Mësimi i Studimit në Shtëpi
Doktrina e Besëlidhje 65–71 (Njësia 15)
Hyrje
Ky mësim përqendrohet te fjalët e Zotit drejtuar Uilliam E. Mek-Lelinit në Doktrina e Besëlidhje 66. Nëpërmjet studimit nga ana e tyre të këtij seksioni, studentët mund të mësojnë rëndësinë e pendimit për të gjitha mëkatet e tyre, duke i hequr nga jeta e tyre gjërat që e pengojnë përparimin e tyre shpirtëror dhe duke qëndruar besnikë deri në fund.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 66
Zoti e urdhëron Uilliam E. Mek-Lelinin të shpallë ungjillin, të braktisë të gjithë padrejtësinë dhe të vazhdojë me besnikëri deri në fund
Përpara orës mësimore, kopjojeni skemën vijuese në tabelë.
Kur fillon ora mësimore, ftojini studentët të shqyrtojnë skemën në tabelë. Kërkojuni atyre të përsiatin në heshtje se ku do ta vendosnin veten e tyre në skemë. Gjithashtu sugjeroni që ata të marrin në shqyrtim se në cilin drejtim po lëvizin – më pranë Perëndisë apo më larg Tij. Më pas ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë. Vëreni klasën të dëgjojë për mënyrat se si mund të afrohemi më pranë Perëndisë.
“Nëse doni të qëndroni afër me dikë që ka qenë i dashur për ju, por nga i cili jeni larguar, ju e dini se si ta bëni atë. Ju do të gjenit një mënyrë për t’i folur atij, do ta dëgjonit atë dhe do të zbulonit mënyra për të bërë gjëra për njëri-tjetrin. Sa më shpesh që të ndodhte ajo, sa më shumë që të zgjaste, aq më e thellë do të ishte lidhja e dashurisë. Nëse do të kalonte shumë kohë pa folur, pa dëgjuar dhe pa bërë gjë, lidhja do të dobësohej.
Perëndia është i përkryer e i plotëfuqishëm, dhe unë e ju jemi të vdekshëm. Por ai është Ati ynë, ai na do dhe na ofron të njëjtën mundësi për t’u afruar më pranë Tij, ashtu siç do të bënte një mik i dashur. Dhe ju do ta bëni këtë pothuaj në të njëjtën mënyrë: duke folur, duke dëgjuar dhe duke bërë” (“To Draw Closer to God”, Ensign, maj 1991, f. 66).
-
Sipas Presidentit Ajring, si mund të afrohemi më pranë Perëndisë?
-
Si mendoni ju, çfarë do të thotë të flasësh, të dëgjosh dhe të bësh ndërsa kërkojmë të afrohemi më pranë Perëndisë?
Shpjegoni se në ditët e hershme të Kishës, një burrë i quajtur Uilliam E. Mek-Lelin u afrua më pranë Perëndisë kur mësoi rreth ungjillit të rivendosur. Ai u pagëzua më 20 gusht 1831. Shpejt pas kësaj, ai u shugurua plak dhe e shoqëroi Hajrëm Smithin për disa javë si misionar. Në tetor të vitit 1831, ai udhëtoi drejt Ohajos për një konferencë të Kishës. Ndërsa ishte atje, ai u takua me Profetin Jozef Smith. Më 29 tetor, Vëllai Mek-Lelin u lut në fshehtësi, duke i kërkuar Zotit që nëpërmjet Profetit t’u jepte përgjigje pesë pyetjeve të veçanta. Pa ia treguar pyetjet Jozef Smithit, Vëllai Mek-Lelin kërkoi një zbulesë. Ndërsa Profeti diktonte zbulesën që gjendet te Doktrina e Besëlidhje 66, Vëllai Mek-Lelin zbuloi që secila prej pyetjeve të tij kishte marrë përgjigje. Zoti i dha atij udhëzime dhe paralajmërime që ta ndihmonte të qëndronte besnik dhe në përfundim të merrte jetën e përjetshme.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 66:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar arsyet përse Zoti e bekoi Uilliam Mek-Lelinin në kohën e kësaj zbulese.
-
Përse Vëllai Mek-Lelin kishte qenë në gjendje të merrte bekime nga Zoti? (Ngaqë ishte larguar prej mëkateve të tij, i kishte pranuar të vërtetat e Zotit dhe kishte marrë plotësinë e ungjillit.)
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 66:3, duke kërkuar atë që tha Zoti se Vëllai Mek-Lelin duhej të bënte ende për ta kënaqur Atë. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që mësojnë.
-
Si mendoni ju, çfarë do të thotë të jesh “i pastër, por jo i tëri”? (Mund t’ju duhet t’i ndihmoni studentët të kuptojnë që, megjithëse Vëllai Mek-Lelin kishte bërë një përparim të madh dhe ishte bekuar për përpjekjet e tij, ai kishte ende nevojë të pendohej për disa mëkate.)
-
Çfarë mund të mësojmë nga këshilla e Zotit në vargun 3? (Studentët duhet të përcaktojnë urdhërimin vijues: Ne urdhërohemi që të pendohemi për të gjitha mëkatet tona.)
-
Përse është e rëndësishme që të pendohemi për të gjitha mëkatet tona dhe jo vetëm për disa prej tyre?
-
Çfarë mund të mësojmë nga ky varg rreth mënyrës se si do të na ndihmojë Zoti me pendimin tonë? (Përgjigjet e studentëve mund të ndryshojnë, por ata duhet të shprehin parimin vijues: Zoti do të na tregojë gjërat për të cilat kemi nevojë të pendohemi.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Henri B. Ajring. Vëreni klasën të dëgjojë për një mënyrë se si mund t’i kërkojmë Zotit që të na ndihmojë të pendohemi.
