Mësimi 40
Doktrina e Besëlidhje 35
Hyrje
Brenda gjashtë muajve të organizimit të Kishës, Oliver Kaudëri dhe Piter Uitmer i Riu, u thirrën për t’ua predikuar ungjillin indianëve të Amerikës (shih DeB 28:8; 30:5). Ziba Pitersoni dhe Parli P. Prati shpejt pas kësaj u thirrën për t’i shoqëruar ata (shih DeB 32). Rrugës për në kufijtë perëndimorë të Misurit, ata ndaluan në Mentor të Ohajos dhe në Kirtland të Ohajos, ku e shpërndanë mesazhin e ungjillit të rivendosur me mikun dhe pastorin e mëparshëm të Plakut Prat, Sidni Rigdonin. Në një kohë të shkurtër u pagëzuan më shumë se 100 njerëz, duke përfshirë Sidni Rigdonin dhe shumë anëtarë të bashkësisë së tij. Kjo e rriti më shumë se dyfish anëtarësinë e përgjithshme të Kishës.
Pasi pleqtë u larguan nga zona e Kirtlandit për të vazhduar udhëtimin e tyre, Sidni Rigdoni dhe një mik i quajtur Eduard Partrixhi udhëtuan për në Fajet të Nju-Jorkut, për të takuar Profetin Jozef Smith. Shpejt pas mbërritjes së tyre, Jozefi mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 35. Në të, Zoti i dha Sidnit përgjegjësi të veçanta brenda Kishës së saporivendosur.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 35:1–12
Zoti thotë se Ai e ka përgatitur Sidni Rigdonin për një vepër më të madhe
Përpara fillimit të orës mësimore, shkruani në tabelë pyetjen vijuese: Çfarë keni përjetuar që ju ndihmon të dini se Zoti ju njeh dhe ka një plan për jetën tuaj?
Për ta filluar mësimin, ftojini studentët të japin përgjigje për këtë pyetje nëse ndihen rehat për ta bërë atë.
Shpjegoni se në zbulesën e shënuar tani te Doktrina e Besëlidhje 35, Zoti iu drejtua një njeriu të quajtur Sidni Rigdon, i cili sapo ishte pagëzuar dhe konfirmuar. Zoti i foli Sidnit rreth rolit të tij për të ndihmuar Profetin Jozef Smith. Nxitini studentët të vazhdojnë të mendojnë rreth pyetjes në tabelë ndërsa studiojnë udhëzimet e Zotit për Sidnin.
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë disa nga rrethanat e Sidni Rigdonit, i kërkoni një studenti që të lexojë me zë të lartë hyrjen e këtij mësimi. Pastaj ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 35:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar prova që Zoti ishte në dijeni të Sidni Rigdonit dhe veprave të tij.
-
Çfarë prove gjetët që Zoti ishte në dijeni të Sidni Rigdonit?
-
Çfarë sugjerojnë këto vargje rreth marrëdhënies së Zotit me ne? (Ndërsa studentët përgjigjen, shkruani në tabelë parimin vijues: Zoti na njeh dhe ka një punë për secilin prej nesh që ta bëjmë.)
-
Përse kjo e vërtetë ka rëndësi për ju?
Për të vërtetuar që Zoti na njeh individualisht, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Ju dëshmoj se Perëndia ju ka njohur individualisht … për shumë, shumë kohë (shih DeB 93:23). Ai ju ka dashur për shumë, shumë kohë. … Ai e di emrin tuaj dhe të gjitha pikëllimet dhe gëzimet tuaja!” (“Remember How Merciful the Lord Hath Been”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 46).
Paraqitni një fotografi të Gjon Pagëzorit duke predikuar ose të Gjonit duke pagëzuar Shpëtimtarin (shih Gjon Pagëzori Duke Pagëzuar Jezusin, Libri i Figurave Artistike [2009], nr. 35; shih edhe LDS.org). Kërkojuni studentëve të përcaktojnë se kush ishte Gjon Pagëzori dhe mënyrën se si i përgatiti ai të tjerët për ardhjen e Jezu Krishtit.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 35:4–6. Kërkojini klasës ta ndjekë duke parë për mënyrën se si Sidni Rigdoni ishte i ngjashëm me Gjon Pagëzorin.
-
Sipas vargut 4, në ç’mënyrë Sidni ishte si Gjon Pagëzori? (Ai i kishte përgatitur të tjerët të merrnin plotësinë e ungjillit.)
