Seminare dhe Institute
Mësimi 96: Doktrina e Besëlidhje 90–92


Mësimi 96

Doktrina e Besëlidhje 90–92

Hyrje

Më 8 mars 1833, Zoti dha zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 90. Kjo zbulesë përmban udhëzime drejtuar Presidencës së Priftërisë së Lartë dhe ishte “një hap i mëtejshëm” në zhvillimin e Presidencës së Parë (shih hyrjen e seksionit). Më 9 mars 1833, Jozef Smithi pyeti nëse ai duhej ta përfshinte Apokrifën në përkthimin e tij të Biblës. Zoti iu përgjigj kërkesës së Jozef Smithit nëpërmjet zbulesës së shënuar te Doktrina e Besëlidhje 91 dhe i tha atij se nuk ishte e nevojshme ta përkthente atë. Vetëm pak ditë më vonë, më 15 mars 1833, Profeti mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 92, duke e udhëzuar Frederik G. Uilliamsin, një prej këshilltarëve të Jozef Smithit, që të ishte një anëtar veprues i Ndërmarrjes së Bashkuar, që ishte themeluar për të mbikëqyrur mirëqenien dhe punët e biznesit të Kishës.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 90:1–18

Zoti e udhëzon Presidencën e Priftërisë së Lartë lidhur me përgjegjësitë e tyre

Fillojeni mësimin duke bërë pyetjen vijuese:

  • Cila është dhurata më me vlerë që keni marrë ndonjëherë? Përse është ajo me vlerë?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 90:1–3 dhe vëreni klasën të kërkojë diçka me vlerë që Zoti ia kishte dhënë Jozef Smithit.

  • Çfarë mbante Jozef Smithi? (Çelësat e mbretërisë, që do të thotë të drejtat e presidencës ose fuqinë që Perëndia ia jep njeriut për të qeverisur e drejtuar mbretërinë e Tij në tokë.) Përse është ajo me vlerë?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 90:4–5. Kërkojini klasës ta ndjekë atë dhe të përcaktojë paralajmërimin që Zoti ua dha shenjtorëve. (Mund t’ju duhet të shpjegoni se, siç përdoret te vargjet 4–5, fjala orakujt u referohet zbulesave nga Perëndia nëpërmjet profetëve të Tij.)

  • Çfarë paralajmërimi u dha Zoti shenjtorëve? Çfarë parimi mund të mësojmë nga ky paralajmërim? (Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë parimin vijues: Nëse i trajtojmë si me pak vlerë zbulesat që Perëndia i jep nëpërmjet profetëve të Tij, ne do të pengohemi dhe biem. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në tabelë.)

  • Si mendoni, çfarë do të thotë t’i trajtojmë zbulesat që Perëndia i jep nëpërmjet profetëve të Tij “si gjë me pak vlerë”? Cilët janë disa shembuj të zbulesave që njerëzit mund të tundohen për t’i trajtuar si me pak vlerë?

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 90:6, duke kërkuar se kush tjetër tha Zoti që do t’i mbante çelësat e mbretërisë. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjetën.

Shpjegoni se më 18 mars 1833, dhjetë ditë pasi u dha seksioni 90, Jozef Smithi i veçoi Sidni Rigdonin dhe Frederik G. Uilliamsin si këshilltarë në Presidencën e Priftërisë së Lartë, e cila më vonë do të thirrej Presidenca e Parë e Kishës.

  • Çfarë doktrine mund të mësojmë nga vargu 6? (Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë doktrinën vijuese: Presidenca e Parë mban çelësat e mbretërisë. Sigurohuni që studentët e kuptojnë që, edhe pse secili anëtar i Presidencës së Parë mban çelësat e mbretërisë, Presidenti i Kishës është i vetmi person që mund të marrë zbulesë për të gjithë Kishën.)

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 90:7–10 duke shpjeguar se Presidenca e Parë u udhëzua për t’i përgatitur anëtarët e Shkollës së Profetëve që ta predikonin ungjillin anembanë botës. Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 90:11 dhe merrni parasysh se si ky varg po përmbushet sot. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që mësuan.

Ju gjithashtu mund të doni ta përmblidhni Doktrinën e Besëlidhjet 90:12–18. Këto vargje japin mësim se Profeti Jozef Smith dhe këshilltarët e tij duhej të vendosnin në rregull punët e Kishës.

