Mësimi 116
Doktrina e Besëlidhje 109:1–46
Hyrje
Shenjtorët punuan gati tre vjet që ta ndërtonin tempullin e Kirtlandit. Kur ata e mbaruan, Zoti i zbuloi Profetit Jozef Smith lutjen që duhej ofruar në përkushtimin e tempullit. Profeti e lexoi lutjen si pjesë të shërbimeve të përkushtimit më 27 mars 1836. Lutja është shënuar te Doktrina e Besëlidhje 109. Ky mësim shqyrton pjesën e parë të lutjes, e cila përmban një kërkesë që Zoti ta pranojë tempullin dhe të përmbushë premtimet që Ai kishte bërë lidhur me të, duke përfshirë mbrojtje dhe bekime për ata që do të adhuronin atje.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 109:1–23
Jozef Smithi i kërkon Zotit që ta pranojë tempullin e Kirtlandit dhe t’i bekojë ata që adhurojnë atje
Paraqitni disa fotografi të tempujve. Ju mund t’i pyetni studentët nëse e dinë se ku ndodhet secili tempull.
Shkruajeni në tabelë pyetjen vijuese: Përse i ndërtojmë ne tempujt? Ftojini studentët që të ndahen në dyshe dhe të diskutojnë rreth përgjigjeve për këtë pyetje. Pas një kohe të mjaftueshme, shpjegoni se ne mund të gjejmë përgjigje për këtë pyetje te Doktrina e Besëlidhje 109.
Tregojuni studentëve një fotografi të Tempullit të Kirtlandit (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 117; shih edhe LDS.org dhe josephsmith.net). Shpjegoni se shenjtorët punuan dhe sakrifikuan për gati tre vjet që ta ndërtonin tempullin e Kirtlandit. Ata panë përmbushjen e premtimit të Zotit, se nëse do t’i mbanin urdhërimet e Tij, ata do të “k[ishin] fuqi për ta ndërtuar atë” (DeB 95:11). Më 27 mars 1836, shenjtorët morën pjesë në shërbesën e përkushtimit të tempullit dhe Jozef Smithi ofroi lutjen e përkushtimit. Ai i kishte marrë fjalët e lutjes me anë të zbulesës, përpara shërbesës së përkushtimit. Lutja është shënuar te Doktrina e Besëlidhje 109.
Shpjegoni se pothuaj 1000 shenjtorë të ditëve të mëvonshme morën pjesë në shërbesën e përkushtimit për tempullin e Kirtlandit. Shumë më tepër njerëz donin të merrnin pjesë, por nuk i nxinte ndërtesa. Profeti Jozef Smith mori masa që ata të merrnin pjesë në një mbledhje te një ndërtesë tjetër dhe shërbesa e përkushtimit u përsërit për ta disa ditë më vonë.
Ftojini studentët që të përfytyrojnë sikur po marrin pjesë në shërbesën e përkushtimit të tempullit të Kirtlandit: Ata ndiejnë padurim të madh gjatë këngës hapëse nga kori. Pastaj Sidni Rigdoni jep një fjalim. Pas një ndërprerjeje të shkurtër, ata kanë mundësinë që të japin votën mbështetëse për udhëheqësit e Kishës. Më pas Profeti Jozef Smith ngrihet në këmbë dhe lexon lutjen e përkushtimit.
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 109:1–4. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë arsyen e parë përse shenjtorët e ndërtuan tempullin e Kirtlandit.
-
Cila qe arsyeja e parë se përse shenjtorët e ndërtuan tempullin e Kirtlandit? (Studentët duhet të kuptojnë se shenjtorët e ndërtuan tempullin ngaqë Zoti e kishte urdhëruar atë. Shkruani sa vijon në tabelë: Zoti na urdhëron të ndërtojmë tempuj.)
Ftoni një student tjetër të ngrihet në këmbë dhe ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 109:5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar frazat që përshkruajnë sakrificat e shenjtorëve për të ndërtuar tempullin.
-
Cilat fraza vutë re? (Përgjigjet mund të përfshijnë “shumë mundime”, “në varfëri” dhe “dhënë nga pasuria jonë”.)
