Pas shpërnguljes me forcë të shenjtorëve nga Misuri, ata e kthyen tokën kënetore përgjatë lumit Misisipi në qytetin e Navusë, një vend i bukur. Navuja në Ilinois u bë selia e Kishës, nga viti 1839 deri në vitin 1846. Atje u formua Shoqata e Ndihmës dhe nga zyrat qendrore të Navusë puna misionare u përhap më tej anekënd tokës.
Shënim: Ky mësim krijon mundësinë që dy studentë të japin mësim. Përzgjidhni dy studentë disa ditë përpara këtij mësimi dhe jepuni atyre kopje të pjesëve të caktuara që të mund të kenë kohë të përgatiten.
Sugjerime për Mësimdhënien
Shenjtorët ngrenë qytetin e Navusë
Kujtojuni studentëve se shenjtorët u dëbuan nga Misuri gjatë dimrit të viteve 1838–1839, ndërkohë që Jozef Smithi ishte i burgosur në burgun e Libertisë.
Si mendoni se mund të jenë ndier shenjtorët kur u dëbuan nga Misuri? (Përgjigjet mund të përfshijnë që shenjtorët pyesnin veten se ku duhej të shkonin.)
Shpjegoni se pas dëbimit të shenjtorëve nga Misuri, ata gjetën strehim në Kuinsi të Ilinoisit dhe në komunitete të tjera të vogla. Ftojini studentët të gjejnë Kuinsin në Hartën 6 (“Lëvizja e Kishës Drejt Perëndimit”) në seksionin e Hartave Historike të Kishës në shkrimet e tyre të shenjta. Më 15 prill 1839, Jozef Smithit dhe shokëve të burgosur bashkë me të iu tha se do të transferoheshin në një vendndodhje tjetër. Në udhë e sipër për në vendndodhjen e re, rojet i lejuan që të largoheshin, duke e pranuar padrejtësinë e mbajtjes së tyre më gjatë. Rreth një javë më pas, Jozef Smithi u bashkua sërish me familjen e tij në Kuinsi. Nën drejtimin e Jozef Smithit, Kisha bleu tokë në të dyja anët e lumit Misisipi, në veri të Kuinsit. Ana perëndimore e lumit ishte pjesë e Territorit të Ajouas dhe ana lindore ishte pjesë e shtetit të Ilinoisit. Shenjtorët e vendosën selinë e re të Kishës në anën e Ilinoisit, në një vend të quajtur Komers, të cilin ata e quajtën rishtazi Navu.
Ftojeni studentin e parë mësues të vijë përpara klasës dhe shkurtimisht t’i japë mësim klasës rreth ngritjes së Navusë.
Puna misionare përhapet anembanë tokës
Falënderojini studentët që dhanë mësim. Për ta ndihmuar klasën të mësojë rreth rritjes së Kishës gjatë periudhës së Navusë, bëni pyetjet vijuese:
Cilat janë disa nga gjërat që mund ta shuajnë një zjarr?
Cilat janë disa nga gjërat që e bëjnë një zjarr të shtohet?
Jozef Smithi e krahasoi punën e Perëndisë me një zjarr. A mendoni se përndjekjet që shenjtorët i përjetuan në Misuri, ishin si uji që filloi ta shuante punën e Perëndisë apo si zjarri që e bëri atë të shtohej? Përse?
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese që Profeti Jozef Smith e shkroi në një letër drejtuar redaktorit të një gazete, të quajtur Xhon Uentuorth, më 1 mars 1842:
“Përndjekja nuk e ka ndaluar përparimin e së vërtetës, por vetëm i ka hedhur benzinë zjarrit. …
… Standardi i së Vërtetës është vendosur; asnjë dorë mëkatare nuk mund ta ndalojë punën të përparojë; përndjekjet mund të egërsohen, turmat mund të bashkohen, armiqtë mund të mblidhen, shpifja mund të përgojojë, por e vërteta e Perëndisë do të shkojë përpara me guxim, me fisnikëri dhe e pavarur derisa ajo të ketë përshkuar çdo kontinent, të ketë vizituar çdo rajon, të ketë përfshirë çdo vend dhe të jetë dëgjuar nga çdo vesh, derisa qëllimet e Perëndisë të përmbushen dhe Jehovai i Madh të thotë se puna u krye” (në History of the Church, 4:540).
Çfarë mund të mësojmë nga kjo thënie? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi të vërtetash, por theksoni sa vijon: Asgjë nuk do ta ndalë përparimin e punës së Perëndisë anembanë tokës. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)
Shpjegoni se, kur Jozef Smithi e shënoi këtë profeci, Zoti kishte filluar të thërriste misionarë për ta predikuar ungjillin në vende të ndryshme. Si rrjedhim, mijëra njerëz – kryesisht nga Britania e Madhe – u pagëzuan. Anëtarët e rinj i sollën forcë të madhe Kishës dhe shumë udhëtuan që të bashkoheshin me shenjtorët në Navu.
Për ta ilustruar të vërtetën në tabelë, kërkojuni katër vullnetarëve që të marrin pjesë në një interpretim me role të një përvoje që Uillford Udrafi e pati teksa predikonte ungjillin në Hirfordshajr të Anglisë, në vitin 1840. Caktojuni vullnetarëve pjesët vijuese: Uillford Udrafi, Kleriku, Polici, Tregimtari. Jepini secilit prej vullnetarëve një kopje të skenarit vijues për ta përdorur në interpretimin me role:
Pasi vullnetarët të kenë mbaruar, bëjini klasës pyetjet vijuese:
Si e ilustron përvoja e Plakut Udraf parimin që asgjë nuk do ta ndalë përparimin e punës së Perëndisë?
Si po përmbushet sot profecia e Jozef Smithit lidhur me përparimin e punës së Perëndisë? Si ndiheni rreth marrjes pjesë në këtë punë?
Çfarë mund të bëni për të ndihmuar që puna e Perëndisë të përhapet mes gjithë njerëzve? (Ju mund të doni t’i ftoni studentët që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.)
Shpjegoni se në mësimet e ardhshme, studentët do të mësojnë më shumë rreth ngjarjeve të rëndësishme që ndodhën dhe parimeve që u dhanë mësim, ndërkohë që Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i mbajti zyrat qendrore në Navu nga viti 1839 deri në vitin 1846. Dëshmoni për parimet që u diskutuan në klasë sot dhe ftojini studentët të veprojnë në bazë të asaj që mësuan.