Seminare dhe Institute
Mësimi 58: Doktrina e Besëlidhje 51–52


Mësimi 58

Doktrina e Besëlidhje 51–52

Hyrje

Ndërkohë që disa prej shenjtorëve që po largoheshin nga shtetet e lindjes, filluan të mbërrinin në Ohajo në maj të vitit 1831, Zoti i dha Jozef Smithit zbulesën në Doktrinën e Besëlidhjet 51 për Peshkopin Eduard Partrixh. Grupi që po mbërrinte nga Kollsvilli i Nju-Jorkut, po drejtohej për të shkuar në Tomson të Ohajos, ku ata do të jetonin sipas ligjit të përkushtimit. Në mbylljen e konferencës së katërt të Kishës, të mbajtur më 3–6 qershor të vitit 1831 në Kirtland, Zoti i urdhëroi Jozef Smithin dhe pleq të tjerë të udhëtonin në dyshe për në Misuri, duke predikuar përgjatë udhës. Në zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 52, Zoti e thirri secilën dyshe shoqëruese dhe dha një model për t’i ndihmuar ata që t’i shmangeshin mashtrimit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 51:1–20

Zoti e udhëzon Peshkopin Eduard Partrixh që të zgjidhë nevojat materiale të shenjtorëve

Për t’i ndihmuar studentët të fillojnë të mendojnë rreth njërit prej rezultateve të të jetuarit të ligjit të përkushtimit, ftojini studentët t’u përgjigjen pyetjeve vijuese në dyshe apo në grupe të vogla, ose si klasë.

  • Cili është grupi më me unitet pjesë e të cilit keni qenë? Si e dini ju nëse një grup njerëzish ka unitet? Çfarë lloj praktikash ose ngjarjesh e ndihmojnë një grup që të ketë unitet?

Shpjegoni se shenjtorët që kishin lëvizur nga Nju-Jorku, filluan të mbërrinin në Ohajo në pranverën e vitit 1831. Një grup erdhi nga Kollsvilli i Nju‑Jorkut, pas shumë sakrifice. Ky grup u udhëzua të vendosej në Tomson të Ohajos dhe të jetonte sipas ligjit të përkushtimit. Ftojini studentët të përfytyrojnë unitetin që mund të rrjedhë nga një grup që bëri sakrifica së bashku për ta ndjekur vullnetin e Zotit.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 51:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar përgjegjësitë e Peshkopit Eduard Partrixh.

  • Cilat ishin disa nga përgjegjësitë e Peshkopit Partrixh? (Ju mund të dëshironi të vini në dukje se te vargu 3, fraza “të barabartë sipas familjes së tij” nuk do të thotë që çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme duhej të merrte të njëjtën ndihmë. Peshkopi duhej ta merrte parasysh gjendjen e secilës familje veç e veç dhe “t’u cakto[nte]” atyre atë që iu nevojitej. Ata ishin të barabartë ngaqë peshkopi kushtoi vëmendje dhe përkujdesje të barabartë për secilën familje.)

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 51:9 duke kërkuar atë që Zoti shpjegoi se janë dy rezultatet e pritura nga të jetuarit të ligjit të përkushtimit.

  • Çfarë pret Zoti nga populli i Tij? (Studentët duhet të shprehin parimin vijues: Zoti pret që populli i Tij të veprojë me ndershmëri me të tjerët dhe të ketë unitet.)

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 51:10–20 duke shpjeguar se Zoti e udhëzoi Peshkopin Partrixh që të ngrinte një shtëpi ruajtjeje ku mund të mbaheshin gjërat që ishin të tepërta. Zoti shpjegoi se Ai e kishte përkushtuar tokën për shenjtorët “për një stinë të vogël” (DeB 51:16). Edhe pse nuk e dinin se përsa kohë do të qëndronin atje, ata duhej të “vepro[nin] mbi këtë vend, si të ishin për vite” (DeB 51:17), duke qenë kujdestarë besnikë, të urtë dhe të drejtë të asaj që iu ishte dhënë atyre. Mund t’ju duhet të vini në dukje se te vargu 10, fjala kishë i referohet një dege të Kishës (shih DeB 51:10, poshtëshënimi a; shih edhe DeB 20:81; 45:64).

