Mësimi 146
Vijimësia në Presidencë
Hyrje
Pas martirizimit të Profetit Jozef Smith dhe vëllait të tij, Hajrëmit, më 27 qershor 1844, disa njerëz u pështjelluan rreth asaj se kush do ta udhëhiqte Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Por përpara vdekjes së tij, Profeti ishte përgatitur për këtë kalim të udhëheqjes duke ia dhënë të gjithë çelësat dhe fuqitë e priftërisë Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kur Brigam Jangu, i cili ishte Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u foli shenjtorëve më 8 gusht 1844, shumë anëtarë të Kishës morën një dëshmi shpirtërore se ai ishte thirrur dhe përgatitur nga Perëndia për ta udhëhequr Kishën.
Sugjerime për Mësimdhënien
Pas martirizimit të Jozef dhe Hajrëm Smithit, disa njerëz pretendojnë se kanë të drejtën për të udhëhequr Kishën
Përpara orës mësimore, shkruani në tabelë pyetjet vijuese:
Ftojini studentët të marrin parasysh se si do t’u përgjigjeshin pyetjeve në tabelë. Nxitini ata t’i dëgjojnë përgjigjet për këto pyetje sot ndërsa mësojnë rreth ndryshimit të udhëheqjes së Kishës që ndodhi pas vdekjes së Profetit Jozef Smith dhe vëllait të tij, Hajrëmit.
Shpjegoni që, pasi Jozef dhe Hajrëm Smithi u martirizuan, shenjtorët përjetuan një pikëllim të thellë. Disa ishin të pështjelluar rreth asaj se kush do ta udhëhiqte Kishën. Në mungesë të Presidentit të Kishës, disa menduan se udhëheqja me të drejtë ra mbi Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve. Megjithatë, disa njerëz nxorën pretendime të rreme se ata kishin të drejtën ta udhëhiqnin Kishën. Midis tyre ishin Sidni Rigdoni dhe Xhejms Strengu.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë tre paragrafët vijues. Kërkojini klasës të dëgjojë përse Sidni Rigdoni, i cili kishte qenë një udhëheqës i shquar në Kishë për shumë vite, mendoi se duhej ta udhëhiqte ai Kishën.
“Sidni Rigdoni, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, mbërriti [në Navu] nga Pitersburgu i Pensilvanisë, më 3 gusht 1844. Një vit më parë, ai kishte filluar të merrte një drejtim të kundërt me këshillën e Profetit Jozef Smith dhe ishte larguar nga Kisha. Ai nuk pranoi të takohej me tre anëtarët e Të Dymbëdhjetëve që qenë tashmë në Navu dhe në vend të kësaj, i foli një grupi të madh shenjtorësh të mbledhur për shërbimin e tyre të adhurimit të së dielës” (Trashëgimia Jonë: Një Histori e Shkurtër e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme [1996], f. 66).
Sidni Rigdoni bëri thirrje që të martën, më 6 gusht, të mbahej një mbledhje e veçantë me qëllim që anëtarët e Kishës të mund të zgjidhnin një kujdestar për Kishën. U duk sikur Sidni Rigdoni u përpoq ta bënte këtë mbledhje që anëtarët e Kishës të mund ta miratonin pozitën e tij si kujdestar i Kishës përpara se të Dymbëdhjetë Apostujt, që të gjithë, të ktheheshin nga misionet e tyre në lindje të Shteteve të Bashkuara. Disa udhëheqës të Kishës ndien se Vëllai Rigdon mund të komplotonte për të “përfituar nga situata e shenjtorëve” (History of the Church, 7:225). Për fat të mirë, për shkak të përpjekjeve të Plakut Uillard Riçards dhe Plakut Parli P. Prat, mbledhja u shty për të enjten, më 8 gusht 1844, kohë në të cilën shumica e Apostujve ishin kthyer në Navu.
Sidni Rigdoni pretendonte se, ngaqë ai ishte thirrur dhe shuguruar më parë si zëdhënës për Jozef Smithin (shih DeB 100:9), ishte përgjegjësia e tij të “kujdesej që kisha po qeverise[j] në një mënyrë të duhur” (History of the Church, 7:229). Ai gjithashtu pretendonte se duhej të ishte “një kujdestar për njerëzit” dhe se në përmbushje të kësaj përgjegjësie, ai po bënte atë që Perëndia e kishte urdhëruar të bënte (shih History of the Church, 7:230).
