Mësimi 90
Doktrina e Besëlidhje 87
Hyrje
Gjatë gjithë vitit 1832, Profeti Jozef Smith dhe anëtarët e tjerë të Kishës ka mundësi që mësuan nëpërmjet raporteve të gazetave për fatkeqësi që po përhapeshin me shpejtësi në tokë. Për shembull, ata ishin të dijeni të debateve mbi skllavërinë në Shtetet e Bashkuara dhe gjithashtu dinin rreth shfuqizimit të tarifave federale në shtetin e Karolinës së Jugut. Profeti shpalli: “Shfaqjet e shqetësimeve midis kombeve u bënë më të dukshme në këtë kohë nga sa kishin qenë më parë që kur Kisha filloi të dalë nga vendi i shkretë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 263). Më 25 dhjetor 1832, Jozef Smithi mori zbulesën tani të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 87, e cila përfshin profeci rreth luftërave dhe gjykimeve që do të derdheshin mbi të gjitha kombet në ditët e fundit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 87:1–8
Nëpërmjet Jozef Smithit, Zoti profetizon se lufta do të derdhet mbi të gjitha kombet
Fillojeni orën mësimore duke bërë pyetjen vijuese:
-
Cili është ndryshimi midis një parashikimi dhe një profecie? (Një parashikim është një opinion rreth asaj që mund të ndodhë në të ardhmen. Në dallim, një profeci është një deklarim i një shenje ose ngjarjeje të ardhshme, siç zbulohet me anë të Frymës së Shenjtë.)
Shkruani emrat vijues në tabelë: Noeu, Jozefi i Egjiptit, Lehi, Samuel Lamaniti. (Ju mund të doni të paraqisni gjithashtu ilustrime të këtyre profetëve.) Ftojini studentët të shprehin një profeci të thënë nga secili prej këtyre profetëve të lashtë. (Përgjigjet mund të përfshijnë sa vijon: Noeu profetizoi për përmbytjen; Jozefi i Egjiptit profetizoi se do të kishte shtatë vjet bollëku, që do të pasoheshin nga shtatë vite zie buke; Lehi profetizoi se Jerusalemi do të shkatërrohej; dhe Samuel Lamaniti profetizoi për shenjat dhe ngjarjet që do ta shoqëronin lindjen dhe vdekjen e Jezu Krishtit.)
Pasi studentët të jenë përgjigjur, shkruani në tabelë Jozef Smithi. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 87:1–4 dhe të kërkojnë një profeci që iu dha Jozef Smithit nëpërmjet zbulesës.
-
Çfarë tha Zoti “që shpejt do të ndodhin”? (Së shpejti do të ndodhnin luftëra, duke filluar me kryengritjen e Karolinës së Jugut, të cilat do t’u sillnin vdekje e mjerim shumë shpirtrave.)
-
Çfarë mund të mësojmë rreth Zotit nga vargjet 1–4? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani në tabelë doktrinën vijuese: Zoti mund të na e zbulojë të ardhmen nëpërmjet profetëve të Tij.)
-
Si mund të jetë një bekim për Kishën njohuria se Zoti na e zbulon të ardhmen nëpërmjet profetëve? Si mund të jetë kjo një bekim për ju dhe familjen tuaj?
Ftojini studentët t’i hedhin një sy të shpejtë hyrjes së seksionit te Doktrina e Besëlidhje 87, duke kërkuar datën kur u dha kjo zbulesë. Më pas përmblidheni paragrafin vijues ose ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:
Jozef Smithi kishte mësuar rreth një mosmarrëveshjeje politike midis shtetit të Karolinës së Jugut dhe qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara lidhur me tarifat. (Një tarifë është një taksë për importet.) Ngaqë banorët e Karolinës së Jugut ishin më shumë në varësi të produkteve të prodhuara nga importi sesa ishin njerëzit në shtetet veriore, ata mendonin se tarifat federale ishin të padrejta dhe se ato ishin vënë të larta në kurriz të shteteve të Jugut. Udhëheqësit qeveritarë në Karolinën e Jugut miratuan një dekret i cili i bëri të pavlefshme, ose i shfuqizoi ligjet federale dhe shumë banorë të Karolinës së Jugut filluan të përgatiteshin për veprime ushtarake kundër qeverisë federale. Presidenti i Shteteve të Bashkuara shpalli se ai do t’i ruante ligjet e Shteteve të Bashkuara me anë të forcës. Në dhjetor të vitit 1832, gazetat anembanë Shteteve të Bashkuara po e raportonin këtë konflikt. Ishte në këtë kohë që Jozef Smithi mori zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 87, duke profetizuar se “luftërat … shpejt do të ndodhin, duke filluar me kryengritjen e Karolinës së Jugut” (DeB 87:1). Në fillim të vitit 1833, jo shumë kohë pasi u dha kjo profeci, qeveria e Shteteve të Bashkuara e zgjidhi në mënyrë paqësore çështjen me shtetin e Karolinës së Jugut. Disa njerëz mund të kenë menduar se kriza ishte kapërcyer, por ajo kishte ndaluar vetëm përkohësisht dhe Karolina e Jugut ende do të ngrinte krye.
