Mësimi 33
Doktrina e Besëlidhje 27
Hyrje
Në gusht të vitit 1830 Njull Najti dhe bashkëshortja e tij, Salli, udhëtuan për në Harmoni të Pensilvanisë, që të vizitonin Profetin Jozef Smith. Salli Najti dhe Ema Smithi ishin pagëzuar në fillim të verës, por nuk ishin konfirmuar ende për shkak të përndjekjes nga një turmë. Gjatë vizitës së çiftit Najt në Harmoni, u vendos që Salli dhe Ema duhej të konfirmoheshin dhe grupi, së bashku me Xhon Uitmerin, do ta merrnin sakramentin së bashku. Kur Jozefi doli jashtë që të merrte verë për sakramentin, ai u takua nga një lajmëtar qiellor, i cili i komunikoi zbulesën tani të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 27.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 27:1–4
Zoti jep udhëzime lidhur me simbolet e sakramentit
Nëse janë të disponueshme, paraqitni disa lëkura patatesh dhe u kërkoni studentëve të marrin me mend se për çfarë qëllimi shpirtëror mund të përdoren ato. Pas disa përgjigjesh, ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga kujtimet e Presidentit Ezra Taft Benson për vizitën në Europën e shkatërruar nga lufta pas Luftës së Dytë Botërore:
“Nuk mund t’i harroj shenjtorët francezë të cilët, në pamundësi për të marrë bukë, përdorën lëkura patatesh për simbolet e sakramentit” (“Prepare for the Days of Tribulation”, Ensign, nëntor 1980, f. 33–34).
-
Çfarë do të mendonit nëse do të shihnit të përdoreshin lëkura patatesh për sakramentin?
-
Si mendoni, përse ishte e pranueshme për shenjtorët francezë të përdornin diçka tjetër në vend të bukës si simbol të sakramentit?
Për t’u dhënë studentëve kontekstin historik për zbulesën e shënuar te Doktrina dhe Besëlidhje 27, përmblidhni informacionin e dhënë në hyrjen e mësimit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 27:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar atë që engjëlli i tha Jozef Smithit rreth simboleve të sakramentit.
-
Çfarë i mësoi lajmëtari Jozef Smithit për atë që ne duhet të hamë apo të pimë kur marrim sakramentin? (Ato që ne i përdorim si simbole të sakramentit, nuk janë aq të rëndësishme sesa ajo që ato simbole na ndihmojnë të kujtojmë.)
-
Sipas këtyre vargjeve, cili duhet të jetë përqendrimi ynë ndërsa marrim sakramentin? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por përgjigjet e tyre duhet të pasqyrojnë parimin vijues: Ndërsa marrim sakramentin, ne duhet të kujtojmë flijimin shlyes të Jezu Krishtit. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë të vërtetë te Doktrina e Besëlidhje 27:2. Si pjesë e diskutimit, mund t’ju duhet të shpjegoni se ne e kemi “syrin [të] drejtuar te lavdia [e Zotit]” kur përqendrohemi tek Ai dhe e përputhim vullnetin tonë me të Tijin.)
Për t’i ndihmuar studentët të ndiejnë rëndësinë e kësaj të vërtete dhe ta marrin parasysh mënyrën se si ajo mund të zbatohet në jetën e tyre, diskutoni pyetjet vijuese:
-
Çfarë keni përjetuar kur keni menduar mbi flijimin shlyes të Shpëtimtarit gjatë administrimit të sakramentit?
-
Çfarë mund të bëjmë që ta përmirësojmë aftësinë tonë për të kujtuar flijimin e Jezu Krishtit dhe për ta marrë sakramentin “me syrin drejtuar te lavdia [e Tij]”?
Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth asaj që do të bëjnë për t’u përgatitur që ta marrin sakramentin çdo javë. Nxitini të shqyrtojnë mënyra se si ta kujtojnë Jezu Krishtin dhe kuptimin e simboleve të sakramentit. Ju mund të doni t’i ftoni disa prej tyre që të tregojnë atë që kanë shkruar.
Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 27:3–4 duke shpjeguar se Zoti e paralajmëroi Jozef Smithin që të mos blinte verë apo pije të forta (ndonjë pije me cilësi intoksikuese) nga armiqtë e Kishës për përdorim në sakrament. Ata duhej të përdornin vetëm verë që ishte “bërë e re” nga shenjtorët. Mund të jetë e dobishme për studentët tuaj të dinë se Fjala e Urtësisë nuk do të zbulohej edhe për dy vjet e gjysmë të tjerë (shihDeB 89) dhe se sot në Kishë ne përdorim ujë për sakramentin.
