Seminare dhe Institute
Mësimi 136: Doktrina e Besëlidhje 129; 130:1–11, 22–23


Mësimi 136

Doktrina e Besëlidhje 129; 130:1–11, 22–23

Hyrje

Më 9 shkurt 1843, Profeti Jozef Smith dha udhëzime për t’i ndihmuar shenjtorët të dinin se si të dallonin natyrën e engjëjve shërbestarë dhe të shpirtrave. Këto udhëzime shënohen te Doktrina e Besëlidhje 129. Doktrina e Besëlidhje 130 përmban mësimet e dhëna nga Jozef Smithi mbi doktrina të ndryshme, ndërkohë që ai po takohej me shenjtorët në Ramus të Ilinoisit më 2 prill 1843.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 129

Profeti Jozef Smith jep udhëzime lidhur me natyrën e engjëjve shërbestarë dhe të shpirtrave

Pyetini studentët se çfarë do t’i thoshin dikujt që dëshironte të dinte nëse shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë tek engjëjt. Pasi studentët të përgjigjen, ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Xhefri R. Holland

“Që nga fillimi deri përmes periudhave ungjillore, Perëndia ka përdorur engjëj si përfaqësues të Tij në përcjelljen e dashurisë dhe të merakut për fëmijët e Tij. …

Zakonisht qenie të tilla nuk shihen. Nganjëherë ata shihen. Por të shikuar ose jo, ata janë përherë pranë. Nganjëherë detyrat e tyre janë shumë të madhërishme dhe kanë rëndësi për të gjithë botën. Nganjëherë mesazhet janë më personale. Herë-herë pikësynimi engjëllor është për të paralajmëruar” (“Shërbesa e Engjëjve”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 29).

Shpjegoni se në fillim të vitit 1839 dhe duke vazhduar deri në vitin 1843, Profeti Jozef Smith u dha udhëzime disa njerëzve për t’i ndihmuar ata të dinin se si të dallonin natyrën e engjëjve shërbestarë dhe të shpirtrave. Disa nga këto udhëzime shënohen te Doktrina e Besëlidhje 129.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 129:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë një ndryshim të rëndësishëm midis engjëjve dhe shpirtrave. (Ju mund të doni të shpjegoni se fjala të drejtë do të thotë njerëz që veprojnë me drejtësi.)

  • Si janë engjëjt të ndryshëm nga shpirtrat? (Engjëjt kanë trupa të ringjallur prej mishi e kockash; shpirtrat nuk kanë trupa.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 129:4–7. Vëreni klasës ta ndjekë, duke kërkuar një mënyrë për ta bërë dallimin midis engjëjve dhe shpirtrave të drejtë. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë.

  • Çfarë mësojmë nga vargu 7 rreth natyrës së lajmëtarëve të vërtetë, të dërguar nga Ati Qiellor? (Pasi studentët të përgjigjen, ju mund të doni të sugjeroni që ta shkruajnë doktrinën vijuese në anë të shkrimeve të tyre të shenjta: Lajmëtarët e vërtetë, të dërguar nga Ati Qiellor, nuk do të na mashtrojnë.)

Shpjegoni se djalli nganjëherë përpiqet të shfaqet si një “engjëll i dritës” me qëllim që t’i mashtrojë njerëzit (shih DeB 129:8). Përveç kësaj, “shkrimet e shenjta flasin gjithashtu për engjëjt e djallit. Këta janë ata shpirtra që e ndoqën Luciferin dhe që u zbuan nga prania e Perëndisë në jetën paratokësore dhe u flakën në tokë (Zbulesa 12:1–9; 2 Nefi 9:9, 16; DeB 29:36–37)” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Engjëj”, f. 41; ose shih scriptures.lds.org). Mos tregoni përvoja për sa i përket Satanit apo shpirtrave të ligj, ose mos e lejoni diskutimin të shndërrohet në tregimin e historive të bujshme dhe materialeve të rreme.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 129:8–9. Ftojeni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë se si ta dallojë një shpirt të lig, i cili kërkon të mashtrojë duke u shfaqur si një engjëll drite. (Shpjegoni se fjala administrimvargun 9 i referohet një shfaqjeje ose vizite nga një engjëll apo një shpirt.) Ftojini studentët të raportojnë atë që mësojnë.

  • Përveç udhëzimit në këto vargje, çfarë ju ka dhënë Ati Qiellor për t’ju ndihmuar që të dalloni mashtrimet e Satanit?

