Mësimi 127
Doktrina e Besëlidhje 121:11–33
Hyrje
Doktrina e Besëlidhje 121 përbëhet prej pjesëve të shkëputura nga një letër e frymëzuar që Jozef Smithi ua shkroi shenjtorëve, më 20 mars 1839, nga burgu i Libertisë. Doktrina e Besëlidhje 121:11–33 përshkruan gjykimin që do të vijë mbi të ligjtë dhe zbulesën e premtuar atyre që janë të guximshëm.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 121:11–25
Shpëtimtari përshkruan gjykimet që do të vijnë mbi ata që i përndjekin shenjtorët
Përpara orës mësimore, shkruani thënien vijuese në tabelë. “Mormonët duhet të trajtohen si armiq dhe duhet të shfarosen.”
Në fillim të orës mësimore, ftojini studentët të përfytyrojnë sikur një mëngjes, teksa po largohen nga shtëpitë e tyre, ata gjejnë këtë shpallje të varur te dyert e shtëpive të tyre.
-
A do të kishit frikë të largoheshit nga shtëpia juaj? Ku do të drejtoheshit për ndihmë? Si do të ndiheshit nëse do të mësonit se shpallja u ndikua nga disa prej shokëve tuaj të mëparshëm?
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë kontekstin historik të Doktrinës e Besëlidhjeve 121, shpjegoni se disa nga miqtë, dikur besnikë të Jozef Smithit, ishin kthyer kundër tij. Dy prej këtyre miqve të mëparshëm, Tomas B. Marshi dhe Orson Hajdi, ishin anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Që të dy këta burra nënshkruan një aktbetim (një deklarim të betuar) duke i akuzuar në mënyrë të rreme Jozef Smithin dhe anëtarë të tjerë të Kishës se planifikuan t’i dëbonin armiqtë e tyre nëpërmjet djegies dhe shkatërrimit të pronave të tyre. Ky aktbetim bëri që guvernatori i Misurit të nxirrte një deklaratë, të njohur si urdhri i shfarosjes, duke shpallur se të gjithë mormonët duhej të shfaroseshin ose të dëboheshin nga shteti. Thënia në tabelë është një citim i drejtpërdrejtë nga urdhri i shfarosjes. (Tomas B. Marshi u shkishërua më 17 mars 1839 dhe u ripagëzua më 16 korrik 1857. Orson Hajdi u hoq nga Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve më 4 maj 1839 dhe u rivendos në kuorum më 27 qershor 1839.)
Kujtojini studentët se Doktrina e Besëlidhje 121–123 janë pjesë të një letre të frymëzuar, të cilën Profeti Jozef Smith ua shkroi shenjtorëve në mars të vitit 1839 teksa ishte i burgosur në burgun e Libertisë. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 121:11–17 për të zbuluar atë që mësoi Profeti nga Zoti lidhur me atë që do t’iu ndodhte atyre që i kishin akuzuar shërbëtorët e Zotit për shkelje. Kërkojuni atyre të raportojnë atë që gjetën.
-
Çfarë mendoni se do të thotë fraza “shpresa e tyre do të shuhet dhe parashikimet e tyre do të shkrihen”? (Ata që luftojnë kundër shërbëtorëve të Zotit, në fund nuk do të kenë sukses me planet e tyre.)
-
Në vargjet 13 dhe 17, çfarë arsyesh dha Zoti përse disa njerëz i kishin akuzuar shërbëtorët e Zotit për mëkat? (“Zemrat e [akuzuesve ishin] të korruptuara” dhe ata ishin “shërbëtorë të mëkatit” dhe “fëmijë të mosbindjes”.)
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 121:18–22. Vërini studentët t’i ndjekin në shkrimet e tyre të shenjta, duke kërkuar pasoja shtesë që do t’u vinin atyre që i akuzojnë në mënyrë të rreme shenjtorët dhe luftojnë kundër tyre. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjetën. Ju mund të doni të shpjegoni se të “shkëputen nga ordinancat e shtëpisë [së Zotit]” (vargu 19) do të thotë të humbasin ose të shkëputen nga bekimet që lidhen me ordinancat e tempullit.
