Mësimi i Studimit në Shtëpi
Doktrina e Besëlidhje 29:31–50; 30–35 (Njësia 8)
Hyrje
Ky mësim përqendrohet veçanërisht te këshilla e Zotit drejtuar Dejvid dhe Piter Uitmerit pas një konference të Kishës në shtator të vitit 1830. Gjatë konferencës, Zoti shpalli se zbulesat nga Hajrëm Pejxhi ishin të rreme. Te Doktrina e Besëlidhje 30, Zoti e qortoi Dejvid Uitmerin për besimin e tij te guri dhe e thirri Piter Uitmerin ta shoqëronte Oliver Kaudërin në misionin e tij.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 30:1–4
Dejvid Uitmeri qortohet që ua vuri veshin bindjeve të njerëzve
Kërkojuni studentëve që në heshtje të marrin në shqyrtim situatat vijuese:
-
Një i ri ka qenë duke dëgjuar muzikë që nuk përputhet me standardet e përvijuara në broshurën Për Forcën e Rinisë. Edhe pse atij i pëlqen ta dëgjojë këtë muzikë, ai ka filluar të kuptojë se mesazhet e saj po bëjnë që ai ta humbasë Shpirtin dhe të largohet nga familja e tij, miqtë e tij dhe nga Kisha.
-
Pas një numër takimesh me një të ri, një vajzë e re fillon të kuptojë, me anë të nxitjeve të Frymës së Shenjtë, se i riu dalëngadalë është përpjekur ta bindë atë që të shkelë ligjin e dëlirësisë.
Më pas bëjuni studentëve pyetjen vijuese:
-
Si mund ta dallojmë ne, sikurse individët në këto situata, kur po mashtrohemi?
Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 30 përmban të vërteta që mund të na ndihmojnë të përgatitemi për të marrë e për të ndjekur paralajmërime nga Shpirti dhe që mund të na ndihmojnë t’i shmangemi të qenit të mashtruar. Ftojini studentët t’i kërkojnë këto të vërteta teksa studiojnë këtë seksion sot.
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë kontekstin e Doktrinës e Besëlidhjeve 30, kërkojuni atyre të sjellin ndërmend atë që kanë mësuar deri tani rreth Dejvid Uitmerit gjatë studimit të tyre të Doktrinës e Besëlidhjeve dhe të historisë së Kishës. (Ai ishte njëri nga Tre Dëshmitarët e Librit të Mormonit dhe kishte ndihmuar për të siguruar burime materiale gjatë përkthimit të Librit të Mormonit.)
Tregojuni studentëve se Hajrëm Pejxhi ishte kunati i Dejvid Uitmerit. Ju mund të doni t’i pyetni studentët se çfarë kujtojnë rreth Hajrëm Pejxhit nga studimi i tyre i Doktrinës e Besëlidhjeve 28. (Ai ishte njëri nga Tetë Dëshmitarët e Librit të Mormonit dhe kishte gjetur një gur nëpërmjet të cilit pretendonte se mund të merrte zbulesë.) Shpjegoni se kur Hajrëm Pejxhi paraqiti gurin e tij të rremë shikues dhe zbulesat e pretenduara që erdhën prej tij, Oliver Kaudëri, vëllezërit Uitmer dhe njerëz të tjerë në zonën e Fajetit filluan t’i besonin deklarimet e Hajrëmit.
-
Përse mund të ketë qenë e lehtë për Dejvid Uitmerin që të bindej prej Hajrëm Pejxhit?
Vërini studentët të kërkojnë Doktrinën e Besëlidhjet 30:1–2 dhe përgjigjjuni pyetjeve vijuese:
-
Çfarë tha Zoti se kishte bërë Dejvid Uitmeri që mund ta ketë bërë atë të cenueshëm ndaj të qenit i mashtruar?
-
Çfarë tha Zoti që Dejvidi nuk kishte bërë?
Ftojini studentët të sugjerojnë parime që ne mund t’i mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 30:1–2. Ata mund të sugjerojnë disa apo të gjitha parimet vijuese:
Në vend që të kemi frikë nga njerëzit, ne duhet të mbështetemi te Zoti për forcë.
Ne duhet ta vendosim mendjen tonë te gjërat e Perëndisë më shumë sesa te gjërat e tokës.
Ne duhet të ndjekim Shpirtin dhe këshillën e udhëheqësve të Kishës në vend që të bindemi prej atyre që Zoti nuk i ka thirrur.
Bëni pyetjet vijuese:
-
Çfarë mendoni se do të thotë ta kemi mendjen tonë te gjërat e tokës më shumë sesa te gjërat e Zotit? Cilat janë disa mënyra se si mund të tundohemi për ta bërë këtë?
-
Në ç’mënyrë përqendrimi te gjërat e botës më shumë se sa te gjërat e Zotit mund të na bëjë që të jemi më të prekshëm nga mashtrimi?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Jozef Filding Smith:
“Duket paksa e çuditshme që kaq shpejt pas shfaqjes së mrekullueshme që [Dejvid Uitmeri] kishte marrë dhe pas dëshmimit të derdhjes së Shpirtit në raste të tjera, që ai do të harronte, por natyra njerëzore është e tillë që ne të gjithë kemi nevojë të kujtohemi vazhdimisht për përgjegjësitë tona, ose ka gjasa që ne të biem në njëfarë mospërfilljeje. Nevoja për lutje të vazhdueshme dhe përqendrimi i mendimeve tona te gjërat e mbretërisë dhe vëmendja e sinqertë ndaj detyrës, është e qartë për shumicën prej nesh, përndryshe ne shkasim. Sa shpesh i është dashur Zotit ta paralajmërojë popullin e tij kundër dobësisë së mishit!” (Church History and Modern Revelation, 2 vëll. [1953], 1:146).