-
Nëse ju do të kishit qenë në Navu në atë kohë, çfarë mund të kishit menduar për pretendimet e Sidni Rigdonit? Çfarë shqetësimesh mund të kishit pasur për Vëllain Rigdon?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin vijues. Kërkojini klasës të dëgjojë përse Xhejms Strengu tha se duhej ta udhëhiqte ai Kishën.
Xhejms Strengu, që ishte pagëzuar në shkurt 1844, po kërkonte një vendndodhje të mundshme për shenjtorët në Uinskonsin në pranverën e vitit 1844. Pas martirizimit, Xhejms Strengu, pretendonte se kishte marrë një letër nga Jozef Smithi, që thoshte se ai qe caktuar të ishte pasuesi i Jozefit. Letra e Xhejms Strengut, të cilën ai ua tregoi anëtarëve të Kishës, dukej se kishte firmën e Jozef Smithit. Xhejms Strengu pretendonte se ai ishte profeti i ardhshëm dhe e shpalli pozicionin e tij në një konferencë të Kishës në Miçigan, më 5 gusht 1844.
-
Nëse do të kishit qenë me shenjtorët në Miçigan, çfarë mendoni se mund të kishit gjetur bindëse në pretendimet e Xhejms Strengut? Çfarë shqetësimesh mund të kishit pasur për këto pretendime?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pesë paragrafët vijues. Kërkojini klasës të dëgjojë për atë që Brigam Jangu u tha udhëheqësve të tjerë të priftërisë, përfshirë anëtarëve të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të cilët ishin në Navu, rreth asaj se kush duhej ta udhëhiqte Kishën:
Pleqtë Xhon Tejlor, Uillard Riçards, Parli P. Prat dhe Xhorxh A. Smith ishin tashmë në Navu kur Sidni Rigdoni mbërriti. Shumica e pjesës së mbetur të Apostujve, përfshirë Brigam Jangun, u kthyen në Navu në mbrëmjen e 6 gushtit 1844. Të nesërmen, më 7 gusht, Apostujt u mblodhën në këshill në shtëpinë e Xhon Tejlorit. Më vonë atë pasdite, Dymbëdhjetë Apostujt, këshilli i lartë dhe priftërinjtë e lartë u mblodhën së bashku. Presidenti Jang i kërkoi Sidni Rigdonit që t’u thoshte shenjtorëve mesazhin e tij. Sidni Rigdoni shpalli haptazi se ai kishte parë një vegim dhe se askush nuk mund ta pasonte Jozef Smithin si President të Kishës. Më pas ai propozoi që të caktohej si kujdestar i njerëzve.
Pasi Sidni Rigdoni i përfundoi vërejtjet e tij, Brigam Jangu tha:
“Unë nuk shqetësohem se kush e udhëheq kishën, … por një gjë duhet ta di dhe ajo është çfarë Perëndia thotë rreth saj. Unë i kam çelësat dhe mjetet për ta ditur mendjen e Perëndisë për çështjen. …
Jozefi dha mbi kokat tona [duke iu referuar Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve] të gjithë çelësat dhe fuqitë që i përkasin Apostullimit, të cilat ai vetë i mbajti përpara se të merrej. …
Sa shpesh u tha Jozefi Të Dymbëdhjetëve: ‘Unë kam hedhur themelin dhe ju duhet të ndërtoni mbi të, sepse mbretëria qëndron mbi shpatullat tuaja’” (në History of the Church, 7:230).
-
Përse ishte e rëndësishme dëshmia e Brigam Jangut lidhur me çelësat e priftërisë? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani në tabelë të vërtetën vijuese: Apostujt mbajnë të gjithë çelësat e priftërisë të nevojshëm për të kryesuar mbi Kishën.)
Shpjegoni se, kur një Apostull shugurohet, atij i jepen të gjithë çelësat e nevojshëm të priftërisë në tokë (shih DeB 112:30–32), por autoriteti për t’i ushtruar ato çelësa kufizohet te Apostulli më i vjetër, Presidenti i Kishës.
Lexoni me zë të lartë udhëzimin vijues të dhënë nga Profeti Jozef Smith për Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve në janar 1836, më shumë se tetë vjet përpara se të vdiste:
“Të Dymbëdhjetët nuk varen nga askush përveçse Presidenca e Parë, … ‘dhe kur nuk jam unë, nuk ka Presidencë të Parë mbi Të Dymbëdhjetët’” (në History of the Church, 2:374).
