Mësimi i Studimit në Shtëpi
Doktrina e Besëlidhje 98–101:42 (Njësia 21)
Hyrje
Ky mësim përqendrohet te disa prej udhëzimeve në Doktrina e Besëlidhje 98 që Zoti ua dha shenjtorëve, të cilët po përndiqeshin nga turmat. Ky mësim mund t’i ndihmojë studentët të kuptojnë se si mund të reagojmë ne ndaj situatave të vështira dhe ai mund të ndihmojë për t’i forcuar dëshmitë e tyre rreth fuqisë dhe mirësisë së Zotit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 98
Zoti u jep siguri shenjtorëve gjatë mundimeve të tyre
Përpara se të fillojë ora e mësimit, shkruani në tabelë pyetjet vijuese: Si do të ndiheshit? Çfarë do të bënit?
Shpjegojuni studentëve se në mësimin e sotëm ata do të mësojnë rreth disa prej sprovave dhe përndjekjes që shenjtorët, të cilët jetonin në kontenë Xhekson të Misurit, i përjetuan në korrik të vitit 1833. Shpjegoni se disa nga njerëzit në Misuri ishin zemëruar me shenjtorët për shkak të ndryshimeve politike, shoqërore, ekonomike dhe fetare.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin vijues:
Të shtunën, më 20 korrik 1833, rreth 400 ose 500 qytetarë të zemëruar të Misurit, u takuan në gjykatë në Indipendëns të Misurit. Ata zgjodhën një komitet për të hartuar një dokument që përvijonte kërkesat e tyre për mormonët. Ata kërkuan që asnjë shenjtor i ditëve të mëvonshme të mos lejohej më që të shpërngulej në kontenë Xhekson dhe thanë se ata që jetonin tashmë atje duhej të betoheshin se do të largoheshin sa më shpejt që të ishte e mundur. Veç kësaj, ata kërkuan që gazeta e Kishës ta ndalte botimin. Kur këto kërkesa iu paraqitën udhëheqësve të Kishës në Misuri, udhëheqësit e Kishës u befasuan dhe kërkuan tre muaj që ta shqyrtonin propozimin dhe të këshilloheshin me udhëheqësit e Kishës në Ohajo. Grupi i qytetarëve të Misurit që paraqiti kërkesat e mohoi kërkesën e udhëheqësve të Kishës. Atëherë shenjtorët kërkuan 10 ditë kohë, por atyre iu lejua vetëm 15 minuta për të dhënë përgjigje. (Shih Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 132–133.)
Kërkojuni studentëve t’u përgjigjen pyetjeve në tabelë.
Ftojeni një student tjetër të lexojë me zë të lartë paragrafin vijues:
Qytetarët e Misurit që u takuan në gjykatën e Indipendënsit, shpejt u kthyen në një turmë dhe vendosën të shkatërronin shtypshkronjën dhe makinën e shtypit. Njerëzit e turmës hynë në shtypshkronjë, i flakën orenditë në rrugë e në kopsht, e prishën makinën e shtypit, i shpërndanë germat dhe shkatërruan pothuaj të gjithë punën e shtypur, përfshirë shumicën e fletëve të palidhura të Librit të Urdhërimeve. Më pas, turma donte që të shkatërronte dyqanin Gilbert dhe Uitni. Megjithatë, Sidni Gilberti e takoi turmën përpara se ata të mund ta zbatonin planin e tyre dhe premtoi se do t’i mblidhte mallrat dhe do të largohej për tri ditë. (Shih Church History in the Fulness of Times, f. 133.)
Kërkojuni studentëve që t’u përgjigjen sërish pyetjeve në tabelë.
Ftojeni një student tjetër të lexojë me zë të lartë paragrafin vijues:
Tri ditë më vonë, më 23 korrik, një turmë u shfaq sërish në kontenë Xhekson të Misurit, këtë herë të armatosur me pushkë, pistoleta, kamxhikë e kopaçe. Turma ia vuri zjarrin mullarëve me bar e fushave me drithë dhe shkatërroi disa shtëpi, hangarë e biznese. Turma përfundimisht u përball me gjashtë udhëheqës të Kishës, të cilët, duke parë që prona dhe jeta e shenjtorëve ishte në rrezik, ofruan jetën e tyre në këmbim. Duke mos e pranuar këtë ofertë, udhëheqësit e turmës kërcënuan se çdo burrë, grua dhe fëmijë do të fshikullohej me kamxhik nëse nuk binin dakord që të largoheshin nga konteja. Nën trysni, Vëllezërit nënshkruan një marrëveshje për t’u larguar nga konteja Xhekson – gjysma e anëtarëve të Kishës dhe shumica e udhëheqësve do të largoheshin deri më 1 janar 1834 dhe pjesa tjetër do të largohej deri më 1 prill 1834. Turma i lejoi Xhon Korillit dhe Sidni Gilbertit të qëndronin për të shitur pronat e shenjtorëve që ishin dëbuar. (Shih Church History in the Fulness of Times, f. 134.)
