Seminare dhe Institute
Mësimi 27: Doktrina e Besëlidhje 20:38–67


Mësimi 27

Doktrina e Besëlidhje 20:38–67

Hyrje

Në zbulesën dhënë Profetit Jozef Smith që gjendet te Doktrina e Besëlidhje 20, Zoti urdhëroi që Kisha e Tij e rivendosur të organizohej më 6 prill 1830. Ai dha udhëzime edhe rreth qeverisjes së Kishës së Tij, përfshirë një shpjegim të detyrave të ndryshme të priftërisë dhe përgjegjësive të atyre që do t’i mbanin ato detyra. Me këto detyra në rendin e duhur, fëmijët e Atit Qiellor mund të merrnin ordinancat e priftërisë dhe të bënin besëlidhje.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 20:38–59

Paraqiten përgjegjësitë e detyrave të priftërisë

Shkruani sa më poshtë në tabelë përpara orës mësimore: predikoj, jap mësim, sqaroj, këshilloj, paralajmëroj, i ftoj të gjithë të vijnë te Krishti

Në fillim të orës mësimore, referojuni fjalëve në tabelë dhe bëni pyetjen vijuese:

  • Kush i ka këto përgjegjësi? (Mund t’ju nevojitet të shpjegoni se fjala sqaroj do të thotë ta japësh mësim diçka me më shumë hollësi dhe se fjala këshilloj do të thotë ta nxitësh fort dikë për të bërë diçka.)

Studentët mund të vënë në dukje se profetët, apostujt, udhëheqësit e tjerë të Kishës dhe misionarët kohëplotë i kanë këto përgjegjësi. Ata gjithashtu mund të vënë në dukje se këto janë detyra që të gjithë mbajtësit e priftërisë, duke përfshirë mbajtësit e Priftërisë Aarone, mund t’i zbatojnë. Nëse ata nuk i përmendin mbajtësit e Priftërisë Aarone, përmendeni vetë këtë të vërtetë. Theksoni se mbajtësit e Priftërisë Aarone në klasën tuaj janë besuar me mundësi domethënëse për të shërbyer.

Ndajeni klasën në tri grupe. Shpjegoni se në lidhje me organizimin e Kishës, Zoti i zbuloi Jozef Smithit shumë prej detyrave të mbajtësve të priftërisë. Kërkojini një grupi të studiojë Doktrinën e Besëlidhjet 20:38–45 duke shqyrtuar detyrat e pleqve. Ftojeni grupin e dytë të studiojë Doktrinën e Besëlidhjet 20:46–52 duke shqyrtuar detyrat e priftërinjve. Ftojeni grupin e tretë të studiojë Doktrinën e Besëlidhjet 20:53–59 duke shqyrtuar detyrat e mësuesve dhe të dhjakëve. Teksa studiojnë, shkruani sa më poshtë përgjatë kreut të tabelës:

Pleqtë

Priftërinjtë

Mësuesit dhe Dhjakët

DeB 20:38–45

DeB 20:46–52

DeB 20:53–59

Pas një kohe të mjaftueshme, ftoni një ose dy përfaqësues nga secili grup për të ardhur në tabelë dhe për të renditur përgjegjësitë e detyrës apo detyrave që kanë studiuar.

  • Çfarë ndryshimesh vini re midis detyrave të pleqve, priftërinjve, mësuesve dhe dhjakëve? Çfarë ngjashmërish shihni?

  • Cila detyrë ka autoritetin për të dhuruar dhuratën e Frymës së Shenjtë? (Plaku; shih vargun 41.) Cilat detyra kanë autoritetin për të administruar sakramentin? (Plaku dhe prifti; shih vargjet 40 dhe 46.) Cilat detyra kanë autoritetin për të shuguruar priftërinjtë, mësuesit dhe dhjakët? (Plaku dhe prifti; shih vargjet 39 dhe 48.) Cilat detyra kanë autoritetin për të këshilluar, sqaruar dhe dhënë mësim? (Plaku, prifti, mësuesi dhe dhjaku; shih vargjet 42, 46 dhe 59.)