“Një nga pyetjet që duhet t’i bëjmë Atit tonë Qiellor në lutje të fshehtë është kjo: ‘Çfarë kam bërë ose nuk kam bërë sot, që nuk të kënaq Ty? Sikur vetëm ta di, unë do të pendohem me të gjithë zemrën time pa u vonuar’. Ajo lutje e përulur do të marrë përgjigje” (“Do Not Delay”, Ensign, nëntor 1999, f. 34).
Nxitini studentët të mendojnë për bekimet që ata kanë marrë kur janë larguar nga mëkati dhe e kanë pranuar ungjillin. Ftojini ata të kërkojnë të dinë gjërat për të cilat kanë nevojë të pendohen, që të marrin bekime edhe më të mëdha.
Ndajini studentët në dyshe. Kërkojuni dysheve të lexojnë së bashku Doktrinën e Besëlidhjet 66:5–9, duke kërkuar çfarë donte Zoti që të bënte Vëllai Mek-Lelin. Kërkojuni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë.
-
Sipas vargjeve 8–9, çfarë bekimesh do të merrte Vëllai Mek-Lelin nëse do ta bënte besnikërisht vullnetin e Zotit?
-
Çfarë mund të mësojmë nga këto vargje rreth bekimeve që mund të marrim kur e ndjekim vullnetin e Zotit për ne? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse jemi besnikë në bërjen e vullnetit të Zotit, Ai do të jetë me ne dhe do të na bekojë që të mund ta përmbushim atë që Ai kërkon prej nesh.)
Shpjegoni që përveçse Zoti i dha udhëzime Uilliam Mek-Lelinit për atë që duhej të bënte, Zoti i dha atij një paralajmërim. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë dy fjalitë e para të Doktrinës e Besëlidhjeve 66:10. Përpara se ai ose ajo të lexojë, vini në dukje se fjalia e parë përfshin fjalën rëndohesh. Shpjegoni që diçka na rëndon nëse ajo e bllokon udhën tonë ose e bën një detyrë shumë të vështirë për ta përmbushur.
-
Zoti e urdhëroi Vëllanë Mek-Lelin ta “braktis[te] gjithë padrejtësinë”. Si do ta rëndonte padrejtësia ose mëkati, punën e tij misionare?
-
Si na rëndon padrejtësia shpirtërisht?
Lexoni me zë të lartë fjalinë e tretë të Doktrinës e Besëlidhjeve 66:10 dhe ftojeni klasën të kërkojë një paralajmërim të veçantë që Zoti i dha Uiliam Mek-Lelinit.
-
Sipas vargut 10, me çfarë tundimi kishte hasur vështirësi Vëllai Mek-Lelin?
-
Çfarë mund të mësojmë nga vargu 10 rreth njohurisë së Zotit rreth secilit prej nesh? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se Zoti i njeh sfidat dhe tundimet tona të veçanta, ashtu siç i njihte Ai sfidat dhe tundimet e Vëllait Mek-Lelin.)
-
Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të kuptojmë se Zoti i njeh sfidat dhe tundimet tona të veçanta?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 66:11–13. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar këshillën shtesë që Zoti i dha Uilliam Mek-Lelinit.
-
Sipas vargut 12, çfarë duhet të bëjmë që të marrim jetë të përjetshme? (Ndihmojini studentët të pranojnë që, nëse vazhdojmë me besnikëri deri në fund, ne do të marrim jetë të përjetshme.)
-
Çfarë do të thotë për ju të vazhdoni me besnikëri deri në fund?
Shpjegoni se kur u dha kjo zbulesë, Uilliam Mek-Lelini kishte marrë një dëshmi për ungjillin e rivendosur. Pasi u dha kjo zbulesë, ai dëshmoi për thirrjen profetike të Jozef Smithit. Vëllai Mek-Lelin shërbeu me besnikëri për disa vjet dhe u thirr të shërbente si një nga anëtarët e parë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në këtë periudhë ungjillore. Megjithatë, ai nuk vazhdoi me besnikëri deri në fund. Në fakt, ai u kthye kundër Profetit Jozef Smith, dhe u shkishërua në vitin 1838.
Drejtojeni vëmendjen e studentëve te skema në tabelë dhe sugjeroni që ata të marrin edhe një herë në shqyrtim se ku do ta vendosnin veten e tyre në atë skemë. Kërkojuni që të përsiatin pyetjen vijuese:
-
Çfarë do të bëni që të afroheni më pranë Perëndisë dhe të vazhdoni me besnikëri deri në fund?
Dëshmoni për doktrinat dhe parimet që keni diskutuar dhe nxitini studentët të veprojnë në bazë të këtyre të vërtetave.
Njësia Tjetër (Doktrina e Besëlidhje 72–76)
Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë se si do të ishte po të merrnin një vështrim të shpejtë të ferrit (errësirës së jashtme) dhe vuajtjeve të tjera të të paperëndishmëve dhe më pas të merrnin një vegim të mbretërive çelestiale, terrestriale dhe telestiale të lavdisë. Shpjegoni që për shkak të punës së tyre për përkthimin e frymëzuar të Biblës, Profeti Jozef Smith dhe Sidni Rigdoni ishin në gjendje që t’i kishin sytë e tyre të hapur për të parë një vegim të tri shkallëve të lavdisë, i cili është shënuar te Doktrina e Besëlidhje 76.