Mësimi 50
Doktrina e Besëlidhje 43–44
Hyrje
Në shkurt të vitit 1831 Jozef Smithi mbërriti në Kirtland të Ohajos. Në mbërritjen e tij, ai mësoi se shenjtorët në Kirtland ishin mashtruar nga zbulesa të rreme. Për shembull, një grua e quajtur zonja Habëll shpalli të ishte një profeteshë dhe të merrte zbulesa për Kishën. I shqetësuar rreth ndikimeve që kishin ardhur mes shenjtorëve në Kirtland, Jozefi i kërkoi Zotit rreth asaj që duhej bërë. Në përgjigje, ai mori zbulesën që tani shënohet te Doktrina e Besëlidhje 43. Në atë zbulesë, Zoti i udhëzoi shenjtorët në atë që ata kishin nevojë të bënin që ta shmangin të qenit të mashtruar. Zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 44 gjithashtu u mor në shkurt të vitit 1831, duke i dhënë udhëzim priftërisë për të predikuar ungjillin dhe për t’iu administruar të varfërve.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 43:1–7
Zoti shpall që zbulesat dhe urdhërimet vijnë vetëm nëpërmjet profetit të Tij të caktuar
Zgjidhni dy himne për klasën për t’i kënduar. Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë vështirësinë e ndjekjes së dy udhëheqësve të ndryshëm në të njëjtën kohë, kërkojuni dy studentëve të qëndrojnë përpara klasës dhe ta udhëheqin klasën për të kënduar dy himne në të njëjtën kohë. Pas pak rreshtash nga të dy himnet, ndalojeni të kënduarin dhe bëni pyetjen vijuese:
-
Përse është e vështirë që të ndiqni dy udhëheqës të ndryshëm dhe dy këngë të ndryshme në të njëjtën kohë?
Shpjegoni se në shkurt të vitit 1831, një grua e quajtur zonja Habëll erdhi mes shenjtorëve në Kirtland të Ohajos. Ajo shpalli se ishte një profeteshë, se mori zbulesa për Kishën, se e dinte që Libri i Mormonit ishte i vërtetë dhe se ajo duhej të bëhej një mësuese në Kishë. Ajo ishte në gjendje të mashtronte disa shenjtorë. Jozef Smithi dhe të tjerët ishin të shqetësuar rreth ndikimit të saj dhe rreth zbulesave të tjera të rreme mes shenjtorëve. Profeti vendosi t’i kërkonte Zotit rreth asaj që duhej bërë dhe mori një zbulesë. Xhon Uitmeri, i cili gjithashtu kishte arritur kohët e fundit në Kirtland, shkroi: “Zoti e dha [këtë] Zbulesë që shenjtorët të mos mashtroheshin” (Documents, Vëllimi 1: korrik 1828–qershor 1831, vëll. 1 i serisë së Dokumenteve të The Joseph Smith Papers [2013], f. 257).
Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 43:1–5. Vëreni klasën t’i ndjekë duke kërkuar shpjegimin e Zotit rreth personit që mund të marrë zbulesë për të gjithë Kishën.
-
Cili u caktua në atë kohë që të merrte urdhërime dhe zbulesa për të gjithë Kishën? (Jozef Smithi.) Cili caktohet në atë pozitë sot? (Presidenti i Kishës.)
-
Çfarë mësojmë nga këto vargje? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Vetëm Presidenti i Kishës mund të marrë zbulesa për të gjithë Kishën. Ju mund të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta pranë vargjeve 3–4. Për të theksuar rëndësinë e kësaj doktrine, ftojini studentët të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 21:4–6; 28:2–7.)
Vini në dukje se, sikurse zonja Habëll dhe njerëz të tjerë në ditët e hershme të Kishës, disa njerëz në kohën tonë kërkojnë t’i bindin të tjerët për t’i ndjekur ata dhe për t’i pranuar mësimet e tyre. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 43:6–7. Kërkojini klasës të përcaktojnë modelin që Zoti e zbuloi për të na mbrojtur nga të qenit të mashtruar prej atyre që nuk autorizohen për ta udhëhequr Kishën.
