Seminare dhe Institute
Mësimi 67: Doktrina e Besëlidhje 63:1–21


Mësimi 67

Doktrina e Besëlidhje 63:1–21

Hyrje

Në verën e vitit 1831 Jozef Smithi po mbikëqyrte përkushtimin e tokës ku shenjtorët do të ndërtonin Sionin në Indipendëns të Misurit. Gjatë mungesës së Profetit disa anëtarë të Kishës në Ohajo u larguan nga urdhërimet e Zotit dhe kryen mëkate të rënda. Profeti Jozef Smith u kthye në Kirtland në 27 gusht dhe në 30 gusht ai mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 63. Ky mësim mbulon një pjesë të asaj zbulese, në të cilën Zoti i paralajmëroi shenjtorët rreth pasojave të ligësisë dhe rebelimit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 63:1–6

Zoti i paralajmëron shenjtorët rreth pasojave të ligësisë dhe rebelimit

Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur një shok u bën pyetjen që vijon. Ftojini studentët që të tregojnë se si mund të përgjigjeshin.

  • Përse i ndiqni mësimet e Kishës në vend që të argëtoheni?

Pasi studentët të jenë përgjigjur, bëni pyetjen vijuese:

  • Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit, përse mendoni se është e rëndësishme që ne të jetojmë sipas bindjeve tona?

Shpjegoni se në verën e vitit 1831, ndërsa Jozef Smithi dhe udhëheqës të tjerë të Kishës ishin në Misuri për të përkushtuar tokën dhe vendin e tempullit në Sion, disa anëtarë të Kishës në Ohajo po kryenin mëkate të rënda në fshehtësi. Pasi Profeti u kthye në Ohajo, ai mori zbulesën që shënohet te Doktrina e Besëlidhje 63. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 63:1 dhe kërkojini klasës të përcaktojë mënyrën se si Zoti iu drejtua anëtarëve të Kishës në këtë varg. Ftojini studentët të raportojnë për atë që gjejnë.

  • Si mund të jetë e ndryshme të quajturit e vetes sonë si populli i Zotit nga të qenit populli i Zotit?

Vërini studentët t’i hedhin sërish një shikim të shpejtë vargut 1 dhe të kërkojnë urdhrin e Zotit për ata që e thërrasin veten e tyre populli i Tij.

  • Çfarë dëshiron Zoti që ne të bëjmë si populli i Tij? (Përmblidhini përgjigjet e studentëve duke shkruar në tabelë parimin vijues: Si populli i Zotit, ne duhet ta hapim zemrën tonë dhe ta dëgjojmë fjalën e Tij dhe vullnetin e Tij për ne.)

  • Si mendoni, çfarë do të thotë ta hapim zemrën tonë?

  • Si na përgatit hapja e zemrës sonë për ta dëgjuar zërin e Zotit?

  • Çfarë bëni ju që ju ndihmon të hapni zemrën tuaj?

Ftojini studentët që gjatë këtij mësimi t’i hapin zemrat e tyre ndaj ndikimit të Frymës së Shenjtë. Ju mund të sugjeroni që ata të shkruajnë çdo mbresë apo nxitje që marrin nga Shpirti.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 63:2, 6. Përpara se studenti të lexojë, ju mund të doni të shpjegoni se në vargun 6 fraza “dita e zemërimit” i referohet Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit, një kohë kur ata që nuk janë penduar për mëkatet e tyre, do të vuajnë pasojat e zgjedhjeve të tyre. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar atë që Zoti u tha të ligjve dhe rebelëve. Ftojini studentët të raportojnë atë që zbulojnë.

Doktrina e Besëlidhje 63:7–21

Zoti paralajmëron kundër kërkimit të shenjave dhe ligësisë

Te Doktrina e Besëlidhje 63:6 vini në dukje urdhrin se “ata që s’besojnë duhet ta mbajnë gojën”. Shpjegoni se në këtë kohë disa anëtarë të Kishës kishin ndaluar së besuari në vërtetësinë e Kishës dhe po flisnin publikisht kundër Jozef Smithit dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës (shih History of the Church, 1:216–217). Një nga kritikët më të zhurmshëm të Kishës ishte një burrë i quajtur Ezra Buth. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë dy paragrafët vijues lidhur me përvojat që e çuan Ezra Buthin të bashkohej me Kishën.

