Mësimi 12
Doktrina e Besëlidhje 10
Hyrje
Pas humbjes së 116 faqeve të dorëshkrimit, Profeti e humbi fuqinë për të përkthyer. Pas një periudhe lutjeje të përulur dhe pendimi, fletët dhe Urimi e Thumimi iu kthyen Jozefit. Zoti e urdhëroi Jozefin që të mos e ripërkthente pjesën e fletëve që i përkiste 116 faqeve të humbura dhe Ai i zbuloi komplotin e Satanit për ta shkatërruar veprën e Perëndisë. Zoti më pas e urdhëroi Jozef Smithin që të përkthente fletët e vogla të Nefit. Ai gjithashtu shpjegoi qëllimin e Librit të Mormonit dhe rolin e tij në krijimin e Kishës së Tij.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 10:1–4
Zoti rivendos dhuratën e Jozefit për të përkthyer
Kërkojuni studentëve të rishikojnë shkurtimisht atë që mësuan nga mësimi i mëparshëm rreth humbjes së 116 faqeve të dorëshkrimit (shih DeB 3). Kujtojuni studentëve se, për shkak të kërkesave të përsëritura të Profetit për ta lejuar Martin Harrisin që t’i merrte faqet e dorëshkrimit dhe të humbjes që vijoi të atyre faqeve, Moroni i mori fletët e arta dhe Urimin e Thumimin prej Jozef Smithit.
Më vonë Moroni i ktheu fletët dhe Urimin e Thumimin. Pak kohë pas kthimit të tyre, Jozef Smithi mori zbulesën që shënohet te Doktrina e Besëlidhje 10. Në këtë zbulesë, Zoti e udhëzoi Jozefin lidhur me atë që do të bënte me pjesën e fletëve nga të cilat erdhi dorëshkrimi i humbur. (Shih Lucy Mack Smith, History of Joseph Smith by His Mother, bot. Preston Nibley [1958], f. 133–136.)
Përmblidhni Doktrinën e Besëlidhjet 10:1–2 duke shpjeguar se Zoti i kujtoi Jozefit përse fuqia për të përkthyer ishte marrë prej tij dhe atë që ndodhi si rrjedhim i gabimit të tij. Ftojeni një student të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 10:3–4. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar këshillën që dha Zoti teksa Jozef Smithi filloi të përkthente përsëri. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë.
-
Si mendoni, përse Jozef Smithi kishte nevojë të këshillohej që të mos punonte ose përkthente më shumë nga sa kishte forcë?
-
Si mund të na udhëzojë këshilla te Doktrina e Besëlidhje 10:4 ndërkohë që i shërbejmë Zotit?
Doktrina e Besëlidhje 10:5–37
Zoti paralajmëron për planet e Satanit për të shkatërruar Jozef Smithin dhe veprën e Perëndisë
Paraqitni një lak ose kurth (apo vizatoni një figurë të një prej tyre në tabelë).
-
Si mund të përfaqësojë një mjet si ky qëllimet e Satanit kundrejt nesh?
Ftojeni një student të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 10:5 me zë të lartë. Ftojeni klasën të kërkojë atë që Zoti e urdhëroi Profetin Jozef Smith të bënte me qëllim që t’i shpëtonte Satanit.
-
Çfarë mund të mësojmë nga ky varg? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi parimesh, por sigurohuni që të theksojnë se kur lutemi gjithmonë, ne do të kemi fuqi për ta mposhtur Satanin dhe ata që i shërbejnë atij. Merreni parasysh ta shkruani këtë parim në tabelë.)
-
Si na ndihmon lutja që ta “mposht[im] Satanin dhe … t’u shpëto[jmë atyre që e] përkrahin veprën e tij”?
Ftojini disa studentë të tregojnë shembuj se si lutja i ka ndihmuar që t’u bëjnë ballë tundimeve të Satanit. (Kujtojuni studentëve që nuk duhet të tregojnë përvoja që janë tepër vetjake apo të ndjeshme.)
Shpjegoni se Zoti e paralajmëroi Jozefin për një kurth që Satani kishte ngritur që të përpiqej të shkatërronte Profetin dhe veprën e Perëndisë. Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 10:8–19. Kërkojini klasës t’i ndjekë dhe të përcaktojë planin e individëve të ligj të cilët në atë kohë e zotëronin dorëshkrimin.
-
Cili ishte plani i individëve të ligj të cilët e kishin dorëshkrimin? (Ta diskreditonin Profetin dhe veprën e Zotit duke i ndryshuar fjalët e dorëshkrimit. Nëse Jozefi do ta kishte përkthyer të njëjtin material sërish, ata do të kishin thënë se ai nuk ishte në gjendje ta bënte atë në të njëjtën mënyrë dy herë dhe si rrjedhim nuk kishte dhunti.)
Ngrijeni lart kurthin ose lakun që paraqitët më parë (ose drejtojuni vizatimit në tabelë). Shpjegoni se te Doktrina e Besëlidhje 10:20–29 Zoti flet rreth ndikimit të Satanit mbi njerëzit e ligj, të cilët i morën 116 faqet e dorëshkrimit, dhe për mënyrën se si Satani i plotëson qëllimet e tij të liga. Ndajeni klasën në dyshe. Ftojeni një student në secilën dyshe të lexojë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 10:20–29 duke kërkuar atë që na mësojnë këto vargje rreth synimeve të Satanit. Vëreni studentin tjetër të lexojë të njëjtat vargje duke kërkuar strategjitë që përdor Satani për t’i përmbushur synimet e tij. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët që të ndajnë me partnerët e tyre atë që kanë zbuluar.
