Seminare dhe Institute
Mësimi 26: Doktrina e Besëlidhje 20:1–36


Mësimi 26

Doktrina e Besëlidhje 20:1–36

Hyrje

Në një zbulesë të dhënë Profetit Jozef Smith, Zoti urdhëroi që Kisha e Tij e rivendosur të organizohej më 6 prill 1830. Ai gjithashtu dha mësim për rëndësinë e Librit të Mormonit dhe dha udhëzime rreth qeverisjes së Kishës së Tij, duke përfshirë detyrat e priftërisë, ordinancat dhe procedurat e Kishës së saporivendosur. Kjo zbulesë, që u quajt “Artikuj dhe Besëlidhje” në ditët e hershme të Kishës, tani gjendet te Doktrina e Besëlidhje 20. Kjo zbulesë u shënua pak ditë pas 6 prillit 1830, por Zoti mund t’i ketë zbuluar Profetit pjesë të saj që në fillim të verës së 1829-ës. Për shkak të gjatësisë së saj, Doktrina e Besëlidhje 20 ndahet në tre mësime në këtë manual.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 20:1–4

Perëndia urdhëron që të ngrihet Kisha

Ftojini studentët të mendojnë për mbledhjen e fundit ku morën pjesë, në të cilën u dhanë dëshmi. Kërkojuni atyre të përshkruajnë se si dhënia e dëshmisë është e ndryshme nga tregimi i një historie apo shprehja e mirënjohjes.

Ftojeni një student të lexojë përkufizimin vijues, nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Dallin H. Ouks

“Një dëshmi e ungjillit është një dëshmi vetjake që lind në shpirtin tonë nëpërmjet Frymës së Shenjtë, që disa fakte me rëndësi të përjetshme janë të vërteta dhe se ne dimë që ato janë të vërteta” (“Dëshmia”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 26).

Shkruani sa vijon në tabelë: Ne e dimë se …

Ftojeni një student të shkojë te Doktrina e Besëlidhje 20. Shpjegoni se udhëheqësit e Kishës e lexuan këtë seksion me zë të lartë në konferencat e Kishës të mbajtura më 9 qershor 1830 dhe 26 shtator 1830, gjë që i ndihmoi anëtarët e Kishës së re të kujtonin shumë të vërteta të rëndësishme të ungjillit. Nxitini studentët të kërkojnë doktrinat dhe parimet në këtë seksion, që mund të paraprihen nga fraza, “Ne e dimë se …”.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 20:1–2 duke kërkuar kuptim për Rivendosjen e ungjillit.

  • Për çfarë të vërtetash lidhur me Rivendosjen e ungjillit dëshmojnë këto vargje? (Një nga doktrinat që studentët mund të dallojnë është se Jozef Smithi u thirr nga Perëndia dhe u urdhërua të organizonte Kishën e Jezu Krishtit. Ftojeni një student ta shkruajë në tabelë këtë doktrinë, së bashku me të tjerat që studentët i përcaktojnë, nën frazën, “Ne e dimë se … ”. Studentët mund të duan të krijojnë një listë të ngjashme në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë rëndësinë e këtyre të vërtetave, nxitini të përsiatin vetë dëshmitë e tyre për thirrjen hyjnore të Jozef Smithit dhe të vërtetësisë së Kishës. Ju mund të doni t’u kërkoni studentëve t’i tregojnë klasës mënyrën se si kanë arritur të dinë se këto gjëra janë të vërteta.

  • Çfarë mendoni se do të thotë fjala “ngritja” te Doktrina e Besëlidhje 20:1, në lidhje me organizimin e Kishës? (Mund t’ju duhet t’i kujtoni studentët rreth Braktisjes dhe nevojës për Rivendosje.)

  • Si mund ta ndihmojmë Kishën e Zotit që të vazhdojë të “ngri[het]” në kohën tonë?

Doktrina e Besëlidhje 20:5–16

Zoti rrëfen shkurtimisht disa nga ngjarjet e Rivendosjes

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 20:5–8. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar gjërat që e përgatitën Jozef Smithin për ta organizuar Kishën sërish në tokë.