Ezra Buthi ishte një predikues metodist në Ohajo. Ai u bë i interesuar për Rivendosjen në fillim të vitit 1831, pasi lexoi Librin e Mormonit. Ai udhëtoi për në Kirtland me Xhon dhe Alisa Xhonsonin që të takonte Profetin. Zonja Xhonson vuante nga reumatizmi, që i shkaktonte dhimbje, fryrje dhe mpirje në krahun e saj. Kur e takoi fillimisht Jozef Smithin, ajo nuk kishte qenë në gjendje ta ngrinte krahun e saj mbi kokë për gati dy vjet.

“Gjatë intervistës biseda doli tek tema e dhuratave mbinatyrore, të tilla siç u dhanë në kohën e apostujve. Dikush tha: ‘Ja ku është zonja Xhonson me një krah të mpirë; a i ka dhënë Perëndia ndonjë njeriu fuqi në tokë tani për ta kuruar atë?’ Pak çaste më vonë, kur biseda kishte kaluar në një temë tjetër, [Jozef] Smithi u ngrit dhe duke ecur përmes dhomës, e mori zonjën Xhonson nga dora dhe i tha në një mënyrë nderuese dhe mbresëlënëse: ‘Grua, në emër të Zotit Jezu Krisht unë të urdhëroj të shërohesh’ dhe u largua menjëherë nga dhoma. … Zonja Xhonson e ngriti menjëherë [krahun e saj] me lehtësi dhe kur u kthye në shtëpi ditën vijuese, ajo ishte në gjendje të lante pa vështirësi ose dhimbje” (në History of the Church, 1:215–216).

  • Si mendoni se do të mund të ndiheshit nëse do të dëshmonit një mrekulli si kjo?

Shpjegoni se shpejt pasi Ezra Buthi e dëshmoi këtë mrekulli, ai u pagëzua.

Shkruani në tabelë frazën vijuese: Shenjat dhe Besimi.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 63:7–9. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të përcaktojë atë që Zoti dha mësim rreth shenjave dhe besimit.

  • Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth shenjave dhe besimit? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi parimesh, por sigurohuni që të theksojnë të vërtetën vijuese: Besimi nuk vjen nga shenjat. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë poshtë fjalëve Shenjat dhe Besimi.)

  • Cilët janë disa shembuj në shkrimet e shenjta të njerëzve që dëshmuan shenja të mëdha ose mrekulli, por nuk treguan besim dhe drejtësi të përhershme? (Shembujt mund të përfshijnë fëmijët e Izraelit [shih Numrat 14:22–23] dhe Lamanin e Lemuelin [shih 1 Nefi 17:43–45].)

Shpjegoni se Ezra Buthi është një shembull i dikujt që mbështetet te shenjat në vend të besimit. Pasi u pagëzua, ai mori priftërinë dhe u dërgua në një mision në Misuri. Buthi me sa duket e filloi këtë mision me pritshmëri të mëdha, duke hamendësuar se ai do të kthente në besim shumë njerëz me anë të shfaqjeve të shenjave dhe bërjes së mrekullive. Megjithatë, pasi predikoi për një kohë të shkurtër dhe duke mos parë rezultatet e pritshme, Buthi “u largua” dhe e braktisi Kishën (shih History of the Church, 1:216). Profeti Jozef Smith bëri vëzhgimin e mëposhtëm rreth Ezra Buthit:

Profeti Jozef Smith

“Kur ai me të vërtetë mësoi se besimi, përulësia, durimi dhe mundimi shkojnë përpara bekimit dhe se Perëndia përul përpara se Ai të ekzaltojë, në vend që ‘Shpëtimtari t’i jepte fuqi për t’i goditur njerëzit dhe për t’i bërë ata të besonin’ … ai u zhgënjye” (në History of the Church, 1:216)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 63:10–12. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar të vërteta shtesë rreth shenjave dhe besimit.

