Mësimi i Studimit në Shtëpi
Doktrina e Besëlidhje 41–44 (Njësia 10)
Hyrje
Në këtë mësim, studentët do të përqendrohen te mësimet e Zotit në Doktrina e Besëlidhje 42 lidhur me vdekjen dhe shërimin, të cilat nuk u përfshinë te mësimet e studimit në shtëpi të studentëve.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 42:43–52
Zoti jep këshillë lidhur me vdekjen dhe shërimin
Në njërën dorë, ngrini lart një tubetë ose një mbajtëse të vogël me vaj ulliri të përkushtuar për administrimin e të sëmurëve; në dorën tjetër, ngrini lart një shishe ilaçi.
-
Për çfarë përdoren këta artikuj?
-
Te cili prej këtyre artikujve duhet të mbështetemi në kohë sëmundjeje?
Pasi studentët të japin shkurtimisht mendimet e tyre, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 42:43–44. Vëreni klasën të kërkojë udhëzimin e Zotit lidhur me gjënë ku duhet të mbështetemi në raste sëmundjeje. Për t’i ndihmuar studentët që t’i kuptojnë këto vargje, mund të jetë e dobishme të shpjegoni se bimët dhe ushqimet e lehta të përmendura në vargun 43, u referohen trajtimeve mjekësore që zakonisht administroheshin gjatë periudhës kohore në të cilën u dha kjo zbulesë.
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se shërimi mund të vijë me anë të besimit dhe trajtimit mjekësor, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ndërsa studenti lexon, ftojeni klasën të dëgjojë për mënyrën se si shërimi mund të vijë si nëpërmjet besimit ashtu edhe nëpërmjet shkencës së mjekësisë.
“Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë në vënien në zbatim të njohurisë dhe teknikave më të mira shkencore në dispozicion. Ne i përdorimin të ushqyerin, ushtrimin fizik dhe praktika të tjera për ta ruajtur shëndetin dhe e përfshijmë ndihmën e mjekëve, të tillë si doktorët e kirurgët, për ta rivendosur shëndetin.
Përdorimi i shkencës së mjekësisë nuk bie ndesh me lutjet tona të besimit dhe mbështetjen tonë te bekimet e priftërisë. …
Sigurisht ne nuk presim derisa të gjitha metodat e tjera të jenë shteruar përpara se të lutemi me besim ose të japim bekime të priftërisë për shërim. Në raste urgjencash, lutjet dhe bekimet zënë vendin e parë. Por më shpesh, ne i bëjmë të gjitha përpjekjet njëkohësisht” (“Shërimi i të Sëmurëve”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 47).
-
Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që ne t’i përdorim lutjen dhe bekimet e priftërisë si edhe trajtimin mjekësor për shërim në raste sëmundjeje?
-
Sipas vargut 44, a do të shërohet çdo njeri i sëmurë që merr një bekim të priftërisë?
Thuajuni studentëve se Zoti shpjegoi përse disa njerëz që marrin bekime priftërie mund të mos shërohen. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 42:48. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë parimet që qeverisin nëse dikush do të shërohet si rrjedhim i një bekimi të priftërisë apo jo.
-
Sipas vargut 48, cili është faktori kryesor që e përcakton rezultatin e një bekimi të priftërisë? (Në qoftë se një njeri ka besim te Jezu Krishti dhe nuk caktohet për vdekje, ai ose ajo do të shërohet. Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se fraza “nuk caktohet për vdekje” i referohet faktit që vdekja ose shërimi do të ndodhin në përputhje me kohën, urtësinë dhe vullnetin e Zotit.)
-
Përse nuk do të shërohet kushdo që ka besim te Jezu Krishti?
-
Përse është e rëndësishme të kemi besim te vullneti dhe koha e Perëndisë për secilin prej nesh?
Ftojini studentët të përcaktojnë një parim që mund ta mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 42:48 rreth të shëruarit nga dobësitë tona. Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, përgjigjet e tyre duhet të pasqyrojnë parimin vijues: Nëse kemi besim te Jezu Krishti, ne mund të shërohemi në përputhje me vullnetin e Tij. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët të shenjojnë fjalë ose fraza në vargun 48, të cilat na e mësojnë këtë parim.
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se besimi ynë duhet të përqendrohet te Jezu Krishti në vend që të përqendrohet te rezultate të caktuara që i dëshirojmë, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojeni klasën të dëgjojë një arsye përse është e rëndësishme që besimi ynë të përqendrohet te Jezu Krishti.
