Mësimi 126
Doktrina e Besëlidhje 121:1–10; 122
Hyrje
Doktrina e Besëlidhje 121–123 përmban përzgjedhje të një letre nga Profeti Jozef Smith drejtuar Kishës, e datës 20 mars 1839. Jozef Smithi e diktoi letrën ndërsa ai dhe disa shokë ishin të burgosur në burgun e Libertisë. Në letër, Profeti përfshiu disa prej lutjeve të tij, duke i kërkuar Zotit ta bekonte atë, shokët e tij dhe të gjithë shenjtorët që po vuanin për shkak të veprimeve të armiqve të tyre. Ai gjithashtu përfshiu përgjigjet që ai i kishte marrë prej atyre lutjeve.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 121:1–6
Jozef Smithi lutet për shenjtorët e vuajtur
Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur një shoqe apo një njeri i dashur po kalon përmes një përvoje të vështirë. Ajo ju thotë në mirëbesim se nuk e kupton përse po përjeton brengosje të tillë dhe që ndien sikur Perëndia e ka braktisur atë.
-
Çfarë do t’i thoshit shoqes suaj? Çfarë do të bënit nëse do të ishit personi që po i përjetonte këto brenga?
Shpjegoni që Zoti e këshilloi dhe e ngushëlloi Jozef Smithin gjatë një përvoje jashtëzakonisht të vështirë. Nxitini studentët të kërkojnë mënyra se si fjalët këshilluese dhe ngushëlluese të Zotit te Doktrina e Besëlidhje 121–123 mund t’i ndihmojnë ata përmes vetë sprovave të tyre.
Shpjegoni se më 31 tetor 1838, Xhorxh Hinklli, një anëtar i Kishës dhe një kolonel në milicinë e shtetit të Misurit, e tradhtoi Jozef Smithin. Hinklli i tha Jozef Smithit se anëtarë të milicisë së Misurit, të cilët i kishin sulmuar shenjtorët në Far-Uest të Misurit, dëshironin të takoheshin për një intervistë që t’i zgjidhnin mosmarrëveshjet paqësisht. Kur Jozefi dhe udhëheqës të tjerë të Kishës mbërritën për intervistën, milicia i mori forcërisht si të burgosur lufte. Në muajin në vazhdim, Jozef Smithi dhe bashkëpunëtorët e tij u keqtrajtuan dhe u fyen, ndërkohë që armiqtë e tyre i burgosën ata në Indipendëns të Misurit dhe në Riçmond të Misurit. Ndërkohë që ende prisnin gjyqin, i cili bazohej në akuza të rreme dhe që u bë pa pasur një proces gjykimi të paanshëm, Jozef Smithi dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës u zhvendosën drejt një burgu në Liberti të Misurit më 1 dhjetor.
Gjatë katër muajve pasues, Profeti, vëllai i tij, Hajrëmi, Aleksandër Mek-Rei, Liman Uajti dhe Kejlëb Bolduini u mbajtën në bodrumin e poshtëm të burgut të Libertisë gjatë një dimri hidhësisht të ftohtë. Sidni Rigdoni ishte gjithashtu me ta për njëfarë kohe, por një gjykatës autorizoi lirimin e tij në fund të janarit të vitit 1839. Duke pasur frikë nga kërcënimet e armiqve, Vëllai Rigdon nuk u largua nga burgu deri në fillim të shkurtit.
Për t’i ndihmuar studentët të kenë një ide për kushtet e ashpra me të cilat u përballën Profeti dhe miqtë e tij, ndërkohë që ishin në burgun e Libertisë, ju mund të doni të përdorni një shirit ose disa mjete të tjera për të shënuar një katror në dysheme që është 4,3 metra me 4,3 metra. Shpjegoni se ato ishin përmasat e përafërta të dyshemesë së burgut. Tavani ishte midis 1,8 deri në 2 metra i lartë.
Ju mund të doni gjithashtu të sugjeroni që studentët të shohin fotografinë e burgut të Libertisë në shkrimet e tyre të shenjta (shih Fotografi të Historisë së Kishës, Fotografia 12, “Burgu Liberty”). Ftojini studentët të përfytyrojnë se si do të ishte sikur të burgoseshin në një vend të tillë, të vogël, me 4 ose 5 burra të tjerë për 4 muajt e dimrit. Dy dritare të vogla me hekura ofronin shumë pak dritë dhe nga jashtë këtyre dritareve, njerëzit i përqeshnin dhe i tallnin të burgosurit. Të burgosurit flinin mbi kashtë të ndotur në dysheme. Mjetet e tyre të pakta përfshinin një kovë për jashtëqitjen njerëzore. Për ca kohë, Jozefi nuk pati as batanije, e cila ishte e vetmja mbrojtje që të burgosurit e patën ndonjëherë nga i ftohti. Ushqimi me raste ishte i helmuar dhe, herë të tjera, ishte kaq i neveritshëm sa ata mund ta hanin vetëm për shkak të urisë së jashtëzakonshme. Rrallë lejoheshin vizitorë dhe ata hidhëroheshin thellësisht kur dëgjonin për vuajtjen e shenjtorëve, të cilët ishin dëbuar nga Misuri në mes të dimrit.