-
Bazuar në këtë thënie, çfarë i ndodh Presidencës së Parë kur vdes Presidenti i Kishës? Kush e udhëheq Kishën? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani doktrinën vijuese në tabelë: Kur vdes Presidenti i Kishës, Presidenca e Parë shpërbëhet dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve bëhet kuorumi kryesues.)
Shpjegoni se, kur Presidenti i Kishës vdes, këshilltarët në Presidencën e Parë zënë vendet e tyre sërish si anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, bazuar në vjetërsinë e tyre në Kuorum. Kur Kuorumi u organizua fillimisht në vitin 1835, rendi i vjetërsisë përcaktohej nga mosha. Tani vjetërsia përcaktohet nga data kur një njeri bëhet anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 124:127–128 dhe vëreni klasën të kërkojë se kush ishte Apostulli më i vjetër dhe Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në kohën e vdekjes së Jozef Smithit. Kërkojuni atyre të raportojnë për atë çka mësojnë.
-
Bazuar në atë që keni mësuar, përse mund të ishit të gatshëm ta ndiqnit Brigam Jangun pas vdekjes së Profetit Jozef Smith?
Plotësojeni doktrinën në tabelë duke shtuar pjesën e nënvizuar: Kur vdes Presidenti i Kishës, Presidenca e Parë shpërbëhet dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve bëhet kuorumi kryesues nën drejtimin e Apostullit më të vjetër.
Shumë shenjtorë marrin një dëshmi se Brigam Jangu duhej ta udhëheqë Kishën
Shpjegoni se më 8 gusht 1844, shenjtorët në Navu u mblodhën në orën 10:00 për ta dëgjuar Sidni Rigdonin të shpallte pretendimet e tij si kujdestar i Kishës. Për shkak të erës që po frynte drejt tribunës, Sidni Rigdoni hipi mbi një qerre prapa bashkësisë së mbledhur në mënyrë që njerëzit ta dëgjonin më mirë zërin e tij. Bashkësia u kthye që të mund ta shikonte Sidni Rigdonin ndërsa predikonte. Ai u foli mijëra shenjtorëve të mbledhur për një orë e gjysmë, duke shpjeguar përse duhej të ishte ai kujdestari i Kishës. Disa njerëz e përshkruan fjalimin e tij si jofrymëzues.
Presidenti Brigam Jang dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës erdhën dhe u ulën në tribunë, karshi vendit ku po fliste Sidni Rigdoni. Në këtë kohë era kishte pushuar. Pasi mbaroi Sidni Rigdoni, foli Presidenti Brigam Jang. Dëgjuesit u kthyen për ta dëgjuar Brigam Jangun të fliste dhe ia kthyen shpinën qerres që ishte zënë nga Sidni Rigdoni. (Shih George Q. Cannon, “Discourse”, Deseret News, 21 shkurt 1883, f. 67.) Presidenti Brigam Jang foli shkurtimisht dhe tha se ai do të kishte parapëlqyer të kthehej në Navu për të vajtuar për Profetin, sesa për të caktuar një udhëheqës të ri. Ai lajmëroi se një kuvend i udhëheqësve dhe anëtarëve do të mbahej më vonë atë ditë në orën 14:00. Disa anëtarë të Kishës më vonë dëshmuan se teksa Brigam Jangu fliste, ata e panë pamjen e tij të jashtme të ndryshonte dhe e dëgjuan zërin e tij të ndryshonte, dhe ai mori pamjen dhe zërin e Profetit Jozef Smith. Kjo ngjarje e mrekullueshme i ndihmoi shumë shenjtorë të dinin se Zoti donte që Kisha të udhëhiqej nga Brigam Jangu.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë shembujt vijues të asaj që shumë shenjtorë panë dhe dëgjuan:
Benxhamin F. Xhonson kujtoi: “Sapo ai [Brigam Jangu] foli, u hodha përpjetë, sepse në çdo cilësi të mundshme ishte zëri i Jozefit, dhe personi i tij, në pamje, qëndrim, veshje dhe në dukje ishte vetë Jozefi, i mëshiruar; dhe e kuptova në çast se shpirti dhe manteli i Jozefit ishin mbi të” (My Life’s Review, 104, siç citohet te Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 291).