-
Zoti i tha Sidnit se ai do të bënte një “vepër më të madhe” sesa veprat që kishte bërë tashmë (DeB 35:3). Sipas Doktrinës e Besëlidhjeve 35:6, çfarë ishte pjesë e kësaj “vep[re] më të madhe”? (Ai do t’i ndihmonte të tjerët të merrnin pagëzimin dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë nëpërmjet autoritetit të duhur.)
Ftojini studentët të përsiatin se si përvojat dhe situatat në jetën e tyre mund të jenë duke i përgatitur ata për “një vepër më të madhe” në të ardhmen. Ju mund të doni t’u jepni atyre pak minuta për të shkruar rreth kësaj në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.
Vini në dukje frazën “dhe ti nuk e di atë” te Doktrina e Besëlidhje 35:4. Shpjegoni që përpara se Sidni të mësonte për Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit, ai kishte qenë duke e përgatitur veten dhe të tjerët për ta pranuar atë. Ai e bëri këtë duke përdorur Biblën që t’u jepte mësim njerëzve në kishën e tij në Ohajo. Dëshmoni se megjithëse mund të mos i dimë punët e veçanta që Zoti ka në ruajtje për ne, ne mund të kemi besim se Ai është i vëmendshëm ndaj nesh. Ndërsa përpiqemi ta ndjekim Atë, Ai do të na ndihmojë të përmbushim punën që Ai do që ne të bëjmë.
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 35:7–11. Kërkojuni atyre të gjejnë se çfarë do të ndodhë në jetën e atyre që besojnë dhe ushtrojnë besim te Perëndia në ditët e fundit.
-
Sipas këtyre vargjeve, çfarë u premtoi Zoti atyre që e ndjekin Atë me besim? (Megjithëse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Zoti do të bëjë mrekulli, shenja dhe çudira sipas besimit të atyre që besojnë në emrin e Tij.)
-
Si mendoni, përse mrekullitë, shenjat dhe çudirat janë të lidhura kaq ngushtë me besimin?
Doktrina e Besëlidhje 35:13–19
Zoti premton t’i ndihmojë ata që Ai i thërret për të bërë punën e Tij
Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur po formojnë së bashku një ekip sportiv. Kërkojuni atyre të përshkruajnë anët e forta dhe aftësitë që do të donin t’i kishin te lojtarët e tyre.
Shpjegoni se në këtë zbulesë Zoti përshkroi ata që Ai i thërret për të ndihmuar në punën e ditëve të mëvonshme për ndërtimin e mbretërisë së Tij. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 35:13 dhe kërkojini klasës të përcaktojë karakteristikat e atyre të cilët Zoti i zgjedh që të ndihmojnë në punën e Tij.
-
Cilat fraza në këtë varg përshkruajnë ata të cilët Zoti i thërret për të ndihmuar në punën e Tij?
-
Në çfarë mënyrash, ata që Zoti i thërret për të ndihmuar në punën e Tij mund të konsiderohen “gjëra të dobëta të botës”?
-
Përse ata që bota i konsideron të dobët, mund të jenë kandidatë të mirë për ta ndihmuar Zotin që të kryejë punën e Tij?
Shpjegoni se fjala shkelin (ose shij) në këtë varg i referohet praktikës se shirjes së drithit. Shirja është procesi me anë të të cilit drithi, i tillë si gruri, ndahet nga kërcelli dhe lëvorja e tij. Drithi mbahet dhe kërcelli e lëvorja hidhen.
-
Cila mendoni se është domethënia e frazës “t’i shkelin kombet me anë të fuqisë së Shpirtit tim”? (Mund t’ju duhet t’i ndihmoni studentët të kuptojnë se kjo u drejtohet përpjekjeve të Zotit për të ndarë e mbledhur ata njerëz që janë gati për ta marrë ungjillin nga ata që nuk janë.)
-
Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga vargu 13? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Perëndia i thërret ata që janë të dobët për të kryer punën e Tij nëpërmjet fuqisë së Shpirtit të Tij. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)
-
Në ç’mënyrë kjo e vërtetë mund ta ndihmojë dikë që ndihet i shqetësuar rreth të shërbyerit në një mision? Në ç’mënyrë mund ta ndihmojë ajo dikë që është thirrur për të dhënë mësim në kishë, por ndihet i papërshtatshëm? Si mund ta ndihmojë dikë që ndihet i nxitur ta përhapë ungjillin, por nuk është i sigurt se çfarë të thotë apo të bëjë?
