Seminare dhe Institute
Mësimi 77: Doktrina e Besëlidhje 75


Mësimi 77

Doktrina e Besëlidhje 75

Hyrje

Në një konferencë të Kishës të mbajtur më 25 janar 1832, Profeti Jozef Smith mori dy zbulesa, të cilat gjenden te Doktrina e Besëlidhje 75. Zbulesa e parë, e shënuar te vargjet 1–22, iu dha një grupi pleqsh të cilët kishin dhënë emrat e tyre për shërbim misionar. Zoti i udhëzoi këta pleq lidhur me detyrat e tyre misionare dhe u caktoi atyre shokë misioni. Zbulesa e dytë, e shënuar te vargjet 23–36, iu dha një grupi të dytë pleqsh të cilët dëshironin të dinin vullnetin e Zotit lidhur me ta. Zoti i udhëzoi këta pleq të siguroheshin se për familjet e tyre do të kishte përkujdesje dhe ta pranonin thirrjen për të predikuar ungjillin.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 75:1–5

Zoti u drejtohet atyre që dëshirojnë të predikojnë ungjillin

ikona e fletushkësDisa ditë përpara se ta jepni këtë mësim, ftojeni një student që ka marrë një thirrje misioni, një student që së shpejti mund të dorëzojë formularin për të shërbyer një mision ose një misionar të sapokthyer që të ndihmojnë për të dhënë mësim mbi përhapjen e ungjillit. Jepini personit një kopje të planit vijues të mësimdhënies dhe kërkojini atij ose asaj të studiojë Doktrinën e Besëlidhjet 75:1–4 dhe të përgatitet për t’ia dhënë klasës atë pjesë të mësimit.

Pas kohës shpirtërore të orës mësimore, jepini kohë studentit ose misionarit të kthyer për të dhënë mësimin që ai ose ajo e ka përgatitur.

Plani Mësimor i Sugjeruar për Doktrinën e Besëlidhjet 75:1–4

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 75:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar se kujt po i drejtohej Zoti në këto vargje.

Pyetni: Kujt po i fliste Zoti në këto vargje? (Pleqve që i kishin dhënë emrat e tyre për punë misionare.)

Tregojini klasës se aktualisht ka dy zbulesa të ndërthurura te Doktrina e Besëlidhje 75 dhe se ato u dhanë në një konferencë të Kishës. Zbulesa e parë iu dha një grupi misionarësh dhe shpjegonte mënyrën se si mund të ishin më të efektshëm për t’i ndihmuar të tjerët që ta kuptonin mesazhin e tyre.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 75:3–4. Vëreni klasën të kërkojë këshillat e Zotit për pleqtë, lidhur me thirrjen e tyre për të predikuar ungjillin. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë atë që zbulojnë në shkrimet e tyre të shenjta.

Pyetni: Sipas vargjeve 3–4, çfarë donte Zoti që të bënin pleqtë ndërsa predikonin ungjillin?

Ftojini disa studentë të shpjegojnë atë që mendojnë se do të thonë frazat “shkoni dhe të mos qëndroni”, “mos jini dembelë” dhe “punoni me fuqi”.

Pasi anëtarët e klasës të jenë përgjigjur, shpjegoni përse ju mendoni se ata që thirren për të shpallur ungjillin, duhet të njohin dhe të japin mësim zbulesat dhe urdhërimet që Zoti na ka dhënë (shih vargun 4).

Pyetni: Si mendoni, përse është e rëndësishme që misionarët e Zotit t’i shërbejnë Atij në këto mënyra?

Tregojini klasës atë që po bëni (ose atë që bëtë, nëse keni shërbyer në një mision) për t’u përgatitur ta shpallni ungjillin në mënyrën që Zoti e përshkroi te Doktrina e Besëlidhje 75:3–4. Përfundoni duke dhënë mendimet tuaja mbi atë që studentët mund të bëjnë për të përhapur ungjillin në këtë mënyrë, në këtë kohë, në jetën e tyre.