Doktrina e Besëlidhje 27:5–14
Zoti do ta marrë sakramentin përsëri në tokë
Kërkojuni studentëve të përsiatin se si përvoja e tyre e marrjes së sakramentit mund të ndryshojë, nëse do ta merrnin atë në prani të Shpëtimtarit. Ftojini disa studentë të shprehin mendimet e tyre.
Kujtojuni studentëve se Shpëtimtari ua paraqiti ordinancën e sakramentit Apostujve të Tij në Darkën e Fundit. Në këtë rast, Jezu Krishti profetizoi për një kohë kur Ai do të kthehej në tokë dhe do ta merrte sërish sakramentin me dishepujt e Tij (shih Mateu 26:26–29).
Shpjegoni se te Doktrina e Besëlidhje 27:5–12, Zoti përmendi veçanërisht disa nga individët që do të marrin pjesë në këtë mbledhje. Ftojini studentët t’i hedhin një sy kalimthi këtyre vargjeve dhe të përcaktojnë se 1) kush janë këta individë dhe 2) nëse përmendet, çfarë çelësash apo përgjegjësish kanë ata. Ftojeni një student ta renditë këtë informacion në tabelë, ndërsa pjesa tjetër e klasës raporton mbi atë që ka gjetur. (Ju mund të doni të shpjegoni se gjatë gjithë historisë në tokë, Zoti ua ka dhënë autoritetin e priftërisë burrave të drejtë që të ndihmojnë me administrimin e ungjillit të Tij. Ai gjithashtu u ka dhënë çelësat e priftërisë udhëheqësve të priftërisë në mënyrë që të mund të drejtojnë, kontrollojnë dhe qeverisin përdorimin e priftërisë së Tij në tokë.)
Kur lista të jetë e plotë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 27:12–13. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë çelësat që Zoti i dha Profetit Jozef Smith.
-
Çfarë çelësash i besoi ose i dha Zoti Profetit Jozef Smith? (Ftojeni një student t’i shtojë listës në tabelë Jozef Smithi dhe çelësat e mbretërisë së Zotit.)
Vini në dukje se shumë nga profetët, emrat e të cilëve gjenden te Doktrina e Besëlidhje 27, e vizituan Jozef Smithin për t’i dhënë atij çelësat.
Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë frazën “periudhë të ungjillit për kohët e fundit; dhe për plotësinë e kohëve” te Doktrina e Besëlidhje 27:13.
-
Sipas këtij vargu, çfarë thotë Zoti se do të bëjë gjatë periudhës ungjillore të plotësisë së kohëve? (“Do të mbledhë së bashku në një të gjitha gjërat.”)
Shkruani në tabelë doktrinën vijuese nën listën: Periudha ungjillore e plotësisë së kohëve mbledh së bashku të gjithë çelësat e ungjillit, ordinancat dhe të vërtetat e periudhave ungjillore të kaluara.
Shpjegoni se një periudhë ungjillore është një “periudhë kohore në të cilën Zoti ka të paktën një shërbëtor të autorizuar në tokë, i cili mban çelësat e priftërisë së shenjtë … dhe që ka një porosi hyjnore për të përhapur ungjillin” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Periudhë”) dhe për të administruar ordinancat e tij. Kur Zoti organizon një periudhë ungjillore, “ungjilli zbulohet sërishmi kështu që njerëzit e asaj kohe nuk duhet të varen nga periudhat e kaluara për diturinë e planit të shpëtimit” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Periudhë”). Adami, Enoku, Noeu, Moisiu dhe të tjerë ishin krerët e periudhave ungjillore. Jozef Smithi është kreu i periudhës ungjillore në të cilin ne jetojmë – periudhës ungjillore të plotësisë së kohëve. Kjo periudhë e fundit e kohës filloi me Rivendosjen e ungjillit nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Kjo është quajtur periudha ungjillore e plotësisë së kohëve, sepse janë rivendosur të gjithë çelësat që Zoti ka zbuluar për bekimin e fëmijëve të Tij dhe do të përmbushen të gjitha planet e qëllimet e Zotit që kur bota filloi.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 27:14. Ftojeni pjesën tjetër të klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë se kush tjetër do të jetë i pranishëm në mbledhjen e sakramentit të përshkruar në këtë seksion.
-
Si mendoni, kujt i referohet fraza “gjithë ata që Ati im më ka dhënë prej botës”?
Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Çdo person besnik në gjithë historinë e botës, çdo person i cili ka jetuar në atë mënyrë që të meritojë jetën e përjetshme në mbretërinë e Atit, do të jetë i pranishëm dhe do të marrë, me Zotin, sakramentin” (The Promised Messiah: The First Coming of Christ [1978], f. 595).