-
Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth qëllimeve të Satanit? (Studentët mund të zbulojnë një larmi parimesh, por sigurohuni që ata e përcaktojnë të vërtetën vijuese: Satani dëshiron që të shkatërrojë punën e Zotit dhe shpirtrat tanë. Ju mund të dëshironi ta shkruani në tabelë këtë të vërtetë. Ju gjithashtu mund të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët dhe frazat që na e mësojnë këtë të vërtetë në vargjet 22–23 dhe 27.)
-
Nga ajo që lexoni në këto vargje, si kërkon Satani të shkatërrojë veprën e Zotit dhe shpirtrat tanë?
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë e ta ndiejnë rëndësinë e kësaj të vërtete, bëni pyetjet që vijojnë. Ftojini dyshet që t’i diskutojnë përgjigjet e tyre.
-
Çfarë prove keni parë që Satani përdor mashtrim, zemërim, lajka dhe gënjeshtra për të shkatërruar veprën e Zotit dhe shpirtrat tanë?
-
Si mund të na ndihmojë të qenit të vetëdijshëm për synimet dhe metodat e Satanit që t’iu shmangemi dhe t’u shpëtojmë kurtheve të tij?
Ftojini studentët të harxhojnë pak minuta duke shkruar në fletoret e tyre të klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth metodave të kundërshtarit të renditura te Doktrina e Besëlidhje 10:20–29, të cilat i kanë ndier ose parë. Gjithashtu kërkojuni të shkruajnë rreth asaj që mund të bëjnë për t’iu shmangur ose për t’iu shpëtuar kurtheve të Satanit.
Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të shkruar, përmblidhni Doktrina e Besëlidhjen 10:30–37 duke shpjeguar se, për shkak të planeve të njerëzve të ligj që të shkatërronin veprën e Perëndisë dhe famën e Jozef Smithit, Zoti e urdhëroi Jozefin që të mos e ripërkthente pjesën e fletëve nga e cila ishin përkthyer 116 faqet e humbura.
Doktrina e Besëlidhje 10:38–45
Zoti e urdhëron Jozef Smithin që të përkthejë fletët e vogla të Nefit
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 10:38–42. Vëreni klasën të kërkojë atë që Zoti e urdhëroi Jozefin të përkthente, në vend që ta bënte të ripërkthente pjesën e fletëve nga e cila ishin përkthyer 116 faqet e humbura.
-
Çfarë e urdhëroi Zoti Jozefin të përkthente? Përse?
Ndihmojini studentët të kuptojnë se si Zoti kishte bërë përgatitje për humbjen e 116 faqeve të dorëshkrimit. Shpjegoni që materiali i humbur përmbante përkthimin e librit të Lehit, që ishte në përmbledhjen nga Mormoni të fletëve të mëdha të Nefit. Mormoni ishte frymëzuar që t’ia bashkëngjiste fletët e vogla të Nefit analit të tij për “një synim të urtë”, të cilin ai në atë kohë nuk e kuptoi (shih Fjalët e Mormonit 1:3–7). Fletët e vogla të Nefit mbulonin përafërsisht të njëjtën periudhë kohore si edhe libri i Lehit. Pas humbjes së 116 faqeve, Zoti e urdhëroi Profetin Jozef Smith ta përkthente materialin nga fletët e vogla të Nefit.
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 10:43 dhe të kërkojnë një të vërtetë të rëndësishme që Zoti dëshironte Jozef Smithin ta kuptonte. (Ndërsa studentët japin idetë e tyre, shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Urtësia e Perëndisë është më e madhe se djallëzia e djallit.) Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se fjala djallëzia i drejtohet përdorimit të dredhive për t’i mashtruar njerëzit.)
-
Si e pasqyron këtë të vërtetë plani i Zotit për ta zëvendësuar dorëshkrimin e humbur?
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 10:44–45 duke kërkuar provën e së vërtetës te vargu 43.
-
Sipas Doktrina e Besëlidhjeve 10:44–45, përse janë fletët e vogla të Nefit të një vlere më të madhe sesa ajo që u humb me 116 faqet e dorëshkrimit?
-
Si ju ndihmon për t’i mirëbesuar Atij më tërësisht njohuria se Perëndia përgatiti një udhë që të zhdëmtonte për 116 faqet e humbura të dorëshkrimit?
Doktrina e Besëlidhje 10:46–70
Zoti shpjegon qëllimin e Librit të Mormonit dhe rolin e tij në krijimin e Kishës së Tij
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 10:46–61 duke shpjeguar se në këto vargje Zoti dëshmoi se Ai iu përgjigj lutjeve të dishepujve të Tij nefitë nëpërmjet ruajtjes dhe nxjerrjes në dritë të Librit të Mormonit në kohën tonë.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 10:62–63. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar atë që Zoti tha se do të nxirrte në dritë Libri i Mormonit.
-
Çfarë do të nxjerrë në dritë Libri i Mormonit? (Çështjet e vërteta të doktrinës së Jezu Krishtit.)
-
Sipas vargut 63, si do t’i përdorë Zoti çështjet e vërteta të doktrinës së Tij për ta mposhtur punën e Satanit?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë premtimin përmbyllës të Zotit te Doktrina e Besëlidhje 10:67, 69–70. Kërkojuni studentëve ta ndjekin dhe të shënojnë fraza që janë kuptimplote për ta, duke pasur parasysh atë që kanë mësuar sot. Ftojini studentët të tregojnë cilat fraza janë domethënëse për ta dhe përse. Mbylleni me dëshminë tuaj.