-
Sipas Presidentit Smith, çfarë duhet të bëjmë për t’u siguruar që nuk i harrojmë përgjegjësitë tona shpirtërore sikurse bëri Dejvid Uitmeri?
Ju mund të doni ta përdorni këtë mundësi për t’u kujtuar studentëve nevojën që t’i studiojnë shkrimet e tyre të shenjta çdo ditë – jo thjesht që të plotësojnë detyrat e tyre, por që t’i ndihmojnë për ta mësuar vetë ungjillin, për të zhvilluar një dëshmi për ungjillin dhe për ta dëgjuar zërin e Zotit. Ju gjithashtu mund të doni t’u kërkoni studentëve të tregojnë se çfarë i ka ndihmuar ata që t’i studiojnë shkrimet e shenjta në një mënyrë domethënëse.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 30:3–4. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të përcaktojë udhëzimet e Zotit drejtuar Dejvid Uitmerit.
-
Pasi u mashtrua nga Hajrëm Pejxhi, si do ta ndihmonte Dejvid Uitmerin përsiatja mbi gjërat që Zoti ia zbuloi atij?
Nxitini studentët të marrin në shqyrtim nëse ka situata në jetën e tyre ku ata mund të jenë duke u mbështetur ose duke u përqendruar më shumë te “gjërat e tokës” sesa te gjërat e Perëndisë dhe se si bërja e kësaj mund t’i bëjë ata të cenueshëm ndaj mashtrimit. Ftojini ata të vendosin se çfarë do të bëjnë që të mbështeten më shumë te Zoti në ato situata.
Doktrina e Besëlidhje 30:5–8
Piter Uitmeri thirret për të shkuar me Oliver Kaudërin në një mision për te lamanitët
Paraqitni një objekt të rëndë ose një çantë të mbushur me sende të rënda. Ftojeni një student/e që të dalë përpara klasës dhe ta mbajë objektin përpara vetes. Ndërkohë që studenti/ja e mban objektin, ftojini studentët e tjerë të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 30:5 dhe të kërkojnë atë që Zoti e thirri Piter Uitmerin të bënte. Kërkojini klasës të raportojnë atë që mësuan.
-
Kush duhej të ishte udhëheqësi kryesues në misionin e Piter Uitmerit për te lamanitët?
Ftojeni një student/e të dytë ta ndihmojë studentin/en që po mban objektin ose çantën e rëndë. Kërkojini studentit/es të/së parë të përshkruajë ndryshimin që ai ose ajo ndien kur ka mbështetjen e dikujt tjetër. Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 30:5–7 shënon këshillën e Zotit dhënë Piter Uitmerit rreth mënyrës se si Piteri duhej ta përkrahte dhe mbështeste Oliver Kaudërin në pozitën e tij udhëheqëse. Vërini studentët t’i kërkojnë këto vargje dhe të përcaktojnë fraza të posaçme që përshkruajnë mënyrën se si Piteri duhej ta mbështeste Oliverin.
-
Cilat fraza përdori Zoti për t’i mësuar Piterit se si ai duhej ta përkrahte dhe mbështeste Oliverin? (Shih vargun 6; Piteri duhet të hidhërohej në gjithë hidhërimet e Oliverit, të lutej për Oliverin dhe ta pranonte autoritetin e Oliverit.)
-
Çfarë mendoni se do të thotë të “hidhëroh[esh] në gjithë hidhërimet e tij” (DeB 30:6)?
-
Cili është një mësim që mund të mësojmë nga këshilla e Zotit dhënë Piterit që gjen zbatim edhe për ne?
Një e vërtetë që studentët mund ta shprehin është se, ne duhet t’i përkrahim dhe mbështetim ata që Zoti i ka thirrur për të drejtuar punën e Tij. Ftojeni një student ta shkruajë në tabelë këtë parim.
Kërkojuni studentëve të shpjegojnë se si ata mund ta zbatojnë këtë parim në jetën e tyre, ndoshta në mbështetjen e udhëheqësve të lagjeve ose degëve të tyre. Ftojini ata të japin dëshmitë e tyre për bekimet që vijnë nga mbështetja e atyre të cilët Zoti i ka thirrur. Nxitini që të vazhdojnë ta jetojnë këtë parim.
Njësia Tjetër (Doktrina e Besëlidhje 36–40)
Pyetini studentët nëse iu është kërkuar ndonjëherë t’i binden një urdhërimi, por ata nuk e kuptuan tërësisht arsyen përse duhej t’i bindeshin. Çfarë ndodh nëse ju premtohen bekime bazuar në bindjen tuaj, por më pas nuk ia dilni mbanë t’i jetoni urdhërimet? Në njësinë tjetër studentët do të mësojnë rreth anëtarëve të Kishës që e gjetën vetveten në këtë situatë dhe çfarë u mësoi atyre Zoti.