Seminare dhe Institute
Mësimi 142: Doktrina e Besëlidhje 133:36–74


Mësimi 142

Doktrina e Besëlidhje 133:36–74

Hyrje

Ky mësim shqyrton pjesën e dytë të zbulesës së shënuar te Doktrina e Besëlidhje 133. Jozef Smithi e mori këtë zbulesë më 3 nëntor 1831. Ajo u përgjigjet pyetjeve që kishin misionarët rreth predikimit të ungjillit dhe mbledhjes së Izraelit. Ajo gjithashtu përshkruan Ardhjen e Dytë të Zotit dhe shpjegon atë që duhet të bëjmë për t’u përgatitur për të.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 133:36–40

Zoti shpall se ungjilli i rivendosur do të predikohet në të gjithë botën

Fillojeni mësimin duke bërë pyetjen vijuese:

  • Kur keni qenë shumë i emocionuar ngaqë keni parë dikë? (Ftojini disa studentë të tregojnë përvojat e tyre. Ju gjithashtu mund të doni të tregoni një përvojë.)

Ardhja e Dytë

Paraqitni figurën Ardhja e Dytë (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 66; shih edhe LDS.org).

  • A jeni i emocionuar ta shikoni Shpëtimtarin në Ardhjen e Tij të Dytë? Përse?

Shpjegoni se Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit do të jetë një përvojë e këndshme dhe e mrekullueshme për disa dhe një përvojë e frikshme për të tjerë. Dëshmoni se Shpëtimtari dëshiron që të gjithë njerëzit ta përgatitin veten e tyre për ardhjen e Tij.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 133:36–39. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar prova se Shpëtimtari dëshiron që të gjithë njerëzit të jenë të përgatitur për Ardhjen e Tij të Dytë.

  • Çfarë provash shihni në këto vargje se Shpëtimtari dëshiron që të gjithë njerëzit të jenë të përgatitur për Ardhjen e Tij të Dytë? (Ai dërgoi një engjëll [ose engjëj] për ta rivendosur ungjillin në tokë. Ai gjithashtu po i dërgon shërbëtorët e Tij për t’ua predikuar ungjillin të gjithë njerëzve.)

  • Kush janë shërbëtorët e Perëndisë që do të predikojnë mesazhin e ungjillit të rivendosur? (Të gjithë anëtarët e Kishës janë shërbëtorë të Perëndisë që kanë përgjegjësinë për ta ndarë ungjillin me të tjerët. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë parimin vijues në shkrimet e tyre të shenjta: Si shërbëtorë të Perëndisë, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të përgatiten për Ardhjen e Dytë duke e ndarë ungjillin me ta.)

  • Sipas vargut 38, si duhet ta predikojmë ne ungjillin? Çfarë mendoni se mund të nënkuptojë ndarja e ungjillit “me një zë të lartë”? (Përgjigjet mund të përfshijnë që ne duhet ta ndajmë ungjillin me guxim dhe bindje.)

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 133:40 dhe të kërkojnë diçka tjetër që shërbëtorët e Perëndisë do të bëjnë përpara Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit.

  • Sipas vargut 40, çfarë do të bëjnë shërbëtorët e Perëndisë përpara Ardhjes së Dytë? (Ata do të luten për kthimin e Shpëtimtarit.)

Doktrina e Besëlidhje 133:41–56

Jezu Krishti përshkruan Ardhjen e Tij të Dytë

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 133:41–45. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar bekimet që do t’u vijnë atyre që luten dhe e presin Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

  • Sipas vargut 45, çfarë u premton Zoti atyre që do ta presin Atë? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani në tabelë të vërtetën vijuese: Zoti ka përgatitur bekime të mëdha për ata që e presin Atë.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë ta presësh Zotin? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se fraza “pret Zotin” do të thotë më shumë se sa thjesht ta kalosh kohën derisa të vijë Ai. Do të thotë të vëzhgosh dhe të jesh gati dhe të marrësh pjesë në punën e Tij.)

Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë më mirë se si ta presin Zotin dhe ardhjen e Tij, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojuni studentëve të mbajnë vesh për hapat që duhet të marrim ndërsa presim Ardhjen e Dytë.

Plaku Xhefri R. Holland

“Për secilin prej jush që është i shqetësuar për të ardhmen …

Perëndia pret nga ju që të keni mjaft besim dhe vendosmëri dhe mjaft mirëbesim tek Ai që të vazhdoni përpara, të vazhdoni të jetoni, të vazhdoni të gëzoheni. Në fakt, Ai pret nga ju që jo vetëm t’i bëni ballë së ardhmes (kjo tingëllon goxha e zymtë dhe stoike); Ai pret që ju ta përqafoni dhe t’i jepni formë së ardhmes – ta doni atë dhe të gëzoheni në të dhe të kënaqeni në mundësitë tuaja.

Perëndia pret me padurim mundësinë që t’u përgjigjet lutjeve tuaja dhe t’i përmbushë ëndrrat tuaja, ashtu siç ka bërë gjithmonë. Po Ai nuk mundet nëse ju nuk luteni dhe Ai nuk mundet nëse ju nuk ëndërroni. Me pak fjalë, Ai nuk mundet nëse ju nuk besoni” (“Terror, Triumph, and a Wedding Feast” [takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës, 12 shtator 2004], f. 3, speeches.byu.edu).