-
Çfarë ndjenjash dhe mendimesh mund të kishit pasur nëse do të kishit qenë në vend të Jozefit?
Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 121–123 përmban përzgjedhjet e një letre nga Profeti drejtuar shenjtorëve, të shkruar pranë fundit të burgimit të tij në burgun e Libertisë. Letra përfshinte disa përgjërime plot lutje të Jozefit drejtuar Zotit.
Ftojini dy ose tre studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 121:1–6. Vëreni klasën të kërkojnë pyetjet dhe përgjërimet që Profeti ia shprehu Zotit. (Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë vargun 1 dhe 4, ju mund të doni të shpjegoni se një tendë është një ndërtesë ose një strukturë tjetër që siguron strehë.)
-
Çfarë pyetjesh dhe përgjërimesh gjetët? Ç’gjë tjetër ju la mbresë rreth këtyre vargjeve?
Doktrina e Besëlidhje 121:7–10; 122
Zoti e ngushëllon Jozef Smithin
Shpjegoni se disa nga përgjigjet e Zotit dhënë lutjeve të Jozef Smithit gjenden te Doktrina e Besëlidhje 121:7–25 dhe 122:1–9. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 121:7–10. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar parime që do ta kishin ndihmuar Jozef Smithin dhe shokët e tij gjatë kohës së tyre në burgun e Libertisë. Ftojini studentët që t’i shkruajnë doktrinat dhe parimet që mësuan nga këto vargje në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.
Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve të tregojnë doktrinat dhe parimet që kanë përcaktuar. Shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë. Parimet vijuese janë tri parime që ata mund t’i përcaktojnë:
Ndajini studentët në dyshe dhe ftojini që të diskutojnë pyetjet vijuese. Bëjini pyetjet një e nga një, duke lejuar kohë të mjaftueshme për diskutim.
-
Cili është ndryshimi midis durimit të një sprove dhe durimit mirë të një sprove?
-
Cilin njihni ju që është një shembull i durimit mirë të një sprove?
Ftojini disa studentë që t’i tregojnë gjithë klasës atë që e diskutuan me ortakët e tyre.
-
Zoti tha se fatkeqësia dhe mjerimet e Jozef Smithit do të ishin “veçse një çast i shkurtër” (DeB 121:7). Çfarë mendoni se do të thotë kjo? Si mund të na ndihmojë ky këndvështrim për t’i duruar mirë sprovat tona?
Jepuni studentëve mundësinë që të tregojnë përvojat që kanë pasur kur ata e kanë marrë paqen e Shpëtimtarit gjatë kohëve të vështirësisë.
Shkruani në tabelë pyetjen vijuese: Kush do të kërkojë këshillë e bekime nëpërmjet Profetit Jozef Smith?
Ftojini studentët t’i kërkojnë përgjigjet për këtë pyetjeje ndërkohë që lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 122:1–4. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini ata të përsiatin nëse vargjet 2–3 i përshkruajnë ato.
-
Në çfarë mënyrash vazhdojmë të marrim këshillë nga Jozef Smithi? Në çfarë mënyrash marrim autoritet dhe bekime për shkak të tij?
-
Çfarë premtimesh i dha Zoti Jozef Smithit?
Ftojini tre studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 122:5–7. Vëreni klasën t’i ndjekë dhe të kërkojë një parim që Zoti ia mësoi Jozef Smithit rreth vështirësive që po i përjetonin ai dhe të tjerët.
-
Sipas vargut 7, çfarë përfundimesh pozitive mund të vijnë nga fatkeqësia dhe mjerimet? (Ndërsa studentët i përgjigjen kësaj pyetjeje, shkruani parimin vijues në tabelë: Mjerimet mund të na japin përvojë dhe mund të jenë për të mirën tonë.)
Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë për mënyrën se si mjerimet mund të jenë për të mirën tonë.
“Ju mund të ndiheni të vetmuar kur fatkeqësia hyn në jetën tuaj. Ju tundni kokën dhe pyesni veten: ‘Përse mua?’
