Seminare dhe Institute
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Doktrina e Besëlidhje 109–112 (Njësia 24)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Doktrina e Besëlidhje 109–112 (Njësia 24)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhja e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve për të cilat studentët mësuan ndërsa studiuan Doktrinën e Besëlidhjet 109–112 (njësia 24), nuk ka për qëllim të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që ju jepni përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Doktrina e Besëlidhje 109)

Ndërsa studentët studiuan lutjen përkushtuese të Tempullit të Kirtlandit, ata zbuluan disa nga arsyet përse i ndërtojmë tempujt. Ata mësuan që, nëse adhurojmë me denjësi në tempull, Zoti do të na e shfaqë Vetveten, do të na armatosë me fuqi e me ndihmën e Tij, dhe do të na bekojë që ligësia nuk do të triumfojë mbi ne. Përvoja e shenjtorëve në përkushtimin e Tempullit të Kirtlandit ishte e ngjashme në shumë mënyra me atë që u ndodhi apostujve të lashtë në ditën e Rrëshajëve (shih Veprat e Apostujve 2).

Dita 2 (Doktrina e Besëlidhje 110)

Si pjesë e bekimeve të marra nga shenjtorët në Tempullin e Kirtlandit, Jezu Krishti iu shfaq Profetit Jozef Smith dhe Oliver Kaudërit. Studentët mësuan që, nëse u bindemi urdhërimeve të Zotit dhe e mbajmë të pastër shtëpinë e Tij, Ai do të na e manifestojë Vetveten në tempujt e Tij. Studentët gjithashtu mësuan se Moisiu, Eliasi dhe Elija u shfaqën në Tempullin e Kirtlandit dhe iu dhanë çelësat e priftërisë Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit. Studentët mësuan se çelësat e punës misionare, familjet e përjetshme dhe puna në tempull na përgatitin për Ardhjen e Dytë të Zotit.

Dita 3 (Doktrina e Besëlidhje 111)

Nga një zbulesë që iu dha Profetit Jozef Smith në Salem të Masaçusetsit, studentët mësuan se Zoti mund të sjellë të mirën nga përpjekjet tona të sinqerta. Ata gjithashtu mësuan se ne mund ta marrim drejtimin e Zotit nëpërmjet paqes dhe fuqisë së Shpirtit të Tij.

Dita 4 (Doktrina e Besëlidhje 112)

Nëpërmjet këshillës së Zotit dhënë Tomas B. Marshit, studentët mësuan që nëse jemi të përulur, Zoti do të na udhëheqë dhe do të na japë përgjigje për lutjet tona. Zoti i tha Presidentit Marsh që si President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ai mbante çelësat për të drejtuar punën e Të Dymbëdhjetëve për shpalljen e ungjillit në të gjitha kombet. Këto çelësa janë rivendosur për herë të fundit në periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve. Studentët gjithashtu mësuan se ata duhet të jenë besnikë me qëllim që t’i marrin bekimet e premtuara nga Zoti.

Hyrje

Në një pjesë të lutjes përkushtuese për Tempullin e Kirtlandit, Profeti Jozef Smith u lut për mirëqenien e njerëzve të tjerë. Pasi tempulli u përkushtua, profetë nga periudha të kaluara ungjillore ua dhanë çelësat e priftërisë Profetit Jozef Smith dhe Oliver Kaudërit, duke përfshirë çelësat e vulosjes.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 109:47–53

Jozef Smithi i kërkon Atit Qiellor që t’i ndihmojë shenjtorët në Misuri

Ftojini studentët të mendojnë rreth dikujt që e njohin, i cili po has vështirësi ose po vuan në ndonjë mënyrë. Pasi studentët të kenë pasur kohë të mendojnë, bëni pyetjen vijuese:

  • Në çfarë mënyrash mund të ndihmoni që të lehtësohet vuajtja e dikujt?

Pasi studentët të kenë treguar disa ide, u kujtoni atyre se shenjtorët në Misuri kishin vuajtur shumë për shkak të dhunës së turmave në kontenë Xhekson. Bashkëshenjtorët e tyre i kujtuan ata në përkushtimit e Tempullit të Kirtlandit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pjesën e lutjes së përkushtimit të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 109:47–49. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një gjë që mund të bëjmë për t’i ndihmuar të tjerët gjatë kohëve të vështirësisë.