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë sakrificat që bënë shenjtorët për ta ndërtuar tempullin e Kirtlandit, kërkojini një studenti të lexojë përmbledhjen vijuese:
Midis qershorit 1833 dhe marsit 1836, anëtarët e Kishës sakrifikuan kohën, paratë dhe zotërimet që të ndihmonin për të ndërtuar një shtëpi për Zotin. Burrat e dhanë vullnetarisht krahun e tyre të punës në ndërtim. Gratë bënë veshje dhe siguruan strehim. Kur shumë prej burrave ishin larg me kampin e Sionit, disa gra vazhduan punën për tempullin. Disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme, si Xhon Taneri dhe Viena Xheksi, dhanë shumë nga pasuria e tyre për ndërtimin e tempullit. Të tjerë ndihmuan me mjeshtërinë [e tyre] në punë. Për shembull, Brigam Jangu pagëzoi një burrë të quajtur Artemus Millet në Kanada. Vëllai Millet hoqi dorë nga puna e tij si gurgdhendës për qeverinë kanadeze, kështu që ai dhe familja e tij të mund të shpërnguleshin në Kirtland, ku ai shërbeu si mbikëqyrës për ndërtimin e tempullit. Në tërësi, tempulli kushtoi afërsisht 60.000 dollarë amerikanë – një shumë e jashtëzakonshme për atë kohë, duke marrë parasysh veçanërisht varfërinë e shenjtorëve. Duke e krahasuar, ajo shumë do të ishte e vlefshme me mbi 1000000 dollarë amerikanë sot.
-
Çfarë ju bën përshtypje nga sakrificat që bënë shenjtorët për të ndërtuar tempullin?
Ftojini studentët ta rilexojnë në heshtje vargun 5, duke kërkuar një të vërtetë që shpjegon arsyen përse shenjtorët sakrifikuan kaq shumë për ta ndërtuar tempullin.
-
Çfarë të vërtete gjetët rreth arsyes përse shenjtorët donin ta ndërtonin tempullin? (Studentët duhet të shprehin se në tempull, Zoti mund të na e manifestojë Veten e Tij. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)
Ftojeni gjysmën e klasës që ta lexojë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 109:10–11, duke kërkuar atë që Jozef Smithi i kërkoi Zotit të bënte, me qëllim që njerëzit të mund të merrnin bekimet e tempullit. Ftojeni gjysmën tjetër që ta lexojë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 109:12–13, duke kërkuar frazat që i ndihmojnë ata të kuptojnë se si Zoti na e manifeston Veten e Tij në tempull. Pas një kohe të mjaftueshme, bëjini grupit të parë pyetjet vijuese:
-
Çfarë i kërkoi Jozef Smithi Zotit të bënte, në mënyrë që njerëzit të mund të merrnin bekimet e tempullit? (Që t’i ndihmonte me hirin e Tij, në mënyrë që ata të mund të ishin të denjë në sytë e Tij.)
-
Ndërsa ne përpiqemi që të jemi të denjë për të hyrë në tempull, përse na nevojitet hiri i Zotit?
Bëjini grupit të dytë pyetjen vijuese:
-
Çfarë frazash gjetët, që ju ndihmojnë të kuptoni se si Zoti na e manifeston Veten e Tij në tempull? (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë frazat që tregohen nga shokët e tyre të klasës.)
Ftojini studentët të tregojnë, në dyshe ose me të gjithë klasën, përvojat që kanë pasur kur ata janë ndier afër Zotit në tempull. Kujtojuni atyre se disa përvoja janë tepër të shenjta apo vetjake për t’u treguar. Sipas rastit, tregoni një përvojë nga vetja juaj.
-
Në ç’mënyrë të qenit pranë Zotit në tempull ndikon në jetën tuaj kur jeni jashtë tempullit?
Ftojini studentët të vazhdojnë ta lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 109:14–23 në mënyrë të pavarur, duke kërkuar bekime të tjera që Zoti u ka premtuar atyre që adhurojnë në tempull.
-
Çfarë bekimesh të tjera u ka premtuar Zoti atyre që adhurojnë në tempull? (Studentët duhet të gjejnë shumë bekime në këto vargje. Ju mund të doni t’i renditni këto bekime në tabelë.)
Nga vargjet 22–23, cilat janë disa rrjedhoja të adhurimit në tempull? (Në lidhje me përgjigjet që japin studentët, ndihmojini ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Marrja e bekimeve të tempullit na armatos me fuqi dhe me ndihmën e Zotit ndërsa i shërbejmë Atij. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë. Ju gjithashtu mund të sugjeroni që studentët ta shkruajnë atë në shkrimet e tyre të shenjta.)