Pasi studenti ose misionari i kthyer të kenë përfunduar mësimdhënien, shkruani në tabelë thënien e paplotë vijuese: Nëse jemi besnikë në shpalljen e ungjillit, Zoti do të …

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 75:5 dhe të përcaktojnë premtimet që Zoti u dha atyre misionarëve.

  • Çfarë u premtoi Zoti atyre që e shpallin besnikërisht ungjillin e Tij?

Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se fjala duaj i referohet këputjes së kallinjve të drithit dhe pastaj të lidhurit të tyre në dengje ose duaj. Pasja e “shumë duaj[ve]” nënkupton pasjen e një të korre të bollshme.

  • Cilët mund të jenë disa nga “duaj[t]” që marrin misionarët të cilët janë besnikë në përhapjen e ungjillit? (Duajt mund t’u referohet njerëzve që e pranojnë mesazhin e tyre [të kthyerit të besim] si edhe bekimeve të përjetshme, të renditura në vargun 5.)

Kërkojuni studentëve të përmbledhin premtimet e përfshira te Doktrina e Besëlidhje 75:5 duke plotësuar thënien e parimit në tabelë. Sa vijon është një mënyrë se si studentët mund ta shprehin këtë parim: Nëse jemi besnikë në shpalljen e ungjillit, Zoti do të na bekojë me nder, lavdi dhe jetë të përjetshme.

  • Si mendoni, përse ata që e shpallin besnikërisht ungjillin do të marrin bekime të tilla kaq të mëdha?

Doktrina e Besëlidhje 75:6–22

Zoti thërret dhe udhëzon dyshet misionare

Shpjegoni se pasi Zoti iu dha udhëzime dhe premtime pleqve që do të shërbenin në misione, Ai i grupoi ata në dyshe misionare dhe i dha secilës dyshe udhëzime të veçanta.

Ndajini studentët në dyshe. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 75:6–12 dhe një studenti tjetër të lexojë vargjet 13–14. Ndërsa lexojnë, vërini të kërkojnë përgjigjet për pyetjet në vijim:

  1. Kujt po i fliste Zoti?

  2. Çfarë bekimi u premtoi Zoti atyre nëse do të ishin besnikë në shpalljen e ungjillit?

Pasi studentët t’i kenë lexuar vargjet që iu caktuan atyre, ftojini ata t’i thonë partnerit të tyre përgjigjet për pyetjet e mësipërme.

  • Çfarë këshille shtesë i dha Zoti Uilliam E. Mek-Lelinit dhe Luk Xhonsonit në vargjet 8–11, që mund të na ndihmojë ta shpallim në mënyrë të efektshme ungjillin? (Të lutemi që të marrim Ngushëlluesin – Frymën e Shenjtë – që të na mësojë dhe forcojë që të mbetemi besnikë.)

  • Çfarë premtimi i përsëriti Zoti secilës prej dysheve misionare te vargjet 11, 13 dhe 14? (Ai do të ishte me ta. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë premtim të përsëritur.)

Kërkojuni studentëve të shprehin një parim që e mësojnë nga këto vargje. Megjithëse studentët mund të përdorin fjalë të tjera, ata duhet të jenë në gjendje të përcaktojnë parimin vijues: Nëse jemi besnikë në shpalljen e ungjillit, Zoti do të jetë me ne.

  • Çfarë përvojash keni pasur ju apo dikush që e njihni, që ju kanë siguruar se Zoti do të jetë me ata që e përhapin besnikërisht ungjillin e Tij mes të tjerëve?

Ftojini studentët të marrin në shqyrtim atë që do t’i thoshin një miku apo një pjesëtari të familjes, i cili po haste vështirësi ndërsa shërbente në një mision kohëplotë. Kërkojuni atyre të përdorin parimet që kanë mësuar në mësim sot dhe të shkruajnë një letër të shkurtër nxitjeje për atë misionar në fletoren e tyre të klasës ose në ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Ftojini studentët që të shkruajnë në letër atë që misionarët mund të bëjnë për ta shpallur më besnikërisht ungjillin dhe cilat janë disa nga bekimet që u vijnë atyre që e bëjnë këtë.

Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’i shkruar letrat e tyre, kërkojuni disave prej tyre të tregojnë atë që shkruan.

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 75:15–22 duke shpjeguar se Zoti i udhëzoi misionarët që t’i bekonin vatrat familjare të atyre që i pranonin ata. Ai gjithashtu u mësoi atyre çfarë të bënin kur nuk pranoheshin nga ata të cilëve u flisnin për ungjillin. (Ju mund të doni të shpjegoni se shkundja e pluhurit nga këmbët si një dëshmi kundër atyre që nuk i pranojnë misionarët dhe mesazhin e tyre, bëhet vetëm në rrethana të rralla kur Zoti e urdhëron qartësisht atë.)

Doktrina e Besëlidhje 75:23–29

Zoti shpjegon se si duhet të mbështeten familjet e atyre që Ai i thërret për të shërbyer në misione

Shpjegoni se zbulesa e dytë që përfshihet te Doktrina e Besëlidhje 75 iu dha një grupi të ndryshëm pleqsh. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjen 75:23 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që këta pleq dëshironin të dinin.

Shpjegoni se në vitet e hershme të Kishës shumë burra që u thirrën për të shërbyer në misione, kishin gra dhe fëmijë që vareshin nga ata për mbështetje. Pranimi i thirrjes për të shërbyer ishte një sakrificë e madhe për të gjithë familjen. Një shqetësim i natyrshëm për shumë pleq do të kishte qenë se çfarë do t’u ndodhte familjeve të tyre nëse e pranonin një thirrje për të predikuar ungjillin larg shtëpisë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 75:24–28. Ftojeni klasën të kërkojë udhëzimet e Zotit për pleqtë që nevojiteshin për të predikuar ungjillin, por që kishin familje për t’u kujdesur.

  • Sipas vargut 24, kur një bashkëshort dhe baba shërben në një mision kohëplotë, kush duhej të ndihmonte për ta mbështetur familjen e tij?

  • Te vargu 26, çfarë i udhëzoi Zoti pleqtë të bënin, nëse do të ishin në gjendje të gjenin një vend ku familjet e tyre do të mbështeteshin?

  • Te vargu 28, çfarë u tha Zoti atyre, të cilëve, rrethanat nuk do t’i lejonin të largoheshin nga familjet e tyre për të shpallur ungjillin?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 75:29. Vëreni klasën të kërkojë këshillat që u dha Zoti të gjithë këtyre burrave. Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se një përtac është një individ që nuk është i gatshëm të punojë.

  • Cilën frazë te vargu 29 mund të përdorni për të përmbledhur këshillat e Zotit për pleqtë, të cilët ishin në gjendje të shërbenin në misione dhe për ata që duhej të qëndronin në shtëpi për t’u kujdesur për familjet e tyre? (“Çdo njeri duhet të jetë i zellshëm në gjithçka.” Sigurohuni që studentët ta kuptojnë se kjo frazë gjen zbatim për ne të gjithë dhe se Zoti na urdhëron të jemi të zellshëm në gjithçka.)

  • Çfarë do të thotë të jesh “i zellshëm në gjithçka”? (Të jesh i qëndrueshëm, këmbëngulës, i vëmendshëm dhe punëtor.)

Doktrina e Besëlidhje 75:30–36

Zoti i cakton pleqtë që të shërbejnë si dyshe misionare

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 75:30–36 duke shpjeguar se në fund të kësaj zbulese, Zoti caktoi më shumë dyshe misionare.