  • Çfarë përjetoi Jozefi që i dha mundësinë të organizonte Kishën e vërtetë sërish në tokë? (Ai u udhëzua nga Perëndia dhe engjëjt, dhe iu dha fuqi për të përkthyer Librin e Mormonit.)

Shpjegoni se kur u organizua Kisha në prill 1830, Libri i Mormonit sapo ishte shtypur. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 20:9–12 duke kërkuar të vërtetat që jep mësim Libri i Mormonit. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë atë që zbulojnë. Pas një kohe të mjaftueshme, shkruani në tabelë thënien e paplotë vijuese: Libri i Mormonit i provon botës se …

Ftojini disa studentë të dalin në tabelë dhe të përfundojnë fjalinë duke përdorur fraza që i zbuluan te Doktrina e Besëlidhje 20:9–12. Ju mund t’i drejtoni te lista e përgjigjeve të tyre dhe të bëni pyetjet vijuese:

  • Përse është kaq e rëndësishme të fitojmë dëshmi se Libri i Mormonit është i vërtetë?

  • Nëse Libri i Mormonit është i vërtetë, atëherë çfarë nënkupton kjo rreth Jozef Smithit?

Dëshmoni që Libri i Mormonit është provë se Perëndia e ka rivendosur ungjillin në kohën tonë. Kjo e vërtetë mund të shkruhet në tabelë nën titullin “Ne e dimë se …”.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 20:14–15. Vëreni klasën të kërkojë atë që u premton Zoti atyre që e marrin Librin e Mormonit dhe jetojnë sipas mësimeve të tij.

  • Çfarë bekimesh u premton Zoti atyre që e marrin Librin e Mormonit me besim?

  • Çfarë do t’u ndodhë atyre që e ngurtësojnë zemrën e tyre në mosbesim dhe nuk e pranojnë Librin e Mormonit?

  • Cilat janë disa mënyra se si mund ta marrim Librin e Mormonit me besim?

  • Si mund ta udhëheqë Libri i Mormonit një njeri që të “punoj[ë] me drejtësi”?

Kërkojuni studentëve të përsiatin: 1) se si dëshmia e Librit të Mormonit i ka ndihmuar të jenë më të bindur ndaj urdhërimeve të Perëndisë dhe 2) çfarë mund të bëjnë për ta forcuar dëshminë e tyre për të.

Doktrina e Besëlidhje 20:17–36

Libri i Mormonit jep mësim dhe sqaron doktrina kyçe të ungjillit

Ju mund të doni ta ftoni një student të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson:

Presidenti Ezra Taft Benson

“Në seksionin e njëzet të Doktrinës e Besëlidhjeve, Zoti i kushton disa vargje përmbledhjes së të vërtetave thelbësore që jep mësim Libri i Mormonit. (Shih vargjet 17–36.) Ai libër flet për Perëndinë, krijimin e njeriut, Rënien, Shlyerjen, ngjitjen e Krishtit në qiell, profetët, besimin, pendimin, pagëzimin, Frymën e Shenjtë, durimin, lutjen, shfajësimin dhe shenjtërimin përmes hirit dhe dashurinë e shërbimin ndaj Perëndisë” (“A New Witness for Christ”, Ensign, nëntor 1984, f. 7).

Ftojini studentët t’i hedhin një sy të shpejtë Doktrinës e Besëlidhjeve 20:17, 29, 30, 31, 35 dhe përcaktoni frazën që përsëritet pranë fillimit të çdo vargu. (Studentët duhet të përcaktojnë frazën “ne e dimë se” apo një variant të saj.) Shpjegoni se te Doktrina e Besëlidhje 20:17–36 ne mund të gjejmë disa doktrina të rëndësishme që Kisha e Zotit ia shpall botës si rrjedhojë e Vegimit të Parë dhe daljes në dritë të Librit të Mormonit. Midis këtyre ka të vërteta rreth Atit Qiellor, Jezu Krishtit dhe Frymës së Shenjtë dhe asaj që duhet të bëjmë për t’u shpëtuar në mbretërinë e Perëndisë.

Shkruani referencat e mëposhtme në tabelë: Doktrina e Besëlidhje 20:17–19; Doktrina e Besëlidhje 20:21–25; Doktrina e Besëlidhje 20:26–28.