Kërkojuni studentëve që t’u përgjigjen sërish pyetjeve në tabelë.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë hyrjen e Doktrinës e Besëlidhjeve 98. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar çfarë e nxiti këtë zbulesë. Ftojini studentët të raportojnë për atë që gjejnë.
-
Sipas hyrjes së seksionit, çfarë është e jashtëzakonshme rreth kohës së kësaj zbulese?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 98:1–2. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar këshillën që Zoti ua dha shenjtorëve. (Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se Sabaoth në vargun 2, është një fjalë nga hebraishtja që zakonisht do të thotë mori ose ushtri. Përdorimi i saj këtu nënkupton që Zoti ka ushtri ose mori engjëllore, dhe ushtritë e Izraelit, ose shenjtorët, nën urdhrin e Tij. [Shih Bible Dictionary, “Sabaoth”].)
-
Çfarë këshille u dha Zoti shenjtorëve? (Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë.)
-
Përse është e rëndësishme që shenjtorët të japin falënderime gjatë kohëve të vështira?
-
Çfarë mendoni se do të thotë ta presësh me durim Zotin?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të dëgjojë se çfarë do të thotë ta presësh me durim Zotin.
“Çfarë do të thotë të presësh Zotin? Në shkrimet e shenjta, fjala pres do të thotë të shpresosh, të parashikosh dhe të mirëbesosh. Të shpresosh e të mirëbesosh te Zoti, kërkon besim, durim, përulësi, zemërbutësi, durueshmëri, zbatim të urdhërimeve dhe durim deri në fund” (“Të Presësh nga Zoti: U Bëftë Vullneti Yt”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 72).
-
Si ju ndihmon thënia e Plakut Hejls për të kuptuar se çfarë do të thotë ta presësh me durim Zotin?
-
Përse këshilla për të pritur me durim Zotin do të ishte e rëndësishme për shenjtorët në Misuri?
-
Çfarë fjalësh ngushëlluese u dha Zoti shenjtorëve në vargun 2?
Shkruajeni në tabelë parimin e paplotë vijues: Nëse japim falënderime për të gjitha gjërat dhe e presim me durim Zotin, atëherë …
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 98:3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti u premtoi shenjtorëve nëse ata do t’i bindeshin këshillës së Tij.
-
Si do ta plotësonit parimin në tabelë, bazuar në vargun 3? (Në vijim është një mënyrë për ta plotësuar parimin: Nëse japim falënderime për të gjitha gjërat dhe e presim me durim Zotin, atëherë Zoti mund t’i bëjë mundimet tona të veprojnë së bashku për të mirën tonë.)
Ftojini studentët të mendojnë rreth dikujt që e njohin, i cili e ka pritur me durim Zotin gjatë kohëve të vështira dhe gjeti arsye për të qenë mirënjohës.
-
Në çfarë mënyrash mundimet sollën gjëra të mira në jetën e atij personi?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 98:18. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar për një bekim që do të marrin besnikët.
Përfundojeni mësimin duke dëshmuar për parimet që keni diskutuar në klasë sot.
Njësia Tjetër (Doktrina e Besëlidhje 101:43–101; 102–105)
Ftojini studentët të përfytyrojnë se si mund të reagonin nëse do të thirreshin nga Zoti për të marshuar qindra kilometra për disa muaj që të ndihmonin anëtarët në nevojë të Kishës. Shpjegoni që teksa studiojnë pjesën tjetër të Doktrinës e Besëlidhjeve 101 dhe seksionet 102 deri në 105 gjatë javës së ardhshme, ata do të mësojnë rreth një grupi njerëzish të cilët dolën vullnetarë që të udhëtonin nga Ohajo drejt Misurit për të ndihmuar bashkanëtarët e Kishës. Ky grup u bë i njohur si Kampi i Sionit.