Mësimi i Studimit në Shtëpi
Doktrina e Besëlidhje 36–40; Në Ohajo (Njësia 9)
Hyrje
Zoti nuk i udhëzoi thjesht shenjtorët që të zhvendoseshin në Ohajo, Ai gjithashtu i këshilloi ata se si ta trajtonin njëri-tjetrin. Në këtë mësim, studentët do të mësojnë rreth urdhrit të Jezu Krishtit për të qenë të bashkuar dhe për t’i vlerësuar të tjerët sikurse e vlerësojmë veten tonë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 36–38
Shenjtorët urdhërohen që të jenë të bashkuar
Ndajeni klasën në dy grupe dhe jepini secilit grup një larmi sendesh që mund të përdoren për të ndërtuar (këto mund të përfshijnë gjëra të tilla si blloqe të vogla druri, gota prej letre ose kuti të vogla bosh). Sigurohuni që një grup merr më shumë sende ose merr sende më të mëdha sesa grupi tjetër.
Shkruani në tabelë sa vijon: Ndërtoni një kullë sa më të madhe që mundeni duke i përdorur këto sende. Mos thoni gjë rreth kësaj veprimtarie se është një konkurs ose mos e përmendni fare ndërtimin e dy kullave. Studentët me gjasa do të hamendësojnë se të dyja grupet po konkurrojnë me njëri-tjetrin. Në qoftë se bëjnë pyetje nëse duhet të punojnë së bashku apo si grupe të veçanta, thjesht ritheksoni synimin: Ata duhet të ndërtojnë një kullë sa më të lartë që të munden.
Jepuni studentëve një minutë për ta përfunduar detyrën. Pas veprimtarisë, kërkojuni atyre që të vlerësojnë se kush “fitoi”. Pasi studentët të japin mendimet e tyre, bëjuni të ditur se me qëllim që të përcaktojnë se sa mirë ia dolën mbanë në këtë veprimtari, ata do të kenë nevojë të studiojnë këshillën që Zoti iu dha shenjtorëve ndërkohë që përgatiteshin për t’u shpërngulur në Ohajo. Ftojini studentët të kërkojnë ide në këtë veprimtari si edhe në vetë jetën e tyre, teksa studiojnë udhëzimet që Zoti iu dha shenjtorëve të hershëm.
Kërkojuni studentëve të kujtojnë përse Zoti i urdhëroi shenjtorët të mblidheshin në Ohajo. (Nëse është e nevojshme, nxitini ata që t’i rishikojnë shënimet e tyre në Doktrina e Besëlidhje 37–38 dhe në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.) Përgjigjet e studentëve duhet të përfshijnë përmendjen e rreziqeve që shenjtorët po hasnin në Nju-Jork, si edhe të bekimeve që Zoti premtoi t’ia jepte popullit të Tij kur të mblidheshin në Ohajo.
Shpjegoni që, sikurse Zoti i udhëzoi shenjtorët lidhur me shpërnguljen e tyre për në Ohajo, Ai u dha atyre këshillë lidhur me mënyrën se si duhej ta shihnin njëri-tjetrin. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 38:23–25, duke kërkuar një frazë që na mëson se si duhet t’i shohim njerëzit e tjerë.
-
Si tha Zoti se duhet t’i shohim të tjerët?
-
Çfarë mendoni se do të thotë t’i vlerësojmë vëllezërit tanë porsi veten? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani në tabelë parimin vijues: Ne duhet t’i vlerësojmë të tjerët po aq shumë sa e vlerësojmë veten tonë.)
-
Çfarë ndodh kur njerëzit mendojnë se ata kanë një vlerë më të madhe, ose janë më të mirë, se të tjerët?
-
Çfarë bekimesh mund të na vijnë si Kishë dhe në mënyrë individuale kur ne nuk e konsiderojmë veten tonë me më shumë vlerë se të tjerët?
Mbani në dorë një cohë pëlhure të mirë dhe një leckë. Pyetini studentët se me cilin material do të donin të visheshin. Shpjegoni se që t’i ndihmonte shenjtorët ta kuptonin këtë parim, Zoti u dha atyre një shëmbëlltyrë.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 38:26. Vërini studentët e tjerë ta ndjekin, duke kërkuar mënyrën se si i trajtoi bijtë e tij burri në këtë shëmbëlltyrë.
-
Si do të ndiheshit po të ishit biri që mori lecka?
-
Çfarë mund të bënte biri që mori rroba të mira për ta përmirësuar këtë gjendje? (Ai mund ta ndajë atë që ka me birin që mori më pak.)
-
Cili mendoni se është mesazhi i Zotit për ne në këtë shëmbëlltyrë?
Vërini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 38:27, duke kërkuar një parim që Zoti dëshiron që ne ta kuptojmë nga kjo shëmbëlltyrë. Shkruajeni parimin vijues në tabelë pranë parimit të parë që shkruat: Nëse nuk jemi një, ne nuk jemi populli i Zotit. Ju mund të doni gjithashtu të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët në shkrimet e tyre të shenjta që na e mësojnë këtë parim.
-
Në kontekstin e vargut 27, çfarë do të thotë të “jini një”? (Të jini të bashkuar me të tjerët dhe Zotin në drejtësi.)
-
Si mund të na ndihmojë të bëhemi një me njëri-tjetrin, të vlerësuarit e të tjerëve ashtu siç e vlerësojmë veten tonë? Si mund të na ndihmojë kjo që të bëhemi një me Zotin?
-
Si mendoni ju, përse nuk mund të jemi populli i Zotit nëse nuk jemi një?