-
Si do të reagonit nëse fjalët e një profeti nuk do të përmbusheshin sipas mënyrës që ju e prisnit?
Vini në dukje referencën kryq te Doktrina e Besëlidhje 87:1, shënimi c në fund të faqes. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë shënim në fund të faqes. Ftojini studentët t’i kthehen Doktrinës e Besëlidhjeve 130:12–13 dhe kërkojini një studenti t’i lexojë këto vargje me zë të lartë.
-
Çfarë ripohoi Jozef Smithi në këtë profeci? (Se luftërat do të fillonin në Karolinën e Jugut.)
Ftojini studentët t’i drejtohen hyrjes së seksionit për Doktrinën e Besëlidhjet 130 dhe të përcaktojnë vitin në të cilin Jozef Smithi e dha këtë ripohim të profecisë te seksioni 87.
-
Në cilin vit e ripohoi Jozef Smithi profecinë te seksioni 87? (1843.)
Kujtojuni studentëve se kriza midis qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe Karolinës së Jugut ishte zgjidhur 10 vjet më parë, në vitin 1833.
-
Çfarë mund t’ju mësojë ripohimi i Jozef Smithit për profecinë që e kishte marrë 10 vjet më parë rreth besimit të tij? (Edhe pse disa njerëz shpallën se Jozef Smithi ishte një profet i rremë, ai vazhdoi ta ruante besimin te profecia që Zoti kishte zbuluar nëpërmjet tij.)
Lexojeni paragrafin vijues ose vëreni një student ta lexojë atë me zë të lartë. (Ju mund të doni të bëni kopje të saj për studentët që ta vendosin në shkrimet e tyre të shenjta.)
Në vitin 1861, luftanijet e shteteve jugore filluan të qëllonin mbi ushtarët federalë të Shteteve të Bashkuara, të cilët ishin vendosur në Fort Samtër në Portin e Çarlstonit në Karolinën e Jugut. Shtete të tjera jugore u bashkuan me Karolinën e Jugut në një luftë civile kundër shteteve veriore. Me kalimin e kohës, shtetet jugore i bënë thirrje për ndihmë Britanisë së Madhe. Përveç kësaj, shumë njerëz që kishin qenë skllevër në Jug, u bashkuan me ushtrinë e Veriut dhe luftuan kundër pronarëve të tyre të mëparshëm. Lufta Civile Amerikane zgjati deri në vitin 1865 dhe përfundoi në vdekjen e gati 620.000 ushtarëve (disa historianë e vlerësojnë deri në 750.000 veta).
-
Çfarë mund të na mësojë përmbushja e profecive te Doktrina e Besëlidhje 87 rreth Jozef Smithit? (Përgjigjet mund të përfshijnë se profecitë e Jozef Smithit janë të vërteta dhe se ai është një profet i Perëndisë. Pasi studentët të përgjigjen, shkruani në tabelë doktrinën vijuese: Jozef Smithi është një profet i vërtetë i Zotit.)
Ju mund të doni të dëshmoni se Jozef Smithi është një profet i vërtetë. Më pas shpjegoni se përveç të vërtetave të zbuluara te Doktrina e Besëlidhje 87:1–4, Zoti profetizoi nëpërmjet Jozef Smithit për gjëra të tjera që do të ndodhnin.
Ftojini studentët ta lexojnë vetë Doktrinën e Besëlidhjet 87:6–7 dhe të përcaktojnë ngjarje të tjera që Zoti tha se do të ndodhnin në ditët e fundit.
-
Çfarë ngjarjesh tha Zoti se do të ndodhnin në ditët e fundit?
-
Sipas vargjeve 6 dhe 7, cilat janë disa arsye që këto gjëra do të ndodhin?