Doktrina e Besëlidhje 52:1–13, 22–36

Zoti i urdhëron Profetin dhe pleq të tjerë që të udhëtojnë për në Misuri dhe të predikojnë ungjillin përgjatë udhëtimit të tyre

Përpara orës mësimore përgatitni tri të dhëna, secila duke çuar tek e dhëna më pas. Për shembull, e dhëna e parë mund t’i drejtonte studentët të kërkojnë të dhënën e dytë nën një send ose brenda tij diku në klasë. E dhëna e dytë mund t’i drejtonte ata të kërkonin të dhënën e tretë diku tjetër në klasë. E dhëna e tretë duhet të thotë: “Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 52:1–6. Gjeni një parim që është i ngjashëm me këtë veprimtari.”

Ngjiteni me shirit të dhënën e parë në tabelë dhe shkruani udhëzimet vijuese pranë saj: Ndiqeni këtë të dhënë që të mësoni se si të merrni udhërrëfim të vazhdueshëm nga Zoti.

Pasi studentët ta lexojnë të dhënën e parë, ftojini të ndjekin udhëzimet për të gjetur të dhënën e dytë. Më pas ftojini të lexojnë udhëzimet në të dhënën e dytë dhe të kërkojnë për të dhënën e tretë.

Përpara se studentët t’i ndjekin udhëzimet në të dhënën e tretë, shpjegoni se pjesa që ata do të kërkojnë, përmban udhëzime të dhëna Jozef Smithit dhe udhëheqësve të tjerë të priftërisë në një konferencë të Kishës, të mbajtur në Kirtland të Ohajos në qershor të vitit 1831. Kujtojini shenjtorët se Zoti kishte zbuluar më përpara që shenjtorët do të ngrinin një qytet të quajtur Sion (shih DeB 28:9), por Ai nuk e kishte zbuluar ende vendndodhjen e tij.

Ftojini studentët të ndjekin udhëzimet në të dhënën e tretë. Vërini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 52:1–6. Vëreni klasën t’i ndjekë duke kërkuar një parim që është i ngjashëm me veprimtarinë që sapo e kanë përfunduar.

  • Sipas vargjeve 4–5, çfarë mund të ndodhë kur ne jemi besnikë ndaj udhëzimeve të Perëndisë? (Kur i ndjekim me besnikëri udhëzimet e Perëndisë, Ai na zbulon më shumë nga vullneti i Tij për ne. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Si ishte veprimtaria e ngjashme me këtë parim? (Teksa studentët e ndoqën secilin udhëzim, ata morën udhëzime shtesë, më së fundi duke i çuar te përgjigjja që po kërkonin.)

  • Cilat mendoni se janë disa përfitime të marrjes së udhërrëfimit dhe të së vërtetës së Zotit pak e nga pak në vend që të merret gjithçka njëherazi?

Ftojini studentët që e kanë pasur një përvojë me këtë parim, që të tregojnë për përvojat e tyre ose të dëshmojnë për vërtetësinë e tij. Ju mund të doni gjithashtu të tregoni për një përvojë ose të jepni dëshminë tuaj. Nxitini studentët të shkruajnë një pyetje, shqetësim apo vendim që po e hasin, për të cilin do të dëshironin ta kishin ndihmën dhe udhërrëfimin e Zotit. Më pas ftojini ata të përsiatin dhe të shkruajnë ndonjë udhëzim që Zoti ua ka dhënë atyre, që ata të mund të dëgjojnë më plotësisht, me qëllim që të ftojnë udhërrëfim të mëtejshëm prej Tij.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 52:7–10. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar udhëzime që Zoti ua dha disa mbajtësve të priftërisë përpara se të udhëtonin për në Misuri.

  • Çfarë u udhëzuan të bënin këta mbajtës të priftërisë ndërkohë që udhëtonin?

Doktrina e Besëlidhje 52:14–21, 36

Zoti zbulon një model për të na ndihmuar që ta shmangim të qenit të mashtruar nga Satani

Kujtojini studentët që në zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 50 Zoti i paralajmëroi pleqtë e Kishës rreth shpirtrave të rremë dhe dha udhëzime që do t’i ndihmonin shenjtorët ta lartësonin njëri-tjetrin, ndërkohë që jepnin mësim dhe mësonin vetë të vërteta të ungjillit.

Shpjegoni se te Doktrina e Besëlidhje 52:14–21 Zoti zbuloi udhëzime të mëtejshme që të ndihmonte për t’i forcuar anëtarët e Kishës, veçanërisht ata që Ai i kishte thirrur për të predikuar ungjillin ndërkohë që udhëtonin për në Misuri.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 52:14. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të përcaktojë frazën që përdori Zoti për ta përshkruar atë që Ai ishte gati t’ua mësonte. (“Një model në gjithçka.”)

