Seminare dhe Institute
Mësimi 123: Doktrina e Besëlidhje 115–116


Mësimi 123

Doktrina e Besëlidhje 115–116

Hyrje

Më 26 prill 1838, Profeti Jozef Smith mori zbulesën që përmbahet te Doktrina e Besëlidhje 115. Në të Zoti zbuloi emrin e Kishës, i urdhëroi shenjtorët të “ngrih[en] e shkëlqe[jnë]” (DeB 115:5) dhe zbuloi vullnetin e Tij lidhur me tempullin në Far-Uest. Më 19 maj 1838, Profeti Jozef Smith mori zbulesën që gjendet te Doktrina e Besëlidhje 116, e cila e përcaktoi Spring-Hillin në Misuri, si Adam-ondi-Ahmanin.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 115:1–6

Zoti i urdhëron anëtarët e Kishës së Tij të “ngrih[en] e shkëlqe[jnë]”

Përpara orës mësimore, shkruajini në tabelë pyetjet vijuese:

  1. Çfarë përçon emri i organizatës?

  2. Kush e udhëheq organizatën?

  3. Çfarë bën organizata?

Paraqitni emrat ose logot e disa kompanive ose organizatave të përshtatshme, të cilat studentët tuaj ka të ngjarë t’i njohin. Ndaluni pasi ta tregoni secilën dhe kërkojuni studentëve t’u përgjigjen pyetjeve të shkruara në tabelë.

Shfaqni emrin dhe logon e Kishës. Ftojini studentët të kërkojnë përgjigje ndaj pyetjeve në tabelë lidhur me emrin e Kishës, ndërkohë që ata e studiojnë Doktrinën e Besëlidhjet 115.

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 115:1–3 duke shpjeguar se kjo zbulesë iu dha nëpërmjet Profetit Jozef Smith njerëzve të përmendur në vargjet 1–2 dhe të gjithë anëtarëve të Kishës. Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 115:4, duke kërkuar emrin që Zoti e caktoi për Kishën e Tij. Teksa studentët raportojnë atë që gjejnë, shkruajeni emrin e Kishës në tabelë si vijon:

Kisha e Jezu Krishtit

e Shenjtorëve

të Ditëve të Mëvonshme

Që t’i ndihmoni studentët ta kuptojnë rëndësinë e emrit të Kishës, ftojini studentët të diskutojnë me një partner se çfarë mendojnë se do të thotë çdo fjalë ose frazë e renditur në tabelë. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni disa studentëve që të tregojnë idetë e tyre lidhur me kuptimin e secilës fjalë ose frazë. Nëse studentët kanë nevojë për ndihmë, ju mund të doni të lexoni thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku M. Rasëll Ballard

“Fjala Kisha në trajtën e shquar tregon pozicionin unik të Kishës së rivendosur midis feve të botës.

Fjalët Kisha e Jezu Krishtit tregojnë që është Kisha e Tij. …

Ditëve të Mëvonshme shpjegon se është e njëjta Kishë me Kishën e Jezu Krishtit të krijuar gjatë shërbesës së Tij të vdekshme por e rivendosur në këto ditë të fundit. …

Shenjtorëve thjesht u referohet atyre që kërkojnë ta bëjnë jetën e tyre të shenjtë duke u angazhuar për të ndjekur Krishtin” (“Rëndësia e një Emri”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 80).

  • Cilat janë disa të vërteta të rëndësishme që përçohen nga emri i Kishës?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 115:5. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti pret prej atyre që i përkasin Kishës së Tij.

  • Çfarë pret Zoti nga ne si anëtarë të Kishës së Tij?

  • Çfarë mendoni se do të thotë të “ngrih[emi] e shkëlqe[jmë]” si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?

  • Sipas vargut 5, çfarë bekimi do të vijë kur anëtarët e Kishës e ndjekin këshillën e Zotit që të ngrihen e të shkëlqejnë? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Nëse ngrihemi dhe shkëlqejmë, drita jonë do të jetë një flamur për kombet. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë parim te vargu 5.)

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë këtë parim, bëni pyetjet vijuese:

  • Çfarë mendoni se do të thotë që drita jonë, ose shembulli ynë, mund të jetë një “flamur për kombet”? (Një flamur është një banderolë apo mjet që shërben si një pikë grumbullimi ose simbol frymëzues. Shembulli ynë si anëtarë të Kishës mund t’i frymëzojë të tjerët dhe t’i afrojë ata te Zoti.)

  • Si mund t’i tërheqë të tjerët drejt Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ndjekja e urdhërimit të Shpëtimtarit për t’u ngritur e për të shkëlqyer?