Informojeni klasën se deklarimet e rreme nga anëtarët braktisës të Kishës dhe njerëz të tjerë, të shoqëruara me urdhrin e shfarosjes nga guvernatori, bënë që turmat ta shtonin përndjekjen e tyre ndaj shenjtorëve. Lexojeni me zë të lartë tregimin vijues dhe kërkojuni studentëve të dëgjojnë për shembuj të mënyrës se si shenjtorët u trajtuan padrejtësisht në këtë kohë:
Më 30 tetor 1838, vetëm tri ditë pasi u dha urdhri i shfarosjes, rreth 240 burra iu afruan një kolonie mormone te një vend i quajtur Mulliri i Hanit. Gratë dhe fëmijët u arratisën nëpër pyll, ndërkohë që burrat kërkuan të mbroheshin në dyqanin e farkëtarit. Një nga udhëheqësit e shenjtorëve, Dejvid Evansi, tundi kapelën e tij dhe bëri thirrje për paqe. Tingulli i njëqind pushkëve iu përgjigj atij, shumica e tyre të drejtuara nga dyqani i farkëtarit. Njerëzit e turmës qëlluan pa mëshirë këdo që shihnin, duke përfshirë gra, pleq e fëmijë. Amanda Smithi i mbërtheu dy vajzat e saj të vogla dhe vrapoi me Meri Steduellin përmes pellgut me ujë të mullirit drejt një rruge për këmbësorë. Amanda kujtoi: “Edhe pse ne ishim gra, me fëmijë të vegjël, në arrati për jetën tonë, djajtë derdhën të shtënë pas të shtëne për të na vrarë” (në Andrew Jenson, The Historical Record, korrik 1886, f. 84).
Pjesëtarë të turmës u futën në dyqanin e farkëtarit dhe gjetën e vranë 10-vjeçarin Sardius Smith, birin e Amanda Smithit, të fshehur nën kacekët e farkëtarit. Burri më pas shpjegoi: “Thërrijat [morrat e vegjël] do të bëjnë morra dhe, nëse do të kishte jetuar, ai do të ishte bërë një mormon” (në Jenson, The Historical Record, dhjetor 1888, f. 673; shih edhe James B. Allen dhe Glen M. Leonard, The Story of the Latter-day Saints [1976], f. 127–128). Alma Smithi, vëllai shtatëvjeçar i Sardiusit, dëshmoi vrasjen e babait dhe të vëllait të tij dhe vetë u godit në këmbë. Ai nuk u zbulua nga turma dhe më vonë u shërua në mënyrë të mrekullueshme nëpërmjet lutjes dhe besimit. Edhe pse disa burra së bashku me gratë dhe fëmijët u larguan përmes lumit drejt kodrave, të paktën 17 njerëz u vranë dhe rreth 13 u plagosën. (Shih Church History in the Fulness of Times Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 201, 203–204; shih edhe History of the Church 3:183–187.) Asnjë njeri nga turma e dhunshme nuk u soll përpara drejtësisë për krimet e tyre në gjykatat e Misurit ose prej autoriteteve federale.
-
Çfarë ndjenjash mund të kishit pasur nëse do t’i kishit përjetuar këto mizori? Si do të ndiheshit kur të mësonit se njerëzit që ju sulmuan nuk do të mbaheshin përgjegjës për veprimet e tyre?
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 121:23–25, duke kërkuar fraza që tregojnë se Perëndia do t’i mbajë armiqtë e shenjtorëve përgjegjës për veprimet e tyre.
-
Çfarë parimesh mësojmë nga vargjet 23–25? (Teksa studentët përgjigjen, theksojini parimet vijuese duke i shkruar ato në tabelë: Zoti i sheh dhe i di të gjitha veprat tona. Ata që luftojnë kundër Zotit dhe popullit të Tij, do ta marrin gjykimin e Perëndisë në kohën e Tij të caktuar.)
Ftojini studentët të mendojnë për raste kur kanë parë njerëz të veprojnë gabim dhe t’u shmangen pasojave të menjëhershme.
-
Si mund të lidhen parimet që i përcaktuam te vargjet 23–25 me situatat sot, kur njerëzit duket se po u shpëtojnë pasojave të gabimeve të tyre?
Doktrina e Besëlidhje 121:26–33
Perëndia premton të zbulojë të vërteta të përjetshme nëpërmjet Frymës së Shenjtë
Nëse është e mundur, paraqisni një figurë të Jozef Smithit në Burgun e Libertisë ((Libri i Fotografive Artistike të Ungjillit [2009], nr. 97; shih edhe LDS.org.)
-
Cilat ishin disa nga vështirësitë që Jozef Smithi dhe shoqëruesit e tij i duruan në burgun e Libertisë?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 121:26. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një të vërtetë që Profeti Jozef Smith e shënoi ndërkohë që ishte i burgosur në burgun e Libertisë.
