Seminare dhe Institute
Mësimi 115: Doktrina e Besëlidhje 137


Mësimi 115

Doktrina e Besëlidhje 137

Hyrje

Më 21 janar 1836, Profeti Jozef Smith u takua në dhomën e sipërme të tempullit pothuaj të përfunduar të Kirtlandit, me këshilltarët e tij në Presidencën e Parë, peshkopatat nga Kirtlandi e Misuri, babain e tij dhe shkruesin e tij. Këta njerëz ishin mbledhur për administrimin e ordinancave në përgatitje për përkushtimin e tempullit. Në këtë rast, Profeti pa një vegim të mbretërisë çelestiale dhe e dëgjoi Zotin të shpallte se si do t’i gjykojë Ai ata që vdesin pa një njohuri të ungjillit. Uorren Parrish, shkruesi i Jozef Smithit në atë kohë, e shënoi vegimin në ditarin e Profetit. Një pjesë e vegimit të shënuar, më vonë u përfshi te Doktrina e Besëlidhje si seksioni 137.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 137:1–6

Jozef Smithi sheh një vegim të mbretërisë çelestiale

Ftojini studentët t’i përsiatin pyetjet vijuese. (Ju mund të doni t’i ftoni ata që t’i shkruajnë përgjigjet e tyre në fletoret e tyre të klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.)

  • Kush janë disa nga njerëzit më të rëndësishëm në jetën tuaj? Përse janë ata veçanërisht të rëndësishëm për ju?

Pasi studentët të kenë pasur kohë për të përsiatur, ftojini disa prej tyre që t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.

  • Përse do të ishte e rëndësishme për ju të dini se njerëzit që ju doni, do të kenë mundësinë të jetojnë në mbretërinë çelestiale?

Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 137 përmban përshkrimin e Jozef Smithit të një vegimi në të cilin ai pa mbretërinë çelestiale. Në këtë përshkrim, ai përmend emrat e disa njerëzve që pa atje. Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje hyrjen e seksionit të Doktrinës e Besëlidhjeve 137, për të mësuar rrethanat historike të kësaj zbulese.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 137:1–4. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë fjalët ose frazat që përshkruajnë mbretërinë çelestiale. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë.

Ftojeni një student tjetër ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 137:5–6. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë se kë pa Jozef Smithi në mbretërinë çelestiale.

  • Kë pa Jozef Smithi në mbretërinë çelestiale? (Atin Qiellor, Jezu Krishtin, Adamin, Abrahamin, nënën dhe babain e Jozefit dhe Alvinin, vëllain e Jozefit. Mund të jetë e dobishme të vini në dukje se babai dhe nëna e Jozefit ishin ende gjallë në këtë kohë; në fakt, babai i tij qe në dhomë me të në kohën e këtij vegimi. Kjo tregon se ky vegim nuk ishte për ata që ishin tashmë në mbretërinë çelestiale, por për ata që përfundimisht do të ishin atje.)

  • Sipas vargut 6, përse u mrekullua Jozefi kur pa se vëllai i tij Alvini do të ishte në mbretërinë çelestiale?

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më tej arsyen përse kjo përvojë qe veçanërisht domethënëse për Jozef Smithin, ftojeni një student ta lexojë thënien vijuese:

Jozef Smithi e donte dhe e admironte vëllain e tij më të madh, Alvinin. Edhe Alvini e donte Jozefin dhe e mbështeti Jozefin në përgatitjen e tij për të marrë fletët e arta nga engjëlli Moroni. Në nëntor të vitit 1823, kur Alvini qe 25 vjeç dhe Jozefi qe 17 vjeç, Alvini papritur u sëmur rëndë. Teksa gjendja e tij u përkeqësua dhe u bë e qartë se do të vdiste shpejt, ai e këshilloi Jozefin: “Unë dëshiroj që ti të jesh djalë i mirë dhe të bësh gjithçka mundesh për të marrë analet. Ji besnik në marrjen e udhëzimit dhe në mbajtjen e çdo urdhërimi që të jepet” (cituar në Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2007], f. 429; shih edhe Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 41–42).