Që t’i ndihmoni studentët ta kuptojnë se si drita jonë mund t’i ndihmojë të tjerët, ftojeni një student ta lexojë tregimin vijues, të treguar nga Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë:

Presidenti Xhejms E. Faust

“Disa vite më parë, Kostanca, një studente për infermieri, u caktua të përpiqej e të ndihmonte një grua që kishte dëmtuar këmbën në një aksident. Gruaja nuk e pranoi ndihmën mjekësore, sepse kishte pasur një përvojë jo të mirë me dikë në spital. Ajo ishte e frikësuar dhe ishte bërë disi e mbyllur në vetvete. Herën e parë që Kostanca shkoi ta vizitonte, gruaja e dëmtuar e urdhëroi të dilte jashtë. Në orvatjen e dytë, ajo e lejoi Konstancën të hynte. Tashmë këmba e gruas ishte mbushur me ulcera të mëdha dhe një pjesë e mishit po kalbej. Por ende ajo nuk donte të kurohej.

Kostanca e bëri atë gjë një çështje lutjeje dhe pas një ose dy ditësh përgjigjja erdhi. Ajo mori me vete ca peroksid hidrogjeni shkumë-formues për vizitën e ardhshme. Ngaqë kjo ishte jo e dhimbshme, gruaja e moshuar e la t’ia vendoste në këmbë. Më pas ato folën rreth një kurimi më serioz në spital. Kostanca e siguroi atë se spitali do ta bënte qëndrimin e saj sa më të kënaqshëm që të ishte e mundur. Pas një ose dy ditësh, gruaja mori kurajën të shkonte në spital. Kur Kostanca e vizitoi atë, gruaja buzëqeshi teksa i tha: ‘Më binde’. Më pas, mjaft papritur, ajo e pyeti Kostancën: ‘Cilës kishe i përket?’ Kostanca i tha se ishte anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Gruaja i tha: ‘E dija. E dija se ti ishe dërguar tek unë që ditën e parë që të pashë. Kishte një dritë në fytyrën tënde që e kisha vënë re te njerëz të tjerë të besimit tënd. Duhej ta vija mirëbesimin tim tek ty.’

Brenda tre muajsh ajo këmbë e qelbëzuar u shërua plotësisht. Anëtarët e lagjes ku banonte gruaja e moshuar, e rimodeluan shtëpinë e saj dhe i sistemuan oborrin. Misionarët u takuan me të dhe jo shumë kohë më pas, ajo u pagëzua [shih Constance Polve, “A Battle Won”, New Era, prill 1980, f. 44–45]. E gjithë kjo ndodhi ngaqë ajo e vuri re dritën në fytyrën e asaj studenteje të re për infermieri” (“The Light in Their Eyes”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 22; [Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, “Dritë në Sytë e Tyre”, f. 30]).

  • Çfarë bëri Kostanca që të “ngrih[ej] e shkëlqen[te]”?

  • Si ishte drita në fytyrën e Kostancës një flamur për gruan e lënduar?

Për t’i ndihmuar studentët ta ndiejnë vërtetësinë dhe rëndësinë e këtij parimi, ftojini ata të mendojnë për një njeri që njohin, i cili është një shembull i mirë i të ngriturit dhe të shkëlqyerit. Ftojini disa studentë të tregojnë se për kë menduan dhe mënyrën se si shembulli i atij njeriu ka qenë një bekim për ta. Teksa dëgjoni përgjigjet e tyre, bëni pyetje që ndjekin ecurinë [e diskutimit], të cilat do t’i nxitin studentët të tregojnë më shumë nga çfarë po mendojnë e ndiejnë.

Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta se çfarë do të bëjnë ata që të jenë [edhe] më shumë një flamur për njerëzit përreth tyre.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 115:6. Vëreni klasën të kërkojë bekimet që iu premtohen atyre që mblidhen me Kishën në kunjet e Sionit.

  • Çfarë bekimesh iu premtohen atyre që mblidhen në kunjet e Sionit? (Pasi studentët të jenë përgjigjur, shkruajeni në tabelë të vërtetën vijuese: Ne mblidhemi në kunjet e Sionit për mbrojtje dhe për strehim.)

  • Kundrejt kujt na nevojitet ta mbrojmë vetveten? Prej çfarë gjëje na nevojitet strehim? Në çfarë mënyrash e keni parë se mbledhja së bashku si shenjtorë na ndihmon ta mbrojmë vetveten dhe të gjejmë strehim?