Uilliam C. Stejnsi e përshkroi Brigam Jangun sikur fliste me një “zë si zëri i Profetit Jozef. Unë mendova se ishte ai dhe po kështu menduan mijëra vetë që e dëgjuan atë” (në History of the Church, 7:236)
Uilford Udraf shkroi: “Nëse nuk do ta kisha parë me sytë e mi, askush nuk do të më kishte bindur se ai nuk qe Jozef Smithi dhe kushdo që i njihte këta dy burra, mund të dëshmojë për këtë” (në History of the Church, 7:236)
Shpjegoni se gjatë mbledhjes që u mbajt më vonë atë ditë në orën 14:00, folën Brigam Jangu dhe anëtarë të tjerë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Shumë të tjerë vërejtën se Brigam Jangu u duk dhe tingëlloi si Jozef Smithi kur ai foli atë pasdite. Xhorxh Q. Kanon, i cili ishte 17 vjeç në atë kohë, kujtoi: “Ishte zëri i vetë Jozefit. … Në sytë e njerëzve u duk sikur ishte vetë personi i Jozefit që qëndroi përpara tyre” (në History of the Church, 7:236; shih edhe Edward William Tullidge, Life of Brigham Young [1877], f. 115). Përveç kësaj mrekullie, shumë shenjtorë gjithashtu e ndien Frymën e Shenjtë t’u dëshmonte atyre se Brigam Jangu dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve ishin thirrur nga Perëndia për ta udhëhequr Kishën. Në përfundim të kësaj mbledhjeje, shenjtorët në Navu votuan njëzëri për ta mbështetur Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, me Brigam Jangun në krye të tyre, për ta udhëhequr Kishën. Megjithatë, jo të gjithë anëtarët e Kishës përfundimisht zgjodhën t’i ndiqnin Apostujt. Disa nga njerëzit zgjodhën të ndiqnin në vend të tyre, individë të tillë si Sidni Rigdonin dhe Xhejms Strengun, të cilët formuan kishat e tyre.
-
Si i bekoi Zoti shenjtorët që të dinin se kë kishte caktuar Ai për ta udhëhequr Kishën?
-
Si mund ta dimë se udhëheqësit e Kishës sot thirren nga Perëndia? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani në tabelë parimin vijues: Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, ne mund të marrim një dëshmi se ata që e udhëheqin Kishën, janë thirrur nga Perëndia.)
-
Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të marrim një dëshmi se udhëheqësit tanë të Kishës thirren nga Perëndia?
-
Kur keni marrë një dëshmi se një udhëheqës i Kishës u thirr nga Perëndia? Çfarë bëtë ju për ta marrë atë dëshmi?
Shpjegoni se kur Jozef Smithi vdiq, Apostulli më i vjetër (Brigam Jangu), ishte menjëherë në gjendje t’i ushtronte të gjithë çelësat e priftërisë. Ai kishte të drejtën të merrte zbulesë lidhur me atë se kur të organizonte një Presidencë të Parë të re. Në vitin 1847 – më shumë se dy vjet pas martirizimit – Brigam Jangu u frymëzua ta riorganizonte Presidencën e Parë në vend që të vazhdonte ta udhëhiqte Kishën si President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.
Paraqitni fotografi të Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të tanishëm. Për t’u dhënë studentëve një mundësi që të përmbledhin atë që kanë mësuar, kërkojuni atyre të shpjegojnë atë që i ndodh Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve kur vdes Presidenti i Kishës. Gjithashtu, u kërkoni atyre të përcaktojnë se kush do të ishte Presidenti i Kishës apo Apostulli më i vjetër nëse Presidenti i tanishëm i Kishës do të vdiste sot.
Ju mund të doni ta mbyllni këtë mësim duke dëshmuar se të njëjtat çelësa dhe fuqi të priftërisë që Jozef Smithi i dha Brigam Jangut dhe anëtarëve të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, mbahen sot nga Presidenti i Kishës, Këshilltarët e tij në Presidencën e Parë dhe anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ju mund të tregoni edhe se si e fituat dëshminë tuaj që udhëheqësit e Kishës thirren nga Perëndia. Ftojini studentët të kërkojnë plot lutje që të marrin një dëshmi apo ta forcojnë atë për të vërtetat që kanë diskutuar sot.