“Si fëmijë të Perëndisë, duke e njohur dashurinë e Tij të madhe dhe diturinë themelore se çfarë është më e mira për mirëqenien tonë të përjetshme, ne i mirëbesojmë Atij. Parimi i parë i ungjillit është besimi te Zoti Jezu Krisht, dhe besim do të thotë mirëbesim. E ndjeva atë mirëbesim në bisedën që një kushëriri im dha në varrimin e një vajze adoleshente e cila kishte vdekur nga një sëmundje e rëndë. Ai tha këto fjalë, të cilat në fillim më tronditën e më pas më lartësuan: ‘Unë e di se ishte vullneti i Zotit që ajo të vdiste. Asaj iu dha një trajtim i mirë mjekësor. Asaj iu dhanë bekime të priftërisë. Emri i saj ishte në listën e lutjeve në tempull. Ajo ishte pjesë e qindra lutjeve për rikthimin e shëndetit të saj. Dhe unë e di se ka mjaft besim në këtë familje sa ajo do të ishte shëruar nëse nuk do të ishte vullneti i Zotit për ta marrë atë në shtëpi në këtë kohë’. Po atë mirëbesim e ndjeva në fjalët e babait të një tjetër vajze të veçantë, jeta e së cilës u mor nga kanceri në moshën e saj adoleshente. Ai tha: ‘Besimi i familjes sonë është te Jezu Krishti dhe nuk varet nga rezultatet.’ Ato mësime tingëllojnë të vërteta për mua. Ne bëjmë gjithçka që mundemi për shërimin e një njeriu të dashur dhe pastaj ia besojmë rezultatin Zotit” (“Shërimi i të Sëmurëve”, f. 50).
-
Si ushtruan besim te Jezu Krishti individët për të cilët foli Plaku Ouks?
-
Nganjëherë kërkohet besim më i madh për ta parë një njeri të dashur duke vdekur ose duke duruar një sëmundje të gjatë sesa kërkohet për ta parë atë të jetojë ose të shërohet. Si mendoni ju, përse mund të jetë kështu?
-
Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të ushtrojmë besim te Jezu Krishti edhe pse mund të mos e marrim rezultatin që dëshirojmë?
Pyetini studentët nëse njohin dikë që vdiq pavarësisht nga ndjekja e këshillës së duhur mjekësore dhe të kërkuarit e shërimit nëpërmjet lutjes dhe bekimeve të priftërisë. (Jini veçanërisht të ndjeshëm ndaj ndjenjave të atyre që mund ta kenë përjetuar këtë situatë.) Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 42:45–47. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar fjalë ose fraza që mund t’i sjellin ngushëllim dikujt që e ka përjetuar vdekjen e një njeriu të dashur.
-
Vargu 45 na tregon se në mënyrë të natyrshme ne do ta vajtojmë humbjen e atyre që i duam. Cila doktrinë e dhënë mësim në vargun 46, mund t’ju sjellë ngushëllim atyre që vajtojnë humbjen e një njeriu të dashur? (Vdekja është e ëmbël për ata që vdesin në Zotin. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët të shenjojnë fjalë ose fraza që na e mësojnë këtë të vërtetë.)
-
Çfarë mendoni se do të thotë të vdesin në Zotin? (Një mënyrë për ta shpjeguar këtë është që një njeri i ka duruar dhe i ka mbajtur me besnikëri besëlidhjet e shenjta deri në kohën e vdekjes.)
-
Çfarë mendoni se do të thotë që vdekja do të jetë “e ëmbël” për ata që vdesin në Zotin? (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se megjithëse një njeri besnik që vdes mund të vuajë dhembje fizike, ky premtim i referohet paqes dhe prehjes që ai ose ajo do të përjetojë në botën e shpirtrave.)
Ftojini studentët të përsiatin nëse ata po e jetojnë jetën e tyre në një mënyrë që do ta bënte vdekjen “të ëmbël” për ta po të ndodhte sot. (Ju mund të doni t’i ftoni studentët t’i shënojnë mendimet e tyre në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.)
Mbylleni duke ndarë dëshminë tuaj për të vërtetat e mësuara në mësimin e sotëm.
Njësia Tjetër (Doktrina e Besëlidhje 45–48)
Pyetini studentët nëse janë ndier ndonjëherë të shqetësuar ose të merakosur rreth Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit. Shpjegoni se në njësinë tjetër ata do të mësojnë më shumë rreth shenjave të Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit. Çfarë do të ndodhë kur Jezu Krishti të vijë? Çfarë mund të bëjmë që të jemi gati për atë kohë?