Për t’i ndihmuar studentët të përmbushin rolin e tyre në procesin e të mësuarit dhe që të përgatiten për të përcaktuar të vërtetat e ungjillit, ndajini ata në dyshe dhe caktojini secilës dyshe një nga fragmentet në tabelë. Ftojini ata të studiojnë së bashku vargjet e caktuara, duke kërkuar të vërtetat rreth Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë dhe atë që Ata kanë bërë për shpëtimin tonë.

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të tregojnë një të vërtetë që e kanë gjetur rreth Atit Qiellor, Jezu Krishtit ose Frymës së Shenjtë dhe të shpjegojnë përse është domethënëse për ta. Ju mund të doni t’i nxitni studentët të shkruajnë të vërteta që janë veçanërisht kuptimplota për ta në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

Ndërsa studentët i gjejnë këto të vërteta, ju mund të doni t’i shtoni ato te lista në tabelë, nën titullin “Ne e dimë se …”. Disa nga doktrinat që studentët mund të gjejnë, përfshijnë sa më poshtë:

Perëndia jeton dhe është i pafundëm, i përjetshëm dhe i pandryshueshëm (vargu 17).

Ne jemi krijuar në shëmbëlltyrën dhe ngjashmërinë e Perëndisë (vargu 18).

Perëndia dha Birin e Tij të Vetëmlindur që të kryqëzohej dhe të ngrihej sërish, që të gjithë ata që besojnë, pagëzohen dhe durojnë me besim të mund të shpëtohen (vargjet 21–25).

Fryma e Shenjtë dëshmon për Atin dhe Birin (vargu 27).

Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë punojnë së bashku që të na përgatitin për jetën e përjetshme (vargjet 17–28).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 20:29–34. Vëreni klasën të kërkojë përgjegjësitë që kemi nëse duam të trashëgojmë jetën e përjetshme. Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë këto vargje, ju mund të keni nevojë të shpjegoni se shfajësim (vargu 30) do të thotë të falesh, të të jepet ndjesë dhe të mos shpallesh fajtor. Shenjtërim (vargu 31) do të thotë të bëhesh i pastër, i kulluar, i shenjtë dhe si Krishti.

  • Çfarë na mësojnë këto vargje për atë që duhet të bëjmë që të shpëtohemi në mbretërinë e Perëndisë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 20:35–36. Vëreni klasën të kërkojë se çfarë mund të bëjnë ata për të treguar se e dinë që këto gjëra janë të vërteta.

  • Si mund t’i japim nder dhe lavdi emrit të Zotit?

Kërkojuni studentëve të rishikojnë listën në tabelë nën titullin “Ne e dimë se …”. Vërini të shqyrtojnë në heshtje se cilat nga këto parime i dinë se janë të vërteta. Nëse ata kanë qenë duke shkruar të njëjtën listë në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta, ju mund të doni t’i ftoni të vendosin një shenjë pranë atyre të vërtetave.

Përfundojeni mësimin duke i ftuar studentët të zgjedhin një nga parimet e nënvizuara dhe të tregojnë se si kanë arritur ta dinë vërtetësinë e tij.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 20:5–8. Një përmbledhje e ngjarjeve historike

Tabela e mëposhtme përvijon disa nga ngjarjet e Rivendosjes që përmenden te Doktrina e Besëlidhje 20:5–8:

Vargu

Ngjarja historike

Doktrina e Besëlidhje 20:5

“Pasi iu manifestua me të vërtetë këtij plaku të parë [Jozef Smithit] se kishte marrë një heqje të mëkateve të tij”

Pranverë 1820: Jozef Smithi merr Vegimin e Parë (shih JS–H 1:15–20; shih edhe Milton V. Backman Jr., “Joseph’s Recitals of the First Vision”, Ensign, janar 1985, f. 13).

Doktrina e Besëlidhje 20:5

Jozef Smithi “u ngatërrua përsëri në kotësitë e botës”

1820–1823: “Gjatë hapësirës së kohës, që shtrihej midis kohës që pata vegimin dhe vitit një mijë e tetëqind e njëzet e tre … unë u lashë në të gjitha llojet e tundimeve; dhe … unë shpesh rashë në shumë gabime të marra dhe tregova dobësinë e rinisë dhe të metat e natyrës njerëzore” (JS–H 1:28).

