Seminare dhe Institute
Mësimi 63: Doktrina e Besëlidhje 58:1–33


Mësimi 63

Doktrina e Besëlidhje 58:1–33

Hyrje

Më 1 gusht 1831, më pak se dy javë pasi Zoti caktoi Indipendënsin në Misuri si vendin qendror të Sionit, Jozef Smithi mori zbulesën që përmbahet te Doktrina e Besëlidhje 58. Kjo zbulesë u dha si përgjigje për ata që ishin të shqetësuar për të ditur vullnetin e Perëndisë lidhur me ta në këtë tokë të re. Në këtë zbulesë Zoti i këshilloi shenjtorët të ishin besnikë në mundimet e tyre dhe shpjegoi përse Ai i kishte dërguar shenjtorët në Sion. Zoti i nxiti gjithashtu shenjtorët të përdornin lirinë e tyre të zgjedhjes për të sjellë drejtësi.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 58:1–5

Zoti i këshillon shenjtorët të jenë besnikë në mundimet e tyre

Përpara se të fillojë ora mësimore, shkruani në tabelë fjalët E tashmja dhe E ardhmja.

Fillojeni mësimin duke u kërkuar studentëve të mendojnë për sfidën më të madhe që po hasin tani në jetën e tyre.

  • Si mund t’ju ndihmojë të menduarit rreth të ardhmes tuaj, në këtë jetë dhe në jetën që vjen, për t’u përballur me sfidat që po i hasni tani?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin vijues. Kërkojini klasës të dëgjojë për sfidat që përjetuan shenjtorët në Misuri në vitin 1831, që mund t’i kenë bërë disa prej tyre të humbasin kurajën.

Në janar 1831 misionarët gjetën një grup të indianëve Delauer që po jetonin në Territorin Indian, përtej kufirit perëndimor të Misurit. Indianët Delauer ishin të interesuar për të mësuar ungjillin që përmbahej në Librin e Mormonit. Gjithsesi, ngaqë misionarët nuk e kishin marrë lejen e kërkuar që të hynin në Territorin Indian dhe të predikonin ungjillin, dhe për shkak të kundërshtimit nga përfaqësuesit dhe shërbestarët indianë vendorë, misionarët e Kishës u detyruan të largoheshin nga territori. Atëherë misionarët u përpoqën t’u jepnin mësim kolonëve të bardhë në Indipendëns të Misurit dhe në zonat përreth, por Kishës më pak se dhjetë të kthyer në besim i ishin bashkuar deri në korrik të vitit 1831. Kur pleqtë e Kishës nga Ohajo filluan të mbërrinin në Misuri në korrik 1831, disa njerëz u zhgënjyen nga ajo që gjetën. Disa prej tyre prisnin që të shihnin një rritje të shpejtë të komunitetit të besimtarëve dhe një vendndodhje që ishte përgatitur për të mirëpritur anëtarët emigrues të Kishës. Disa prej tyre shprehën pakënaqësi për shkak se toka në Indipendëns ishte e pazhvilluar. Përveç kësaj, disa vëllezër u nxitën të qëndronin në Misuri dhe të blinin toka, që ta përgatitnin Sionin për shenjtorët që do të vinin më vonë.

  • Si mendoni, përse kjo situatë mund të ketë qenë shkurajuese për disa anëtarë të Kishës?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 58:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar atë që Zoti u tha pleqve, që mund t’i ketë ndihmuar ata të përballeshin me sfidat që po hasnin.

  • Çfarë u tha Zoti pleqve?

  • Si do t’i përmblidhnit të vërtetat në vargun 2? (Studentët duhet të dallojnë parimet vijuese: Ne do të bekohemi nëse i zbatojmë urdhërimet e Zotit. Shpërblimi ynë i përjetshëm do të jetë më i madh nëse qëndrojmë besnikë në mundime. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë frazat që i japin mësim këto të vërteta në vargun 2.)

Drejtojuni fjalëve E tashmja dhe E ardhmja në tabelë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 58:3–5. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar atë që Zoti u tha pleqve lidhur me të tashmen dhe të ardhmen e popullit të Tij. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që kanë gjetur.