Doktrina e Besëlidhje 43:8–16
Pleqtë urdhërohen për të dhënë udhëzim dhe për ta lartësuar njëri‑tjetrin e për t’u bërë të shenjtëruar
Kërkojuni studentëve të renditin në tabelë disa mbledhje që ata i frekuentojnë si anëtarë të Kishës. Më pas ftojini studentët të ndahen në dyshe dhe të diskutojnë pyetjen vijuese:
-
Cilat janë disa qëllime të këtyre mbledhjeve?
Pasi studentët ta kenë diskutuar këtë pyetje, ju mund të dëshironi t’u kërkoni disave prej tyre t’ia tregojnë përgjigjet e tyre tërë klasës. Më pas ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 43:8 dhe ftojeni klasën që të përcaktojë atë që na mëson ky varg rreth qëllimeve të mbledhjeve të Kishës.
-
Çfarë tha Zoti se duhet të bëjnë pleqtë e Kishës kur mblidhen? Çfarë do të thotë ta lartësojnë njëri‑tjetrin? (Për ta ngritur lart shpirtërisht njëri‑tjetrin dhe për ta forcuar njëri‑tjetrin.)
-
Sipas vargut 8, çfarë do të mësojmë ndërkohë që e udhëzojmë dhe lartësojmë njëri‑tjetrin? (Përgjigjet e studentëve mund të ndryshojnë, por ata duhet të shprehin parimin vijues: Kur mblidhemi së bashku, ne duhet ta udhëzojmë dhe lartësojmë njëri-tjetrin që të mund të mësojmë se si të veprojmë dhe se si ta drejtojmë Kishën.
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 43:9, 11 dhe të përcaktojnë atë që duhet të bëjmë pasi mësojmë se si të veprojmë.
-
Çfarë duhet të bëjmë pasi të jemi udhëzuar në mbledhjet tona të Kishës? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Ne duhet ta detyrojmë veten tonë që të veprojmë sipas njohurisë që marrim. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë parim te vargu 9.)
-
Sipas këtyre vargjeve, si bekohemi kur e marrim njohurinë dhe veprojmë sipas saj? (Ndërsa studentët e diskutojnë këtë pyetje, sigurohuni që të theksoni parimin vijues: Ne bëhemi të shenjtëruar kur veprojmë sipas të vërtetave që mësojmë. Ju gjithashtu mund të dëshironi të shpjegoni se të jesh i shenjtëruar do të thotë të bëhesh i shenjtë, i pastruar nga mëkati.)
Vizatojeni figurën shoqëruese në tabelë.
-
Çfarë mendoni se do të thotë “ta detyro[jmë] veten [tonë] për të vepruar”?
-
Si na ndihmon njohuria që marrim në mbledhjet e Kishës, që të bëhemi të shenjtëruar?
Ftojeni klasën të mendojë për bekimet që ata kanë marrë kur kanë vepruar sipas asaj që kanë mësuar në mbledhjet e Kishës. Kërkojuni disa studentëve t’i tregojnë këto përvoja dhe të shpjegojnë se si janë bekuar kur kanë vepruar sipas asaj që kanë mësuar.
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 43:12–14 duke shpjeguar se Zoti u tha shenjtorëve që, në qoftë se dëshironin t’i merrnin të vërtetat e ungjillit, ata nevojitej ta mbështetnin Jozef Smithin në thirrjen e tij.
Shpjegoni se Zoti ua zbuloi të vërtetat te Doktrina e Besëlidhje 43:15–16 shenjtorëve të ditëve të mëvonshme që po përgatiteshin për të shërbyer si misionarë. Më pas ftojeni një student t’i lexojë me zë të lartë këto vargje.
-
Si mendoni se gjejnë zbatim këto vargje në punën e misionarëve kohëplotë?
Doktrina e Besëlidhje 43:17–35
Shërbëtorët e Perëndisë duhet të predikojnë pendim në përgatitje për Ardhjen e Dytë dhe Mijëvjeçarin
Kërkojuni studentëve të renditin veprimtari ose ngjarje që kërkojnë përgatitje të kujdesshme. Studentët mund të japin disa shembuj, të tillë si misionet kohëplota, ngjarjet sportive, shfaqjet muzikore, detyrat e caktuara për të dhënë mësim në kishë dhe provimet në shkollë.