Ftojini studentët të marrin parasysh dikë që e njohin, të cilit mbledhja me shenjtorët do t’i sillte dobi. Nxitini studentët ta lejojnë dritën e tyre të shkëlqejë që të tjerët të mund të udhëhiqen drejt paqes, sigurisë dhe strehimit që sigurohet nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Doktrina e Besëlidhje 115:7–19

Zoti i urdhëron shenjtorët të ngrenë qytetin e Far-Uestit dhe të ndërtojnë një tempull

Shpjegoni se një nga mënyrat se si mund të fitojmë mbrojtjen dhe sigurinë e Zotit është nëpërmjet adhurimit të Tij në tempull. Pasi shenjtorët filluan të lëvizin për në Far-Uest të Misurit në vitin 1836, udhëheqësit e Kishës bënë plane për të ndërtuar një tempull të ngjashëm me atë në Kirtland të Ohajos. Edhe pse një farë gërmimi paraprak u bë, ndërtimi i mëtejshëm u pezullua derisa Jozef Smithi të mund të merrte udhëzim shtesë nga Zoti. Zoti e zbuloi vullnetin e Tij lidhur me tempullin si pjesë të zbulesës që përmbahet te Doktrina e Besëlidhje 115.

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 115:7–16 duke shpjeguar se Zoti zbuloi që një tempull duhej të ndërtohej në Far-Uest sipas modelit që Ai do t’i jepte Presidencës së Parë. Zoti gjithashtu i këshilloi udhëheqësit e Kishës të mos hynin në borxh për ta ndërtuar tempullin.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 115:17–19. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti dëshironte të bënin shenjtorët nën drejtimin e Jozef Smithit në Far-Uest dhe në krahinat fqinje.

  • Çfarë dëshironte Zoti të bënin shenjtorët në Far-Uest? Çfarë duhej të bënin ata nën drejtimin e Jozef Smithit në krahinat përreth Far-Uestit?

  • Sipas vargut 19, çfarë e kualifikon Presidentin e Kishës sot për ta drejtuar punën e Kishës në tokë? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Presidenti i Kishës mban çelësat për të drejtuar punën e Zotit mbi tokë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët që na e mësojnë këtë doktrinë te vargu 19.)

Drejtojini studentët te pyetjet në tabelë dhe kërkojuni të shpjegojnë se si do t’u përgjigjeshin atyre, bazuar në atë që kanë mësuar te Doktrina e Besëlidhje 115.

Doktrina e Besëlidhje 116:1

Zoti përcakton Adam-ondi-Ahmanin si vendndodhjen e një mbledhjeje të ardhshme midis Zotit dhe popullit të Tij

Shpjegoni se Jozef Smithi e ndoqi këshillën e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 115:18 dhe i eksploroi zonat përreth Far-Uestit. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë hyrjen e seksionit për Doktrinën e Besëlidhjen 116 dhe vërini studentët të kërkojnë emrin e vendit që eksploroi Jozefi.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 116:1 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që Zoti zbuloi rreth Spring-Hillit në Misuri. Ju mund të doni t’i udhëzoni studentët të kthehen te harta dhe fotografia e Adam-ondi-Ahmanit në pjesën e pasme të shkrimeve të tyre të shenjta (shih Harta të Historisë së Kishës, Harta 5, “Zona e Missouri-t, Illinois-it dhe Iowa-s e SHBA-së” dhe Fotografi të Historisë së Kishës, Fotografia 10, “Lugina e Adam-ondi-Ahmanit”).

harta, Misuri perëndimor

Shpjegoni se kjo zbulesë përcakton vendndodhjen e përmbushjes së ardhshme të një profecie të bërë së lashti nga profeti Daniel (shih Danieli 7:9–10, 13–14). Ajo profeci përshkruan një ngjarje të ditëve të mëvonshme, në të cilën Shpëtimtari dhe Adami do të vizitojnë tokën dhe do të kryesojnë në një mbledhje përpara Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit për të gjithë botën (shih DeB 27:5–14). Merrni parasysh ta mbyllni mësimin duke i ftuar studentët të këndojnë himnin “Adam-ondi-Ahman” (Hymns, nr. 49).

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 115:11–12. Tempulli në Far-Uest

Edhe pse shenjtorët ishin të gatshëm ta ndërtonin tempullin në Far-Uest, ata nuk qenë në gjendje ta bënin atë. Sipas urdhërimit të Zotit, ata i vendosën gurët e themelit më 4 korrik 1838. Por nuk ishin në gjendje ta mbaronin ndërtimin e tempullit duke e filluar më 26 prill 1839, sikurse i kishte udhëzuar Zoti (shih DeB 115:11), ngaqë ata u detyruan të largoheshin me të shpejtë nga shteti i Misurit në shkurt të atij viti. Megjithatë, disa apostuj u kthyen në vendin e tempullit më 26 prill 1839, duke iu bindur zbulesës që gjendet te Doktrina e Besëlidhje 118:5, ndërkohë që po largoheshin për misionet e tyre drejt Anglisë.