  • Sipas vargut 3, çfarë na kalon zakonisht pa e parë ose pa e kuptuar ndërsa kalojmë përmes mundimeve?

Vini në dukje se këto vargje duket të nënkuptojnë se Zoti donte që pleqtë të shihnin përtej sprovave që po duronin dhe të përqendroheshin më tepër tek e ardhmja e lavdishme që do të përjetonin nëse ishin besnikë. Mesazhi i Zotit për shenjtorët në Misuri mund të na ndihmojë që t’i durojmë sfidat, duke na mbajtur të përqendruar te bekimet e premtuara për ata që i durojnë mundimet besnikërisht.

  • Si mund t’ju ndihmojë mirëbesimi se Zoti do t’ju bekojë për t’i duruar mundimet besnikërisht?

  • Kur keni ndier se u bekuat për shkak të të qenit besnikë gjatë mundimeve?

Ftojini studentët të marrin parasysh sfidën më të madhe që ata po përjetojnë aktualisht. Nxitini ata të qëndrojnë besnikë ndaj ungjillit pavarësisht nga sfidat e tyre, që të mund të marrin shpërblimet që Zoti ka në ruajtje për ta, tani dhe në përjetësitë.

Doktrina e Besëlidhje 58:6–13

Shpëtimtari shpjegon përse Ai i dërgoi shenjtorët në Sion

Bëjuni studentëve pyetjet vijuese:

  • A ju është kërkuar ndonjëherë të bëni diçka, por nuk e kuptuat përse iu kërkua ta bënit atë? Si iu bëri të ndiheshit?

  • Nga ana tjetër, a ju ka kërkuar ndonjëherë dikush të bëni diçka dhe gjithashtu ju ka ndihmuar të kuptonit arsyet përse ta bëni? Çfarë ndryshimi solli njohja e arsyeve?

Shpjegoni se Zoti zbuloi disa nga arsyet e Tij për dërgimin e njerëzve që të ngrinin themelin e Sionit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 58:6–8. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar arsyet që dha Zoti për dërgimin e njerëzve që të ngrinin themelin e Sionit. Ftojini studentët të raportojnë atë që kanë mësuar.

Përmblidhni Doktrinën e Besëlidhjet 58:9–13 duke shpjeguar se një arsye që Zoti po dërgonte njerëz për të ngritur themelin e Sionit ishte që ta përgatiste tokën për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Në këto vargje, Zoti iu referua një shëmbëlltyre në Dhiatën e Re, e cila jep mësim se njerëzit e të gjitha kombeve do të ftohen që të marrin nga bekimet e ungjillit.

  • Si mund t’i ketë ndihmuar pleqtë që të ishin besnikë në mundimet e tyre, dijenia se ata po e përgatitnin tokën për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit?

Doktrina e Besëlidhje 58:14–23

Zoti përshkruan përgjegjësitë e një peshkopi dhe i urdhëron shenjtorët të mbajnë ligjin e vendit

Eduard Partrixh

Kujtojuni studentëve se Zoti e kishte thirrur Peshkopin Eduard Partrixh që të drejtonte përpjekjet për të ndërtuar qytetin e Sionit. Zoti e udhëzoi Peshkopin Partrixh dhe Sidni Gilbertin që të qëndronin në Misuri për të administruar pronat e Kishës dhe për të blerë tokë në Indipendëns të Misurit dhe përreth tij (shih DeB 57:7–8). Shpjegoni se ndërsa shenjtorët përgatiteshin për të blerë tokë, Peshkopi Partrixh u grind me Jozef Smithin rreth cilësisë së tokës që ishte zgjedhur. Ai ndjeu se në vend të saj duhej të bliheshin ngastra të tjera toke. Kjo mosmarrëveshje çoi në një qortim nga Zoti.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 58:14–15. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar atë që Zoti i tha Peshkopit Partrixh. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjetën.

  • Drejtojini studentët sërish te Doktrina e Besëlidhje 58:3. Si mund ta kenë ndihmuar Peshkopin Partrixh të vërtetat e zbuluara në këtë varg, që të zgjidhte të pendohej për grindjen me Profetin lidhur me se cilat ngastra të tokës duhet të bliheshin?