-
Si mendoni se ndihen njerëzit nëse janë të papërgatitur, kur vjen koha për ta që të marrin pjesë në veprimtari të tilla?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 43:17–18. Vëreni klasën ta ndjekë duke parë për një ngjarje që kërkon përgatitjen tonë. (“Dita e madhe e Zotit” ose, me fjalë të tjera, Ardhja e Dytë.)
Ndajini studentët në dyshe. Kërkojini secilës dyshe të lexojë së bashku Doktrinën e Besëlidhjet 43:17–22, duke kërkuar atë që i udhëzoi Zoti të bënin pleqtë për t’i ndihmuar njerëzit të përgatiteshin për Ardhjen e Dytë. Kur grupet të kenë pasur kohë për të lexuar, bëjini klasës pyetjet vijuese:
-
Çfarë i udhëzoi Zoti pleqtë që të jepnin mësim? Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga këto vargje? (Studentët duhet të shprehin se që ta përgatitim veten tonë për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit, ne duhet të pendohemi. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë.)
Kujtojini studentët se Zoti ka premtuar për ta mbledhur popullin e Tij si një klloçkë i mbledh zogjtë e saj nën krahë, por që shumë njerëz nuk pranojnë të pendohen ose ta përgatitin veten për Ardhjen e Dytë (shih DeB 43:23–24; shih edhe DeB 29:1–2 dhe mësimin 35 në këtë manual).
Vërini dyshet e studentëve të lexojnë së bashku Doktrinën e Besëlidhjet 43:25–27 duke kërkuar “zërat” e ndryshëm që Zoti i ka përdorur për t’i thirrur njerëzit që të vijnë tek Ai. Pasi ta kenë mbaruar leximin, bëni pyetjet vijuese:
-
Cilat “zëra” përcaktuat? Si mendoni, përse nevojiten këta zëra të ndryshëm?
Ftojini studentët të përsiatin gjërat e veçanta që u nevojitet të bëjnë për t’u penduar e përgatitur për Ardhjen e Dytë. Më pas ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 43:28–31 dhe vëreni klasën të kërkojë ngjarjen e madhërishme, të profetizuar në këto vargje.
-
Cila është ngjarja e madhërishme, e profetizuar në këto vargje? (Mijëvjeçari.)
-
Çfarë do të ndodhë gjatë Mijëvjeçarit? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Gjatë Mijëvjeçarit, Satani do të lidhet dhe Jezu Krishti do të mbretërojë me popullin e Tij në tokë. Ju gjithashtu mund të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët ose frazat që na e mësojnë këtë të vërtetë te vargjet 28–31. Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më mirë se si Satani do të lidhet, merreni parasysh t’i ftoni ata të lexojnë 1 Nefin 22:26.)
Lexoni me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Xhorxh Q. Kenën, i Presidencës së Parë, duke shpjeguar se Satani do të lidhet gjatë Mijëvjeçarit:
“Ne flasim rreth Satanit që do të lidhet. Satani do të lidhet nga fuqia e Perëndisë; por ai do të lidhet gjithashtu nga vendosmëria e popullit të Perëndisë që të mos e dëgjojë atë, të mos qeveriset prej tij” (Gospel Truth: Discourses and Writings of President George Q. Cannon, përmb. Jerreld L. Newquist, 2 vëll. [1957–1974], 1:86).
-
Si mund të përgatitemi tani që të numërohemi mes të drejtëve kur Shpëtimtari të vijë sërish? (Ndërsa studentët i përgjigjen kësaj pyetjeje, ju mund të doni t’i rishikoni të vërtetat e diskutuara në këtë mësim dhe të dëshmoni për to.)
Doktrina e Besëlidhje 44
Zoti i urdhëron shërbëtorët e Tij të mblidhen së bashku
Përmblidhni Doktrinën e Besëlidhjet 44:1–6 duke shpjeguar se Zoti i drejtoi pleqtë të mblidheshin për një konferencë. Zoti u premtoi pleqve që, nëse do të ishin besnikë dhe do të ushtronin besim tek Ai, Ai do ta derdhte Shpirtin e Tij mbi ta dhe do t’i bekonte që armiqtë e tyre nuk do të kishin fuqi mbi ta. Zoti i drejtoi ata që të predikonin pendim, të administronin ndihmë ndaj të varfërve dhe ta organizonin vetveten sipas ligjeve të tokës.