  • Sipas vargut 10, si vijnë shenjat? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Shenjat vijnë nëpërmjet besimit, sipas vullnetit të Perëndisë. Shtojeni këtë të vërtetë në tabelë nën Shenjat dhe Besimi.)

  • Si mendoni, përse marrim shenja pasi të kemi ushtruar besim?

  • Sipas vargut 12, cila është një arsye e përshtatshme për të kërkuar shenja? (“Për të mirën e njerëzve për lavdinë [e Perëndisë]” – duke nënkuptuar për t’i ndihmuar njerëzit e tjerë dhe për të çuar përpara punën e Zotit.)

Nxirrni në pah se shenjat dhe çudirat nuk janë gjithmonë mbresëlënëse në dukje. Shpesh ne mund të marrim një shenjë ose një dëshmi për vërtetësinë e ungjillit në një mënyrë të qetë, vetjake kur ne ushtrojmë besimin tonë.

  • Si mund të ushtrojmë besim me qëllim që të marrim një dëshmi për ungjillin? (Ju mund të doni t’i renditni në tabelë përgjigjet e studentëve. Përgjigjet mund të përfshijnë veprimtari si lutja, studimi i shkrimeve të shenjta, agjërimi, dhënia e shërbimit dhe të jetuarit e parimeve të ungjillit.)

Ftojini studentët të tregojnë përvojat e tyre për marrjen e një dëshmie të vërtetësisë së ungjillit me anë të ushtrimit të besimit në një nga këto mënyra.

Kujtojini studentët se përveç kërkimit të shenjave, disa anëtarë të Kishës në Ohajo ishin “larguar [edhe] nga urdhërimet” (DeB 63:13) dhe po kryenin mëkate të rënda. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 63:14–19 dhe të përcaktojnë disa nga mëkatet që anëtarët e Kishës kishin kryer. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë. (Ju mund të doni të shpjegoni se një kurvërues është një person që merr pjesë në një mëkat seksual. Një magjistar është dikush që merr pjesë në veprimtari që ftojnë ndikimin e shpirtrave të ligj.)

  • Vini re paralajmërimin e Zotit rreth të dëshiruarit (epshit) në vargun 16. Çfarë do të thotë t’i shikosh të tjerët me epsh? (Epsh do të thotë të “kesh një dëshirë të fortë, të papërshtatshme për diçka” ose dikë [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Epsh”, scriptures.lds.org]. Të shikosh një tjetër me epsh do të thotë të shikosh trupin e dikujt tjetër në një mënyrë të papërshtatshme ose në një mënyrë që zgjon ndjenja seksuale. Kjo përfshin shikimin e pornografisë.)

  • Çfarë parimi shihni te paralajmërimi i Zotit në vargun 16? (Studentët duhet të dallojnë parimin vijues: Nëse i shohim të tjerët me epsh, ne nuk do ta kemi Shpirtin dhe e mohojmë besimin. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët që e japin mësim këtë parim në shkrimet e tyre të shenjta.)

  • Si mendoni, përse epshi pas dikujt e bën një person të humbasë Shpirtin?

  • Çfarë mund të bëjmë që t’i mposhtim tundimet për të dëshiruar të tjerët?

Si pjesë e diskutimit për shmangien e epshit, ju mund të doni të ftoni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Xhefri R. Holland

“Mbi gjithçka, filloni me shkëputjen e vetes nga njerëz, materiale dhe rrethana që do t’ju dëmtojnë. …

… Nëse një shfaqje televizive është e pahijshme, shuajeni. Nëse në kinema një film është i papastër, largohuni. Nëse një marrëdhënie e papërshtatshme është në zhvillim, ndërpriteni. Shumë nga këto ndikime, të paktën fillimisht, mund të mos jenë teknikisht të këqija, por ato mund të mpijnë gjykimin tonë, të dobësojnë anën tonë shpirtërore dhe mund të çojnë drejt diçkaje që mund të jetë e ligë. …

… Mendimet e fëlliqura zëvendësojini me shëmbëllime shpresëdhënëse dhe kujtime të gëzuara; përfytyroni fytyrat e atyre që ju duan dhe që do të copëtoheshin, nëse i poshtëroni. … Çfarëdo mendimesh që të keni, sigurohuni që të jenë të mirëpritura në zemrën tuaj vetëm me ftesë. …

Nxiteni praninë e Shpirtit të Zotit dhe jini aty ku është Ai. Sigurohuni që të përfshijë shtëpinë ose banesën tuaj, duke diktuar llojin e artit, muzikës dhe literaturës që mbani aty” (“Jo Më Vend për Armikun e Shpirtit Tim”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 45, 46).