Doktrina e Besëlidhje 116:1. Cili është kuptimi i emrit “Adam-ondi-Ahmani”?

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

Plaku Brus R. Mek‑Konki

Ahman është njëri prej emrave me të cilët Adami e njihte Perëndinë. Adam-ondi-Ahmani, një emër i sjellë nga gjuha e pastër adamike në gjuhën angleze, është një emër për të cilin ne nuk na është dhënë një përkthim i mirëfilltë nëpërmjet zbulesës. Për aq sa mund të gjykojmë – dhe kjo pikëpamje vjen nga vëllezërit e hershëm, të cilët bashkëpunuan me Profetin Jozef Smith, i cili ishte i pari që e përdori emrin në këtë periudhë ungjillore – Adam-ondi-Ahmani do të thotë vendi ose toka e Perëndisë ku Adami banoi” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 19–20).

Doktrina e Besëlidhje 116:1. “Adami do të vijë për të vizituar njerëzit e tij”

Presidenti Jozef Filding Smith na mësoi rreth kohës kur Adami do të vijë për të vizituar njerëzit e tij:

Presidenti Jozef Filding Smith

“Kjo mbledhje e fëmijëve të Adamit, ku mijëra dhe dhjetëra mijëra mblidhen në gjykim, do të jetë një nga ngjarjet më të madhërishme që ka parë ndonjëherë kjo tokë e shqetësuar. Në këtë konferencë, ose këshill, të gjithë ata që kanë mbajtur çelësa të periudhave ungjillore, do të japin një raportim për kujdestarinë e tyre. Adami do të bëjë po njësoj dhe më pas ai do t’ia dorëzojë të gjithë autoritetin Krishtit. Më pas Adami do të konfirmohet në thirrjen e tij si princi mbi pasardhësit e tij dhe do të vendoset zyrtarisht e do të kurorëzohet përjetësisht në këtë thirrje kryesuese. Atëherë Krishti do të pranohet si Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve. Ne nuk e dimë se sa kohë do të vazhdojë kjo mbledhje si sesion ose se sa sesione mund të mbahen në këtë këshill të madhërishëm. Është e mjaftueshme të dimë se ajo është një mbledhje e Priftërisë së Perëndisë nga fillimi i kësaj toke deri në të tashmen, në të cilën raporte do të bëhen dhe të gjithë ata, të cilëve iu janë dhënë periudha kujdestarie (talente), do të shpallin çelësat dhe shërbesën e tyre dhe do të bëjnë një raportim të kujdestarisë së tyre sipas shëmbëlltyrës. Gjykimi do të jepet mbi ta pasi kjo është një mbledhje e të drejtëve, e atyre që kanë mbajtur dhe që mbajnë çelësa autoriteti në Mbretërinë e Perëndisë mbi këtë tokë. Ajo nuk do të jetë gjykimi i të ligjve. Kur të gjitha gjërat të përgatiten dhe çdo çelës e fuqi të vendoset në rregull, me një raportim të plotë e të përsosur të secilës kujdestari të njeriut, atëherë Krishti do t’i marrë këto raportime dhe do të vendoset si Sundimtari legjitim i kësaj toke. Në këtë këshill të lartë, ai do ta zërë vendin e tij me anë të zërit të bashkuar të mijërave, të cilët mblidhen atje nëpërmjet të drejtës së Priftërisë. Kjo do ta paraprijë ditën e madhërishme të shkatërrimit të të ligjve dhe do të jetë përgatitja për Mbretërimin Mijëvjeçar” (The Progress of Man [1952], f. 481–482).

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:

Plaku Brus R. Mek-Konki

“Ai [Krishti] do të vijë në mënyrë të fshehtë te profeti i tij dhe tek apostujt e gjallë në atë kohë. Ata që kanë mbajtur çelësa e fuqi dhe autoritete në të gjitha epokat nga Adami deri tek e tanishmja, gjithashtu do të jenë të pranishëm. Dhe për më tepër, të gjithë anëtarët besnikë të Kishës që jetojnë në atë kohë dhe të gjithë shenjtorët besnikë të të gjitha epokave të shkuara do të jenë të pranishëm. Ai do të jetë grumbullimi më i madhërishëm i shenjtorëve besnikë të mbledhur ndonjëherë në planetin tokë. Do të jetë një mbledhje sakramenti. Do të jetë një ditë gjykimi për besnikët e të gjitha epokave. Dhe do të ndodhë në kontenë Dejvis në Misuri, në një vend të quajtur Adam-ondi-Ahmani” (The Millennial Messiah: The Second Coming of the Son of Man [1982], f. 578–579).