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 35:14–15 dhe të kërkojnë mënyrat që Zoti ka premtuar për t’i forcuar ata që ndihmojnë në veprën e Tij.
-
Cilat janë disa fraza në këto vargje që përshkruajnë mënyrën se si Zoti do të na bekojë kur ndihmojmë në punën e Tij?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 35:17–19, 22. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar këshillën e Zotit për Sidni Rigdonin lidhur me Profetin Jozef Smith.
-
Çfarë këshille i dha Zoti Sidni Rigdonit lidhur me Profetin Jozef Smith? (“Vëzhgoje atë, që besimi i tij të mos mpaket”, “qëndro me të” dhe “mos e braktis atë”.)
-
Si mund ta zbatojmë këtë këshillë lidhur me udhëheqësit e Kishës tonë sot?
Doktrina e Besëlidhje 35:20–27
Zoti e urdhëron Sidni Rigdonin të shkruajë për Jozef Smithin, të predikojë ungjillin dhe të mbajë besëlidhjet që ai kishte bërë
Kërkojuni studentëve të përshkruajnë thirrjet apo detyrat e tyre në Kishë. Kërkojuni studentëve t’i hedhin një sy të shpejtë në heshtje Doktrinës e Besëlidhjeve 35:20–23, duke kërkuar detyrat e veçanta që Zoti e thirri Sidni Rigdonin të kryente.
-
Cilat janë disa prej detyrave që Zoti e thirri Sidni Rigdonin të kryente?
Vini në dukje se një prej detyrave të Sidnit ishte të qenit një shkrues për Jozef Smithin. Shkruesit e mëparshëm të Jozefit, Oliver Kaudëri dhe Xhon Uitmeri, ishin thirrur në misione. Përkthimi i Librit të Mormonit kishte përfunduar në këtë kohë, por Zoti e kishte urdhëruar Jozefin të rivendoste apo të rishikonte pjesë nga varianti i mbretit Xhejms të Biblës që kishin humbur apo qenë ndryshuar. Jozefit i nevojitej një shkrues që të ndihmonte me këtë punë. (Shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Përkthimi prej Joseph Smithi-it”.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 35:24–25. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar bekimet që Zoti i premtoi Sidnit nëse do të mbante besëlidhjet që kishte bërë me Zotin. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë atë që gjejnë.
-
Si mendoni, çfarë do të thotë që Zoti do t’i bëjë qiejt të dridhen për të mirën tuaj? (Një kuptim i mundshëm është që Zoti do të dërgonte bekimet dhe fuqitë e qiellit për të na ndihmuar të kryenim punën e Tij dhe të mposhtim të keqen. Shih edhe DeB 21:6.)
Ftojini studentët t’i përmbledhin këto vargje duke përcaktuar një parim rreth mënyrës se si ne mund të jemi të suksesshëm në kryerjen e punës që Perëndia ka për ne. Megjithëse studentët mund ta shprehin atë ndryshe, përgjigjet e tyre duhet të pasqyrojnë parimin vijues: Kur ne i zbatojmë urdhërimet dhe i nderojmë besëlidhjet tona, Zoti do të na ndihmojë të kryejmë punën e Tij. Shkruajeni këtë parim në tabelë.
Tërhiqeni vëmendjen e studentëve tek tri të vërtetat e shkruara në tabelë:
-
Si lidhen me njëra-tjetrën tri të vërtetat në tabelë?
-
Kur e keni marrë ju (ose dikush që ju njihni) ndihmën e Zotit ndërkohë që përpiqeshit të kryenit punën e Tij?
Për ta mbyllur, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 35:26–27.
-
Bazuar te ajo që keni mësuar te Doktrina e Besëlidhje 35, çfarë arsyesh mendoni se kishin Sidni Rigdoni dhe Jozef Smithi për t’u gëzuar në zemrat e tyre dhe për t’u ngazëllyer?
Ftojini studentët të tregojnë arsyet që kanë ata për t’u gëzuar në zemrat e tyre dhe për t’u ngazëllyer. Ju mund të doni të shtoni dëshminë tuaj për gatishmërinë e Zotit që të na ndihmojë në përpjekjet tona për të ndihmuar në veprën e Tij.