Drejtojuni parimit të parë që shkruat në tabelë në fillim të orës mësimore: Si populli i Zotit, ne duhet t’i hapim zemrat tona dhe ta dëgjojmë fjalën e Tij dhe vullnetin e Tij për ne. Ftojini studentët të mendojnë nëse zemrat e tyre kanë qenë të hapura ndaj nxitjeve ose mbresave gjatë studimit të tyre të shkrimeve të shenjta sot. Jepuni kurajë të veprojnë sipas nxitjeve ose mbresave që marrin nga Zoti, dhe dëshmoni se ndërsa e bëjnë këtë, ata do të jenë populli i Zotit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 63:16. Epshi shkakton një tërheqje të Shpirtit

Në kohën tonë, përhapja e pornografisë i ka ekspozuar shumë njerëz ndaj tundimit për të patur epsh ndaj të tjerëve. Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, pohoi se përdorimi i pornografisë është një veprimtari epshore që do ta kufizojë aftësinë e një personi për të gëzuar bekimet e Shpirtit të Zotit:

Plaku Riçard G. Skot

“Po ju them një paralajmërim! Satani është jashtëzakonisht i aftë për të bllokuar komunikimin shpirtëror duke i shtyrë individët, nëpërmjet tundimit, që të shkelin ligjet mbi të cilat bazohet komunikimi shpirtëror. Disa njerëz ai është i aftë që t’i bindë se nuk janë në gjendje të marrin udhëheqje të tillë nga Zoti.

Satani është bërë mjeshtër në përdorimin e fuqive që krijojnë varësi ndaj pornografisë për të kufizuar aftësinë vetjake që të udhëhiqet nga Shpirti. Sulmi i vrullshëm i pornografisë me të gjitha format e saj të liga, gërryese e shkatërrimtare ka shkaktuar mjerim, vuajtje, dëshpërim të madh dhe ka shkatërruar martesa. Është një prej ndikimeve më penguese në tokë. Qoftë kjo nëpërmjet një faqeje të shtypur, filmave, televizionit, teksteve të pahijshme, gjërave të rëndomta në telefon apo ekranit të kompjuterit vetjak, pornografia krijon varësi mbizotëruese dhe dëmton shumë. Kjo armë e fuqishme e Luciferit e përkeqëson mendjen dhe zemrën dhe shpirtin e kujtdo që e përdor atë. Të gjithë që kapen në rrjetën e saj joshëse e torturuese dhe mbeten ashtu, do të bëhen të varur nga ndikimi i saj amoral dhe shkatërrimtar. Për shumë njerëz, kjo varësi nuk mund të mposhtet pa ndihmë. Ky model tragjik është kaq i njohur. Ai fillon me kureshtjen e cila ushqehet nga nxitja e saj dhe që shfajësohet nga ideja e rreme se kur shihet në fshehtësi nuk dëmton askënd tjetër. Për ata që vihen në gjumë nga kjo gënjeshtër, eksperimentimi shkon më thellë, me nxitje shumë të fuqishme, derisa kurthi mbyllet dhe një zakon tmerrësisht, amoral e skllavërues ushtron kontrollin e tij të lig. …

Nëse jeni zënë në kurthin e pornografisë, bëni një zotim të plotë për ta mposhtur atë tani. Gjeni një vend të qetë; lutuni me ngut për ndihmë dhe mbështetje. Jini të duruar dhe të bindur. Mos u dorëzoni” (“Të Fitosh Udhëheqje Shpirtërore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 8–9).