Vdekja e Alvinit solli pikëllim të madh për familjen Smith. Një shërbestar presbiterian në Palmira të Nju Jorkut, kreu shërbesën në funeralin e Alvinit. “Meqenëse Alvini nuk kishte qenë pjesëtar i kongregacionit së shërbestarit, kleriku shpalli në predikimin e tij se Alvini nuk mund të shpëtohej. Uilliam Smithi, vëllai më i vogël i Jozefit, kujtoi: ‘[Shërbestari] … deklaroi shumë fuqishëm se [Alvini] kishte shkuar në ferr, sepse Alvini nuk ishte anëtar i kishës, por ai qe djalë i mirë; dhe babait tim nuk i pëlqeu kjo” (cituar në Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith, f. 429, 431).

Varri i Alvin Smithit

Guri i varrit që shënon vendin e varrimit të Alvin Smithit, vëllait më të madh të Profetit Jozef Smith.

Ftojini studentët të mendojnë rreth ndjenjave që mund të ketë pasur Jozefi kur e pa Alvinin në mbretërinë çelestiale.

Doktrina e Besëlidhje 137:7–10

Zoti zbulon se si do t’i gjykojë Ai njerëzit që vdesin pa një njohuri të ungjillit

Shkruajeni në tabelë pyetjen vijuese: Përse Alvini do të qe në gjendje të hynte në mbretërinë çelestiale, edhe pse ai nuk ishte pagëzuar gjatë jetës së tij?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 137:7–8. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të përcaktojë një të vërtetë që i ndihmon për t’iu përgjigjur pyetjes në tabelë.

  • Çfarë të vërtete i zbuloi Zoti Jozef Smithit që i përgjigjet pyetjes në tabelë? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Të gjithë njerëzit që vdesin pa një njohuri të ungjillit, që do ta kishin pranuar atë, do të trashëgojnë mbretërinë çelestiale.)

  • Si mund t’i ngushëllojë kjo e vërtetë ata, të cilët kanë njerëz të dashur, që kanë vdekur pa një njohuri të ungjillit?

Vini në dukje se Zoti e zbuloi të vërtetën te Doktrina e Besëlidhje 137:7–8 përpara se të zbulonte parimin e pagëzimit për të vdekurit. Studentët do t’i studiojnë zbulesat mbi pagëzimin për të vdekurit në mësimet e ardhshme.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 137:9 dhe kërkojini klasës të përcaktojë atë që Zoti dha mësim rreth mënyrës se si do t’i gjykojë Ai të gjithë njerëzit.

  • Sipas vargut 9, si do të na gjykojë Zoti? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por përgjigjet e tyre duhet të pasqyrojnë parimin vijues: Zoti do të na gjykojë sipas veprave tona dhe dëshirës së zemrës sonë. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Si mendoni ju, përse dëshirat dhe veprat tona janë që të dyja të rëndësishme?

Lexojeni secilin nga shembujt vijues me zë të lartë. Pas çdo shembulli, kërkojuni studentëve t’i përgjigjen kësaj pyetjeje:

  • Si e ilustron ky shembull rëndësinë e dëshirave tona si edhe të veprave tona?

  1. Një anëtar/e i/e Kishës ka një dëshirë të drejtë për t’u martuar në tempull. Pas një shërbimi besnik gjithë jetën në Kishë, ky/kjo anëtar/e vdes pa e pasur mundësinë që të vuloset me një bashkëshorte/t në tempull.

  2. Një i ri i mban me guxim besëlidhjet e tij të pagëzimit dhe i kryen detyrat e tij të Priftërisë Aarone. Ai ka dëshirë të madhe për të shërbyer në një mision kohëplotë, por nuk është në gjendje ta bëjë këtë për shkak të një paaftësie fizike.

  3. Një e re mban mëri ndaj një të reje tjetër. Ajo shtiret sikur është miqësore, por në fshehtësi shpreson që gjëra të këqija do t’i ndodhin të resë tjetër.

  4. Një i ri ka mendime epshore dhe nuk e kërkon ndihmën e Zotit për t’i ndryshuar mendimet dhe ndjenjat e tij të papërshtatshme.

Si pjesë e këtij diskutimi, ju mund të doni ta lexoni thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Dallin H. Ouks

“A jemi të sigurt se jemi pa faj nën ligjin e Perëndisë, nëse thjesht iu shmangemi veprave të liga? Po sikur të ushqejmë mendime dhe dëshira të liga?