Ndihmojini studentët të kuptojnë se fraza “dor[a] ndëshkuese” e Perëndisë i referohet faktit që Zoti i përdor gjykimet e Tij për t’i nxitur fëmijët e Tij të pendohen për mëkatet e tyre (shih Helamani 12:3). Përveç kësaj, disa prej gjykimeve të përshkruara në këto vargje do të ndodhin ndërkohë që Zoti i ndëshkon të ligjtë për trajtimin e tyre të padrejtë të të drejtëve.
Pohoni se çdo profeci te Doktrina e Besëlidhje 87 është përmbushur ose do të përmbushet. Ftojini studentët ta lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 87:8 që të mësojnë atë që Zoti na urdhëron të bëjmë me qëllim që të jemi të përgatitur për luftërat dhe fatkeqësitë që do të jenë mbi tokë në ditët e fundit.
-
Çfarë na urdhëron Zoti të bëjmë? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Ne duhet të qëndrojmë në vende të shenjta dhe të mos lëvizemi derisa të vijë Zoti. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)
-
Cilat janë disa vende të shenjta që mund të sigurojnë paqe dhe siguri? (Ju mund të doni të ftoni studentë që t’i renditin përgjigjet e tyre në tabelë. Përgjigjet mund të përfshijnë shtëpitë, godinat kishtare, tempujt dhe klasat e seminareve.)
Vini në dukje se vendet e shenjta janë vendndodhje ku ne mund ta ndiejmë praninë e Frymës së Shenjtë, i cili na ndihmon të afrohemi më pranë Atit Qiellor e Jezu Krishtit dhe të mësojmë për Ta.
-
Çfarë mendoni se do të thotë të qëndroni në vende të shenjta dhe të “mos lëvizni” (DeB 87:8)?
-
Si mund të lëvizet një njeri nga këto vende të shenjta?
-
Si jeni ndier të bekuar me paqe ose siguri nëpërmjet qëndrimit në njërin prej këtyre vendeve të shenjta?
Shpjegoni se përveç vendndodhjeve fizike që janë të shenjta, “vende të shenjta” mund të kenë të bëjnë më shumë me mënyrën se si jetojmë se sa me vendin ku jetojmë. Nëse jetojmë të denjë për shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë, atëherë ne qëndrojmë në vende të shenjta. Nxitini studentët t’i bëjnë zemrat e tyre vende të shenjta, të mbushura me Shpirtin e Zotit. Teksa e ftojnë Shpirtin në jetën e tyre, ata mund ta lejojnë Atë të ndikojë në shtëpitë e tyre dhe t’i bëjë ato vende të shenjta.
-
Si mund të përpiqeni për ta bërë zemrën tuaj një vend të shenjtë?
-
Cilat janë disa mënyra që mund t’ju ndihmojnë për ta bërë shtëpinë tuaj një vend të shenjtë? (Përgjigjet mund të përfshijnë mbështetjen e lutjes familjare, studimin e shkrimeve të shenjta dhe të qenit dashamirës ndaj pjesëtarëve të familjes.)
-
Nëse profeti do ta shihte dhomën tuaj, a do ta shihte ai atë si një vend të shenjtë? A e shihni ju?
Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta diçka që do ta bëjnë për të qëndruar në vende të shenjta më me besnikëri dhe për të mos lëvizur prej tyre. Pasi studentët të kenë mbaruar së shkruari, ju mund të doni t’i ftoni disa prej tyre që t’ua tregojnë synimet e tyre klasës. Nxitini të gjithë studentët ta ndjekin ecurinë për synimet që kanë caktuar. Ju, më pas, mund ta mbyllni duke dëshmuar për të vërtetat e diskutuara në këtë mësim.