Doktrina e Besëlidhje 130:1–11, 22–23

Profeti Jozef Smith qartëson doktrina të ndryshme

Shpjegoni se më 2 prill 1843, Jozef Smithi mbajti një konferencë kunji me shenjtorët në Ramus të Ilinoisit, që ishte rreth 32 kilometra në juglindje të Navusë. Gjatë një mbledhjeje të mëngjesit, Plaku Orson Hajd bëri një predikim dhe dha mësim një interpretim të shkrimit të shenjtë, që ai e kishte mësuar në shoqërimin e tij të mëparshëm me një kishë tjetër.

  • Çfarë përgjegjësie pati Profeti në këtë situatë? (Të korrigjonte çfarëdo doktrine të rreme që u dha mësim në mbledhje.)

Shpjegoni se udhëheqësit kryesues në Kishë, të tillë si profetët, presidentët e kunjeve dhe peshkopët kanë përgjegjësinë për të siguruar që doktrina e saktë jepet mësim në mjediset e Kishës. Pas mbledhjes së mëngjesit, Jozef Smithi, Orson Hajdi dhe disa njerëz të tjerë hëngrën drekë në shtëpinë e motrës së Jozefit, Sofronias. Gjatë drekës, Profeti tha se ai “do të ofronte disa korrigjime ndaj predikimit [të Vëllait Hajd]”. Vëllai Hajd u përgjigj: “Ato do të pranohen plot mirënjohje” (në History of the Church, 5:323).

  • Çfarë mund të mësojmë nga mënyra se si Jozef Smithi e trajtoi këtë situatë?

  • Çfarë mund të mësojmë nga përgjigjja e Orson Hajdit drejtuar Profetit?

Shpjegoni se në fjalimin e tij të mëngjesit, Orson Hajdi e kishte keqinterpretuar Gjonin 14:23. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë këtë varg.

Informojeni klasën që pasi Orson Hajdi iu referua këtij vargu, ai u tha njerëzve se është “privilegji ynë që Ati dhe Biri banojnë në zemrat tona” (në History of the Church, 5:323). Doktrina e Besëlidhje 130 përmban korrigjimin e Profetit Jozef Smith të kësaj ideje. Ajo gjithashtu përfshin disa mësime shtesë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 130:1–3. Vërini studentët ta ndjekin, duke kërkuar përse ishte e pasaktë thënia e Orson Hajdit lidhur me kuptimin e Gjonit 14:23. Kërkojuni atyre të raportojnë atë që gjejnë.

Shpjegoni se shumë njerëz sot ose nuk kanë asnjë ide për Perëndinë, ose ndoshta si Orson Hajdi, i cili ishte dikur një predikues kambelit, kanë një kuptueshmëri të pasaktë të natyrës së Hyjnisë për shkak të traditave të rreme. Ne mund t’i ndihmojmë të tjerët ta kuptojnë natyrën e vërtetë të Atit Qiellor dhe marrëdhënien e tyre me Të.

  • Si mund të përgjigjemi me dashamirësi dhe kuptueshmëri kur e diskutojmë ungjillin me ata që kanë ide të gabuara për shkak të traditave të rreme?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 130:22–23. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar doktrina që ata mund t’i shpjegojnë kur u japin mësim të tjerëve rreth Kreut-Perëndi.

  • Çfarë doktrinash na mësohen në këto vargje? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinat vijuese: Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë individë më vete me trupa fizikë prej mishi e kockash. Fryma e Shenjtë është një personazh i shpirtit.)

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të kuptojmë se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë individë më vete, me trupa prej mishi e kockash?

ikona e fletushkësPër t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më tej doktrinën e Kreut-Perëndi, caktojini ata të punojnë në dyshe. Sigurojini çdo dysheje një kopje të thënies vijuese. Ftojini studentët ta studiojnë thënien me partnerët e tyre dhe të nënvizojnë të vërtetat rreth Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë, të cilat iu bien në sy.

Perëndia, Ati: Në përgjithësi është Ati, ose Elohimi, të cilit i referohemi me titullin Perëndi. Ai quhet Ati, sepse Ai është ati i shpirtrave tanë. … Perëndia, Ati, është sunduesi më i lartë i gjithësisë. Ai është i gjithëfuqishëm … , [i gjithëditur] … dhe është i pranishëm kudo nëpërmjet Shpirtit të tij. … Njerëzimi ka një lidhje të veçantë me Perëndinë, i cili e veçon njeriun nga të gjitha gjërat e tjera të krijuara: burrat dhe gratë janë fëmijë shpirtërorë të Perëndisë.