Ju mund të doni të dëshmoni se Presidenca e Parë mban çelësat e mbretërisë dhe të shprehni ndjenjat tuaja rreth rëndësisë që ka, t’ua vëmë veshin fjalëve të tyre.

Doktrina e Besëlidhje 90:19–37

Zoti i udhëzon shenjtorët në Sion

Shpjegoni se kur Jozef Smithi mori zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 90, ai dhe udhëheqës të tjerë të Kishës ishin në një gjendje të vështirë për shkak të mungesës së burimeve financiare të Kishës.

  • Çfarë bëni kur rrethanat në jetën tuaj bëhen shumë të vështira?

Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 90:19–37 përmban udhëzimet e Zotit ndaj udhëheqësve të hershëm të Kishës lidhur me mënyrën se si t’i trajtonin rrethanat e vështira me të cilat po përballeshin. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 90:24. Kërkojini klasës ta ndjekë atë dhe të përcaktojë këshillën që mund t’i ngushëllojë individët që po përjetojnë kohë të vështira.

  • Çfarë këshille te vargu 24 mund t’i ngushëllojë individët që po përjetojnë kohë të vështira? Si do ta shprehnit mesazhin e Zotit në këtë varg si një parim? (Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë parimin vijues: Nëse do të kërkojmë me zell, lutemi gjithmonë, besojmë dhe i mbajmë besëlidhjet tona, të gjitha gjërat do të punojnë së bashku për të mirën tonë.)

  • Si mendoni, çfarë do të thotë që të gjitha gjërat do të punojnë së bashku për të mirën tonë?

  • Kur jeni përpjekur të jini besnikë gjatë një kohe të vështirë dhe si rrjedhim u ndiet të bekuar?

ikona e fletushkësShpjegoni se një anëtare e Kishës, e cila shfaqi besnikëri të madhe gjatë kohëve të vështira, ishte Viena Xheksi. Caktojini studentët që të punojnë në dyshe. Jepini secilit student një kopje të informacionit vijues rreth Viena Xheksit. Ftojini partnerët ta studiojnë së bashku Doktrinën e Besëlidhjet 90:28–31 dhe të përcaktojnë udhëzimet e posaçme që Zoti ia dha Vienës. Më pas, kërkojuni atyre ta studiojnë fletushkën dhe të kërkojnë për mënyra se si Viena ishte besnike.

Viena Xheksi është një shembull i besnikërisë së shumë shenjtorëve të hershëm të ditëve të mëvonshme. Ajo u lind më 10 qershor 1787. Pasi u takua me misionarët në Boston të Masaçusetsit në SHBA, ajo udhëtoi për në Kirtland të Ohajos në vitin 1831. Qëndroi atje gjashtë javë dhe u pagëzua. Pasi u kthye në Boston, Viena ndihmoi për të sjellë disa anëtarë të familjes së saj në Kishë. Ajo më pas “e rregulloi punën e saj dhe u kthye në Kirtland për t’i bashkuar interesat e saj përgjithmonë me Kishën” (“Home Affairs”, Woman’s Exponent, 1 korrik 1878, f. 21). Në vitin 1833, Viena ia përkushtoi të gjitha pasuritë e saj Kishës, duke përfshirë 1400 dollarë, gjatë një kohe kur paratë ishin kaq shumë të nevojshme. Më pas udhëtoi për në Misuri për të marrë trashëgiminë e saj në Sion. Megjithatë, pak kohë pasi mbërriti, ajo vuajti përndjekje me shenjtorët. Pasi u dëbua nga shtëpia e saj në Misuri, ajo u kujdes për të sëmurët në Kampin e Sionit. Hibër C. Kimballi shkroi: “Mora mirësi të madhe … nga Motra Viena Xheksi, e cila u administroi dëshirave të mia dhe gjithashtu të vëllezërve të mi – Zoti e shpërbleftë [atë] për mirësinë [e saj]” (“Extracts from H. C. Kimball’s Journal”, Times and Seasons, 15 mars 1845, f. 839–840).