Shtojini listës në tabelë ju dhe unë.
-
Sipas Plakut Mek-Konki, si duhet të jetojmë me qëllim që të jemi të pranishëm në këtë mbledhje të veçantë sakramenti?
Doktrina e Besëlidhje 27:15–18
Zoti e urdhëron popullin e Tij që të veshë gjithë armatimin e Perëndisë
Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 27:15–18 përmban këshilla që do të na ndihmojnë të jemi të denjë për t’u kualifikuar për bekimet e Zotit, duke përfshirë bekimin e pjesëmarrjes në mbledhjen e sakramentit, të përmendur në vargjet 4–14.
Kërkojuni studentëve se çfarë do të donin të vishnin nëse do ta dinin se po shkonin në luftë. Pastaj ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 27:15. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të gjejë 1) atë që Zoti na udhëzon për të bërë, që të përgatitemi për betejat shpirtërore dhe 2) çfarë bekimi na premton Ai nëse e ndjekim udhëzimin e Tij.
-
Çfarë na këshillon Shpëtimtari të bëjmë që të përgatitemi për beteja shpirtërore? (Përmblidhini përgjigjet e studentëve duke shkruar në tabelë sa vijon: Nëse e veshim të gjithë armatimin e Perëndisë …)
-
Çfarë bekimi u premton Zoti atyre që e veshin të gjithë armatimin e Perëndisë? (Ndërkohë që studentët përgjigjen, plotësoni parimin në tabelë: Nëse e veshim të gjithë armatimin e Perëndisë, ne do të jemi në gjendje t’i bëjmë ballë të keqes.)
Kopjojeni ilustrimin shoqërues në tabelë, me nga një vijë të vizatuar tek secila pjesë e armaturës që përmendet te Doktrina e Besëlidhje 27:15–18. Ndajeni klasën në grupe të vogla dhe i caktoni secilit grup një prej pjesëve të armaturës. Jepini secilit grup një kopje të thënies vijuese nga Presidenti Harold B. Li, informacionin dhe pyetjet në seksionin vijues, të cilat kanë lidhje me pjesën e armaturës që u caktohet atyre. Ftojini studentët të punojnë brenda grupeve të tyre për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth pjesës së armaturës që u caktohet atyre, dhe për të qenë të përgatitur që t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.
Pasi studentët t’i kenë raportuar përgjigjet e tyre, lexoni thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojuni studentëve të dëgjojnë për mënyrën se si ne e veshim dhe e forcojmë armatimin e Perëndisë:
“Më pëlqen të mendoj për këtë armatim shpirtëror jo si një copë metali të ngurtë, të shkrirë për t’iu përshtatur trupit, por më shumë si një parzmore me zinxhirë. Parzmorja me zinxhirë përbëhet nga qindra copëza të vogla hekuri, të lidhura së bashku për t’i lejuar përdoruesit përkulshmëri më të madhe pa e humbur mbrojtjen. E them këtë ngaqë ka qenë përvoja ime që nuk ka vetëm një gjë madhore dhe të madhërishme që ne mund ta bëjmë, për ta armatosur veten tonë shpirtërisht. Fuqia e vërtetë shpirtërore qëndron në veprime të shumta më të vogla, që gërshetohen së bashku në një strukturë të fortifikimit shpirtëror, e cila të mbron dhe të ruan nga të gjitha të ligat” (“Be Strong in the Lord”, Ensign, korrik 2004, f. 8).
-
Cilat janë disa veprime të vogla që, të ndërthurura në forcën e tyre, do të na ndihmojnë të mbrohemi kundër tundimit dhe së ligës?
Ftojini studentët të shohin sërish te rreshtat e parë të Doktrinës e Besëlidhjeve 27:15. Pastaj bëni pyetjen vijuese:
-
Çfarë qëndrimi duhet të kemi kur veshim armatimin e Perëndisë? (Ne duhet të “gëzoh[emi] në zemrat [tona] e ngazëlleh[emi]”.) Përse duhet ta kemi këtë qëndrim?
Kërkojuni studentëve të marrin parasysh atë që kanë mësuar në mësimin e sotëm dhe i ftoni të zgjedhin një gjë të veçantë që mund të bëjnë, për ta veshur më mirë armatimin e Perëndisë. Nxitini ta shkruajnë atë që do të bëjnë në një fletë letre, së cilës ata mund t’i referohen shpesh si një kujtues i zotimit të tyre.
Për ta mbyllur këtë mësim, ftojini disa studentë të japin dëshminë e tyre për të vërtetat e mësuara në mësim.