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë rreth detyrave të priftërisë duke i krahasuar dhe ballafaquar përgjegjësitë e tyre?

Studentët mund të përcaktojnë një larmi parimesh, por sigurohuni që të theksojnë sa më poshtë:

Kur bijtë e Atit Qiellor marrin detyra më të larta të priftërisë, ata marrin më shumë përgjegjësi dhe mundësi për t’u shërbyer të tjerëve.

Kur një mbajtës i priftërisë shugurohet në detyra shtesë të priftërisë, ai i ruan detyrat më të ulëta dhe përgjegjësitë e tyre shoqëruese.

Të gjithë mbajtësit e priftërisë kanë përgjegjësinë për të kryer ordinanca dhe për të vëzhguar mbi anëtarët e Kishës dhe për t’u shërbyer atyre.

Pasi t’i ndihmoni studentët të përcaktojnë të vërtetën e fundit në listën e mësipërme, shkruajeni atë në tabelë nën listën e përgjegjësive të priftërisë. Mund t’ju duhet të vini në dukje se fjala shërbej do të thotë të ndihmosh.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë përgjegjësitë e mbajtësve të priftërisë, drejtojeni vëmendjen e tyre te lista në tabelë dhe bëni pyetjet vijuese:

  • Cilat janë disa nga mënyrat se si mbajtësit e Priftërisë Aarone mund të “vëzhgoj[në] mbi kishën” dhe “të je[në] me ta e t’i forcoj[në] ata”? (Shembujt mund të përfshijnë mësimet e shtëpisë, përkujdesjen për të varfrit dhe nevojtarët, përkujdesjen për shtëpinë e mbledhjes dhe mjediset përreth, përmbushjen e detyrave të tjera të dhëna nga peshkopi dhe udhëheqësit e kuorumit.)

  • Cilat janë disa mënyra se si mbajtësit e Priftërisë Aarone mund t’i “ftojnë të gjithë të vijnë te Krishti”?

Ndërsa anëtarët e klasës e diskutojnë këtë pyetje, ju mund të doni t’i kërkoni një studenti të lexojë këshillën vijuese:

“Nëse jeni mbajtës i priftërisë, mbani mend që priftëria duhet të jetë një pjesë e juaja në të gjitha kohët dhe në të gjitha rrethanat. Ajo nuk është si një mantel që ju mund ta vishni e ta hiqni sipas dëshirës. Çdo shugurim në një detyrë të priftërisë është një thirrje për të shërbyer gjatë gjithë jetës, me premtimin se Zoti do t’ju kualifikojë që të bëni punën e Tij, sipas besnikërisë suaj.

Ju duhet të jeni i denjë me qëllim që të merrni dhe të ushtroni fuqinë e priftërisë. Fjalët që thoni dhe sjellja juaj e përditshme ndikojnë tek aftësia juaj për të shërbyer. Sjellja juaj para njerëzve duhet të jetë e paqortueshme. Akoma më shumë rëndësi ka sjellja juaj kur nuk ju shohin” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2005], f. 129).

Shkruani në tabelë thënien e mëposhtme nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë. (Kjo thënie gjendet te “Nderoni Priftërinë dhe Përdoreni Atë Mirë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 46.) Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë atë në anë të shkrimeve të tyre të shenjta te Doktrina e Besëlidhje 20, ose në fletoret e klasës apo ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

“Qëllimi i autoritetit të priftërisë është të japë, të shërbejë, të lartësojë, të frymëzojë” (Plaku Riçard G. Skot).

Kërkojuni studentëve që të tregojnë raste kur i kanë parë mbajtësit e priftërisë të japin, të shërbejnë, të lartësojnë dhe të frymëzojnë. Ju mund të shtoni vetë vëzhgimet tuaja.