  • Në përkushtimin e Tempullit të Kirtlandit, çfarë bëri Profeti për shenjtorët në Misuri?

Ftojeni një student të veprojë si shkrues. Kërkojini klasës të sugjerojë një parim që ne mund të mësojmë nga lutja e Profetit në këto vargje. Ndërsa studentët përgjigjen, shkruesi mund të shkruajë parimin vijues: Lutjet tona mund t’ju japin ndihmë dhe forcë njerëzve në nevojë.

  • Kur e keni ndier ose parë fuqinë e lutjes që të ndihmojë një njeri në nevojë? (Ju mund të doni të vini në dukje se lutje të tilla ndonjëherë marrin përgjigje nëpërmjet frymëzimit që ne ose të tjerët marrim rreth asaj që mund të bëhet për t’i ndihmuar të tjerët. Ju gjithashtu mund të doni të tregoni se si e keni parë këtë parim të përmbushet në jetën tuaj.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 109:50. Vëreni klasën që ta ndjekë, duke kërkuar njerëzit e tjerë për të cilët Profeti u lut.

  • Për kë tjetër u lut Profeti?

  • Përse mendoni që ne duhet të lutemi për armiqtë tanë?

  • Çfarë mund të mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 109:50 rreth mënyrës se si lutjet tona mund të ndikojnë tek të tjerët? (Pasi studentët të përgjigjen, vëreni shkruesin të shkruajë në tabelë parimin vijues: Lutjet tona mund të ndikojnë te njerëzit që të pendohen. Pastaj ftojeni shkruesin që të ulet.)

Kërkojuni studentëve të përsiatin pyetjen vijuese:

  • Po nëse njerëzit për të cilët ne lutemi zgjedhin të mos pendohen?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 109:51–53. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar frazat që e pranojnë vullnetin e Zotit dhe lirinë e zgjedhjes së të tjerëve. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë. (Përpara se studentët t’i lexojnë këto vargje, ju mund të doni të shpjegoni se kur shkrimet e shenjta përfshijnë thënie që Zoti e zhvesh krahun e Tij, ato nënkuptojnë se Ai po tregon fuqinë e Tij.)

Ftojeni një student të lexojë sërish me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 109:53. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Ati Qiellor do të bëjë për ata që pendohen. (Juve mund t’ju nevojitet të shpjegoni se zemërimi i Perëndisë shpesh shprehet me ndëshkimin ose vuajtjen që ne përjetojmë për shkak të mëkateve tona, sipas drejtësisë së Tij. Fraza “kur ti sheh mbi fytyrën e të Vajosurit tënd”, i referohet gatishmërisë së Atit Qiellor për të dhënë mëshirë për shkak të flijimit shlyes të Birit të Tij, Jezu Krishtit.)

  • Përse Ati Qiellor do ta largojë zemërimin e Tij nga ata që pendohen? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ndihmojini ata të përcaktojnë parimin vijues: Për shkak të flijimit shlyes të Jezu Krishtit, zemërimi i Atit Qiellor do të largohet nga ata që pendohen.)

Për t’i ndihmuar studentët të përfytyrojnë përshkrimin te vargu 53, ftojini ata të bëjnë sa më poshtë:

Përfytyroni një ish-pjesëtar të një turme antimormone duke qëndruar përpara Perëndisë për t’u gjykuar. Tani përfytyroni sikur vite përpara se ky person të vdiste, ai u pendua me të vërtetë dhe kërkoi të falej dhe të shëlbohej nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Për shkak se Jezu Krishti ka vuajtur për mëkatet e këtij personi, Ati Qiellor do ta largojë ndëshkimin dhe do t’i japë mëshirë mëkatarit të penduar.

  • Çfarë lloj qëndrimi nevojitet të kenë njerëzit, që ata të luten sinqerisht që zemërimi i Atit Qiellor të largohet prej armiqve të tyre?

Nxitini studentët ta zhvillojnë këtë lloj qëndrimi ndaj atyre që i kanë fyer ose u kanë shkaktuar vuajtje. Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur njerëz të tillë po qëndrojnë të penduar përpara Atit Qiellor. Ftojini studentët të luten, ashtu siç bëri Jozef Smithi, për njerëzit që i fyejnë ata ose që mëkatojnë kundër tyre.