Mbylleni mësimin duke i ftuar studentët të shkruajnë atë që mund të bëjnë sot për të qenë më të zellshëm në shërbimin e tyre ndaj Zotit. Ftoni një ose dy studentë që të japin mendimet dhe dëshmitë e tyre për parimet e diskutuara në klasë sot.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 75:6–12. Përgjigjja e Uilliam E. Mek-Lelinit ndaj thirrjes për të shpallur ungjillin

Më 29 tetor 1831 Uilliam E. Mek-Lelini mori thirrjen për të shërbyer në një mision në lindje të Shteteve të Bashkuara dhe Samuel H. Smithi u thirr si shoku i tij (shih DeB 66:5–8). Uilliam Mek-Lelini iu përgjigj thirrjes; megjithatë, ai e përfundoi misionin e tij herët dhe u kthye në Kirtland të Ohajos në fund të dhjetorit 1831.

Siç gjendet te Doktrina e Besëlidhje 75:6–13, Zoti e qortoi Uilliam E. Mek-Lelinin për mërmëritjet e tij, ia hoqi thirrjen për të shërbyer në shtetet e lindjes dhe thirri Orson Hajdin që ta zëvendësonte atë si shokun e Samuel Smithit. Megjithatë, Zoti me plot mëshirë i dha një thirrje tjetër Vëllait Mek-Lelin, që ta shpallte ungjillin në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara, me Luk Xhonsonin si shokun e tij. Vëllai Mek-Lelin e pranoi thirrjen për të shërbyer, por nuk vazhdoi besnikërisht. Ai shpejt tha se ishte shumë i sëmurë për ta vazhduar misionin e tij. Pasi e la misionin, ai udhëtoi për në Hajrëm të Ohajos dhe u martua me Emilin Millerin.

Pasi shërbeu në misione të tjera dhe pasi shërbeu për njëfarë kohe si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, Uilliam E. Mek-Lelini u shkishërua më 11 maj 1838, pasi rrëfeu se e kishte ndërprerë lutjen dhe zbatimin e urdhërimeve.

Doktrina e Besëlidhje 75:20–22. “Shkundni pluhurin nga këmbët tuaja”

Veprimi i shkundjes ose pastrimit të pluhurit nga këmbët e dikujt është një dëshmi kundër atyre që refuzojnë ta pranojnë ungjillin (shih DeB 24:15; 60:15; 84:92; 99:4). Presidenti Jozef Filding Smith shpjegoi:

Presidenti Jozef Filding Smith

“Kur Zoti ynë i dërgoi dishepujt e tij për të shpallur mesazhin e Ungjillin, ai i udhëzoi ta shkundnin pluhurin nga këmbët e tyre si dëshmi ndaj atyre që i kundërshtonin. Në mënyrë të ngjashme … Zoti i udhëzoi pleqtë se ata kishin të njëjtin privilegj. … Pastrimi i këmbëve të tyre, ose me anë të larjes ose me anë të fshirjes së pluhurit, do të shënohej në qiell si një dëshmi kundër të ligjve. Megjithatë, ky veprim nuk duhej të kryhej në praninë e fyesve, ‘që të mos i provokosh, por në fshehtësi; dhe laji këmbët e tua, si dëshmi ndaj tyre në ditën e gjykimit’ [DeB 60:15]. Misionarët e Kishës që e kryejnë besnikërisht detyrën e tyre, janë nën detyrimin për ta lënë dëshminë e tyre me të gjithë ata që kanë kontakt në punën e tyre. Kjo dëshmi, në [ditën] e gjykimit, do të qëndrojë si dëshmi kundër atyre që nuk e pranojnë mesazhin” (Church History and Modern Revelation, 2 vëll. [1953], 1:223; shih edhe Komente dhe Informacion për Rrethanat për DeB 24:15 në mësimin 31).

Shkundja e pluhurit nga këmbët e një njeriu shërben si dëshmi kundër atyre që nuk i pranojnë tërësisht shërbëtorët e autorizuar të Zotit. Ai kryhet vetëm në rrethana të rralla, kur Zoti e urdhëron atë qartësisht. Ky veprim shërben si dëshmi e mospranimit të tyre dhe se ata që ua predikuan ungjillin, nuk janë më përgjegjës për ta përpara Zotit.