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Doktrina e Besëlidhje 87:3. Shtetet Jugore do t’i bëjnë thirrje Britanisë së Madhe
Plaku Xhejms E. Talmixh, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shkroi:
“Edhe pse nuk u vu në veprim asnjë aleancë e hapur midis Shteteve Jugore dhe qeverisë angleze, ndikimi britanik i dha ndihmë jo të drejtpërdrejtë dhe inkurajim të konsiderueshëm Jugut, dhe kjo në një mënyrë që prodhoi ndërlikime serioze ndërkombëtare. Anijet u ndërtuan dhe u pajisën në portet britanike në emër të Konfederatës; dhe rrjedhojat e kësaj shkeljeje të ligjeve të paanshmërisë i kushtuan Britanisë së Madhe pesëmbëdhjetë milionë e gjysmë dollarë, shumë e cila iu dha Shteteve të Bashkuara në arbitrazhin e Gjenevës për zgjidhjen e pretendimeve të Alabamës. Konfederata caktoi përfaqësues për Britaninë e Madhe dhe Francën; këta përfaqësues të caktuar u morën me dhunë nga oficerë të Shteteve të Bashkuara prej avullores britanike në të cilën kishin hipur. Ky veprim, të cilin qeverisë së Shteteve të Bashkuara iu desh ta pranonte si publik, kërcënoi për njëfarë kohe të shkaktonte një luftë midis këtij kombi dhe Britanisë së Madhe” (The Articles of Faith, bot. i 49-të [1968], f. 25–26; shih edhe Doctrine and Covenants Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2001], f. 194).
Doktrina e Besëlidhje 87:3–4. Përmbushja e mëtejshme e profecisë
Tabela vijuese nxjerr në pah hollësi shtesë të profecisë te Doktrina e Besëlidhje 87 dhe disa mënyra se si këto janë përmbushur:
Profecia |
Disa mënyra se si është përmbushur kjo profeci | |
---|---|---|
“Kombeve të tjera, madje kombit të Britanisë së Madhe, … do t’u bëjnë thirrje kombeve të tjera, për ta mbrojtur vetveten nga shtetet e tjera; dhe atëherë lufta do të derdhet mbi gjithë kombet” |
Lufta I Botërore dhe Lufta II Botërore ndodhën kur kombet u bënë thirrje kombeve të tjera për t’i ndihmuar ata që ta mbronin vetveten. Në të dyja këto luftëra, Britania e Madhe u bëri thirrje kombeve të tjera për ndihmë. | |
“Pas shumë ditësh, skllevërit do të ngrihen kundër zotërinjve të tyre” |
Kur u dha kjo zbulesë, skllavëria ekzistonte jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në pjesë të tjera të botës. Skllevërit, ose ata në skllavëri, në shekujt 19 dhe 20 u ngritën kundër zotërinjve të tyre dhe luftuan për lirinë e tyre. |
Doktrina e Besëlidhje 87:8. “Qëndroni në vende të shenjta dhe mos lëvizni”
Plaku Dallin H. Ouks na mësoi rreth disa mënyrave se si mund të qëndrojmë në vende të shenjta.
“A po e ndjekim urdhrin e Zotit: ‘Qëndroni në vende të shenjta dhe mos lëvizni, derisa dita e Zotit të vijë; sepse, vini re, ajo vjen shpejt’? (DeB 87:8). Cilat janë ato ‘vende të shenjta’? Sigurisht ato përfshijnë tempullin dhe besëlidhjet e tij, të mbajtura me besnikëri. Sigurisht ato përfshijnë një shtëpi ku fëmijët shihen si thesare dhe prindërit respektohen. Sigurisht vendet e shenjta përfshijnë vendet tona të detyrës, të caktuara nga autoriteti i priftërisë, përfshirë misionet dhe thirrjet e përmbushura me besnikëri në degët, lagjet e kunjet” (“Preparation for the Second Coming”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 10).
Motra Sharon. Larsen, e presidencës së përgjithshme të Të Rejave, foli lidhur me atë që do të thotë të qëndrojmë në vende të shenjta:
“Qëndrimi në vende të shenjta ka të bëjë plotësisht me të qenit në shoqëri të mirë, pavarësisht nëse jeni vetëm apo me njerëz të tjerë. Të jemi atje ku Fryma e Shenjtë është shoqëruesi ynë – të vetëm apo në një turmë. Kur marrim vendim brenda vetes sonë se do t’i kontrollojmë mendimet dhe veprimet tona dhe do të jemi njerëzit më të mirë që mund të jemi, gjërat më të mira në jetë do të na vijë. …
… Pavarësisht nga çfarë po ndodh përreth jush, ju mund të ushtroni krijimin e një mjedisi tuajin, të mbushur me Shpirtin e Zotit. …
Vendet e shenjta mund të jenë kudo që jeni – të vetëm, në një turmë, me njerëz të panjohur, me miq. … Ka gjëra që mund t’i bëni për t’iu sjellë shenjtëri vendeve të zakonshme” (“Standing in Holy Places”, Ensign, maj 2002, f. 91, 92).