Shpjegoni se anëtarët e hershëm të Kishës që u thirrën për t’u mbledhur në Ohajo vinin nga formime të ndryshme kulturore. Disa zotëronin ferma të suksesshme dhe respektoheshin në komunitetet e tyre, ndërkohë që të tjerë kishin pak pronë dhe konsideroheshin se ishin të një statusi më të ulët shoqëror.
-
Si mund të ishin bekuar shenjtorët nga parimet në tabelë ndërsa u mblodhën së bashku me anëtarë të tjerë të Kishës në Ohajo?
Përmendni veprimtarinë e ndërtimit të kullës në fillim të mësimit. Kërkojuni studentëve të rithonë se cili ishte synimi (të ndërtonin një kullë sa më të lartë që të mundeshin).
-
A e ndërtuam një kullë aq të lartë sa mundeshim? (Nëse të dyja grupet do t’i kishin ndërthurur pjesët e tyre së bashku, ata do ta kishin bërë këtë gjë. Nëse grupet punuan veç e veç, ata mund të pretendojnë se i ndërtuan kullat e tyre aq të larta sa mundeshin bazuar nga ato pjesë që kishin.)
-
Nisur nga këshilla e Zotit drejtuar shenjtorëve te Doktrina e Besëlidhje 38, cila do të ishte mënyra më e mirë për të ndërtuar një kullë aq të lartë sa mundemi? (Të bashkohemi si një grup dhe t’i ndërthurnim pjesët që na janë dhënë për të ndërtuar një kullë.)
-
Cilat janë disa nga situatat në jetë ku ne mund të tundohemi që të mendojmë për interesat tona vetjake në vend që të kërkojmë t’i ngremë apo t’i lartësojmë njerëzit përreth nesh?
Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë. Vëreni klasën të dëgjojë për mënyrën se si lidhet urdhërimi që të jemi një me urdhërimin e Perëndisë për popullin e Tij që të mblidhet së bashku. Ju mund të doni të përgatitni kopje të kësaj thënieje që studentët e tjerë të mund ta ndjekin.
“Ne e dimë nga përvoja se gëzimi vjen kur ne jemi të bekuar me unitet. … Dëshira e [Atit tonë Qiellor] është të na e plotësojë atë dëshirë të shenjtë për unitet nga dashuria e Tij për ne.
Ai nuk mund të na e dhurojë atë si individë. Gëzimi i unitetit që Ai dëshiron kaq shumë të na japë, nuk qëndron i vetëm. Ne duhet ta kërkojmë atë dhe të kualifikohemi për të me të tjerë. Nuk është e papritur atëherë që Perëndia na nxit të mblidhemi që Ai të mund të na bekojë. Ai dëshiron që ne të mblidhemi në familje. Ai ka krijuar klasa, lagje e degë, dhe na ka urdhëruar të takohemi shpesh së bashku. Në ato mbledhje, që Perëndia ka krijuar për ne, gjendet mundësia jonë e madhe. Ne mund të lutemi dhe të punojmë për unitetin që do të na sjellë gëzim dhe do të na e shumëfishojmë forcën tonë për të shërbyer” (“Zemrat Tona Thuren si një e Vetme”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 69).
-
Sipas Presidentit Ajring, përse Zoti dëshiron që ne të mblidhemi së bashku?
-
Cilat janë bekimet që tha ai se do të na sillte uniteti?
-
Si na ndihmon thënia e Presidentit Ajring për ta kuptuar përse ne mblidhemi së bashku si familje? Si anëtarë të Kishës? Si klasë seminari?
-
Në çfarë mënyrash i keni përjetuar bekimet që vijnë nga mbledhja së bashku me të tjerët?
Ftojini studentët të shpenzojnë disa çaste duke shkruar në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth asaj që mund të bëjnë për të qenë një me familjet e tyre, me të rinjtë dhe të rejat në kuorumet dhe klasat e tyre në kishë, dhe një me Zotin. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të tregojnë se çfarë kanë shkruar. Ju gjithashtu mund të doni të jepni dëshminë tuaj për bekimet e të qenit një me njëri-tjetrin dhe të vlerësimit të të tjerëve siç e vlerësojmë veten.
Doktrina e Besëlidhje 39–40
Zoti i drejton një ftesë Xhejms Kovelit
Ftojini studentët të shqyrtojnë se kush ishte Xhejms Koveli dhe çfarë i ndodhi atij nëpërmjet leximit të krerëve të seksioneve të Doktrinës e Besëlidhjeve 39 dhe 40. Më 5 janar 1831, Xhejms Koveli u urdhërua nga Zoti që të pagëzohej (shih DeB 39:10). Megjithatë, ai nuk ia doli mbanë ta mbante premtimin e tij për t’iu bindur urdhrit të Perëndisë.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 40:1–3. Kërkojuni studentëve të rrëfejnë përse Xhejms Koveli nuk e pranoi ftesën që Zoti i bëri atij. Ftojini disa studentë të tregojnë se çfarë mësuan nga këto vargje rreth rëndësisë së mbajtjes së besëlidhjeve që bëjnë me Perëndinë.
Njësia Tjetër (Doktrina e Besëlidhje 41–44)
Që t’i përgatitni studentët për studimin e tyre të Doktrinës e Besëlidhjeve 41–44, ju mund të doni t’i ftoni ata të marrin në shqyrtim sa vijon: Cilat janë rreziqet e epshit? Si pritet që të japim mësim në Kishën e Zotit? Çfarë shije do të ketë vdekja për ata që janë të drejtë? Shpjegoni se në njësinë tjetër studentët do të kenë mundësinë që të mësojnë mbi përgjigjet e Zotit ndaj këtyre pyetjeve, si edhe të mësojnë rreth ligjit të Zotit për përkushtimin.