Doktrina e Besëlidhje 20:6

“Perëndia i shërbeu atij me anë të një engjëlli të shenjtë”

Shtator 1823: Engjëlli Moroni i shërben Jozefit (shih JS–H 1:30–33).

Doktrina e Besëlidhje 20:7

“Dhe i dha atij urdhërime që e frymëzuan atë”

Shtator 1823: Engjëlli Moroni i jep udhëzime Jozefit (shih JS–H 1:34–42).

Doktrina e Besëlidhje 20:8

“Dhe i dha atij fuqi nga lart, me anë të mjeteve që ishin përgatitur më parë, për të përkthyer Librin e Mormonit”

22 shtator 1827 – verë 1829: Jozefi merr fletët e arta dhe Urimin e Thumimin dhe përkthen Librin e Mormonit (shih JS–H 1:59–75).

Doktrina e Besëlidhje 20:30–31. Shfajësimi dhe shenjtërimi

Thënia e mëposhtme vjen prej një artikulli nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Pjesa e cituar më poshtë shpjegon vetëm shkurtimisht doktrinat e shfajësimit dhe të shenjtërimit. Ju mund të doni të lexoni të gjithë artikullin për të fituar një kuptueshmëri më të plotë të këtyre doktrinave.

Plaku D. Tod Kristoferson

“Për shkak të ‘fuqisë së pafundme të flijimit të Tij të madh shlyes’, Jezu Krishti mund të kënaqë ose t’u ‘përgjigj[et] kërkesave të ligjit’ në emrin tonë. Falja vjen nga hiri i Atij që i ka kënaqur kërkesat e drejtësisë me anë të vetë vuajtjes së Tij, ‘i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia’ (1 Pjetër 3:18). Ai e heq ndëshkimin tonë pa hequr ligjin. Ne falemi dhe vendosemi në një gjendje drejtësie me Të. Ne bëhemi si Ai, pa mëkat. Ne mbështetemi dhe mbrohemi nga ligji, nga drejtësia. Ne jemi, me një fjalë, të shfajësuar.

Pra, ne mund të flasim në mënyrë të përshtatshme për dikë që është i shfajësuar si i falur, pa mëkat ose i pafajshëm. Për shembull, ‘Kushdo që pendohet dhe pagëzohet në emrin tim, do të mbushet; dhe në qoftë se duron gjer në fund, vini re, atë do ta konsideroj të pafajshëm para Atit tim, në atë ditë kur do të qëndroj të gjykoj botën’ (3 Nefi 27:16; theksimi i shtuar). Pavarësisht se sa e lavdishme është heqja e mëkateve, Shlyerja bën edhe më shumë. Ajo ‘më shumë’ shprehet nga Moroni:

‘Dhe përsëri, në qoftë se ju me anë të hirit të Perëndisë jeni të përkryer në Krisht dhe nuk mohoni pushtetin e tij, atëherë do të shenjtëroheni në Krisht me anë të hirit të Perëndisë, nëpërmjet derdhjes së gjakut të Krishtit, që është në besëlidhjen e Atit për heqjen e mëkateve tuaja, që ju të bëheni të shenjtë, pa njollë’ (Moroni 10:33; theksimi i shtuar).

Të jesh i shenjtëruar përmes gjakut të Krishtit do të thotë të bëhesh i pastër, i kulluar dhe i shenjtë. Nëse shfajësimi heq ndëshkimin nga mëkati i kaluar, atëherë shenjtërimi heq njollën apo ndikimet e mëkatit. Profeti Jozef Smith dëshmoi:

‘Dhe ky është ungjilli, lajmet e mira që zëri nga qiejt dha dëshmi për ne –

Se ai erdhi në botë, madje Jezusi, që të kryqëzohej për botën dhe të merrte [shfajësonte] mëkatet e botës, dhe ta shenjtëronte botën, dhe ta pastronte atë nga gjithë padrejtësia’ (DeB 76:40–41)” (“Justification and Sanctification”, Ensign, qershor 2001, f. 20–22).