Perëndia, Biri: Perëndia i njohur si Jehova është Biri, Jezu Krishti. … Jezusi vepron nën drejtimin e Atit dhe është në harmoni të plotë me Të. Tërë njerëzit janë vëllezërit dhe motrat e tij, sepse ai është më i vjetri nga fëmijët shpirtërorë të Elohimit. [Ai është Shëlbuesi që vuajti mëkatet dhe dhembjet e gjithë njerëzimit dhe e mposhti vdekjen fizike për të gjithë.] …

Perëndia, Fryma e Shenjtë: Fryma e Shenjtë është gjithashtu një Perëndi dhe quhet Shpirti i Shenjtë, Shpirti dhe Shpirti i Perëndisë, së bashku me emra dhe tituj të tjerë të ngjashëm [të tillë si Ngushëlluesi]. Me ndihmën e Frymës së Shenjtë, njeriu mund të njohë vullnetin e Perëndisë, Atit, dhe të dijë se Jezusi është Krishti” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Perëndi, Kokë e Perëndisë”, f. 145–146; ose shih scriptures.lds.org). Roli kryesor i Frymës së Shenjtë është të japë dëshmi për Perëndinë, Atin, dhe Jezu Krishtin. Fryma e Shenjtë e jep mësim dhe e pohon të vërtetën.

Pasi studentët ta kenë përfunduar këtë detyrë, kërkojuni disave të raportojnë atë që shënuan dhe të shpjegojnë përse ato të vërteta iu bënë përshtypje. Ju mund ta përfundoni këtë veprimtari duke i ftuar një ose dy studentë t’i japin klasës dëshmitë e tyre për Kreun-Perëndi.

Për t’i ndihmuar studentët të zbulojnë një doktrinë tjetër që Jozef Smithi ua mësoi shenjtorëve në Ramus, ftojini të shqyrtojnë Doktrinën e Besëlidhjet 130:2, duke kërkuar atë që ai tha rreth marrëdhënieve tona.

  • Çfarë do të thotë fjala shoqërim? (Shoqërimi lidhet me natyrën e ndërveprimeve dhe marrëdhënieve tona vetjake.)

  • Çfarë mësimi dha Jozef Smithi lidhur me natyrën e marrëdhënieve tona në qiell? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Marrëdhëniet që ne mund t’i kemi në qiell, janë të njëjta me ato që i gëzojmë në tokë, por do të përfshijnë lavdi të përjetshme.)

  • Si mund ta ndikojë kjo e vërtetë në ndërveprimin tuaj me të tjerë?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë dëshminë vijuese për marrëdhëniet e përjetshme nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë:

Presidenti Henri B. Ajring

“Për shkak të rivendosjes së dijenisë për familje të përjetshme, ne kemi më shumë shpresë dhe jemi më të dashur në të gjitha marrëdhëniet tona familjare. Gëzimet më të mëdha në këtë jetë përqendrohen tek familja, siç do të jetë në botën që do të vijë. Jam tepër mirënjohës për sigurinë që kam që, nëse jemi besnikë, po ai shoqërim që gëzojmë këtu në këtë jetë, do të jetë përgjithmonë me ne në botën që do të vijë, në lavdinë e përjetshme” [shih DeB 130:2] (“Kisha e Vërtetë dhe e Gjallë”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 22).

Ftojini studentët të përsiatin marrëdhëniet e tyre me të tjerët, veçanërisht me pjesëtarët e familjes së tyre. Ftojini ata të shkruajnë një synim për t’i forcuar ato marrëdhënie.

Për t’i ndihmuar studentët të zbulojnë doktrina të tjera që Profeti i dha mësim në këtë mbledhje në Ramus, ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 130:4–11.

  • Çfarë mësojmë rreth engjëjve nga vargjet 4–7?

  • Çfarë mësojmë nga vargu 9 rreth së ardhmes së tokës?

Ju mund të doni të shpjegoni se, sipas vargjeve 10–11, të gjithë ata që trashëgojnë mbretërinë çelestiale do të marrin një Urim e Thumim për t’i ndihmuar ata të mësojnë rreth gjërave qiellore dhe t’i kuptojnë ato. Profeti nuk dha hollësi mbi këtë mësim të dhënë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 129:8–9. “Djalli, si një engjëll i dritës”

“Satani përpiqet të mashtrojë me anë të imitimit të gënjeshtërt të dritës, e cila shoqëron shpirtin e një njeriu të drejtë, të bërë të përsosur. Një njeri i drejtë, i bërë i përsosur, i cili vjen si një lajmëtar, do të shfaqet në lavdinë e tij, ‘sepse kjo është e vetmja mënyrë që ai mund të shfaqet’ (DeB 129:6). Profeti Jozef Smith dikur tha: ‘Shpirtrat e ligj kanë caqet, kufizimet dhe ligjet e tyre, nëpërmjet të cilave qeverisen … dhe, është shumë e dukshme se ata zotërojnë një fuqi që askush, përveç atyre që kanë priftërinë, nuk mund ta kontrollojë’ (në History of the Church, 4:576).