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Kronologjia e vijimësisë në Presidencë pas martirizimit të Jozef Smithit
Data | |
---|---|
27 qershor 1844 |
Jozef dhe Hajrëm Smithi martirizohen. |
29 qershor 1844 |
Homazhi i trupave të Jozef dhe Hajrëm Smithit. |
27 qershor–7 korrik 1844 |
Uillard Riçards dhe i plagosuri Xhon Tejlori janë të vetmit Apostuj në Navu. |
8 korrik 1844 |
Parli P. Prat kthehet në Navu dhe i ndihmon Uillard Riçardsin dhe Xhon Tejlorin që të mbajnë rregull në Kishë. |
3 gusht 1844 |
Sidni Rigdoni mbërrin në Navu nga Pitsburgu i Pensilvanisë. |
4 gusht 1844 |
Sidni Rigdoni i thotë një grupi shenjtorësh se duhet të jetë ai kujdestari i Kishës dhe do që të mbahet një mbledhje e veçantë më 6 gusht për ta miratuar detyrën e tij. Mbledhja në fakt mbahet të enjten, më 8 gusht. |
6 gusht 1844 |
Shumica e pjesës së mbetur të Apostujve, përfshirë Brigam Jangun, kthehen në Navu nga misionet e tyre. |
7 gusht 1844 |
Në mëngjes, Apostujt takohen së bashku në shtëpinë e të plagosurit Xhon Tejlor. Në një mbledhje pasdite të Apostujve, këshillit të lartë dhe priftërinjve të lartë, Sidni Rigdoni pretendon sërish se duhet të jetë ai kujdestari i Kishës. Brigam Jangu thotë se ai [Brigam Jangu] mban çelësat dhe dëshiron të bëjë vullnetin e Zotit në këtë çështje. |
8 gusht 1844 |
Gjatë një mbledhjeje në orën 10:00, Sidni Rigdoni u flet për një orë e gjysmë mijëra shenjtorëve të mbledhur, duke u shpjeguar përse ai duhet të jetë kujdestari. Edhe Brigam Jangu flet dhe u kërkon shenjtorëve që të mblidhen sërish për një mbledhje në orën 14:00. Gjatë të dyja mbledhjeve, shumë shenjtorë dëshmojnë se Brigam Jangu përkohësisht duket dhe tingëllon si Jozef Smithi. Gjatë mbledhjes së orës 14:00, shenjtorët i mbështetin Brigam Jangun dhe Dymbëdhjetë Apostujt si udhëheqësit e Kishës. Shumë shenjtorë të Kishës dëshmojnë se manteli i Profetit Jozef Smith bie mbi Brigam Jangun, i cili përkohësisht duket dhe tingëllon si Jozef Smithi. |
Vijimësia në Presidencën e Kishës është vendosur nga Zoti
Vijimësia në Presidencën e Kishës është vendosur nga Zoti. Kisha nuk është kurrë pa udhëheqje të frymëzuar dhe nuk ka arsye për hamendësim ose diskutim se kush do të bëhet Presidenti i ardhshëm i Kishës.
Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim: “Perëndia i di të gjitha gjërat, fundin që nga fillimi dhe askush nuk bëhet president i kishës së Jezu Krishtit në mënyrë të rastësishme ose mbetet atje rastësisht apo thirret në shtëpi në mënyrë të rastësishme” (“Jesus Christ – Gifts and Expectations”, New Era, maj 1975, f. 16–17).
Dhënia nga ana e Jozef Smithit të çelësave të mbretërisë Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve
Uillford Udraf, i cili ishte një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shënoi atë që ndodhi në mars 1844 përpara se Jozef Smithi të vritej:
“Ai qëndroi për afër tri orë në një dhomë duke na mbajtur leksionin e tij të fundit. Dhoma qe e mbushur si me një zjarr konsumues. Fytyra e tij ishte e kthjellët si qelibar; fjalët e tij për ne ishin të qarta e të fuqishme. Ato depërtuan në çdo pjesë të trupit tonë, nga maja e kokës deri te shputat e këmbëve. Ai tha: ‘Vëllezër, Zoti i Plotfuqishëm ka vulosur mbi kokën time çdo Priftëri, çdo çelës, çdo fuqi, çdo parim që i përket periudhës së fundit ungjillore të plotësisë së kohës dhe për ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë. Unë i kam vulosur mbi kokat tuaja të gjitha ato parime, Priftërinë, apostullimin dhe çelësat e mbretërisë së Perëndisë, dhe tani ju duhet t’i përvishni mëngët dhe ta drejtoni këtë mbretëri ose ju do të mallkoheni’” (Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff [2004], xxxii).