Si pjesë të këtij diskutimi, vini në dukje se ndërsa zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 20 është rreth mbajtësve të priftërisë, të gjithë anëtarët e Kishës kanë përgjegjësinë dhe privilegjin për t’u shërbyer të tjerëve. Të rejat kanë shumë mundësi për të shërbyer. Disa mund të zgjedhin të shërbejnë në misione dhe ndonjë ditë do të kenë privilegjin për të qenë anëtare të Shoqatës së Ndihmës, “duke punuar së bashku me burrat që mbajnë priftërinë për të rritur besimin dhe drejtësinë vetjake, për të forcuar familjet e shtëpitë dhe për të kërkuar e ndihmuar ata në nevojë” (Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society [2011], f. 7).

Jepuni studentëve disa çaste që të shkruajnë rreth asaj që kanë mësuar nga Doktrina e Besëlidhje 20:38–59. Nxitini të rinjtë të marrin në shqyrtim shkrimin e një qëllimi që do t’i ndihmojë ata të vëzhgojnë dhe t’i forcojnë besnikërisht anëtarët e Kishës. Kjo mund të bëhet si pjesë e përpjekjeve të tyre për programin Detyra ndaj Perëndisë.

Doktrina e Besëlidhje 20:60–67

Jepen udhëzimet mbi shugurimet në priftëri

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 20:60 dhe kërkojini klasës të shohë për rolin e Frymës së Shenjtë kur dikush shugurohet në një detyrë priftërie.

Kërkojuni studentëve të ngrenë dorën nëse kanë dëshmuar një shugurim në priftëri ose janë shuguruar në një detyrë në priftëri. Ftojini disa prej atyre që ngritën dorën, që të tregojnë përvojat e tyre dhe ndonjë ndjenjë që patën gjatë shugurimeve. Ju mund të bëni pyetjen e mëposhtme:

  • Në ç’mënyrë ishte Fryma e Shenjtë pjesë e shugurimit?

Shkruani në tabelë thënien vijuese: Mbajtësit e priftërisë e kanë të nevojshme që ta kenë me vete Frymën e Shenjtë teksa i kryejnë detyrat e tyre.

Për t’i ndihmuar të rinjtë që të marrin në shqyrtim denjësinë e tyre kur kryejnë ordinancat e priftërisë, ftojeni një student që të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Presidenti Bojd K. Paker

“Autoriteti juaj vjen përmes shugurimit tuaj; fuqia juaj vjen nëpërmjet bindjes dhe denjësisë suaj. …

Fuqia në priftëri vjen nga bërja e detyrës suaj në gjëra të zakonshme: pjesëmarrja në mbledhje, pranimi i detyrave, leximi i shkrimeve të shenjta, mbajtja e Fjalës së Urtësisë” (“The Aaronic Priesthood”, Ensign, nëntor 1981, f. 32–33).

Ftojini të rinjtë të marrin parasysh plot lutje atë që Zoti do të donte që ata të bënin, për ta ftuar fuqinë e Frymës së Shenjtë që t’i shoqërojë ndërsa kryejnë detyrat e tyre të tanishme dhe të ardhshme të priftërisë. Theksoni se edhe të rejat kanë përgjegjësi të rëndësishme në Kishë. Ftojini ato të marrin parasysh atë që Zoti do të donte që ato të bënin, për ta ftuar fuqinë e Frymës së Shenjtë ndërsa i përmbushin ato përgjegjësi.

Ju mund të shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 20:61–63 përmend disa nga qëllimet e mbajtjes së konferencave të Kishës, të tilla si kryerjen në mënyrë të hapur të punëve të Kishës.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 20:65. Shpjegoni se në këtë varg fjala votë i drejtohet votës mbështetëse që dikush merr përpara se të shugurohet në një detyrë në priftëri. Kërkojuni të rinjve në klasë të kujtojnë herën e fundit që u mbështetën nga anëtarët e lagjes apo të degës së tyre për t’u shuguruar në një detyrë në priftëri.