  • Çfarë është një model? (Një shembull që mund ta ndjekim me qëllim që të arrijmë një rezultat të caktuar.)

  • Çfarë arsyeje dha Zoti për dhënien e këtij modeli?

Ndajini studentët në dyshe. Ftojeni secilin partner të lexojë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 52:15–19. Vërini që të kërkojnë veprime dhe veti që Zoti tha se do ta ndihmonin popullin e Tij për të shmangur të qenit të mashtruar nga Satani. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni të raportojnë atë që kanë gjetur. Ftojeni një student të veprojë si shkrues dhe t’i renditë përgjigjet e tyre në tabelë.

Ndërkohë që studentët përgjigjen, ju mund të doni të shpjegoni ose t’u kërkoni atyre të shpjegojnë kuptimin e frazave vijuese: “shpirti i të cilit është i penduar” (DeB 52:15) i drejtohet një njeriu që ka një sjellje pendese; “u bindet ordinancave të mia” (DeB 52:15) i drejtohet një njeriu i cili i merr ordinancat e Zotit dhe i mban besëlidhjet e lidhura me to; “gjuha e të cilit është e duruar dhe lartëson” (DeB 52:16) i drejtohet një njeriu e folura e të cilit është e përulur dhe i lartëson ose i ngre moralisht të tjerët; “dridhet nën fuqinë time” (DeB 52:17) përshkruan një njeri që ndien nderim për fuqinë e Perëndisë; dhe “të sjellë fryte” (DeB 52:17) i drejtohet një njeriu që jep diçka të mirë (të tillë si “lavdërimi e urtësi[a]”) duke i ndjekur zbulesat që ka dhënë Perëndia.

Jepuni kohë dysheve të studentëve për të diskutuar se si ata do t’i përmblidhnin të vërtetat e dhëna mësim te Doktrina e Besëlidhje 52:14–19. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të tregojnë të vërtetat që kanë përcaktuar. Studentët mund të japin një larmi përgjigjesh, por ju mund të doni të theksoni parimin vijues: Me qëllim që ta shmangë të qenit i mashtruar prej Satanit, një njeri duhet t’u bindet ordinancave të Zotit dhe të jetojë sipas zbulesave që ka dhënë Ai.

Kujtojini studentët se, kur Zoti e zbuloi këtë model për ta shmangur mashtrimin, Ai po u fliste një grupi të mbajtësve të priftërisë, të cilët do t’ua predikonin ungjillin të tjerëve.

  • Si mendoni, përse është e rëndësishme për ata njerëz që ua mësojnë ungjillin të tjerëve, që ta ndjekin modelin të cilin Zoti e zbuloi në këto vargje? (Që ata të mund të japin mësim me anë të Shpirtit.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 52:36. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar një udhëzim shtesë që Zoti e dha në këtë zbulesë. Ftojini të raportojnë atë që gjejnë.

  • Çfarë i udhëzoi Zoti që të shpallnin pleqtë e Kishës?

  • Përse mund të kemi mirëbesim te një udhëheqës ose mësues që jeton sipas modelit të përvijuar nga Zoti në vargjet 14–19 dhe që jep mësim vetëm atë që profetët dhe apostujt e kanë dhënë mësim?

Ju mund të sugjeroni që studentët të marrin parasysh se si anëtarët e Presidencës së Parë ose të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve e shfaqin këtë model.

Doktrina e Besëlidhje 52:37–44

Zoti u jep këshillë udhëheqësve që do të mbeteshin në Ohajo

Shpjegoni se, ndërkohë që Zoti i thirri shumë prej udhëheqësve të hershëm të priftërisë që të predikonin përgjatë udhës së tyre për në Misuri, shumë pleq të tjerë duhej të qëndronin në Ohajo. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 52:39–40. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar udhëzimet që Zoti ua dha pleqve që do të mbeteshin në Ohajo.

  • Çfarë përgjegjësish u dha Zoti pleqve që mbetën në Ohajo?

  • Çfarë mendoni se do të thotë të “kujtoni … të varfrit dhe nevojtarët”? Përse nuk është thjesht të menduarit rreth dikujt që është nevojtar, i mjaftueshëm për ta përmbushur këtë këshillë nga Zoti?

  • Çfarë tha Zoti rreth atyre njerëzve që nuk do t’i përmbushnin përgjegjësitë e tyre?