Profeti dha mësim se kur djallit i ofrohet dhënia e dorës, ‘ai do t’jua zgjasë dorën e tij’ (DeB 129:8). Njeriu nuk do të ndiejë asgjë, sepse djalli është një shpirt pa trup. Ai, si rrjedhim, mund të dallohet në këtë mënyrë nga një shpirt i drejtë apo një engjëll i dërguar nga Perëndia. Njeriu i drejtë nuk do të përpiqet të mashtrojë (shih DeB 129:7); një engjëll i Satanit nuk do të përmbahet nga përpjekja për të mashtruar” (Doctrine and Covenants Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2001], f. 321).

Doktrina e Besëlidhje 130:9. Cili është fati i kësaj toke dhe i atyre që do të banojnë mbi të?

Presidenti Brigam Jang dha mësim:

Presidenti Brigam Jang

“Kur [toka] të bëhet e çelestializuar, ajo do të jetë si dielli dhe do të përgatitet për banimin e shenjtorëve dhe do të sillet sërish në praninë e Atit dhe të Birit. Atëherë nuk do të jetë një trup i pashkëlqyeshëm siç është tani, por do të jetë si yjet në kupën qiellore, plot dritë e lavdi – Gjoni e krahasoi atë, në gjendjen e saj të çelestializuar, me një det të qelqtë” (“Sermon”, Deseret News, 15 qershor 1859, f. 114).

Rreth dy vite më vonë ai tha:

Presidenti Brigam Jang

“Kjo tokë, kur të bëhet e pastruar dhe e shenjtëruar, ose e çelestializuar, do të bëhet si një det i qelqtë dhe një njeri, duke parë brenda saj, mund të dijë gjërat e së shkuarës, të së tashmes dhe ato që do të vijnë; edhe pse askush tjetër, përveç qenieve të çelestializuara, nuk do ta gëzojë këtë privilegj; ata do të shohin brenda tokës dhe gjërat që ata dëshirojnë të dinë, do t’iu shfaqen atyre, sikurse fytyra shihet duke parë në pasqyrë” (“Remarks”, Deseret News, 3 korrik 1861, f. 137).

Doktrina e Besëlidhje 130:22–23. Kreu-Perëndi

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e shpalli plot vendosmëri realitetin e Kreut-Perëndi:

Plaku Xhefri R. Holland

“Neni i parë dhe më i rëndësishëm i besimit tonë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është: ‘Ne besojmë në Perëndinë, Atin e Përjetshëm, dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe në Frymën e Shenjtë’ [Nenet e Besimit 1:1]. Ne besojmë se këta tre persona hyjnorë që përbëjnë një Kre-Perëndi të vetëm, janë të bashkuar në qëllim, në sjellje, në dëshmi, në mision. Ne besojmë se Ata janë të mbushur me të njëjtën ndjesi të perëndishme mëshire dhe dashurie, drejtësie dhe mirësie, durimi, faljeje dhe shlyerjeje. Unë mendoj se është e saktë të themi që ne besojmë se Ata janë një në çdo aspekt të rëndësishëm dhe të përjetshëm të përfytyrueshëm, përveç besimit që Ata të jenë tre persona të bashkuar në një substancë, një ide e Trinisë që nuk është paraqitur kurrë në shkrimet e shenjta, ngaqë ai nuk është i vërtetë.

Me të vërtetë, një burim i rëndësishëm i quajtur Harper’s Bible Dictionary, shënon se ‘doktrina zyrtare e Trinisë, sikurse u përkufizua nga këshilla kishtare të mëdha të shekujve të katërt dhe të pestë, nuk gjendet në [Dhiatën e Re]’ [Paul F. Achtemeier, bot. (1985), f. 1099; theksimi i shtuar].

Kështu, çfarëdo kritike se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nuk i përmbahet pikëpamjes së tanishme të krishterë mbi Perëndinë, Jezusin dhe Frymën e Shenjtë, nuk është një koment mbi angazhimin tonë ndaj Krishtit, por përkundrazi, një njohje (e saktë, mund të shtoj) se pikëpamja jonë mbi Kreun-Perëndi shkëputet nga historia e krishterë e epokës pas Dhiatës së Re dhe rikthehet te doktrina që vetë Jezu Krishti [dha] mës[im]. …

Ne deklarojmë që vetëkuptohet nga shkrimet e shenjta se Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë janë persona të veçantë, tre qenie hyjnore” (“I Vetmi Perëndi i Vërtetë dhe Jezu Krishti të Cilin Ai Ka Dërguar”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 40, 41).