  • Si u ndiet kur patë se anëtarët e lagjes (apo degës) suaj e mbështetën shugurimin tuaj? Si mund t’ju ndihmojë të kujtuarit e votës së tyre mbështetëse në shërbimin tuaj të priftërisë? (Përgjigjet mund të përfshijnë se ata do të ndihen më shumë të përgjegjshëm ndaj lagjes për shërbimin e tyre dhe se do ta ndiejnë mbështetjen e anëtarëve të lagjes.)

Ju mund të doni të ftoni disa studentë që të tregojnë përse janë mirënjohës për autoritetin e priftërisë. Jepni gjithashtu dëshminë tuaj për të vërtetat e diskutuara në mësim.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 20:42. Vëzhgimi mbi Kishën

Duke folur për qëllimin themelor të priftërisë, Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë tha:

Presidenti Xhejms E. Faust

“Kujdesi për të tjerët është thelbi i vërtetë i përgjegjësisë së priftërisë. Është fuqia për të bekuar, shëruar dhe administruar ordinancat shpëtuese të ungjillit” (“Power of the Priesthood”, Ensign, maj 1997, f. 41).

Plaku W. Grant Bangerter, i Të Shtatëdhjetëve, foli për ata që e mbajnë priftërinë si “shërbestarë”, të cilët vëzhgojnë mbi anëtarësinë e Kishës:

Plaku W. Grant Bangerter

“Për disa vite unë pata privilegjin të ulesha te këmbët e Presidentit Marion G. Romni, i cili na mësoi rreth ‘kushtetutës së Kishës’ – duke nënkuptuar atë zbulesë që u dha me rastin e organizimit të Kishës, ku Zoti përvijoi procedurat me anë të cilave ajo duhet të qeveriset. Pleqtë, thuhet në seksionin 20 të Doktrinës e Besëlidhjeve, të ndihmuar nga priftëria më e vogël, duhet të ‘vëzhgoj[në] mbi kishën’. (Vargjet 42, 53.) Një pjesë e atij ‘vëzhgimi’ bëhet duke vizituar shtëpitë e anëtarëve dhe duke i udhëzuar ata të bëjnë detyrën e tyre. Në një zbulesë tjetër, kuorumi i pleqve përmendet veçanërisht si një trup ‘shërbestarë[sh] që qëndrojnë’. (DeB 124:137.) Ata që mbajnë Priftërinë Aarone thirren edhe ‘shërbestarë që qëndrojnë’. (DeB 84:111.)” (“The Power of the Priesthood”, Ensign, nëntor 1975, f. 69).

Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, tregoi ngjarjen e mëposhtme rreth një mbajtësi të ri të priftërisë, i cili e lartësoi dhe forcoi një fqinjë nevojtare:

Presidenti Xhejms E. Faust

“Disa vite më parë një kuorum i priftërinjve vendosi të mblidhte ushqime për njerëzit nevojtarë si një projekt shërbimi. Xhimi, një nga priftërinjtë, ishte i lumtur të merrte pjesë dhe ishte i vendosur që të mblidhte më shumë ushqime se kushdo tjetër. Erdhi koha kur priftërinjtë u mblodhën në godinën e kishës. Ata u nisën që të gjithë në të njëjtën kohë dhe u kthyen në një kohë të caktuar më vonë atë mbrëmje. Për habinë e të gjithëve, karroca e Xhimit ishte e zbrazët. Ai dukej paksa i prekur dhe disa nga djemtë bënë shaka me të. …

… Këshilluesi e pyeti Xhimin nëse ishte i mërzitur. Xhimi tha: ‘Jo, në fakt jo. Por kur shkova që të mblidhja ushqimet, me të vërtetë mblodha shumë. Karrocën e kisha plot. Ndërsa po kthehesha për te kisha, ndalova te shtëpia e një gruaje joanëtare, e cila është e divorcuar dhe jeton brenda kufijve të lagjes sonë. Trokita në derë dhe i shpjegova se çfarë po bënim dhe ajo më ftoi brenda. Filloi të kërkonte për diçka që të ma jepte. Ajo e hapi frigoriferin dhe mund të shihja se atje s’kishte pothuajse asgjë. Dollapët ishin bosh. Më në fund, ajo gjeti një kanoçe të vogël me pjeshkë.