A do të kalojnë pa u vënë re ndjenjat plot urrejtje në ditën e gjykimit? Po zilia? Po lakmia? …

Përgjigjet tona për pyetje të tilla ilustrojnë atë që ne mund ta quajmë lajm të keq, që ne mund të mëkatojmë pa veprime të dukshme, thjesht me anë të ndjenjave tona dhe të dëshirave të zemrës sonë.

Ka edhe lajme të mira. Sipas ligjit të Perëndisë, ne mund të shpërblehemi për drejtësi, edhe kur nuk jemi në gjendje të kryejmë veprat që zakonisht shoqërohen me bekime të tilla.

Kur dikush donte të bënte diçka për vjehrrin tim, por pengohej nga rrethanat, ai do të thoshte: ‘Faleminderit. Është njësoj sikur ta kesh bërë’. Në mënyrë të ngjashme, unë besoj se Ati ynë në Qiell do t’i pranojë dëshirat e vërteta të zemrës sonë si një zëvendësues për veprimet [tona] që janë vërtet të pamundura” (“The Desires of Our Hearts”, Ensign, qershor 1986, f. 66).

  • Si ndikon te ju dijenia se do të gjykoheni sipas veprave dhe dëshirave të zemrës suaj?

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 137:10 dhe vëreni klasën të kërkojë një të vërtetë tjetër që Zoti dha mësim rreth atyre që do të trashëgojnë mbretërinë çelestiale.

  • Sipas vargut 10, kush do të shpëtohet në mbretërinë çelestiale? (Studentët duhet të shprehin doktrinën vijuese: Të gjithë fëmijët që vdesin përpara se të bëhen të përgjegjshëm do të shpëtohen në mbretërinë çelestiale.)

Vërini në dijeni studentët se kur Jozef Smithi e mori këtë zbulesë, ai dhe Ema kishin vuajtur vdekjen e katër fëmijëve të tyre, duke përfshirë një fëmijë të birësuar. Më vonë, edhe dy nga fëmijët e tyre do të vdisnin gjithashtu si foshnja.

varri i foshnjës Alvin Smith

Guri i varrit që shënon vendin e varrimit të Alvin Smithit, djali foshnjë i Jozef dhe Ema Smithit.

Ftojini studentët të mendojnë rreth mënyrës se si e vërteta e zbuluar në vargun 10, mund t’i sjellë ngushëllim familjeve që vajtojnë vdekjen e një fëmije. Merrni parasysh t’u jepni studentëve kohë që të përsiatin përvojat që ata kanë pasur ose që pjesëtarët e familjes kanë pasur, kur kjo e vërtetë u ka sjellë ngushëllim.

  • Çfarë keni mësuar nga Doktrina e Besëlidhje 137 rreth përpjekjeve të Zotit për t’u dhënë të gjithë njerëzve mundësinë që të jetojnë në mbretërinë çelestiale?

Dëshmoni për të vërtetat që keni diskutuar sot. Ju mund të doni gjithashtu t’u jepni studentëve mundësinë për të dhënë dëshmitë e tyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 137:9. Të gjykuar sipas veprave tona dhe dëshirave tona

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, paralajmëroi kundër dy keqkuptimeve të mundshme të Doktrinës e Besëlidhjeve 137:9:

Plaku Dallin H. Ouks

“Së pari, ne duhet të kuptojmë se dëshira është një zëvendësuese vetëm kur veprimi është me të vërtetë i pamundur. Nëse orvatemi që ta përdorim pamundësinë e veprimit si një maskim për mungesën e dëshirës sonë të vërtetë dhe si rrjedhim nuk bëjmë gjithçka që mundemi për të kryer veprat që janë urdhëruar, ne mund të mashtrojmë vetveten, por nuk do të mashtrojmë Gjykatësin e Drejtë.

Me qëllim që të shërbejë si zëvendësuese për veprimin, dëshira nuk mund të jetë sipërfaqësore, e çastit ose e përkohshme. Ajo duhet të jetë plotësisht e sinqertë. Për të qenë të efektshme në marrjen e bekimeve, dëshirat e zemrës sonë duhet të jenë aq të çiltra saqë të mund të quhen të perëndishme.