Shpjegojini klasës se Peshkopi Partrixh e pranoi qortimin e Zotit me përulësi dhe u fal për mëkatet e tij.

  • Si mund të na ndihmojnë të vërtetat e zbuluara te Doktrina e Besëlidhje 58:3, që t’i përgjigjemi urdhërimit të Zotit me besim në vend të mosbesimit dhe verbërisë së zemrës?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 58:16–20. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar atë që Zoti i tha Peshkopit Partrixh rreth rolit të tij si peshkop dhe përgjegjësisë së tij për të ndihmuar në ndërtimin e Sionit.

  • Sipas këtyre vargjeve, cila është përgjegjësia e peshkopit?

  • Cilat janë disa mënyra se si peshkopët duhet ta gjykojnë popullin e Zotit sot?

Përmblidhni Doktrinën e Besëlidhjet 58:21–23 duke shpjeguar se Zoti pret nga ne që t’i mbajmë ligjet e vendit derisa Ai të vijë dhe të mbretërojë gjatë Mijëvjeçarit.

Doktrina e Besëlidhje 58:24–33

Zoti i këshillon shenjtorët ta përdorin lirinë e tyre të zgjedhjes për të bërë mirë

Paraqitini klasës situatën vijuese:

Përfytyroni që ndërsa ecni tatëpjetë rrugës, shikoni një njeri të moshuar që rrëzohet. Cilën nga gjërat e mëposhtme duhet të bëni?

  1. Të prisni që Shpirti t’ju nxitë për të ndihmuar.

  2. Të prisni që dikush tjetër t’ju thotë atë që duhet të bëni.

  3. Të prisni për të parë nëse dikush tjetër do të ndihmojë.

  4. Ta ndihmoni menjëherë personin që u rrëzua.

Pasi studentët të jenë përgjigjur, bëni pyetjen vijuese:

  • Përse është e rëndësishme që ta ndihmoni personin pa pritur udhëzime nga dikush tjetër?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 58:26–28. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë parimet që Zoti u mësoi shenjtorëve ndërsa hasën sfidën e ndërtimit të qytetit të Sionit. (Mund të doni të shpjegoni se fraza “ai që detyrohet në gjithçka” në [DeB 58:26] i drejtohet dikujt që nuk do të veprojë, vetëm nëse atij apo asaj i kërkohet ta bëjë këtë.)

  • Çfarë të vërtetash zbuluat te vargjet 26–28? (Studentët mund të përgjigjen me të vërteta të tilla si ato që vijojnë: Ne kemi fuqi që të zgjedhim të veprojmë për veten tonë. Nëse presim që Zoti të na tregojë gjithçka që duhet të bëjmë, ne do ta humbasim shpërblimin tonë. Nëse e përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për të bërë të ndodhë drejtësia, ne do të shpërblehemi. Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruajini këto të vërteta në tabelë.)

  • Cilit “shpërblim” po i referohen këto vargje? Si mund të ndikojë bërja e shumë gjërave të mira me vullnetin tonë të lirë nëse e marrim ose jo jetën e përjetshme?

  • Cilat janë disa mënyra se si ju mund të përfshiheni me zell për të bërë gjëra të mira në shtëpi? Në shkollë? Në lagjen apo degën tuaj?

Ftojini studentët të tregojnë përvojat që kanë pasur, kur u bekuan që e përdorën lirinë e tyre të zgjedhjes për të bërë mirë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 58:29–33. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar atë që u ndodh atyre që nuk e përdorin lirinë e tyre të zgjedhjes për të bërë mirë ose që dyshojnë në urdhërimet e Zotit.

  • Çfarë u ndodh atyre që nuk e përdorin lirinë e tyre të zgjedhjes për të bërë mirë ose që dyshojnë në urdhërimet e Zotit?

  • Si reagojnë disa njerëz kur ata nuk i marrin bekimet për shkak të përtacisë apo mosbindjes së tyre? Çfarë paralajmërimi u jep Zoti individëve të tillë në vargun 33?