Vështirë se mund ta besoja. Kishte gjithë ata fëmijë të vegjël që vraponin përreth, që kishin nevojë të ushqeheshin, dhe ajo më dha këtë kanoçe me pjeshka. E mora dhe e futa në karrocë e iu ngjita rrugës. Kisha ecur rreth gjysmë blloku kur ndjeva ngrohtësi kudo brenda gjithë qenies sime dhe e dija se kisha nevojë të kthehesha tek ajo shtëpi. Ia dhashë asaj të gjitha ushqimet.’

Këshilluesi tha: ‘Xhimi, mos e harro kurrë mënyrën se si u ndjeve sonte, sepse ky është i gjithë qëllimi’. Xhimi kishte shijuar vlerat ushqimore të shërbimit vetëmohues” (“Spiritual Nutrients”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 54).

Doktrina e Besëlidhje 20:46. “Detyra e priftit është të predikojë, të japë mësim, të sqarojë, të këshillojë, të pagëzojë dhe të administrojë sakramentin”

Presidenti Uillford Udraf

Presidenti Uilford Udraf tha: “Udhëtova mijëra kilometra dhe e predikova Ungjillin si një Prift, dhe siç ua kam thënë bashkësive më parë, Zoti më mbështeti dhe e shpalosi fuqinë e Tij në mbrojtjen e jetës sime po aq shumë ndërsa e mbaja atë detyrë, siç edhe ka bërë ndërsa kam mbajtur detyrën e Apostullit. Zoti mbështet çdo njeri që mban një pjesë të Priftërisë, nëse ai është një Prift, një Plak, i Shtatëdhjetë apo një Apostull, nëse ai e lartëson thirrjen e tij dhe e bën detyrën e tij” (Deseret Weekly, 7 nëntor 1896, f. 641). (Shih edhe Boyd K. Packer “The Aaronic Priesthood”, Ensign, nëntor 1981, f. 33.)

Doktrina e Besëlidhje 20:60–67. Shugurimi i duhur në priftëri

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, theksoi se shugurimi i duhur në priftëri është me rëndësi të madhe për Zotin:

Presidenti Bojd K. Paker

“Ju mund ta merrni priftërinë vetëm nga ai që e ka autoritetin dhe ‘njihet prej kishës që ka autoritet’. (DeB 42:11.)

Priftëria nuk mund të jepet si diplomë. Nuk mund t’ju jepet si certifikatë. Nuk mund t’ju jepet si një mesazh apo t’ju dërgohet në një letër. Ajo vjen vetëm me anë të shugurimit të duhur. Një mbajtës i autorizuar i priftërisë duhet të jetë atje. Ai duhet t’i vendosë duart e tij mbi kokën tuaj dhe t’ju shugurojë.

Kjo është një arsye përse Autoritetet e Përgjithshme udhëtojnë kaq shumë – për të dhënë çelësat e autoritetit të priftërisë. Çdo president kunji kudo në botë e ka marrë autoritetin e tij nën duart e një prej vëllezërve kryesues të Kishës. Nuk ka pasur as edhe një përjashtim.

Mbajini mend këto gjëra. Priftëria është shumë, shumë e çmuar për Zotin. Ai është shumë i kujdesshëm për mënyrën se si jepet dhe nga kush jepet. Ajo nuk jepet kurrë në fshehtësi” (“The Aaronic Priesthood”, Ensign, nëntor 1981, f. 32).