E dyta, ne nuk duhet të hamendësojmë se dëshirat e zemrës sonë mund të shërbejnë si zëvendësuese për një ordinancë të ungjillit. Merrni parasysh fjalët e Zotit kur urdhëroi dy ordinanca të ungjillit: ‘Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë’. (Gjoni 3:5.) Dhe lidhur me tre shkallët në lavdinë çelestiale, zbulesa moderne thotë: ‘Me qëllim që të fitojë më të lartën, një njeri duhet të hyjë në këtë rend të priftërisë [domethënë besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës]’. (DeB 131:2.) Nuk ka asnjë përjashtim që nënkuptohet në këto urdhra ose që autorizohet diku tjetër në shkrimet e shenjta.

Në drejtësinë dhe mëshirën e Perëndisë, këto urdhra të rrepta që i përkasin ordinancave themelore, drejtpeshohen nga autorizimi hyjnor për t’i kryer këto ordinanca me anë të mëkëmbjes për ata që nuk i kryen ato në këtë jetë. Pra, një person në botën e shpirtrave që i dëshiron ato, i njihet pjesëmarrja në ordinancë sikurse ai apo ajo ta kishte bërë personalisht. Në këtë mënyrë, nëpërmjet shërbimit plot dashuri të mëkëmbësve të gjallë, edhe shpirtrat e larguar shpërblehen për dëshirat e zemrës së tyre” (“The Desires of Our Hearts”, Ensign, qershor 1986, f. 67).

Doktrina e Besëlidhje 137:10. Shpëtimi i fëmijëve të vegjël që vdesin

Plaku Shein M. Bouen, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi një përvojë që ilustron fuqinë e së vërtetës të dhënë mësim te Doktrina e Besëlidhje 137:10:

Plaku Shein M. Bouen

“Kur po shërbenim si misionarë të rinj në Kili, unë dhe shoku im i misionit takuam në degë një familje të përbërë nga shtatë anëtarë. Mamaja merrte pjesë në kishë çdo javë me fëmijët e saj. Ne menduam se ata ishin anëtarë të Kishës për një kohë të gjatë. Pas disa javësh mësuam se ata nuk ishin pagëzuar.

Menjëherë u lidhëm me familjen dhe i kërkuam nëse mund të shkonim te shtëpia e tyre dhe t’u jepnim mësim. …

Motra Ramirez përparoi shpejt me mësimet. Ajo qe plot dëshirë për të mësuar të gjithë doktrinën që ne i mësonim. Një mbrëmje, teksa po diskutonim për pagëzimin e foshnjave, ne i mësuam se fëmijët e vegjël janë të pafajshëm dhe nuk kanë nevojë të pagëzohen. Ne e ftuam atë që të lexonte te libri i Moronit: …

‘Por fëmijët e vegjël janë gjallë në Krisht, madje që nga krijimi i botës; përndryshe Perëndia do të ishte një Perëndi paragjykues dhe gjithashtu një Perëndi i ndryshueshëm dhe i njëanshëm me njerëzit; pasi, sa fëmijë të vegjël kanë vdekur pa pagëzim!’ [Moroni 8:12.]

Pasi e lexoi këtë shkrim të shenjtë, motra Ramirez filloi të qante me dënesë. Unë dhe shoku im i misionit u hutuam. Unë e pyeta: ‘Motra Ramirez, mos kemi thënë ose bërë diçka që ju ka fyer?’

Ajo tha: ‘Oh jo, Elder [Plak], ju nuk keni bërë asgjë të gabuar. Gjashtë vjet më parë linda një djalë. Ai vdiq përpara se të mund ta pagëzonim. Prifti ynë na tha se, meqë ai nuk ishte pagëzuar, ai, për gjithë përjetësinë, do të qëndronte në limbo [vendi ku shkojnë shpirtrat e të papagëzuarve pas vdekjes sipas fesë katolike]. Për gjashtë vjet e kam mbartur këtë dhimbje dhe faj. Pasi lexova këtë shkrim të shenjtë, e di me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë se ai është i vërtetë. Kam ndier të më hiqet një barrë e rëndë nga vetja, dhe këta janë lot gëzimi.’ …

Pasi vuajti hidhërim e dhimbje thuajse të padurueshme për gjashtë vjet, doktrina e vërtetë, e zbuluar nga një Atë i dashur në Qiell nëpërmjet një profeti të gjallë, i solli të ëmblën paqe kësaj gruaje të munduar. Është e panevojshme të thuhet se motra Ramirez dhe fëmijët e saj që ishin tetë vjeç e sipër u pagëzuan” (“Sepse Unë Jetoj, Edhe Ju do të Jetoni”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 15–16).