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga këto vargje rreth të qenit një dishepull i vërtetë i Zotit? (Megjithëse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Dishepujt e Jezu Krishtit vëzhgojnë mbi ata njerëz që janë të varfër, nevojtarë, të sëmurë e të brengosur dhe kujdesen për ta.)

Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth njerëzve që i njohin, të cilët ata do t’i konsideronin dishepuj të Jezu Krishtit. Ftojini disa studentë të tregojnë se si një njeri për të cilin menduan, vëzhgon mbi nevojtarët dhe kujdeset për ta. Ju mund të dëshironi të shprehni mirënjohjen që ndieni për ata që kanë vëzhguar mbi ju dhe ju kanë ndihmuar në rastet tuaja të nevojës.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 52:14–19. Një shembull i modelit të besnikërisë

Plaku Pol E. Kolliker, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi historinë vijuese, e cila përfshin një shembull të mënyrës se si mund t’i ndikojmë pozitivisht të tjerët, kur ne jetojmë sipas modelit te Doktrina e Besëlidhje 52:14–19:

Plaku Pol E. Kolliker

“Modelet janë shembuj, drejtues, hapa të përsëritur ose shtigje që dikush i ndjek për të qëndruar i rreshtuar me qëllimin e Perëndisë. Nëse këto modele ndiqen, do të na mbajnë të përulur, të zgjuar dhe të aftë të dallojmë zërin e Shpirtit të Shenjtë nga ato zëra që na hutojnë dhe na largojnë. …

… Kur e jetojmë vërtet ungjillin sipas modelit të dhënë mësim nga Zoti Jezu Krisht, aftësia jonë për t’i ndihmuar të tjerët rritet. Përvoja në vijim është një shembull i mënyrës se si mund të funksionojë ky parim.

Dy misionarë të rinj trokitën në një derë me shpresën që të gjenin dikë për të pranuar mesazhin e tyre. Dera u hap dhe një burrë trupmadh i përshëndeti ata me një zë aspak miqësor: ‘Mendova se ju thashë të mos trokisni më në derën time. Ju paralajmërova më parë se, nëse do të vinit përsëri, kjo nuk do të ishte një përvojë e këndshme. Tani më lini të qetë.’ Ai me ngut mbylli derën.

Kur misionarët u larguan, misionari më i vjetër e më me përvojë vendosi dorën mbi shpatullën e misionarit më të ri për ta ngushëlluar dhe për t’i dhënë zemër. Pa u vënë re nga ata, burri i pa nga dritarja për t’u siguruar se ata e kishin kuptuar mesazhin e tij. Ai priste që t’i shihte ata tërësisht të qeshur dhe të bënin shaka me përgjigjen e tij të shkurtër e të pasjellshme për përpjekjen e tyre për ta vizituar. Megjithatë, ndërsa ai pa shprehjen e mirësisë midis dy misionarëve, zemra e tij u zbut në çast. Ai e hapi sërish derën dhe u kërkoi misionarëve të ktheheshin e të ndanin mesazhin e tyre me të” (“Ai me të Vërtetë na Do”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 16, 17).

Doktrina e Besëlidhje 52:33–34. “Ai që është besnik … do të mbahet e bekohet”

“Lidia Klisbi Partrixhi la një rrëfim të rrethanave nën të cilat bashkëshorti i saj, Eduardi, e mori këtë urdhër nëpërmjet zbulesës. Të gjithë fëmijët e tyre i kishte zënë fruthi nga disa prej anëtarëve të sapombërritur nga Nju-Jorku, të cilët po qëndronin me familjen e tyre. Ajo shkroi se ‘vajza e tyre më e madhe u sëmur nga ethet e mushkërive dhe, ndërkohë që ajo ishte në gjendjen më të rëndë, bashkëshorti im u thirr me anë të zbulesës që të shkonte me një numër burrash të tjerë për në Misuri, që të përcaktonin një vendndodhje për mbledhjen e shenjtorëve, [dhe] mosbesuesit menduan se ai duhej të ishte i marrë ose ai nuk do të shkonte. Dhe unë vetë mendova se kisha arsye të mendoja që sprovat e mia kishin filluar dhe kështu [ato] kishin filluar, por kjo sprovë, si gjithë të tjerat, u ndoq nga bekime, sepse bija jonë u shërua.’ (Partridge, Genealogical Record, f. 6.)” (Documents, Vëllimi 1: korrik 1828–qershor 1831, vëll. 1 i serisë së Dokumenteve të The Joseph Smith Papers [2013], f. 330).