Por në fakt, radha në rrotën e vuajtjeve i bie secilit prej nesh. Në një kohë apo tjetër, secili duhet të përjetojë hidhërim. Asnjë nuk është i përjashtuar. …
Të mësosh të durosh periudhat e zhgënjimit, vuajtjes dhe hidhërimit është pjesë e punës sonë stërvitore. Këto përvoja, ndërsa janë shpesh të vështira të durohen në atë kohë, janë pikërisht lloji i përvojave që e zgjerojnë kuptimin tonë, e ndërtojnë karakterin tonë dhe e rritin dhembshurinë tonë për të tjerët” (“Le të Ndodhë Ç’të Ndodhë, Duaje Atë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 27).
-
Çfarë tha Plaku Uirthlin se mund të bëjnë për ne përvojat tona të vështira?
Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth mënyrës se si një sprovë u ka dhënë atyre përvojë dhe ka qenë për të mirën e tyre. Pas një kohe të mjaftueshme, ju mund t’u kërkoni disa studentëve të tregojnë se çfarë kanë shkruar.
Ftojeni një student të vijë në tabelë dhe të jetë një shkrues. Kërkojini atij ose asaj të vizatojë një vijë horizontale në gati një të tretën e largësisë nga fundi i tabelës. Më pas kërkojuni studentëve të renditin situata sfiduese që përjetojnë njerëzit. Vëreni shkruesin t’i shkruajë përgjigjet e tyre mbi vijë.
Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të bërë një listë, pyetini ata nëse e kanë dëgjuar ndonjëherë dikë të thotë: “Askush nuk i kupton gjërat që po kaloj unë”. Ftojini ata të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 122:8, duke kërkuar atë që Zoti mund të thoshte në përgjigje të këtij komenti. Teksa i raportojnë përgjigjet e tyre, kërkojini shkruesit të shkruajë Jezu Krishti nën vijën në tabelë.
-
Çfarë mendoni se do të thotë që Shpëtimtari “zbrit[i] nën këto të gjitha”? (Përpara se të përgjigjen studentët, ju mund të doni t’i ftoni ata të lexojnë 2 Nefin 9:20–21, Almën 7:11 dhe Doktrinën e Besëlidhjet 88:5–6. Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Shpëtimtari vuajti dhembjet dhe mjerimet e të gjithë njerëzve.)
-
Si mendoni se kjo e vërtetë mund të kishte qenë e dobishme për Jozef Smithin dhe shokët e tij në burgun e Libertisë?
Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë këtë doktrinë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Uirthlin:
“Ngaqë Jezu Krishti vuajti shumë, Ai e kupton vuajtjen tonë. Ai e kupton brengosjen tonë. Ne përjetojmë gjëra të rënda që ne gjithashtu të mund të kemi dhembshuri dhe kuptueshmëri të shtuar për të tjerët.
Mbajini mend fjalët madhështore të Shpëtimtarit drejtuar Profetit Jozef Smith, kur ai po vuante me shokët e tij në errësirën mbytëse të burgut të Libertisë. …
… Jozefi gjeti ngushëllim nga këto fjalë dhe po ashtu mundemi ne” (“Le të Ndodhë Ç’të Ndodhë, Duaje Atë”, f. 27).
-
Në çfarë mënyrash e kanë shtuar përvojat tuaja me “gjëra[t e] vështira” dhembshurinë dhe kuptueshmërinë tuaj për të tjerët?
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 122:9 dhe përsiatni se si lidhet ky varg me jetën dhe shërbesën e Profetit Jozef Smith.
-
Si mendoni ju se lidhet Doktrina e Besëlidhje 122:9 me ju? Si mund t’ju forcojë ky varg gjatë përvojave të vështira?
Shpjegoni se pak kohë pasi u shkrua kjo letër, Zoti hapi një udhë që Jozefi dhe shokët e tij të bashkoheshin sërish me shenjtorët në Ilinois. Dëshmoni se Perëndia ishte me shërbëtorin e Tij, Jozef Smithin, gjatë gjithë jetës së Jozefit. Ndihmojini studentët të kuptojnë që, nëse mbetemi besnikë gjatë sprovave, Perëndia do të jetë gjithashtu me ne. Në mbyllje, jepni dëshminë vijuese, të cilën Jozef Smithi e dha pranë fundit të jetës së tij: “Perëndia i Plotfuqishëm është mburoja ime; dhe çfarë mund të bëjë njeriu nëse Perëndia është miku im?” (në History of the Church, 5:259).