Doktrina e Besëlidhje 110:13–16

Elija i jep çelësat e priftërisë Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit

Kujtojuni studentëve se në fund të javës së përkushtimit të Tempullit të Kirtlandit, Jezu Krishti iu shfaq Profetit Jozef Smith dhe Oliver Kaudërit në tempull. Ftojini studentët të shohin te hyrja e seksionit të Doktrinës e Besëlidhjeve 110 dhe të gjejnë datën e këtij vegimi. Pasi ta gjejnë, shpjegoni se fundjava e 3 prillit 1836 ishte Pashka për hebrenjtë anembanë botës. Për shekuj, familjet hebrease kanë lënë një karrige bosh në festat e tyre të Pashkës, bazuar në një profeci nga Malakia në Dhiatën e Vjetër, duke parapritur ardhjen e Elijas për “të bë[r]ë që zemra e etërve t’u kthehet bijve dhe zemra e bijve etërve” (Malakia 4:6).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 110:13–16. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se si u përmbush profecia e Malakias në Tempullin e Kirtlandit. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjetën.

Profeti Jozef Filding Smith na mësoi se Elija dha mbi Jozef Smithin “fuqinë vulosëse të priftërisë, me anë të së cilës të gjitha gjërat lidhen në qiell sikurse edhe në tokë. Ajo i dha Jozef Smithit autoritetin që të kryente në tempullin e Perëndisë të gjitha ordinancat thelbësore për shpëtimin si të të gjallëve ashtu edhe të të vdekurve” (Doctrines of Salvation, bot. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 2:118).

  • Çfarë po u ofrojmë paraardhësve tanë të vdekur kur ndihmojmë me ordinancat në tempull në emër të tyre? (Merreni parasysh të shkruani në tabelë parimin vijues: Ne u ofrojmë shpëtim paraardhësve tanë kur bëjmë punën e historisë familjare dhe punën në tempull për ta.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ju mund të doni t’u jepni studentëve një kopje të kësaj thënieje. Kërkojuni atyre të dëgjojnë për një bekim që mund t’iu vijë atyre që ndihmojnë në punën e historisë familjare dhe në punën në tempull.

Plaku Riçard G. Skot

“Çfarëdo pune që bëni në tempull, është kohë e shpenzuar mirë, por marrja e ordinancave si mëkëmbës për një nga vetë paraardhësit tuaj do ta bëjë kohën në tempull më të shenjtë dhe bekime edhe më të mëdha do të merren. …

A dëshironi një mënyrë të sigurt për ta larguar ndikimin e kundërshtarit në jetën tuaj? Zhytuni në kërkimin për paraardhësit tuaj, përgatitini emrat e tyre për ordinancat e shenjta mëkëmbëse të disponueshme në tempull dhe pastaj shkoni në tempull për të qëndruar si mëkëmbës për ata për të marrë ordinancat e pagëzimit dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë. Ndërsa rriteni, ju do të jeni në gjendje të merrni pjesë edhe në marrjen e ordinancave të tjera. Nuk mundem të mendoj për mbrojtje më të madhe nga ndikimi i kundërshtarit në jetën tuaj” (“Gëzimi i Shëlbimit të të Vdekurve”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 93–94).

  • Çfarë bekimesh iu vijnë atyre që bëjnë punën e historisë familjare dhe punën në tempull?

  • Kur e keni përjetuar juve ose dikush që ju e njihni njërin prej këtyre bekimeve?

Ftojini studentët të marrin në shqyrtim se çfarë mund të bëjnë që të përmirësohen në përpjekjet e tyre për punën e historisë familjare dhe atë në tempull.

Njësia Tjetër (Kisha Zhvendoset drejt Misurit Verior; Doktrina e Besëlidhje 113–120

Që të ndihmoni studentët të përgatiten për studimin e tyre gjatë javës së ardhshme, ju mund të doni t’i ftoni ata të marrin në shqyrtim sa vijon: Si e mori emrin e saj Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme? Kur u paraqit ligji i së dhjetës? Shpjegoni se në njësinë tjetër ata do të mësojnë përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe rreth mënyrës se si mund t’i bëjmë thirrje Perëndisë që të na ndihmojë të qëndrojmë të vërtetë në besimin dhe në besëlidhjet tona.