  • Çfarë tha Plaku Holland se ne duhet të bëjmë ndërkohë që presim Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 133:46–47 dhe të raportojnë atë që mësojnë rreth disa njerëzve që do të jenë në tokë në kohën e Ardhjes së Dytë. Studentët duhet të pranojnë se jo të gjithë njerëzit do ta dinë se kush është Jezu Krishti në kohën e Ardhjes së Tij të Dytë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 133:48–49. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një përshkrim të asaj se si do të duket Jezu Krishti në kohën e Ardhjes së Tij të Dytë.

  • Çfarë do të jetë e veçantë rreth shfaqjes së Shpëtimtarit në kohën e Ardhjes së Tij të Dytë? (Ai do të jetë i veshur me një veshje të kuqe dhe do të shfaqet me lavdi të madhe.)

gaviç

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë simbolikën e veshjes së kuqe të Shpëtimtarit, vini në dukje termin gaviç te vargu 48 Paraqitni figurën shoqëruese të një gaviçi (që quhet edhe shtypëse rrushi) ose vizatoni një të tillë në tabelë. Shpjegoni se në botën e lashtë, një shtypëse rrushi ishte një legen i madh që përdorej për nxjerrjen e lëngut nga rrushi. Legeni do të mbushej me rrush dhe disa njerëz do të hynin dhe do të shkelnin mbi rrushin, i cili lëshonte lëng. Ndërsa njerëzit e shtypnin rrushin e kuq ose vishnje, lëngu i njolloste këmbët dhe veshjet e tyre me një ngjyrë të purpurt.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 133:50–51.

  • Si mund të na ndihmojnë këto vargje që ta kuptojmë drejtësinë e Zotit? (Ju mund të doni t’u kujtoni studentëve se të ligjtë që nuk pranojnë të pendohen duhet të vuajnë kërkesat e drejtësisë dhe nuk do ta durojnë ditën e Ardhjes së Dytë [shih DeB 38:8]. Ngjyra e kuqe e rrobës së Zotit përfaqëson gjakun e të ligjve që do të shkatërrohen kur drejtësia të derdhet mbi ta në Ardhjen e Dytë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 133:52–53. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që të drejtët do të kujtojnë dhe do të përmendin në kohën e Ardhjes së Dytë. Ftojini studentët të raportojnë për atë që gjejnë.

  • Çfarë na mësojnë këto vargje rreth mëshirës së Zotit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 133:54–56. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të përcaktojë se kush do të shfaqet me Shpëtimtarin në Ardhjen e Dytë.

  • Kush do të shfaqet me Shpëtimtarin në Ardhjen e Dytë? (Të drejtët që jetuan përpara Jezu Krishtit dhe që tashmë janë ringjallur do të vijnë me Të në lavdinë e Tij. Përveç kësaj, të drejtët që jetuan dhe vdiqën pas Jezu Krishtit do të ringjallen dhe do të vijnë për t’u bashkuar me Shpëtimtarin dhe me ata që janë me Të. Ju mund të doni të përmendni se kjo përfshin pjesëtarët e drejtë të familjes sonë të cilët kanë vdekur. Të drejtët që jetojnë ende në tokë, do të “rrëmbehe[n]” për të takuar Shpëtimtarin [shih 1 Thesalonikasve 4:17; DeB 109:75].)

Doktrina e Besëlidhje 133:57–74

Ungjilli dërgohet që ta përgatitë tokën për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit

Ndajini studentët në dyshe. Ftojini ata që t’i diskutojnë pyetjet vijuese me partnerët e tyre:

  • Çfarë keni mësuar nga Doktrina e Besëlidhje 133 rreth Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit? Cilat janë ndjenjat tuaja kur mendoni për këto ngjarje?

Pasi studentët t’i kenë diskutuar këto pyetje, ftojini studentët të studiojnë me partnerët e tyre Doktrinën e Besëlidhjet 133:57–62 dhe të kërkojnë të vërtetat se përse ungjilli po dërgohet përpara Ardhjes së Dytë të Zotit. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të tregojnë atë që kanë mësuar.

Dëshmoni se ndërsa ne mësojmë ungjillin dhe e jetojmë atë, ne do të jemi të përgatitur për Ardhjen e Dytë.

  • Sipas vargut 62, çfarë bekimi përfundimtar do të marrim ne? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Ata që pendohen dhe e shenjtërojnë veten e tyre, do të marrin jetë të përjetshme.)

Për t’i ndihmuar studentët ta lidhin këtë parim me një parim që e kanë përcaktuar më herët, bëni pyetjen vijuese:

  • Si lidhet parimi te vargu 62 me parimin që përcaktuam te Doktrina e Besëlidhje 133:45, i cili thotë se “[bekime të] madhërishme [ka] përgatitur [Zoti] për at[a] që e pre[sin Atë]”?

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 133:63–74 duke shpjeguar se në këto vargje Zoti përcaktoi disa nga pasojat për ata që nuk do të pendohen dhe nuk do të përgatiten për Ardhjen e Dytë. Disa nga këto pasoja përfshijnë të qenit i përjashtuar nga Zoti dhe njerëzit e Tij të drejtë (shih DeB 133:63) dhe të qenit i “dorëzua[r ndaj] errësir[ës]” (DeB 133:72), duke nënkuptuar se të ligjtë që vdesin në Ardhjen e Dytë, do të hyjnë në një vend të quajtur burgu i shpirtrave apo ferri (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Ferr”, scriptures.lds.org).

Për ta përfunduar këtë mësim, ftojini studentët të shkruajnë në fletoren e klasës ose ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta atë që kanë mësuar te Doktrina e Besëlidhje 133, e cila e ka forcuar kuptueshmërinë dhe dëshminë e tyre për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Merreni parasysh t’i ftoni disa studentë që t’i ndajnë këto mendime me klasën. Dëshmoni për të vërtetat që keni diskutuar.