Dëshmoni për rëndësinë e përdorimit të lirisë sonë të zgjedhjes për të bërë mirë. Ftojini studentët ta përdorin lirinë e tyre të zgjedhjes për të bërë diçka të mirë përpara se klasa të takohet sërish. Thojuni studentëve se ata do të kenë mundësi për të treguar atë që bënë si pjesë e mësimit të ardhshëm.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 58:2–4. “Lavdi[a] që do të pasojë pas shumë mundimesh”

Presidenti Brigam Jang dha mësim sa vijon rreth pasjes së një këndvështrimi të përjetshëm dhe rreth lavdisë që u vjen besnikëve:

Presidenti Brigam Jang

“Ne flasim për sprovat dhe shqetësimet këtu në këtë jetë; por hamendësoni sikur të mund ta shihnit veten tuaj mijëra dhe miliona vite pasi të jeni cilësuar besnikë në fenë tuaj gjatë këtyre pak viteve të shkurtra në këtë jetë dhe të keni marrë shpëtimin e përjetshëm dhe një kurorë lavdie në praninë e Perëndisë? Pastaj kthejeni vështrimin tuaj te jeta juaj këtu dhe shihni humbjet, vuajtjet dhe zhgënjimet; … ju do të ishit i detyruar të thërrisnit: ‘E çfarë pastaj? Ato gjëra nuk ishin veçse për një çast dhe tani jemi këtu. Ne kemi qenë besnikë gjatë disa çasteve në vdekshmërinë tonë dhe tani gëzojmë jetën dhe lavdinë e përjetshme’” (“Remarks”, Deseret News, 9 nëntor 1859, f. 1). (Shih edhe Doctrine and Covenants Student Manual, bot. i 2-të [Church Educational System manual, 2001], f. 119–120.)

Doktrina e Besëlidhje 58:3. “Ju nuk mund të shihni me sytë tuaj natyrorë … planin e Perëndisë tuaj”

Plaku Nil A. Maksuell përdori një thënie nga C. S. Luisi, i cili shpjegoi se ne nuk e kuptojmë gjithmonë atë që Perëndia ka ruajtur për ne:

Plaku Nil A. Maksuell

“C. S. Luisi, në librin e tij Mere Christianity [Krishtërimi i Thjeshtë], e përshkruan marrëdhënien tonë me Perëndinë në një mënyrë të veçantë, e cila mund të na ndihmojë të vlerësojmë se si nënshtrimi i vullnetit tonë ndaj të tijit është e vetmja mënyrë që të mund të ndodhë rritja shpirtërore:

‘Përfytyrojeni veten tuaj si një shtëpi ku jetohet. Perëndia hyn për ta rindërtuar atë shtëpi. Në fillim, ndoshta, ju mund ta kuptoni atë që Ai po bën. Ai po rregullon kanalet kulluese dhe po ndalon rrjedhjen në çati e kështu me radhë: ju e dinit se ato punë duheshin bërë dhe prandaj nuk jeni i çuditur. Por tani ai fillon ta godasë shtëpinë në një mënyrë që të vjen shumë keq dhe duket sikur nuk ka kuptim. Çfarë po bën Ai? Shpjegimi është se Ai po ndërton pothuaj një shtëpi të ndryshme nga ajo që menduat ju – ngritja e një muri këtu, shtrimi i një dyshemeje atje, ndërtimi i shtyllave mbajtëse, bërja e kopshteve. Ju menduat se do të bëheshit një shtëpizë e vogël e këndshme, por Ai po ndërton një pallat. …’ (C. S. Lewis, Mere Christianity [1952], f. 160.)” (“The Value of Home Life”, Ensign, shkurt 1972, f. 5).

Doktrina e Besëlidhje 58:8–11. “Darka e Zotit”

“Dy simbole të banketit nga Dhiata e Vjetër gjejnë zbatim për Darkën e Zotit: ‘banketi me gjëra të shijshme’ dhe ‘vera e vjetëruar’. Të dyja janë simbole të pasurisë, duke treguar se banketi i përmendur këtu është i një rëndësie të madhe (shih edhe DeB 57:5–14; 65:3; Mateu 22:1–14; Zbulesa 19:7–9)” (Doctrine and Covenants Student Manual [Church Education System manual, 2001], f. 120).