-
Çfarë mendoni se do të thotë të jesh “[i] armatosur me fuqinë [e Zotit]”?
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më mirë se çfarë do të thotë të jesh i armatosur me fuqinë e Zotit, ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Në shtëpinë e Zotit, anëtarëve besnikë të Kishës mund t’u dhurohet ‘fuqi nga lart’ [DeB 95:8], fuqi që do të na mundësojë t’i bëjmë ballë tundimit, t’i nderojmë besëlidhjet, t’u bindemi urdhërimeve të Zotit dhe t’u japim familjes, miqve dhe fqinjëve një dëshmi të zjarrtë, të patrembur të ungjillit” (“Cultivating Divine Attributes”, Ensign, nëntor 1998, f. 27).
-
Në ç’mënyrë kjo lloj fuqie do të ishte një bekim për ju dhe familjen tuaj? Në ç’mënyrë kjo lloj fuqie do të ishte një bekim për misionarët kohëplotë?
Doktrina e Besëlidhje 109:24–46
Jozef Smithi i kërkon Zotit që t’i mbrojë dhe bekojë ata që adhurojnë në tempull dhe ata që predikojnë ungjillin
Vizatoni në tabelë një mistri dhe një shpatë. Ju mund të doni të shpjegoni se një mistri përdoret për të vendosur llaç midis tullave ose gurëve. Pyetini studentët se në ç’mënyrë secili prej këtyre mjeteve mund të përdoret për të ndërtuar një tempull.
Shpjegoni se gjatë ndërtimit të tempullit të Kirtlandit, turmat kërcënuan se do ta shkatërronin tempullin. Presidenti Brigam Jang foli për “punëtorë mbi mure, duke mbajtur shpatën në njërën dorë për të mbrojtur veten nga turma, ndërsa me dorën tjetër vendosnin gurin dhe përdornin mistrinë” (Discourses of Brigham Young, përz. John A. Widtsoe [1954], f. 415). Me raste, burrat që punonin për tempullin gjatë ditës duhej ta ruanin atë natën.
Shpjegoni se përveç të punuarit me zell për ta mbrojtur tempullin dhe veten, shenjtorët i kërkuan Zotit mbrojtje. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 109:24–28 dhe vëreni klasën të kërkojë llojin e mbrojtjes që Jozef Smithi i kërkoi Zotit pasi u ndërtua tempulli.
-
Për cilën lloj mbrojtjeje u lut Jozefi?
-
Sipas vargut 24, çfarë mund të bëjmë për ta marrë këtë lloj mbrojtjeje?
-
Çfarë mund të mësojmë nga këto vargje rreth të pasurit mbrojtje nga e keqja? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse populli i Zotit është i denjë dhe e adhuron Atë në tempull, atëherë ligësia nuk do të triumfojë mbi ta.)
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 109:29–46 duke shpjeguar që Profeti u lut se ata që përhapnin gënjeshtra rreth shenjtorëve do të ngatërroheshin dhe se anëtarët e Kishës do të ishin në gjendje të ngriheshin dhe të bënin punën e Zotit. Ai gjithashtu i kërkoi Zotit ta mbushte tempullin me lavdinë e Tij dhe t’u siguronte shërbëtorëve të Tij dëshminë dhe fuqinë që do t’u nevojitej për ta shpallur ungjillin.
Për të përfunduar, nxitini studentët që të kenë gjithmonë një rekomandim tempulli aktual, edhe pse nuk jetojnë pranë një tempulli. Merrni parasysh të tregoni thënien vijuese nga Presidenti Hauard W. Hanter:
“Me të vërtetë, Zoti dëshiron që populli i Tij të jetë një popull i nxitur drejt tempullit. Do të ishte dëshira më e thellë e zemrës sime që çdo anëtar të Kishës ta kishim të denjë për në tempull. … Le të jemi një popull që shkon në tempull dhe që e do tempullin. Le të nxitojmë për në tempull aq shpesh sa na e lejojnë koha e mjetet dhe rrethanat vetjake” (“The Great Symbol of Our Membership”, Ensign, tetor 1994, f. 5).