-
Çfarë të vërtete shënoi Jozef Smithi në vargun 26? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Perëndia do të na japë dituri nëpërmjet Frymës së Shenjtë.)
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë se si kjo e vërtetë mund të lidhet me ta kur përjetojnë vështirësi, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë dëshminë vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Ju mund të keni përvoja të shenjta, zbuluese, thellësisht udhëzuese me Zotin gjatë përvojave më të mjerueshme të jetës suaj – në rrethanat më të këqija, ndërsa duroni padrejtësitë më të dhimbshme, kur përballeni me vështirësitë dhe kundërshtimin më të pakapërcyeshëm që keni hasur ndonjëherë” (“Lessons from Liberty Jail”, Ensign, shtator 2009, f. 28).
-
Si mund të na ndihmojë marrja e diturisë nëpërmjet Frymës së Shenjtë kur përjetojmë vështirësi?
-
Kur keni marrë dituri ose udhërrëfim nëpërmjet Frymës së Shenjtë që ju ka ndihmuar gjatë një kohe të vështirë? (Kujtojuni studentëve që disa përvoja janë tepër të shenjta apo personale për t’u treguar.)
Për ta ilustruar më tej të vërtetën që studentët e përcaktuan te vargu 26, ju mund të doni ta ftoni një student të lexojë rrëfimin vijues nga Lusi Mek Smithi, e cila mori dituri dhe ngushëllim me anë të Frymës së Shenjtë, kur Jozefi dhe Hajrëmi u morën si të burgosur dhe u kërcënuan me vdekje:
“Mes pikëllimit tim, gjeta ngushëllim që ia kalonte gjithë rehatisë tokësore. U mbusha me Shpirtin e Perëndisë dhe mora sa vijon me anë të dhuratës së profecisë: ‘Zemra jote le të ngushëllohet në lidhje me fëmijët e tu, sepse ata nuk do të dëmtohen nga armiqtë e tyre. …’ Kjo e lehtësoi mendjen time dhe u përgatita për t’i ngushëlluar fëmijët e mi. Ua thashë atyre atë që më ishte zbuluar, gjë e cila i ngushëlloi shumë ata” (History of Joseph Smith by His Mother, red. Preston Nibley [1958], f. 291).
-
Si mund të ketë qenë ngushëllues premtimi i Zotit për zbulesën me anë të Frymës së Shenjtë, për Jozef Smithin dhe shenjtorët gjatë kësaj kohe përndjekjeje?
Përmblidhini vargjet 26–33 duke shpjeguar se Zoti premtoi të zbulonte dituri që “nuk [ishte] zbuluar që kur bota ishte” (DeB 121:26) dhe të dhuronte bekime të lavdishme mbi të gjithë ata që do të duronin “me besnikëri për ungjillin e Jezu Krishtit” (DeB 121:29).
Informojeni klasën se, te Doktrina e Besëlidhje 121:33, Profeti Jozef Smith përdori një analogji për t’i ndihmuar shenjtorët të kuptonin se Zoti ishte më i fuqishëm sesa ata që po i përndiqnin shenjtorët dhe po përpiqeshin ta pengonin punën e Perëndisë.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 121:33. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar shëmbëlltyrën që përdori Jozefi për të ilustruar fuqinë e Perëndisë. (“Ujërat që rrjedhin” dhe “lumi Misisipi”. Ju mund të doni të shpjegoni se lumi Misisipi është një lumë i gjerë dhe i fuqishëm, pranë të cilit kishin jetuar shumë nga shenjtorët e hershëm dhe ata e njihnin mirë atë.)
Ftojini studentët të mendojnë për raste kur i kanë parë ujërat që rrjedhin, të tilla si një lumë ose një rrëke malore. Ftojini studentët të mendojnë për raste kur kanë parë ujëra të palëvizshme, të tilla si një pellg. Nëse është e mundur, ju mund të doni të paraqitni figura të këtyre llojeve krahasuese të ujërave.
-
Çfarë parimi mund të mësojmë nga ky varg? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë parimin vijues: Asgjë nuk do ta ndalë ecjen përpara të punës së Zotit.)
-
Si ju bën të ndiheni që e dini se puna e Zotit do të vazhdojë pavarësisht nga kundërshtimi?
Për ta mbyllur, ju mund të doni të shqyrtoni shkurtimisht parimet që studentët i kanë mësuar nga Doktrina e Besëlidhje 121. Ftojini studentët të tregojnë se si ata mund të veprojnë me këto parime në jetën e tyre. Ju gjithashtu mund të doni të dëshmoni për mënyrën se si ju kanë bekuar këto të vërteta.