Doktrina e Besëlidhje 58:14–15. Peshkopi Partrixh u pendua për mëkatet e tij

Peshkopi Partrixh u grind me Jozef Smithin rreth cilësisë së tokës që ishte zgjedhur në Misuri. Ai ndjeu se në vend të saj duhet të bliheshin ngastra të tjera toke. Zoti e ndëshkoi Peshkopin Partrixh për sjelljen e tij.

Peshkopi Partrixh e pranoi me përulësi qortimin e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 58. Vetëm disa ditë pasi u dha kjo zbulesë, ai i shkroi bashkëshortes së tij: “Ti e di se unë qëndroj në një pozitë të rëndësishme dhe ndërsa me raste qortohem, nganjëherë ndjej sikur do të bie, jo për të hequr dorë nga kauza, por kam frikë se pozita ime është më lartë nga ç’mund të kryej, që të pranohem nga Ati im Qiellor” (letër për Lidia Partrixhin, 5–7 gusht 1831, Church History Library, Salt Lake City). Procesverbali i një mbledhjeje në Sion që mori në shqyrtim grindjen midis Profetit Jozef dhe Peshkopit Partrixh, tregon se Partrixhi tha që “atij i vjen dhe i ka ardhur gjithmonë keq” për mosmarrëveshjen (Minute Book 2, 10 mars 1832, f. 23, Church History Library, Salt Lake City; shih edhe josephsmithpapers.org). Një zbulesë e dhënë më 11 shtator 1831 tregoi se Partrixhi ishte falur për sjelljen e tij (Documents, Vëllimi 2: korrik 1831–janar 1833, vëll 2 i serisë së Documents të The Joseph Smith Papers [2013], f. 62).

Doktrina e Besëlidhje 58:27–28. “Të bëjnë shumë gjëra me vullnetin e tyre të lirë”

Një shembull pozitiv i ndjekjes së këshillës për t’u “përfshi[rë] me zell në një kauzë të mirë” (DeB 58:27) gjendet në një përvojë të treguar nga Plaku Von J. Fedhërston, i Të Shtatëdhjetëve:

Plaku Von J. Fedhërston

“Kur isha rreth dhjetë apo njëmbëdhjetë vjeç, shumë nga të afërmit tanë erdhën për vizitë. Duhet të kenë qenë 35 ose 40 veta. Nëna i kishte ftuar të gjithë për darkë. Pas darke, çdonjëri shkoi në dhomën tjetër dhe u ul për të biseduar. Kishte kudo një pirg me pjata dhe takëme të palara të ngrënies. Ushqimi nuk ishte hequr dhe kishte enë e tiganë të palarë nga e gjitha përgatitja.

Mbaj mend që mendova se më vonë të gjithë do të largoheshin dhe nënës sime do t’i duhej të bënte të gjithë pastrimin. Më lindi një ide. Fillova të pastroja. Ishte koha përpara se të dilnin pjatalarëset elektrike. Nëna kishte qenë gjithmonë shumë e pastër dhe ajo na mësoi se si t’i lanim dhe t’i thanim enët siç duhej. Iu futa kësaj pune të madhe. Më në fund, pas rreth tre orësh, mbarova së thari pjatën e fundit. Kisha hequr të gjithë ushqimin, kisha pastruar të gjitha sipërfaqet, lavamanët dhe dyshemenë. Kuzhina ishte akull e pastër.

Kurrë nuk do ta harroj shikimin në fytyrën e nënës atë mbrëmje vonë, kur të gjithë të ftuarit ishin larguar dhe ajo erdhi në kuzhinë për të pastruar. Isha i lagur nga kraharori deri te gjunjët. Ishte me vlerë çdo pjesëz e përpjekjes që kisha bërë, vetëm për të parë pamjen në fytyrën e nënës. Ishte një përzierje e emocionit, lehtësimit dhe krenarisë. Atëherë mora vendim që do të përpiqesha ta ktheja sërish atë pamje në fytyrën e saj herë pas here” (“We Love Those We Serve”, New Era, mars 1988, f. 19).