Ndërsa ishte në Misuri, Viena u martua me Daniel Shirërin. Ajo udhëtoi drejt perëndimit për në Juta në vitin 1847 dhe, në moshën 60-vjeçare, e ngau vetë karrocën e saj përmes rrafshinave. U vendos në Solt-Lejk-Siti dhe për kohën e mbetur të jetës së saj, ajo punoi shumë për ta mbështetur veten e saj dhe për t’i studiuar me zell shkrimet e shenjta. Viena vdiq më 7 shkurt 1884 në moshën 96-vjeçare. Njoftimi i vdekjes së saj shkruante: “Ajo ishte e vërtetë ndaj besëlidhjeve të saj dhe e vlerësoi rivendosjen e Ungjillit si një thesar të paçmuar” (“In Memoriam”, Woman’s Exponent, 1 mars 1884, f. 152). (Shih edhe Susan Easton Black, “Happiness in Womanhood”, Ensign, mars 2002, f. 12–14.)

Kur dyshet ta kenë mbaruar leximin, diskutoni për pyetjet vijuese me klasën:

  • Si i përmbushi Viena Xheksi udhëzimet që Zoti ia dha asaj? Çfarë ju bën përshtypje rreth Viena Xheksit?

  • Çfarë mësuat nga ajo që lexuat rreth Viena Xheksit?

Doktrina e Besëlidhje 91

Shpëtimtari e udhëzon Jozef Smithin që të mos e përkthejë Apokrifën

Nëse është e mundur, paraqitni disa burime të ndryshme të informacionit të shkruar, të tilla si një libër, një gazetë ose revistë, apo një mjet elektronik.

  • Si mund ta dini se diçka që lexoni në këto burime është e vërtetë?

Shpjegoni se zbulesa e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 91 e udhëzoi Jozef Smithin se si ta dallonte nëse diçka që po e lexonte, ishte e vërtetë. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë hyrjen e seksionit. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që Jozefi po bënte në kohën kur ai e mori këtë zbulesë. Ftojini ata të raportojnë atë që gjetën.

Shpjegoni se Apokrifa është një përmbledhje e librave të shenjtë të popullit judeas, të cilat nuk u përfshinë fillimisht në Biblën hebrease (Dhiatën e Vjetër), por u përfshinë në përkthimin grek të Biblës pak kohë përpara kohës së Krishtit. Disa prej librave lidhin periudhat kohore midis Dhiatës së Vjetër dhe Dhiatës së Re. Kur të krishterët e hershëm i përmblodhën librat e Biblës shekuj më vonë, ata i përfshinë librat e Apokrifës, por pati pyetje rreth faktit nëse ato u përkisnin si pjesë shkrimeve të shenjta. Kopja e Biblës që po përdorte Jozef Smithi për të krijuar përkthimin e tij të frymëzuar, e përmbante Apokrifën. Megjithatë, ngaqë vlefshmëria e Apokrifës ishte e dyshimtë, Jozefi i kërkoi Zotit nëse përkthimi i tij i Biblës duhej t’i përfshinte këto libra.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 91:1–3. Vëreni klasën të kërkojë atë që Jozef Smithi mësoi rreth Apokrifës. (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se ndërfutja është një material që është futur në një dorëshkrim, nganjëherë duke çuar në prishjen e tekstit origjinal.)

Pasi studentët të raportojnë atë që gjetën, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 91:4–6. Kërkojuni studentëve të përcaktojnë se si Jozef Smithi mund ta dinte atë që ishte e vërtetë tek Apokrifa.

  • Si mund ta dinte Jozefi se çfarë ishte e vërtetë tek Apokrifa?

  • Si mund të na ndihmojë ne këshilla te vargjet 4–6 lidhur me gjërat që lexojmë? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojë të dimë nëse gjërat që lexojmë janë të vërteta.)

Ju mund të doni t’i ftoni studentët të tregojnë një përvojë që e kanë pasur, kur e kanë ndier Frymën e Shenjtë t’iu pohojë se diçka që lexuan, ishte e vërtetë.

Doktrina e Besëlidhje 92

Frederik G. Uilliamsi duhet të pranohet në Ndërmarrjen e Bashkuar

Shpjegoni se zbulesa që përmban Doktrina e Besëlidhje 92 i udhëzoi udhëheqësit e Kishës, të cilët ishin pjesë e Ndërmarrjes së Bashkuar (gjithashtu e quajtur Urdhri i Bashkuar), për ta pranuar Frederik G. Uilliamsin në ndërmarrje. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 92:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë atë dhe të përcaktojë se si donte Zoti që të vepronte Frederik G. Uilliamsi si një anëtar i ndërmarrjes. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjetën.

  • Çfarë mendoni se do të thotë që Frederik G. Uilliamsi duhej të ishte “një anëtar aktiv”?

