Profetit gjatë përkthimit – u zgjodhën gjithashtu për të parë fletët. … Jozefi u lejua që t’ua tregonte fletët pranë banesës së familjes Smith në Mançester, kur ai po bënte përgatitje për shtypjen e librit. [Shih History of the Church, 1:58.] Të Tetë Dëshmitarët dëshmuan se ata i prekën dhe i ngritën fletët dhe panë gdhendjet në secilën fletë. Dëshmia e tyre përfshihet gjithashtu në të gjitha botimet e publikuara të Librit të Mormonit” (Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 60–61).

Doktrina e Besëlidhje 17:6. Dëshmia e Perëndisë për Librin e Mormonit

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Plaku Brus R. Mek-Konki

“Një nga betimet më madhështore që i është dhënë ndonjëherë njeriut, gjendet në këto fjalë të Zotit në lidhje me Jozef Smithin dhe Librin e Mormonit. ‘Ai [duke nënkuptuar Jozef Smithin] ka përkthyer librin, madje atë pjesë të cilën unë e kam urdhëruar’, thotë Zoti ‘dhe ashtu si Zoti juaj dhe Perëndia juaj jeton, ky është i vërtetë.’ (DeB 17:6.)

“Kjo është dëshmia e Perëndisë për Librin e Mormonit. Në të, vetë Hyjnia e ka vënë në rrezik perëndishmërinë e tij. Ose libri është i vërtetë ose Perëndia ndalon së qeni Perëndi. Nuk ka dhe as nuk mund të ketë gjuhë më zyrtare apo më të fuqishme të njohur për njeriun ose perënditë” (“The Doctrine of the Priesthood”, Ensign, maj 1982, f. 33).