  • Çfarë mund të bëni që të jeni një anëtar aktiv i Kishës sot?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga vargu 2 rreth bekimeve të premtuara besnikëve? (Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë parimin vijues: Nëse jemi besnikë në zbatimin e urdhërimeve të Zotit, atëherë ne do të bekohemi përgjithmonë.)

Mbylleni me dëshminë tuaj për rëndësinë e doktrinave dhe parimeve të përcaktuara në këtë mësim.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 90:24. “Kërkoni me zell”

Zoti i këshilloi shenjtorët: “Kërkoni me zell, lutuni gjithmonë dhe jini besues dhe atëherë të gjitha gjërat do të punojnë së bashku për të mirën tuaj” (DeB 90:24). Presidenti Harold B. Li shpjegoi se kjo këshillë do të kishte qenë veçanërisht domethënëse për udhëheqësit e hershëm të Kishës, të cilët kishin “pak ose aspak përvojë në administrimin e Kishës” dhe të cilët u përballën me sfida të vështira në kohën kur u dha kjo zbulesë (Stand Ye in Holy Places: Selected Sermons and Writings of President Harold B. Lee [1974], f. 197). Më tej ai shpjegoi se çfarë do të thotë të “kërkoni me zell”:

Presidenti Harold B. Li

“Zelli nënkupton që të jemi punëtorë, nënkupton të kundërtën e të qenit dembelë ose të pakujdesshëm apo mospërfillës. Me fjalë të tjera, ata duhet të kërkojnë t’i dinë doktrinat e Kishës dhe ata duhet të kërkojnë të dinë udhëzimet që ishin dhënë lidhur me procedurat e Kishës” (Stand Ye In Holy Places, f. 198).

Doktrina e Besëlidhje 90:25–27. A duhet t’i mbajnë shenjtorët familjet e tyre “të vogla”?

Te Doktrina e Besëlidhje 90:25–27, “Zoti i paralajmëron shërbëtorët e Tij, veçanërisht babanë e Profetit, që t’i kenë familjet të vogla me qëllim që të mirat materiale të dhëna për ta nga Kisha të mos përdoreshin nga njerëzit e padenjë (vargu 25), të cilët ishin të prirur të përfitonin nga situata. Kur Zoti i këshillon ata që t’i kenë të vogla familjet e tyre, Ai nuk nënkupton fëmijët e tyre të drejtpërdrejtë; ata që nënkuptohen janë vizitorët dhe frekuentuesit e rregullt që kishin një prirje të përfitonin nga shtëpitë e hapura dhe zemrat e hapura të vëllezërve. Vëllezërit nuk do të pengoheshin në përmbushjen e veprës së Zotit, në qoftë se do t’i kushtonin vëmendje kësaj çështjeje” (Sidney B. Sperry, Doctrine and Covenants Compendium [1960], f. 462; shih edhe Doctrine and Covenants Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2001], f. 214).

Doktrina e Besëlidhje 91:4–6. Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojë të dimë nëse gjërat që lexojmë, janë të vërteta

Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, dha mësim:

Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Kurrë në historinë e botës nuk kemi pasur të drejtë përdorimi më të lehtë të më shumë informacioni – disa prej tij i vërtetë, disa prej tij i rremë dhe shumë prej tij pjesërisht i vërtetë.

Si pasojë, kurrë në historinë e botës nuk ka qenë më e rëndësishme që të mësojmë se si të dallojmë me saktësi midis së vërtetës dhe së gabuarës. …

Fryma e Shenjtë është një zbulues. Ai është Ngushëlluesi, që na mëson për ‘[të] vërtet[ën] e të gjitha gjërave; … që i njeh të gjitha gjërat dhe ka gjithë fuqinë në përputhje me urtësinë, mëshirën, të vërtetën, drejtësinë dhe gjykimin’ [Moisiu 6:61]. …

Dëshmia e së vërtetës nga Fryma e Shenjtë është në dispozicion për të gjithë, kudo, në të gjithë globin. Të gjithë që kërkojnë ta dinë të vërtetën, që e studiojnë atë tërësisht në mendjen e tyre [shih DeB 9:8] dhe që ‘kërkojnë me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, … [do ta dinë] të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë’ [Moroni 10:4].” (“Ç’Është e Vërteta?” [fjalim në takimin shpirtëror të Sistemit Arsimor të Kishës, 13 janar 2013], f. 3, 6; speeches.byu.edu).